Koçiu: Strukturat e rendit dhe emergjencave në gatishmëri të plotë gjatë përmbytjeve
Gjatë mbledhjes së Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile, Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, deklaroi se të gjitha strukturat e ministrisë kanë qenë në gatishmëri të plotë gjatë situatës së krijuar nga përmbytjet si pasojë e reshjeve intensive, duke mundësuar ndërhyrje të shpejtë në çdo rast emergjent.
Koçiu theksoi se prania e pandërprerë në terren ka mundësuar ndërhyrje të shpejtë dhe asistencë të drejtpërdrejtë për qytetarët, përfshirë evakuime, reagim në raste emergjente dhe mbështetje në situata shëndetësore apo problematika të tjera. Rreth 5500 punonjës të Policisë së Shtetit janë angazhuar në të gjithë territorin e vendit, me rreth 700 mjete në dispozicion, ndërsa Forcat Zjarrfikëse kanë angazhuar mbi 720 efektivë, 55 automjete zjarrfikëse dhe 22 pompa thithëse, kryesisht në zonat më problematike.
Prefektët kanë aktivizuar menjëherë shtabet e emergjencës në nivel qarku, duke garantuar koordinimin e punës dhe grumbullimin e informacionit të domosdoshëm. Procesi i evidentimit të dëmeve vijon në funksion të një vlerësimi të plotë të situatës dhe planifikimit të ndërhyrjeve në vijim.