Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj bashkë me Zv. Kryeministren Belinda Balluku, Ministren e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro dhe kryebashkiakët e qarkut Dibër, zhvilluan një takim me fermerë e sipërmarrës të agroturizmit e bujtinave, me të cilët nisën diskutimet për strategjinë e zhvillimit të agroturizmit.
Strategjia e Agroturizmit është plan i mirëdetajuar i Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural që është hedhur për konsultim publik. Kjo nismë e Ministres Anila Denaj mbështet agroturizmin përmes zbatimit të një qasjeje të integruar të kohezionit territorial.
Agroturizmet ndërlidhin bujqësinë me turizmin, si potenciali më i mirë për të zhvilluar ekonominë e çdo zone, pasi për 100 njësi agroturistike, kthehet në ekonominë e asaj zone më shumë se sa 12 milionë Euro në vit dhe shumë se sa 1700 punësime.
“Objektivi ynë është rritja e numrit të njësive agroturistike të certifikuara, që të ndërtojmë një standard cilësie, i cili do tregojë më shumë për çdo punë, mundim, lodhje, sakrificë të çdo sipërmarrësi dhe zonjave duararta që me aq shumë dashuri gatuajnë shijen shqiptare dhe na japin këtë vlerë të shtuar të bujqësisë”, u shpreh Ministrja Denaj në fjalën e saj ne këtë takim.
Zhvillimi i prodhimit do të arrihet edhe nëpërmjet punësimit cilësor të të rinjve, zinxhirëve të shkurtër të vlerës dhe fuqizimin e produkteve tradicionale, si vlerë e identitetit të zonave rural bujqësisë, duke siguruar një ndikim pozitiv në mirëqenien e komunitetit rural.