Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, i shoqëruar nga Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, z. Klevis Qose, në prezencën e Avokates së Popullit, znj. Erinda Ballanca, ambasadorit të Mbretërisë Britanike, Alastair King-Smith, ambasadorit të Mbretërisë së Holandës, përfaqësuesve nga ambasada e SHBA, autoriteteve vendore, përfaqësuesve të besimeve në Pogradec dhe organizatave të shoqërisë civile që monitorojnë sistemin e burgjeve, inauguruan Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) të ri në Pojskë, Pogradec.
Kjo strukturë moderne, ndërtuar në përputhje me rekomandimet e Avokatit të Popullit dhe Komitetit për Parandalimin e Torturës (CPT), do të akomodojë vajzat dhe gratë në konflikt me ligjin.
Në fjalën e tij, Ministri i Drejtësisë theksoi rëndësinë që i kushtohet sistemit penitenciar dhe angazhimin e Ministrisë së Drejtësisë në zbatimin e rekomandimeve të Avokatit të Popullit dhe CPT. “Është një lajm i mirë që të gjithë së bashku kemi arritur të bëjmë një punë të mirë, që gratë dhe vajzat në konflikt me ligjin të kenë një trajtim dinjitoz, siç është paraparë në ligj, por edhe nga të gjitha standardet evropiane të trajtimit të paraburgosurve dhe të dënuarve,” tha Manja.
Më tej, Ministri Manja kujtoi disa prej sfidave dhe ndryshimeve rrënjësore që janë bërë në sistem, që tregojnë qartë angazhimin e qeverisë shqiptare për reformimin e këtij sektori dhe shkëputjen nga e kaluara komuniste. “Që në fillim kur mora detyrën e Ministrit të Drejtësisë, i kam shtruar vetes një pyetje: cilat do të jenë objektivat e mia në raport me sistemin penitenciar? Mbyllja e burgut të Zaharisë, mbyllja e burgut të Ali Demit dhe burgu i hapur ishin disa nga punët me prioritet, të cilat sot janë realizuar me sukses. Një falënderim për bashkëpunimin e të gjithë partnerëve tanë për gjithë mbështetjen e pakursyer,” vijoi Manja.
Gjatë vizitës, të ftuarit patën mundësinë të inspektojnë workshop-et e ndryshme brenda burgut, ku zhvillohen aktivitete edukative dhe profesionale për të dënuarit. Gjithashtu, gjatë ceremonisë u nënshkrua një marrëveshje ndërmjet Drejtorisë së Burgjeve dhe Ambasadës Angleze për përmirësimin e Burgut të Fushë Krujës.
Në përfundim, Ministri Manja garantoi mbështetjen e qeverisë shqiptare për vijimin e reformave në sistemin penitenciar. “Të gjithë jemi të vetëdijshëm për vëmendjen që qeveria Rama i ka kushtuar sistemit penitenciar dhe ne do të vazhdojmë të punojmë me përkushtim të palëkundur për reformimin e sistemit sipas standardeve më të mira evropiane,” tha Ministri.