Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Evropian miraton Rezolutën për Shqipërinë 2025, Hoxha: Konfirmohet progresi në integrimin drejt BE-së

Komisioni për Punët e Jashtme në Parlamentin Evropian miratoi me 58 vota pro Rezolutën mbi Raportin e Progresit të Komisionit Evropian për Shqipërinë për vitin 2025, duke vlerësuar ecurinë e vendit në procesin e integrimit evropian.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, e cilësoi miratimin e rezolutës si një vlerësim të qartë të progresit të Shqipërisë dhe të angazhimit të saj në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Sipas tij, dokumenti mbështet gjithashtu ambicien për përmbylljen e negociatave deri në vitin 2027 dhe konfirmon se vendi ndodhet në një fazë vendimtare të procesit të integrimit.

Rezoluta konfirmon progresin e qëndrueshëm të Shqipërisë, angazhimin në reforma dhe pozicionimin e saj ndër vendet pararojë në procesin e zgjerimit. Në të theksohet hapja e të gjithë grup-kapitujve të negociatave brenda një periudhe të shkurtër dhe vijimi i tyre me ritëm të qëndrueshëm, si tregues i besueshmërisë së progresit të arritur.

Dokumenti vlerëson gjithashtu përputhjen e plotë të politikës së jashtme të Shqipërisë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së, duke e cilësuar vendin si partner të besueshëm dhe kontribues aktiv në çështjet rajonale dhe evropiane. Një vlerësim pozitiv i jepet edhe rolit të Shqipërisë në stabilitetin rajonal dhe bashkëpunimit në kuadër të procesit të zgjerimit në Ballkanin Perëndimor. Po ashtu, theksohet kontributi i Shqipërisë në iniciativa të rëndësishme të BE-së, si Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i cili synon të përshpejtojë konvergjencën ekonomike me Bashkimin Evropian.

Në planin e brendshëm, rezoluta evidenton përparimin në reforma, përfshirë reformën në drejtësi dhe forcimin e institucioneve, ku vlerësohet veçanërisht puna e strukturave të posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Po ashtu, nënvizohet konsensusi i gjerë politik dhe mbështetja e fortë e qytetarëve për integrimin evropian.

Dokumenti thekson nevojën për vijimin e reformave, veçanërisht në drejtim të përmirësimit të sistemit zgjedhor në përputhje me rekomandimet ndërkombëtare, si dhe forcimin e mëtejshëm të institucioneve demokratike. Ministri Hoxha u shpreh se Shqipëria i sheh këto si pjesë të një dialogu konstruktiv dhe të vazhdueshëm me institucionet evropiane, që ndihmon në orientimin dhe konsolidimin e reformave gjithëpërfshirëse, në përputhje me angazhimet dhe rekomandimet e ndërmarra.

Rezoluta e Parlamentit Evropian përforcon gjetjet e raportit të Komisionit Evropian dhe ofron një pasqyrë të balancuar mbi arritjet dhe sfidat, duke e konsideruar vijimin e reformave si kyç për avancimin e mëtejshëm drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.