Komunikim i Kryeministrit Edi Rama me gazetarët e mediave të Shqipërisë, të pranishëm gjatë vizitës së tij në Shkup - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Komunikim i Kryeministrit Edi Rama me gazetarët e mediave të Shqipërisë, të pranishëm gjatë vizitës së tij në Shkup

Kryeministri Edi Rama, i cili mori pjesë sot në takimin mes liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësuesve të BE, SHBA e institucioneve financiare ndërkombëtare, të zhvilluar në Shkup – iu përgjigj interesimit të mediave të Shqipërisë që ndodheshin të pranishme në këtë vizitë.

* * *

Kryeministri Edi Rama: Duke qenë se morët mundimin për të ardhur deri këtu, atëherë nuk mund t’ju lija pa ju dhënë mundësinë që të shprehni çfarëdo qoftë dhe të pyesni çfarëdo qoftë para se të kthehemi në Shqipëri.
– Zoti kryeministër, pikë së pari dua t’ju pyes për një ndryshim planesh që i bëtë thirrje në konferencë që “nuk duhet të shikojmë ngjyrat e flamurit”, “duhet të bëhemi pak daltonikë”, “duhet të shikojmë drejt BE”, por nga një konferencë, një deklaratë për shtyp më vonë, më pas u anulua fare, ishte qëndrimi dhe kërkesat e Serbisë apo?
Kryeministri Edi Rama: Jo, kishte një atmosferë shumë pozitive sepse pikërisht u bë gjëja e duhur, u fol për punë konkrete, u fol për temat e kësaj sfide shumë të madhe që është përfitimi me sukses i të gjithë vendeve të rajonit nga plani i ri i rritjes i Bashkimit Europian dhe nga mundësia e integrimit në tregun e përbashkët europian, gjëra për të cilat është shumë e qartë dhe është bërë fare e qartë edhe gjatë darkës së djeshme dhe gjatë ditës së sotme nga përfaqësuesi i lartë i Komisionit Europian, por edhe nga përfaqësuesit e administratës amerikane se në këtë proces nuk ka asnjë hapësirë dhe njëkohësisht patjetër nuk ka asnjë dëshirë për të dëgjuar çështje të natyrës politike, çështje të natyrës bilaterale e të tjerë, përkundrazi, është po ashtu shumë e qartë që çdo vend që do të bllokojë tjetrin në këtë proces do bllokojë vetveten dhe nuk do përfitojë dot nga ky plan.

– Mbrëmë keni pasur një takim informal. Nuk ju kemi parë juve së bashku me zotin Kurti dhe zotin Vuçiç bashkë që nga sulmi i Banjskës. U bënë shumë kohë. A kishit mundësi që të gjitha ato deklarata që keni mbajtur, qëndrime ndaj zotit Kurti apo një takim me zotin Kurti për shkak se e keni folur edhe ju prej kohësh, e thatë prapë në Lezhë që në Shkup mund të takohemi e mund të bisedojmë?
Kryeministri Edi Rama: Mos hyni në trajtimin e këtyre marrëdhënieve si marrëdhënie të natyrës personale. Këtu nuk ka asgjë personale dhe në fakt, është hera e parë që unë jam në një darkë së bashku me të dy, me Albinin dhe me presidentin Vuçiç dhe nuk më rezulton se ndodhi ndonjë gjë tjetër, përveçse u bë një komunikim pozitiv mes të gjithëve. Ashtu sikundër, ajo që më rezulton është që ky format dhe këto kërkesa që ka sot Bashkimi Europian nga të gjithë ne për të na dhënë mundësinë që ne të marrim shumë më tepër mbrapsht në aspektin ekonomik dhe në aspektin financiar, flasin vetë për atë që më ka rënë goja gjithë këto vite, që ne duhet të integrohemi brenda për brenda rajonit që të jemi gati kur të duhet të bëjmë një hap më tej në Bashkimin Europian dhe sot, nëse ne do të kishim bërë të gjitha gjërat që mund të kishim në kuadrin e Procesit të Berlinit dhe duke shfrytëzuar dhe mekanizmin e Ballkanit të Hapur si një mekanizëm pune për të vënë në jetë ato direktiva të Procesit të Berlinit, sot do të ishim gati, por nuk jemi gati sepse kemi humbur kohë dhe kemi harxhuar shumë energji, duke u marrë me terminologji, duke u marrë me “Jo, po ky procesi është tjetër, ai procesi është tjetër”, e të tjerë gjëra, që në fakt janë rezultat i mungesës së vizionit strategjik të përbashkët të të gjithë anëtarëve të një komuniteti prej 6 vendesh dhe mungesa e dëshirës për të ndarë çështjet e brendshme me këtë çështje të madhe që është sa e brendshme aq edhe e përbashkët sepse Bashkimi Europian na e ka bërë shumë të qartë që nëse nuk jemi bashkë, atëherë kush do të bëhet shkak do të penalizohet. Do të penalizojë vetveten sepse nuk do të përfitojë dot.
Në këtë aspekt, unë besoj që kjo që ka ndodhur këto 24 orë shumë pozitive, qoftë darka e mbrëmshme dhe qoftë dhe dita e sotme, kjo duhet t’i thotë diçka të gjithë atyre që në vend se të merren me përmbajtjen kur bëjnë komente, kur bëjnë kritika, kur bëjnë analiza, kur bëjnë gjyqe publike, qoftë si individë në rrjete sociale, qoftë si zëdhënës të publikut nëpër klube mediatike, të kuptojnë se e vërteta është që asgjë e keqe nuk ndodh nga të takuarit dhe nga të folurit dhe në fund të ditës, paqja dhe bashkëpunimi është në interes të të gjithëve, ndërkohë që konflikti dhe ndasia është vetëm në interes të politikanëve për një kohë të shkurtër, jo për një kohë shumë të gjatë.

