Kapitull i ri për infrastrukturën digjitale në Shqipëri

Nis një kapitull i ri për infrastrukturën digjitale në Shqipëri, me një nismë të re, koordinuar nga Ministri i Pushtetit Vendor, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe AKEP-i, së bashku me njësitë e pushtetit vendor, bashkitë e vendit, – që synon modernizimin e infrastrukturës së komunikimeve elektronike.

Në një takim të zgjeruar me kryetarët e bashkive, përfaqësues të institucioneve përgjegjëse dhe operatorëve ekonomikë, u prezantua plani për sistemimin e kabllove ajrore, eliminimin e strukturave të amortizuara dhe kalimin gradual drejt infrastrukturës nëntokësore, si një hap i rëndësishëm drejt qyteteve më të rregullta dhe më funksionale në rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.

Në takim mori pjesë edhe Kryeministri Rama, i cili vlerësoi nismën si një proces të domosdoshëm që kërkon koordinim dhe disiplinë të përbashkët mes institucioneve qendrore dhe pushtetit vendor.

 

* * *

 

Kryeministri Edi Rama: Përshëndetje të gjithëve! Kjo që bëhet sot publike si një nisëm e re dhe e koordinuar nga ministri i Pushtetit Vendor, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe AKEP-i, së bashku me njësitë e pushtetit vendor, bashkitë e vendit është një nisëm që vjen në kohën e duhur dhe që kërkon një organizim dhe një disiplinë të fortë për t’u kryer me sukses për të gjitha ato arsye që i tha më së miri ministri i Pushtetit Vendor dhe mbi atë bazë që bëri shumë të qartë dhe ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë.

Është tanimë plotësisht e mundur që të pastrojmë qytetet tona nga gjithë ato fije plastike merimangash të një kohe, e cila ka pasur pasojat e veta në vazhdën e një zhvillimi që po ashtu ishte i domosdoshëm dhe faktikisht siç e tregon edhe inventari i bërë pjesa dërrmuese e këtyre kabllove janë pa funksion. Janë pa funksion, por qëndrojnë aty tërësisht si një shenjë e harresës edhe e mungesës së vëmendjes.

Duke qenë se këtu gjërat u thanë për sa i përket këtij problemi dhe kësaj nisme, unë dua të përfitoj nga rasti që të ndaj në prani të kryetarëve dhe kryetareve të bashkive edhe një tjetër nismë të një përmase shumë të madhe dhe të shtrirë në një sërë drejtimesh me natyrë strategjike për komunitetet e vendit, të cilën do ta lançojmë publikisht në një konferencë të Pushtetit Vendor në 10 ditëshin e parë të korrikut.

Bëhet fjalë për programin e ri kombëtar të Rilindjes Urbane 2.0, një program i cili po përgatitet nga institucionet dhe në dialog me bashkitë, nën kujdesin, udhëheqjen dhe mbikëqyrjen e ministrit të Pushtetit Vendor zotit Demo. Është një program i cili synon të adresojë disa elementë të cilëve tanimë i ka ardhur koha të marrin një drejtim shterues.

Së pari të adresojë të gjitha pjesët e mbetura të sistemit, pra të mbetura të pa investuara dhe janë disa pjesë të cilat ndryshe nga çfarë hidhet e spërdridhet në diskursin e përditshëm negativ janë në fakt më pak, shumë më pak sesa pjesët e investuara të sistemit të Ujësjellës Kanalizimeve dhe pikërisht për këtë programi do të adresojë nevojën për të bërë një ndërhyrje gjithëpërfshirëse dhe për t’i dhënë përgjigje edhe atyre nevojave të mbetura të pa adresuara nga segmentet akoma të munguara të rrjetit të përgjithshëm Ujësjellës Kanalizime.

Së dyti do të adresojmë nevojën për të çuar në një nivel tjetër transportin urban dhe ndër urban duke nisur nga transporti i domosdoshëm dhe faktikisht hallka më e dobët e sistemit tonë të industrisë së re të turizmit që është transporti i periudhës së sezonit të pikut, kur bëhet shumë e vështirë për turistët dhe vizitorët që të lëvizin me mjete të vëna në dispozicion nga sektori publik dhe qëllimi është që të hyjmë në një fazë ku gjenerata e re e mjeteve të transportit publik, e para të jetë tërësisht e gjelbër, pra flasim për autobus elektrik, të cilët kanë zero ndotje, gjë që është një tendencë tanimë e përgjithshme në Europë dhe së dyti për të ndërtuar një sistem të përdorimit dhe të administrimit të këtyre mjeteve nën administrimin e bashkive.

