Spitali Rajonal i Lezhës, i cili tashmë ka marrë Kartën e Autonomisë Menaxheriale do të rikonstruktohet tërësisht duke rritur gamën e shërbimeve shëndetësore për të gjithë qytetarët e Lezhës.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu gjatë inspektimit në Spitalin e Lezhës deklaroi se me nisjen së shpejti të rikonstruksionit, ky spital merr një fazë zhvillimi të mëtejshëm, krahas maternitetit i cili ofron kushte tërësisht bashkëkohore.
Koçiu u shpreh se ky investim do të mundësojë rritjen e cilësisë së shërbimit për rreth 200 mijë banorë si dhe transformimin e ambienteve për mjekët dhe pacientët.
“Një lajm i mirë ky për të gjithë mjekët, infermierët dhe gjithë stafin që punon në spitalin rajonal të Lezhës, por edhe për afro 200 mijë banorë dhe qytetarë të të gjithë rajonit që do të përfitojnë nga kushte shumë më bashkëkohore në këtë strukturë spitalore. Falë investimeve të vazhdueshme të qeverisë dhe MSHMS-së në aparatura bashkëkohore do të ofrohen shërbime të reja diagnostikuese dhe ekzaminuese”, deklaroi Koçiu.
Gjithashtu, ministrja e Shëndetësisë vizitoi edhe ambientet e transformuar të Maternitetit të Lezhës, duke theksuar se është “një model ekselent në pajisje dhe teknologji”.
Ajo falënderoi mjekët dhe infermierët për punën e tyre në shërbim të grave dhe vajzave. Në bashkëbisedim me ministren Koçiu, stafi mjekësor, por edhe qytetarët u shprehën shumë të kënaqur për kushtet e krijuara si dhe cilësinë e shërbimeve që ofrohen.
Spitali Rajonal Lezhë ofron shërbime në patologji, pediatri, shërbimin e Anestezi-reanimacionit, të kirurgjisë së përgjithshme, okulistikë, kujdes paliativ, kimioterapi, ortopedi si dhe shërbimin e obstetrikë-gjinekologjisë.