Komisioni i Venecias, një partner i pazëvendësueshëm në zhvillimin demokratik të vendit

Shqipëria shënon këtë vit, 30 vjet anëtarësim në Këshillin e Europës, ndërkohë që Komisioni i Venecias një organ këshillimor i krijuar nën kujdesin e Këshillit të Europës, që ofron ekspertizë juridike dhe kushtetuese për vendet anëtare të Këshillit të Europës dhe për shtete të tjera, duke asistuar në hartimin e kushtetutave dhe reformave ligjore në përputhje me standardet demokratike evropiane, – shënon 35 vjet nga krijimi i tij.

Me këtë rast u organizua sot në kryeqytet një konferencë që bëri bashkë përfaqësues të lartë të qeverisë, drejtësisë, institucioneve të pavarura dhe partnerëve ndërkombëtarë, ku u vlerësua roli Këshillit të Europës dhe Komisionit të Venecias, si dy partnerë të çmuar drejt udhëtimit të vendit drejt një shoqërie më demokratike, më të drejtë dhe europiane.

Kryeministri Rama, i cili përshëndeti punimet e Konferencës, tha se Komisioni i Venecias e ka shoqëruar në vijimësi përpjekjen e Shqipërisë për t’u demokratizuar dhe për t’u transformuar nga një vend i sapodalë prej diktaturës në një vend që synon të ulet në tryezën e BE, duke theksuar veçanërisht kontributin e dhënë në dy momente kyçe për historinë e zhvillimeve demokratike në Shqipëri, Kodin Zgjedhor dhe Reformën në drejtësi, për të cilat Kryeministri Rama u shpreh se “Komisioni ka qenë një bashkudhëtar i pandarë, një udhërrëfyes, si gjithmonë i matur dhe një autoritet që na ka ndihmuar të ruajmë gjatë gjithë kohës busullën dhe të orientohemi në drejtimin e duhur.”

Kryeministri theksoi se Komisioni i Venecias është një partner i pazëvendësueshëm. “Sa i pazëvendësueshëm aq edhe i pabujshëm, i heshtur madje, i Shqipërisë që do të vazhdojë patjetër të jetë një pikë referimi për ne, për të kuptuar sa më mirë se çfarë duhet të bëjmë më mirë në të gjitha momentet kur do të kemi dilemat e pandashme nga proceset e reformave dhe të ndryshimeve.” – tha ndër të tjera Kryeministri Rama.