Koçiu inspekton situatën nga përmbytjet në Sukth, nis plani i evakuimit të banorëve

Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, së bashku me Prefektin e Qarkut, Kryetaren e Bashkisë së Durrësit dhe drejtues e përfaqësues të strukturave të Emergjencave Civile, Policisë së Shtetit dhe Forcave të Armatosura, inspektoi situatën e krijuar nga përmbytjet në Njësinë Administrative Sukth, në Durrës, ku ka nisur zbatimi i planit të evakuimit.

Në zonën e Vadardhës janë angazhuar të gjitha strukturat përgjegjëse për evakuimin e banorëve të prekur, ndërsa parashikohet që rreth 500 qytetarë të evakuohen me mjetet e Forcave të Armatosura. Aktualisht janë dislokuar gjashtë mjete të Forcave të Armatosura dhe mbi 200 punonjës ndodhen në terren për menaxhimin e situatës dhe parandalimin e çdo incidenti.

Ministrja Koçiu u bëri thirrje banorëve të bashkëpunojnë me autoritetet dhe t’u përgjigjen thirrjeve për evakuim, nëse kjo do të jetë e nevojshme. Ajo apeloi që qytetarët të qëndrojnë në banesat e tyre, të shmangin lëvizjet e pakontrolluara dhe të mos largohen pa udhëzimet e strukturave përgjegjëse.

Sipas autoriteteve, ekipet e Emergjencave Civile dhe Forcave të Armatosura do të kontaktojnë banorët derë më derë dhe do të sigurojnë transportimin e tyre drejt zonave të sigurta. Institucionet vijojnë monitorimin e situatës dhe mbeten në gatishmëri të plotë për përballimin e emergjencës.