Koçiu: Projekte për ta afruar Elbasanin me standardet e qyteteve evropiane, fokus te transformimi i gjelbër dhe zhvillimi i qëndrueshëm
Elbasani po avancon me projekte konkrete për t’u afruar me standardet e qyteteve evropiane, me fokus te transformimi i qëndrueshëm, zhvillimi ekonomik dhe tranzicioni i gjelbër. Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu deklaroi se vizioni “Elbasani 2030” është pjesë e projektit më të gjerë të “Shqipërisë evropiane 2030”.
Gjatë konferencës “Zbatimi i Kontratës Klimatike të Qytetit”, Koçiu theksoi se qyteti është përfshirë në mesin e 112 qyteteve evropiane në kuadër të Misionit të Qyteteve dhe është një nga tre qytetet e vetme në Ballkanin Perëndimor me këtë status. Marrja e “label”-it të Kontratës Klimatike konfirmon angazhimin e Elbasanit për arritjen e neutralitetit klimatik deri në vitin 2050 dhe e pozicionon atë si model për qytetet e tjera.
Sipas saj, transformimi përfshin përdorimin e energjisë së rinovueshme në ndërtesa publike, zhvillimin e transportit të pastër dhe rritjen e eficiencës energjetike, duke forcuar njëkohësisht bashkëpunimin me partnerët evropianë.
Paralelisht, qyteti po përjeton zhvillime infrastrukturore dhe ekonomike që rrisin rolin e tij strategjik, përmes projekteve si bajpasi i Elbasanit, autostrada Elbasan-Lekaj dhe Korridori VIII. Një tjetër shtyllë është transformimi industrial, me ndërtimin e një parku industrial modern në zonën e ish-Metalurgjikut, si dhe zhvillimi i turizmit përmes rijetëzimit të kalasë dhe promovimit të zonave si Funari dhe Gjinari.
Koçiu nënvizoi se këto zhvillime janë pjesë e një procesi më të gjerë transformimi që lidhet me integrimin evropian, duke theksuar se reformat dhe standardet nuk zbatohen vetëm për përmbushjen e kërkesave të Bashkimit Evropian, por edhe si domosdoshmëri për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.