Ish-kryeministri i Shqipërisë, Fatos Nano është ndarë sot nga jeta në moshën 73-vjeçare

Fatos Nano ishte një prej figurave qendrore të jetës politike në Shqipëri pas viteve ’90, me një kontribut të veçantë në procesin e tranzicionit demokratik dhe në konsolidimin e institucioneve shtetërore të vendit. Ai do të njihet si lideri që solli në politikë konceptin e reformës, dialogut dhe integrimit europian.

Themelues e reformator, Nano hyri në histori si drejtues në qeverinë shqiptare, duke shërbyer disa herë si kryeministër në momentet më kritike e njëkohësisht vendimtare për vendin pas viteve ’90.

Në një kohë të trazuar, kur vendi kërkonte identitet të ri politik dhe institucional, Fatos Nano drejtoi me mençuri politike dhe orientoi me sukses transformimin e Partisë së dikurshme të Punës, në një forcë politike moderne, Partinë Socialiste të Shqipërisë, të cilës i dha një frymëmarrje të re, duke e shkëputur nga trashëgimia ideologjike e diktaturës dhe orientuar drejt një modeli socialdemokrat perëndimor, me struktura të reformuara, intelektualë të rinj dhe duke e bërë pjesë të Internacionales Socialiste.

Gjatë periudhave përkatëse, qeveritë e kryesuara nga Fatos Nano u angazhuan në zbatimin e reformave ekonomike dhe institucionale, në përforcimin e shtetit ligjor, si dhe në afrim të mëtejshëm të Shqipërisë me Europën dhe organizatat ndërkombëtare. Një ndër prioritetet e politikës së tij të jashtme ishte normalizimi dhe forcimi i marrëdhënieve me vendet fqinje dhe partnerët strategjikë.

Fatos Nano vlerësohet për rolin e tij në modernizimin e së majtës shqiptare, në krijimin e strukturave demokratike të shtetit, si dhe në udhëheqjen e proceseve të reformave ekonomike e institucionale, gjatë fazave të ndryshme të tranzicionit të Shqipërisë drejt demokracisë dhe integrimit europian.

Pas tërheqjes nga politika aktive, Fatos Nano vijoi kontributin e tij në fushën e analizës politike dhe studimeve ekonomike. Ai është autor i disa botimeve dhe shkrimeve reflektuese mbi zhvillimet politike e ekonomike të vendit.

Në respekt të kontributit të tij të çmuar në jetën publike dhe politike të vendit, Këshilli i Ministrave ka vendosur shpalljen Zi Kombëtare ditën e diel, më 2 nëntor 2025, kur do të zhvillohet ceremonia funebre shtetërore dhe Homazhet Kombëtare për të ndjerin në Pallatin e Kongreseve, Tiranë nga ora 08:30-12:05.

Për organizimin e ceremonisë është ngritur një Komision i Posaçëm Shtetëror nën mbikëqyrjen e Kryeministrit, me përfaqësues nga institucionet kryesore shtetërore dhe të sigurisë