Pra do të jetë qeveria së bashku me bashkitë që do të sigurojnë mjetet dhe bashkitë do të bëjnë administrimin e tyre nëpërmjet një sistemi që tanimë e kemi pilotuar me shumë sukses në Bashkinë e Dibrës për sa i përket parkut logjistik, gjë që vij te pika tjetër, do ta shtrijmë tanimë në të gjithë territorin. Do të kemi një park logjistik, i cili do t’i shërbejë bashkive për të gjitha ato punime të domosdoshme të mirëmbajtjes, pastrimit, hapjes së kanaleve kulluese, të kanaleve ujitëse dhe njëkohësisht edhe për të gjitha ato ndërhyrje të tjera të kësaj natyre që lidhen me situata post emergjencë, në mënyrë që bashkitë të zotërojnë një kapacitet të munguar deri më sot.

Duke u kthyer për një moment te transporti, po ashtu do të lançojmë konkretisht edhe financiarisht, do të mbështesim një program për të krijuar kapacitete më domethënëse për parkimet, sidomos në qytetet me intensitet të lartë qarkullimi e patjetër duke pasur parasysh këtu si prioritet qytetet dhe zonat që janë zona me ngarkesë specifike për shkak të turizmit dhe programi i parkimeve është një program i veçantë që ka disa komponentë të cilat do t’i detajojmë në konferencën përkatëse dhe për të cilat të gjithë bashkitë do të kenë programin të shkruar me të gjithë komponentët.

Dua të them që për parkimet kemi disa formula dhe përveç formulës së financimit direkt të punës për ndërtimin e tyre përmes Fondit të Zhvillimit dhe krijimit të partneriteteve me bashkitë siç kemi disa raste të suksesshme sjell këtu rastin e Beratit, rastin e Gjirokastrës që kanë lehtësuar jashtëzakonisht këto destinacione ë gjithmonë e më të kërkuar të trashëgimisë sonë kulturore, por edhe një tjetër formulë për t’i mundësuar bashkive që të mund të aksesojnë bankat me projekte specifike të parkimeve apo që të mund të bashkëpunojnë me subjektet private të cilat do të jenë të ftuara të marrin pjesë në bashkëpunim në ato territore brenda lagjeve që i përdorin aktualisht për parkime shqetësuese dhe ndotëse dhe ku faktikisht kanë marrë të drejtën e pronës, por mund të angazhohen për të ndërtuar një infrastrukturë parkimesh shumë më fitimprurëse dhe njëkohësisht shumë miqësore me komunitetin.

Një tjetër elementë i rëndësishëm dhe dua t’i falënderoj disa nga kryetarët e bashkive sepse kanë qenë aktivë në bashkëpunimin me ministrin e Pushtetit Vendor, është shtylla që lidhet me zonat ish industriale. Edhe për to kemi një plan të qartë pune me bashkitë. Është bërë identifikimi i ish zonave industriale që janë ende sot e gjithë ditën të braktisura dhe kemi po ashtu dhe modele të krijuara që tanimë na japin mundësinë të kuptojmë sesi do t’i zhvillojmë këto zona ish-industriale.

Komponenti tjetër është komponenti i muzeve të identiteteve lokale dhe për këtë është bërë një punë deri tani e mbledhjes së informacionit nga bashkitë të cilat do të kenë rol aktiv në këtë proces sepse për ne është shume e rëndësishme që duke qenë se është shumë e qartë që rruga jonë është rruga e ngjitjes në një nivel të lartë të klasifikimit të vendeve turistike, kjo nuk mund të jetë diçka e qëndrueshme në rast se ne nuk e pasurojmë ofertën tonë turistike ku muzetë e identiteteve lokale janë një domosdoshmëri.

