Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi dhe Ministri i Sportit dhe Turizmit të Polonisë Kamil Bortniczuk zhvilluan një vizitë në një prej gjimnazeve të Tiranës, ku u takuan me nxënës të talentuar që merren me sporte të ndryshme shkollore.
Ministri polak i Sportit u njoh me disa nisma për zhvillimin e sportit shkollor në Shqipëri, ndërkohë që të dy ministrat theksuan se ndanin të njëjtin mendim për vlerën e programeve në shkollë, të cilat janë domosdoshmëri për zhvillimin e sportit elitar. Nxënësit nëpërmjet sportit përfitojnë një shëndet të mirë fizik dhe mendor, si dhe një jetë sociale larg veseve dhe dukurive negative sociale. Por gjithashtu është një mënyrë e shkëlqyer për të identifikuar talentet në moshë të re, në mënyrë që ata të bëhen sportistë elitarë në të ardhmen.
Ambasadorja e Polonisë në Tiranë Monika Zuchniak-Pazdan, shprehu dëshirën për të investuar në palestrën e këtij gjimnazi për ta kthyer atë në një terren sportiv me standardet më të mira ndërkombëtare.