-Kryeministër kemi gati dy vite që diskutojmë për negociatat, çelje negociatash kjo u zyrtarizua sot le themi, çfarë do të thotë për Shqipërinë?
Kryeministri Edi Rama: Jo faktikisht ne i kemi çelur negociatat, kemi çelur fazën e parë të procesit të screening, të gjithë organizimin po themi institucional të Shqipërisë, diagnozës dhe tani kemi çelur negocimin, pra jemi në momentin kur kemi hapur kapitullin e “Themeloreve”, grup kapitullin e “themeloreve” me 5 kapituj dhe tri kritere që do të thotë, futja tani në thellësinë e negocimit.
-Ju thatë që keni një plan për këtë rrugëtim, kur parashikohet të përmbyllet ky dhe kur do të jetë etapa tjetër, çelja e grup kapitujve të tjerë, kur do të parashikohet të paktën?
Kryeministri Edi Rama: Ne kemi një plan shumë ambicioz sepse ne duam që Shqipëria të jetë gati dhe të ketë përmbushur të gjitha objektivat dhe të ketë goditur të gjitha shënjestrat që ka procesi përpara vitit 2030 dhe në vitin 2030 maksimumi po themi, ne të jemi gati për Bashkimin Europian. Plani nuk është një plan se kemi ne dëshirë të kemi një plan. Është një plan i përpunuar dhe i dakordësuar me komisionin duke menduar që brenda mandatit të katërt puna të jetë përmbyllur dhe Shqipëria të konsiderohet një vend me detyra të kryera.
-Ne këtë rrugëtim e nisëm së bashku me Maqedoninë e Veriut, si ishte, çfarë fryme përcollën miqtë tanë të Maqedonisë së Veriut gjatë punimeve të sotme dhe ka ndonjë qejfmbetje nga ana e tyre?
Kryeministri Edi Rama: Shqipëria në këtë rrugë ka hyrë vetë dhe pastaj është gjendur mbrapa, pak më përpara pastaj shumë mbrapa, pastaj është gjendur në shoqëri të dikujt, pastaj në shoqëri të dikujt tjetër. Ndërkohë që Maqedonia e atëhershme dhe kjo e Veriut që është e njëjta gjë, po ka një emër tjetër ka qenë shumë përpara nesh edhe tani neve jemi, konsiderohemi përpara gjithë të tjerëve, ndërkohë që deri dje konsideroheshim, kur ne e nisëm ishim prapa të gjithëve, pastaj filluam t’i afroheshim, por të tjerët ishin përpara. Kjo është një korsi individuale e çdo vendi dhe nuk jemi të lidhur në çift me askëmd përgjithmonë sepse ka vetëm një lidhje në çift që shqiptarët kanë vendosur vetë që ta bëjnë dhe është lidhja me Bashkimin Europian, ndërkohë që të gjitha lidhjet e tjera në çift që kemi jetuar në shekuj kanë qenë lidhje të imponuara.
-Shqipëria ka tashmë një staf negociuesish të mirë, të konsoliduar do të ketë të themi zgjerim duke qenë se ka nisur një proces që është shumë i rëndësishëm e ambicioz dhe a shikoni ju pengesa përgjatë kësaj rruge. Do doja të dija ë se çfarë prisni në fakt nga opozita për ta mbështetur vendin në këtë proces?
Kryeministri Edi Rama: Tani patjetër që kjo është një rrugë me pengesa. Pengesat në radhë të parë janë pengesa që duhet t’i kapërcejmë ne, sepse është një mal i tërë për t’u ngjitur tek ajo maja që unë e përsëris, ku Shqipëria duhet të ngjitet në 2030 në të gjitha aspektet dhe këtu nuk është fjala për ta marrë Shqipërinë për ta sjellë këtu.
Këtu është fjala për ta ndërtuar Evropën atje dhe për ta kthyer Shqipërinë në një vend që funksionon si një anëtar i BE me liri individuale, me rendin ligjor, me demokraci funksionale.
Përsa i përket opozitës unë nuk kam çfarë të them. Ne nuk mund as ta ndalojmë, as ta ndryshojmë, as ta ngadalësojmë dhe as të ndërhyjmë në procesin pa kthim të vendosjes së drejtësisë përmes një sistemi drejtësie të pavarur dhe natyrisht, heqja e duarve të politikës nga drejtësia ka krijuar dhembje, ka krijuar situata me të cilat ne nuk jemi mësuar dhe drejtësia ka goditur majtas dhe djathtas. Me shumë majtas sesa djathtas nëse e marrim në aspektin kuantitativ, por kjo është ajo që kemi kërkuar, kjo është ajo për të cilën kemi luftuar edhe kush nuk do të pranojë vendimet e drejtësisë, është i destinuar t’i bjerë murit me kokë dhe në fund është koka dhe jo muri që do bëjë prapa.
-Komisioneri i zgjerimit Várhelyi deklaroi se ne po ndërtojmë Evropën në Shqipëri. Shqipëria përfiton tani një fond të konsiderueshëm, rreth 1 miliardë euro nga plani i investimit i BE. Ku do të investohen këto para?
Kryeministri Edi Rama: Nuk është vetëm kjo anë. Kjo është njëra anë, ana tjetër është qe Shqipërisë dhe vendeve të tjera po i jepet akses në tregun e përbashkët evropian dhe po ju jap vetëm një shembull. Shqipëria është më e avancuara në procesin e futjes në zonën e përbashkët evropiane të pagesave, që do të thotë që të gjitha transaksionet e parasë që bëhen nga shqiptarët e Evropës për në Shqipëri, të cilat jashtë kësaj zone dhe në kushtet që jemi, janë shumë më të shtrenjta sesa transaksionet që bëhen në vendet e BE, do të bëhen njësoj si të ishte Shqipëria një vend anëtar i BE. Çfarë do të thotë kjo? Do të thotë miliona e miliona euro të kursyera nga xhepat e shqiptarëve të Evropës ku çojnë para në Shqipëri dhe anasjelltas, kështu që është një kompleks i tërë gjërash për të cilat jam shumë krenar sepse ne kemi qenë zëri i fuqishëm që kemi avokuar prej disa vitesh, një ndryshim në qasje në këtë proces dhe njëkohësisht jam shumë, shumë falënderues Komisionerit Várhelyi sepse ka qenë vërtetë një urë e bekuar mes nesh dhe Komisionit.