Komisioni i Ekonomisë miraton me disa ndryshime projektligjin për reformimin e pagave në administratën publike - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Komisioni i Ekonomisë miraton me disa ndryshime projektligjin për reformimin e pagave në administratën publike

Komisioni parlamentar për Ekonominë dhe Financat shqyrtoi dhe miratoi në mbledhjen e sotme projektligjin “Për disa ndryshime në ligjin nr.9584, datë 17.7.2006, “Për pagat, shpërblimet dhe strukturat e institucioneve të pavarura kushtetuese dhe të institucioneve të tjera të pavarura, të krijuara me ligj”, të ndryshuar.

Në fjalën e saj gjatë prezantimit të projektligjit, Ministrja Delina Ibrahimaj u shpreh se përmes këtij projektligji synohet t’i hapet rrugë një reforme të plotë dhe të thellë të pagave në administratën publike, duke e rritur pagën mesatare në 900 euro në harkun kohor të një viti.

Kjo politikë, tha Ibrahimaj, është gjithëpërfshirëse dhe rritja vjen si rezultat i mundësive të reja që ka krijuar ekonomia për më shumë punë dhe për më shumë të ardhurave për qytetarët.

“Ne kemi analizuar diferencat me vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe qëllimi ynë është përafrimi gjatë 2-3 viteve në vijim dhe vijimi i rritjes së nivelit të pagave në sektorit publik, për të arritur mesataren e vendeve të rajonit dhe duke synuar që në harkun kohor e 10-15 viteve paga në vend të bëhet e krahasueshme me mesataren e Bashkimit Europian”, tha Ibrahimaj.

Gjatë diskutimit, deputetët propozuan disa ndryshime lidhur me koeficentët për kategoritë A, B dhe C, të cilat përfshijnë kategoritë nga Kryetari i Kuvendit deri te deputetët, reformimi dhe rritja e pagave për të cilët ishte parashikuar të bëhej në një fazë tjetër dhe jo aktualisht. Këto ndryshime u propozuan duke gjykuar në përcaktimin e një hierarkie të drejtë dhe dinjitoze të pagave. Ndryshimet e propozuara gjetën dakordësinë e Ministres së Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, dhe u miratuan me shumicën e votave të anëtarëve të komisionit parlamentar për Ekonominë dhe Financat.

Fjala e Ministres Ibrahimaj për prezantimin e projektligjit:

I nderuar Kryetar i Komisionit,

Të nderuar deputetë,

Projektligji që sjellim sot përpara jush synon t’i hapë rrugë një reforme të plotë dhe të thellë të pagave në administratën pubblike, duke filluar nga e gjithë hierarkia shtetërore dhe duke u ndjekur më pas urojmë edhe nga biznesi privat, si  një mënyrë për të ndryshuar tërësisht sistemin dhe për t’i dhënë ekonomisë stimuj të rinj në kushtet e sfidave të reja që po na dikton koha.

Shqipëria ka hyrë tashmë në një fazë tjetër të zhvillimit ekonomik për të qenë sa më konkurruese edhe në rajon kundrejt një procesi siç është ai i integrimit në familjen e madhe europiane.

Ne sot nëpërmjet këtij projektligji synojmë të bëjmë realitet një rritje pagash të pamenduar deri disa vite më parë, duke e çuar pagën mesatare në administratën publike 900 euro në harkun të një viti, me dy hapa, hapi i parë tani që ka filluar dhe hapi tjetër gjatë vitit të ardhshëm. Ndërkohë që kemi vijuar me reformën e rritjes së pagës minimale, ku prej 1 prillit 2023, ky nivel page është rritur me 6 mijë lekë, duke arritur vlerën prej 40 mijë lekësh dhe synimi ynë është që brenda këtij mandati, paga minimale të shkojë në vlerën 45 mijë lekë. Kjo është një politikë e cila synon t’u vijë në ndihmë kësaj fashe punonjësish me qëllim që ata të marrin paga sa më dinjitoze.

Kjo politikë është gjithëpërfshirësedhe  rritjeje vjen si rezultat i mundësive të reja që ka krijuar ekonomia për më shumë punë, por edhe më shumë të ardhurave për qytetarët.

Në hartimin e projektligjit ne kemi analizuar diferencat me vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe qëllimi ynë është përafrimi gjatë 2-3 viteve në vijim dhe vijimi i rritjes së nivelit të pagave në sektorit publik, për të arritur mesataren e vendeve të rajonit dhe duke synuar që në harkun kohor e 10-15 viteve paga në vend të bëhet e krahasueshme me mesataren e Bashkimit Europian.

Objektivat kryesorë që synojn të arrijë projektligji janë:

  • Krijimi i një piramide të niveleve të pagave për disa institucione kushtetuese dhe të pavarura, e cila do të jetë në përputhje me rëndësinë dhe përgjegjësitë e tyre. Me përcaktimin e pagës së Presidentit, si paga më e lartë në Republikën e Shqipërisë, janë të lidhura gjithashtu edhe disa funksione të tjera kushtetuese dhe të pavaruara të krijuara me ligje specifike, duke krijuar kështu një hierarki mes këtyre funksioneve, por njëkohësisht duke u shkëputur ndjeshëm nga funksione të tjera të administratës publike.

