Koçiu: 726 pasuri të sekuestruara në 2025, asetet e krimit në funksion të komuniteteve dhe rritje pagash për forcat speciale

Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, gjatë një konference për shtyp prezantoi nismat e reja ligjore për forcimin e kontrollit të territorit, përdorimin e aseteve kriminale në mbështetje të të rinjve dhe familjeve të efektivëve të rënë në detyrë, si dhe rritjen e pagave për forcat operacionale të Policisë së Shtetit.

Koçiu bëri të ditur se gjatë vitit 2025 janë sekuestruar 726 pasuri me vlerë mbi 6 miliardë lekë, ndërsa 64 prej tyre janë konfiskuar dhe vënë në funksion të projekteve sociale dhe institucioneve publike. Në total, vlera e aseteve të sekuestruara dhe të konfiskuara gjatë vitit 2025 shënon shifrën më të lartë të regjistruar ndonjëherë brenda një viti, si rezultat i bashkëpunimit mes Policisë së Shtetit, Prokurorisë së Përgjithshme, SPAK dhe BKH.

Nga pasuritë e konfiskuara janë mbështetur 15 projekte me impakt social dhe 20 institucione publike. Është krijuar gjithashtu baza ligjore për transferimin e pronave në pushtetin vendor për strehim social dhe ngritjen e qendrave për viktimat e dhunës, krimit dhe trafikimit. Ministria ka hapur një thirrje publike për organizatat e shoqërisë civile për projekte konkrete në shërbim të qytetarëve. Po ashtu, është në përgatitje një nismë ligjore që do të mundësojë përdorimin e aseteve kriminale në mbështetje të familjeve të efektivëve të Policisë së Shtetit të rënë në detyrë.

Duke folur për operacionin për kthimin e ligjshmërisë në territor, ministrja deklaroi se ai tashmë ka karakter të përhershëm, duke e kthyer territorin në një hapësirë gjithnjë e më shumë në shërbim të qytetarit. Sipas të dhënave zyrtare, janë evidentuar 252 subjekte që kanë shkelur lejet e ndërtimit, janë prishur 447 ndërtime apo shtesa të paligjshme dhe janë vendosur gjoba me vlerë rreth 12 milionë euro. Përmes platformës e-Albania, në dritaren “Hapësira ime Publike”, janë regjistruar mbi 18 mijë denoncime, nga të cilat 14 mijë janë zgjidhur dhe mbi 4 mijë janë në proces shqyrtimi.

Sipas Koçiut, rishikimi i kornizës ligjore forcon mekanizmat ndëshkues dhe njëkohësisht socialë ndaj shkelësve, duke parashikuar, përveç gjobës dhe ndjekjes penale, edhe konfiskimin e shtesave apo ndërtesave pa leje për përdorim social ose strehim. Ajo theksoi se partneriteti me qytetarin mbetet thelbësor për suksesin e operacionit.

Ministrja njoftoi gjithashtu rritje page për rreth 720 efektivë të strukturave speciale të Policisë së Shtetit: RENEA, Forcat Kombëtare të Sigurisë dhe Forcën e Posaçme Operacionale. Paga për efektivët e RENEA-s rritet me 20% (250 mijë lekë), ndërsa për dy strukturat e tjera me rreth 14%. Pas kësaj rritjeje, paga e një inspektori në RENEA shkon në pothuajse 1600 euro, ndërsa për një drejtues në rreth 2300 euro. Në Forcën Operacionale, paga për gradën inspektor shkon rreth 1200 euro, ndërsa për gradën kryekomisar varion nga 1600 deri në 1700 euro. Efekti financiar është parashikuar në buxhetin e shtetit për këtë vit.