Komisioni për Edukimin e Mjetet e Informimit Publik/Seancë dëgjimore me Ministrin e Brendshëm për Paketën e Sigurisë në Shkolla - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Komisioni për Edukimin e Mjetet e Informimit Publik/Seancë dëgjimore me Ministrin e Brendshëm për Paketën e Sigurisë në Shkolla

Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka raportuar në një seancë dëgjimore para Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, detaje të hollësishme rreth zbatimit Paketës së Sigurisë në Shkolla, duke vënë në dukje bashkëpunimin mes strukturave të Policisë së Shtetit, me drejtuesit e shkollave dhe institucioneve të tjera të përfshira në këtë nismë.

Në një ekspoze lidhur me paketën e sigurisë, ministri Balla vuri në dukje se “kemi kryer identifikimin dhe përcaktimin e perimetrit të sigurisë në çdo shkollë sipas vlerësimit të situatës në terren, por në të gjitha rastet ky perimetër është të paktën 50 metra nga gardhi rrethues i shkollës”.

“Janë ushtruar kontrolle sistematike, the Balla – në mjediset e shkollave dhe në perimetrin e sigurisë përreth tij, për të parandaluar çdo lloj vepre penale. Në mënyrë të veçantë në fokus, ka qenë shitja e lëndëve narkotike. Por mos harroni që ka dhe problematika të tjera, sikurse armëmbajtja pa leje, dhuna, apo shfrytëzimi i të miturve,” – u shpreh Ministri.

Duke folur rreth rezultateve konkrete të arritura në kuadër të zbatimit të kësaj pakete, Balla theksoi se “deri tani janë goditur 24 grupe kriminale, dhe janë vendosur para drejtësisë 515 shtetas prodhues, shpërndarës, trafikantë të lëndëve narkotike. Dua t’ju garantoj që rezultatet që sapo thashë, do të vazhdojnë të thellohen, sepse operacioni kombëtar “Tempulli” do të operojë në të gjithë vendin. Të gjitha strukturat e Policisë së Shtetit  janë në një nivel gatishmërie për të garantuar sigurinë maksimale pranë të gjithë shkollave  të vendit”.

Më tej ai shpjegoi se në dy javët e fundit, janë marrë 651 numra unikë nga shërbimet e policisë, për rastet e ndodhura të sigurisë në shkolla, por vetëm 17 raste kanë rezultuar problematika ngjarjesh, për të cilat mund të angazhohet Policia e Shtetit dhe 6 prej tyre janë referuar në prokurori.

“Kemi komunikuar me bashkitë në të gjithë vendin, – tha Ministri, – që në planifikimin e buxhetit për 2024, të parashikohet jo vetëm sistemi i sinjalistikës rrugore pranë perimetrit të sigurisë në shkolla, por edhe për një sistem të ri kamerash sigurie në të gjithë rrugët dhe rrugicat që rrethojnë shkollat. Në Tiranë, një pjesë e këtyre shkollave i kanë, ndërsa ato që nuk i kanë, janë planifikuar për t’u vendosur gjatë vitit 2024”.

Balla sqaroi për deputetë se në zbatim të paketës së sigurisë, në 1859 institucione arsimore në vend, ne janë angazhuar 1707 punonjës policie për të garantuar sigurinë në shkolla.

“Për të mundësuar një ambient më të sigurt me institucionet arsimore, deri tani kemi organizuar 3410 takime mes Policisë së Shtetit dhe drejtuesve të shkollave dhe 1157 takime me oficerët e sigurisë në shkolla. Po ashtu, kemi zbritur prezencën e policisë në takimet e bordeve të prindërve apo me senatet e nxënësve, në disa prej të cilave kam marrë pjesë edhe unë si ministër i Brendshëm,” u shpreh ai në këtë seancë dëgjimore.

Sa i përket bashkëpunimin ndërinstitucional në kuadër të zbatimit të paketës, Balla u ndal në ngritjen dhe funksionimin e Task Forcave për sigurinë në shkolla.

“Në nivel vendor, funksionojnë të gjitha Task Forcat për zbatimin e paketës së sigurisë në shkolla. Prefektët janë përzgjedhur prej meje si drejtuesit e këtyre Task Forcave. Unë do të ftoja të gjithë deputetët, pa dallime partiake, të marrin pjesë në mbledhjet që zhvillohen nën drejtimin e prefektëve në kuadër të këtyre Task Forcave, sepse kontributi i deputetëve është i pazëvendësueshëm. Janë përcaktuar në të gjitha DVP dhe komisariate, koordinatorët për sigurinë në shkolla, pra tashmë ne kemi punonjës policie të dedikuar për sa i përket bashkëveprimet me drejtuesit e shkollave, oficerin e sigurisë, pushtetin vendor, prefektin, sa i përket zbatimit të paketës së sigurisë”.

Balla u bëri apel deputetëve që të përkrahin nismën për ndryshime ligjore, që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me paketën e sigurisë në shkolla.

“Ne duam që paketën e sigurisë në shkolla ta forcojmë përmes ndryshimeve në ligj, në mënyrë të veçantë në kodin penal, sa i përket ashpërsimit figurës së veprës penale që përfshijnë fëmijët. Një vepër penale që kryhet brenda perimetrit të sigurisë, duhet të ketë një dënim më të ashpër. Shumë shpejt unë do të jem para jush si komisioni përgjegjës, por edhe te komisioni i çështjeve ligjore për të prezantuar këto ndryshime të cilat ne i kemi depozituar zyrtarisht, në Ministrinë e Drejtësisë dhe janë përfshirë në draftin paraprak të ndryshimeve në kodin penal,” theksoi ministri Balla në fjalën e tij.

Previous Ministrja Koçiu: Kombet e Bashkuara vlerësojnë punën e Shqipërisë për parandalimin e diskriminimit ndaj grave