Që nga viti 2006, kanë ndodhur disa ndryshime ligjore që ndikojnë në fushën e veprimit të ligjit që është aktualisht në fuqi, ku mund të përmendim si miratimin e ligjeve të reja për disa nga institucionet, pjesë e fushës së veprimit të ligjit aktual, ashtu dhe ndryshimin në emërtimet e institucioneve, të cilat në disa raste janë hequr nga fusha e veprimit.

  • Vijimi i hierarkisë së pagave të administratës publike, duke krijuar mundësinë për realizimin e reformës së pagave për disa grupe të tjera të tjera nëpunësve dhe punonjësve të administratës publike qendrore dhe vendore, duke krijuar kështu kushtet e nevojshme për të tërhequr dhe mbajtur individët e kualifikuar.

Një moment i rëndësishëm është edhe angazhimi që qeveria shqiptare ka ndërmarrë për reformën në rritjen e pagave për disa grupe të tjera të nëpunësve dhe punonjësve të administratës publike, reformë e cila nuk mund të jetësohet nëse nuk miratohet ndryshimi i propozuar në ligjin nr. 9584/2006, të ndryshuar. Kjo, pasi për shkak të rritjeve ndër vite të pagave sipas sistemeve, aktualisht jemi në situatën ku çdo rritje page e nëpunësve civilë dhe nëpunësve të tjerë pa ndryshuar ligjin, do të ndikonte në përkeqësimin e mëtejshëm të hierarkisë aktuale të pagave.

Përfituesit dhe efektet financiare të këtij ligji janë si më poshtë:

Presidenti i Republikës, titullarët dhe anëtarët me kohë të plotë të organeve kolegjiale drejtuese të institucioneve të pavarura kushtetuese dhe institucioneve të tjera të pavarura të krijuara me ligj.

Praktikisht, përfitojnë 250 funksionarë politikë dhe funksionarë të tjerë, të cilët pagën e kanë të lidhur me pagën e Presidentit dhe efekti financiar vjetor shtesë vetëm për këto kategori përllogaritet 20 milionë lekë.

Më konkretisht, paga e Presidentit propozohet të rritet në nivelin 425 mijë lekë të reja nga 257 mijë lekë që është aktualisht. Për sa i përket koeficientëve të pagës për pozicionet që kanë të bëjnë me institucionin e Kuvendit dhe atë të Ekzekutivit, ato janë përshtatur pa ndryshuar nivelin aktual të pagave, për ta rikonsideruar në një moment të dytë. Kjo për shkak se kemi pasur për qëllim të fokusuar fillimisht tek finalizimi i kësaj politike të re të rritjes së pagave për një kategori më të madhe përfituesish, sikurse janë të gjithë punonjësit e administratës publike qëndrore dhe vendore.

Grupet e prekura in-direkt janë të gjithë punonjësit e administratës publike qendore dhe vendore. Politika e rritjes së pagave për administratën publike është parashikuar të shtrihet në dy vite.

Sa i takon efektit financiar, kosto totale e kësaj politike, duke filluar nga 1 janar 2025, vit kur do të ketë një efekt të plotë projektligji dhe aktet nënligjore që e shoqërojnë atë është rreth 39 miliardë lekë, prej të cilave 1 miliard lekë llogaritet efekti financiar i zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për vitin 2023. Nga kjo reformë përfitojnë në total 130 330 punonjës.

Pasoja, në rast se paketa e reformës së pagave (projektligji dhe aktet nënligjore) nuk miratohet, duke hyrë në fuqi më datë 1 Prill, janë:

  • Vonesa në zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese;
  • Paga neto e punonjësve, të cilët janë objekt i kësaj reforme mund të ulet, si rrjedhojë e rritjes automatike të kufirit maksimal të pagës referuese, për efekt të kontributeve të sigurimeve shoqërore.

Në përfundim të fjalës time për sa i përket ligjit të hierarkisë së pagave, do doja të kërkoja mbështetjen e të gjithë deputetëve të nderuar të këtij komisioni që ta miratojnë këtë projektligj, pasi kjo do të ndikonte në mënyrë të drejtpërdrejtë në:

  • zbatimin e vendimit nr. 35/2022, të Gjykatës Kushtetuese;
  • përmirësimin e raporteve të pagave të titullarëve dhe të anëtarëve të organeve kolegjiale drejtuese me kohë të plotë të disa institucioneve të pavarura kushtetuese dhe institucioneve të tjera të pavarura të krijuara me ligj;
  • krijimin e hierarkisë së pagave, duke vlerësuar rëndësinë e institucioneve, e në këtë mënyrë krijimin e mundësisë për realizimin e reformës së pagave për disa grupe të tjera të nëpunësve dhe të punonjësve të administratës publike.

Ju faleminderit për vëmendjen, dhe mbetem në dispozicion për t’ju përgjigjur pyetjeve që mund të keni në lidhje me projektligjin.

Previous Ibrahimaj dhe Kumbaro, takim me institucionet përgjegjëse për ndalimin e përdorimit të qeseve plastike