Në ndërkohë kemi po ashtu edhe programin për shtrirjen e startup-eve edhe në territore te tjera pasi vëmë re që nga një anë kemi një rritje të ndjeshme të kërkesave në programin “Start up Albania” për të cilin do nxjerrim dhe një financim të ri gjatë ditëve në vijim pasi kërkesat cilësore kane qenë më shumë sesa nga çfarë u parashikua në bazë të dinamikes viteve të fundit, por ajo që nuk mund të lihet në rrjedhë të lirë është fakti që numri i aplikimeve është në mënyrë shumë të zhbalancuar midis Tiranës që zë pjesën e luanit dhe bashkive të tjera.

Natyrisht që kjo është dhe një çështje informacioni, është dhe një çështje angazhimi për t’i nxitur dhe sensibilizuar të rinjtë që të shikojë nga ky program, pasi e dimë shumë mirë, e dini shumë që në të gjitha bashkitë tuaja keni vajza dhe djem shumë të talentuar që i janë përkushtuar botës së teknologjisë.

Dhe e fundit, natyrisht jo për nga rëndësia janë kompanitë. Kompanitë e përbashkëta për të cilat ka filluar një proces.

Kemi një sërë bërthamash tanimë të krijuara. Kompani të përbashkëta mes njësive të pushtetit vendor dhe fermerëve apo sipërmarrësve në fshat dhe kjo patjetër paralelisht edhe me programin tjetër i cili do të fillojë të jetë i hapur për shprehje të interesit që është programi “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”.

Këto pika i sjell këtu për shkak se është e rëndësishëm që të gjithë ju të angazhoheni së bashku me ministrin për të bërë të mundur që manifesti i Rilindjes 2.0 i cili do publikohet pastaj në konferencën kombëtare që do të bëjmë mes qeverisë, pushtetit vendor dhe aktorëve të tjerë, të jetë sa më i plotë dhe aty të gjithë ta gjejnë veten me prioritetet apo me objektivat e tyre.

Në mbyllje, e fundit jo nga rëndësia, është domosdoshmëria e një riangazhimi për ta çuar në një nivel tjetër edhe ndërveprimin mes bashkive dhe qytetarëve, duke shfrytëzuar Platformën digjitale të Bashkëqeverisjes, por edhe të gjitha rrugët e tjera pasi sidomos në këtë fazë të vitit ju e dini shumë mirë që me rritjen e ngarkesës së madhe për shkak të sezonit turistik rriten edhe nevoja të cilat lidhen jo vetëm me anën e bashkisë që duhet të kujdeset në mënyrë të posaçme aty ku ka rritje të ndjeshme të numrit të banoreve, të territorit, për të gjitha shërbimet, por nga ana tjetër sjellin rritjen e nevojave nga ana e njerëzve, për të gjitha ato të cilat njerëzit mund të kenë nevojën e shërbimit publik, e mbështetjes së sektorit publik që nga çështjet e shëndetit tek çështje që lidhen me qetësinë, me sigurinë e fëmijëve e kështu me radhë.

Ju falënderoj shumë për vëmendjen dhe me një vërejtje për disa nga kryetarët e bashkive, nuk dua t’i përmend këtu me emra që janë bërë pak problem, po e them në mënyrë kështu të butë, për komunitetin pasi nuk qëndrojnë në komunitet gjatë gjithë javës, por vijnë në Tiranë edhe në ditët kur duhet të jenë në krye të detyrës atje. Është shumë e rëndësishme që kjo praktikë të marrë fund, nuk janë të gjithë por janë disa, ndërkohë që shembulli i ministrit aktual të Pushtetit Vendor i cili vjen nga një eksperiencë shërbimi jashtë Tiranës edhe pse shtëpinë e kishte dhe e ka në Tiranë është një shembull që duhet ta kenë parasysh disa kryetarë që sot nuk dua t’i përmend me emër, por herën tjetër do duhet t’i përmend me emër dhe publikisht, që lënë komunitetin dhe lënë detyrën përpara se sa në fakt të vijë ai që është momenti zyrtar i pushimit që edhe aty ha diskutim kjo punë dhe vijnë në Tiranë. Kjo gjë nuk është e justifikueshme dhe nuk është e pranueshme. Besoj që kam gjithë mirëkuptimin tuaj për të adresuar një orë e më parë këtë shqetësim i cili është një shqetësim që më ka ardhur në mënyrë të përsëritur për hir të vërtetës nga disa prej komuniteteve tuaja.

Shumë faleminderit!