Koçiu: Pasuritë e krimit kthehen në dobi të komunitetit, hapet thirrja për projekte

Pasuritë e konfiskuara nga veprimtaritë kriminale do të vihen në shërbim të komunitetit përmes financimit të projekteve të organizatave jofitimprurëse, pasi Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK), në varësi të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ka hapur thirrjen për aplikime.

Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, bëri të ditur se fondi në dispozicion arrin në 15 milionë lekë dhe buron nga pasuritë e konfiskuara të krimit, me qëllim kthimin e tyre në dobi të shoqërisë përmes projekteve me impakt real shoqëror. Sipas saj, këto pasuri nuk do të trashëgohen apo shërbejnë më si simbol privilegji, por do të përdoren për mbështetjen e fëmijëve, familjeve në nevojë dhe viktimave të dhunës.

Mbështetja financiare synon parandalimin e kriminalitetit dhe rehabilitimin social, kulturor e shëndetësor të shtresave vulnerabël, veçanërisht të personave dhe grupeve të rrezikuara nga krimi i organizuar, trafikimi dhe forma të tjera të paligjshmërisë. Ajo përfshin gjithashtu trajtimin e përdoruesve të substancave narkotike, si edhe mbështetjen për familjarët e punonjësve të Policisë së Shtetit të rënë në detyrë.

Thirrja është e hapur për OJF-të e regjistruara në Shqipëri që veprojnë në këto fusha, ndërsa afati për dorëzimin e aplikimeve është deri më 9 mars 2026. Informacionet mbi kriteret, dokumentacionin dhe procedurat e aplikimit janë publikuar në faqet zyrtare të AAPSK-së dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme.