Koçiu: Policia e Shtetit në gatishmëri të plotë për menaxhimin e qarkullimit në akset me borë dhe ngrica

Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, bëri të ditur se Shërbimet e Policisë Rrugore, Patrullat e Përgjithshme, njësitë “Shqiponja” dhe Forcat Kombëtare të Sigurisë vijojnë të jenë në gatishmëri të plotë në terren për menaxhimin e qarkullimit rrugor dhe asistimin e qytetarëve, në kushtet e motit të përkeqësuar.

Akset rrugore në zonat malore të qarqeve Shkodër, Korçë, Kukës, Gjirokastër dhe Dibër, si dhe Rruga e Arbërit, Rruga e Kombit dhe aksi Llogara, paraqesin prezencë dëbore dhe rrezik për ngrica. Në këto segmente rrugore është i detyrueshëm përdorimi i gomave dimërore dhe i zinxhirëve.

Shërbimet e Policisë Rrugore po bashkëpunojnë me firmat kontraktore të mirëmbajtjes së rrugëve, ku po vijon pastrimi dhe kriposja e akseve për të garantuar sigurinë në qarkullim.

Policia e Shtetit u bën thirrje drejtuesve të mjeteve të rrisin vigjilencën, të zbatojnë rregullat e qarkullimit rrugor dhe udhëzimet e Policisë, si dhe të përdorin pajisjet dimërore në akset ku kushtet e motit e kërkojnë. Në rast nevoje për ndihmë, qytetarët ftohen të kontaktojnë numrin pa pagesë 112.