Kuvendi i Shqipërisë miratoi në seancën e rradhës Marrëveshjen e huasë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, dhe KFW Frankfurt am main (KFW), dhe Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare (KESH) për rehabilitimin e hidrocentralit të Fierzës në shumën prej 40 milionë euro.
Gjatë prezantimit të kësaj marrëveshje, Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, u shpreh, se ajo shoqërohet edhe me dy marrëveshje granti, të cilat synojnë sigurimin e shumave prej 2 milion euro grant, për financimin e projektit “Masat Shoqëruese për projektin rehabilitimi elektro-mekanik i Hidrocentralit të Fierzës”, dhe 8,35 milion euro grant, për financimin e projektit “Rehabilitimi i Hidrocentralit të Fierzës në Shqipëri”.
Zbatimi i këtij projekti do të ndikojë për përmirësimin e sistemit elektroenergjetik, në rehabilitimin e agregatëve të Hidrocentralit të Fierzës të cilat janë instaluar 39 vjet më parë dhe janë në gjendje kritike dhe kjo ndërhyrje është e domosdoshme dhe urgjente.
Kjo hua me shumë 40 milionë euro do të ketë një maturim prej 15 vitesh, duke përfshirë një periudhë pa pagesë principali prej 5 vitesh dhe me një interes të përcaktueshëm mbi bazën e tregut në momentin e disbursimit duke shtuar mbi normën bazë ICAPEURO një marzh prej 0.55%.
Sektori i energjisë është një sektor kryesor i cili ka patur vazhdimisht vemendjen e Qeverisë në financimin e projekteve të ndryshme të investimit që do të mundësojë një shërbim të qendrueshëm dhe të sigurtë të furnizimit me energji për qytetarët.
Fjala e plotë e Ministres së Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, në seancën plenare
Përshëndetje,
Pavarsia energjitke dhe vecanërisht ajo me burime të rinovueshme është vendosur në qëndër të diskutimeve në mbarë botën.
Shqipëria është ndër vëndet e cila ka më shumë burime hidrike në Europë në raport me popullsinë, por në të njëtën kohë nuk i ka shfrytëzuar ato si duhet.
Nuk duhet të harrojmë që deri në vitin 2013 mospagesa e energjisë ishte rregulli duke e kthyer atë në një nga gropat më të thella për buxhetin e shtetit.
Formalizmi i sektorit, ku për të dalluar rezultatet mjafton ti referohemi arkëtimeve të viti 2015, kohë kur filloi reforma e energjisë, të cilat ishin në nivelin e 41.2 Miliard lekë, ndërkohë që sot janë mbi 60 miliard lekë, lejoji që investimet të rriten në vite, duke ndikuar në eficencën dhe duke shtuar dhe zgjeruar furnizmin me energji elektrike.
Në këtë linjë dhe bazuar në programin e qeverisjes 2021-2025, ky projekt mbështet objektivin – modernizim për zhvillim, ku, ndër të tjera, përcaktohet që Shqipëria do të jetë eksportues neto i energjisë elektrike në të gjithë rajonin.
Projektligj i propozuar synon ratifikimin e marrëveshjes së huasë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë (huamarrësi), përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, dhe KFW Frankfurt am main (KFW), dhe Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare (KESH) (agjencisë zbatuese të projektit) për rehabilitimin e hidrocentralit të Fierzës në shumën prej 40 milionë euro. Qëllimi i Huasë është të kontribuojë në zhvillimin social ekonomik të vendit, duke siguruar furnizim me energji për kohë të gjatë, të qendrueshëm dhe pa impakt në klimë duke zgjeruar periudhën e shfrytëzimit të HEC-it të Fierzës me të paktën 30 vjet dhe duke rritur eficencën e tij.
Kjo Marrëveshje Huaje, shoqërohet edhe me dy Marrëveshje Granti, të cilat synojnë sigurimin e shumave:
- 2 milion euro grant, për financimin e projektit “Masat Shoqëruese për projektin rehabilitimi elektro-mekanik i Hidrocentralit të Fierzës”; dhe
- 8,35 milion euro grant, për financimin e projektit “Rehabilitimi i Hidrocentralit të Fierzës në Shqipëri”.
Nga pikëpamja strategjike, projekti do të ndikojë për përmirësimin e sistemit elektroenergjetik, në rehabilitimin e agregatëve të Hidrocentralit të Fierzës të cilat janë instaluar 39 vjet më parë dhe janë në gjendje kritike dhe kjo ndërhyrje është e domosdoshme dhe urgjente.
Gjendja kritike e agregateve të Hidrocentralit të Fierzës rrezikon ndalesa të paplanifikuara të makinerive dhe një rritje të problemeve teknike që rezulton me një humbje prej 53,123 Gëh për një vit, e cila përkthehet në një reduktim kapaciteti prej 4% në vit dhe që shkakton humbje monetare prej 2.656 Mil EUR në vit.
Rezultatet e realizimit të këtij projekti janë të shumta, ku ndër më kryesoret po përmendim:
- Rritja e prodhimit të energjisë elektrike nga HEC Fierza;
- Rritja e eficencës në prodhim në HEC Fierza;
- Reduktimi i kohës së nevojshme për mirëmbajtjen e agregateve;
- Rritja e disponueshmërise së veprës;
- Reduktimi i kostove vjetore për mirëmbajtjen periodike;
- Kontribut në reduktimin e emetimeve të karbonit nga prodhimi i energjisë elektrike në rajon;
- Rritja e sigurisë së furnizimit të vendit me energji elektrike;
- Rritja e jetëgjatësisë së funksionimit të veprës edhe me të paktën 30 vite të tjera.
Projekti për rehabilitimin elektro-mekanik të HEC Fierza është i një rëndësie të veçantë për sektorin elektroenergjetik Shqiptar dhe jo vetëm. Kjo bazuar në rëndësinë që ka HEC Fierza, i cili është njësia gjeneruese më e rëndësishme në vendin tonë.
Kjo hua me shumë 40 milionë euro do të ketë një maturim prej 15 vitesh, duke përfshirë një periudhë pa pagesë principali prej 5 vitesh dhe me një interes të përcaktueshëm mbi bazën e tregut në momentin e disbursimit duke shtuar mbi normën bazë ICAPEURO një marzh prej 0.55%.
Mbi huanë aplikohet një tarifë e manaxhimit prej 1% të shumës së huasë si dhe komision angazhimi 0.25% në vit që përllogaritet mbi shumën e padisbursuar të huasë.
Sektori i energjisë është një sektor kryesor i cili ka patur vazhdimisht vemendjen e Qeverisë në financimin e projekteve të ndryshme të investimit që do të mundësojë një shërbim të qendrueshëm dhe të sigurtë të furnizimit me energji për qytetarët. Ndër vite, deri në fund të tremujorit të parë të vitit 2022, janë disbursuar rreth 1,032 milionë Euro fonde të huaja hua në përfitim të këtij sektori, ku mesatarisht në vit janë disbursuarr rreth 49 milionë Euro (referuar 10 vjeçarit të fundit), shumë e cila konsiston në peshën prej rreth 23% të huave shtetërore të disbursuara për investime për të gjithë sektorët në tërësi.
Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH sh.a.), ka qënë përfitues i një numur të madh projektesh të financuara me kredi shtetërore, apo të mbështetura me Garanci Shtetërore, ku ndër kreditorët kryesorë përmendim Bankën Botërore, KFW dhe BERZH. [1]
Më konkretisht, nga fondet e huaja të disbursuara për sektorin e energjisë (1,032 mln Euro të përmendura më sipër), rreth 74% janë fonde të disbursuara nga KESH sh.a., apo në vlerë absolute, nga KESH janë disbursuar kredi të huaja në vlerën prej 766.5 milionë Euro.
KESH ka përfituar gjithashtu një numur mbështetjesh buxhetore (kredi të dhëna nga buxheti) në vlerën prej rreth 71.4 milionë Euro, si dhe nga kredi të siguruara brenda vendit, nga sektori bankar, kredi këto të mbështetura me garanci shtetërore në vlerën prej rreth 34 milionë Euro.
Financimi në energji të rinovueshme është e sotmja dhe e ardhmja për ekonominë tonë për këtë arsye ju ftoj të miratoni projektligjin e propozuar.
Faleminderit,
[1] Bashkëlidhur informacion i detajuar mbi kreditë, garancitë shtetërore dhe mbështetjet buxhetore të përfituara nga operatoret e energjisë dhe detyrimet përkatëse të akumuluara kundrejt Ministrisë së Financave në lidhje me këto kredi/garanci/mbështetje buxhetore.