– Zoti Kryeministër, përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në “doorstep” tha që fillimisht duhet të bëhen reformat dhe pastaj të japim mbështetje financiare. A bëhen reformat pa mbështetje financiare, në rastin e Shqipërisë konkretisht?
Kryeministri Edi Rama: Shqipëria nuk ka nevojë për mbështetje financiare për të bërë reformat që ka bërë dhe për të bërë këto reforma sepse këto janë reforma, të cilat ne përpiqemi t’i bëjmë prej vitesh dhe nuk kemi kërkuar asnjë mbështetje financiare, së bashku me të tjerët, dhe e thashë më ka rënë goja gjithë këto vite, ja ku vijmë sot që po të kishim bërë në këto vite gjënë e duhur, sot nuk do të kishim nevojë të nxitonim dhe të shtrëngonim si të thuash rripin e përbashkët për të bërë sa më shpejt diçka që mund ta kishim bërë gati me kohë.

– Nga paketa 6 miliardë euro që është për periudhën 2024 -2027, 2 miliardë janë për grante dhe 4 miliard janë për kredi. Për çfarë projektesh do të synojë Shqipëria dhe pse?
Kryeministri Edi Rama: Është shumë herët për të folur për këtë. Unë besoj që e rëndësishme ne të bëjmë këtë pjesë dhe nga ana tjetër po kaq e rëndësishme është të kuptohet që pjesa më e rëndësishme e këtij procesi nuk janë këto miliardat, janë shumë patjetër të rëndësishme për ne, por është integrimi në tregun e brendshëm europian. Për shembull me integrimin në tregun e brendshëm europian vetëm nga ndryshimi i regjimit të transaksioneve financiare që bëjnë qytetarët – sepse ju e keni parasysh sa shumë bashkëqytetarët tanët janë jashtë dhe bëjnë transaksione financiare, çojnë para për familjet e tyre, çojnë para për sipërmarrjet e tyre të vogla etj, etj. – Vetëm nga kjo në këtë proces, parashikohet që qytetarët shqiptarë mund të kursejnë mbi 20 milion euro në vit, vetëm nga këto. Kështu që, janë shumë e shumë gjëra të tjera që do t’i ndihmojnë shumë ekonominë, do t’i ndihmojnë shumë bizneset. Për të mos folur për miliona të tjera që bizneset e këtij rajoni shpenzojnë ndërkohë që janë jashtë konkurrencës me të tjerët pasi të tjerët për të njëjtat gjëra nuk ka nevojë të bëjnë shpenzime të tyre sepse shfrytëzojnë mekanizmat që janë brenda tregut Bashkimit Europian dhe brenda vetë Bashkimit Europian, brenda vetë Komisionit Europian.

-Zoti kryeministër, ky takim vjen pas disa deklaratave të Presidentit të Shteteve të Bashkuara, por edhe disa mediave prestigjioze europiane, siç është gazeta gjermane “Bild” në lidhje me çështjet e sigurisë. U ndalët gjatë këtyre orëve në Shkup, diskutuat për çështjet e sigurisë edhe me përfaqësuesit amerikanë?
Kryeministri Edi Rama: Jo çështjet e sigurisë nuk kanë qenë temë e takimit të sotëm, ndërkohë që patjetër janë prekur në mënyrë thjeshtë parimore apo dhe mbase të detajuar në takimet bilaterale, por gjëja tjetër që unë besoj është e rëndësishme të them sot këtu me ju është se po përgatisim një samit në Tiranë për Ukrainën dhe do të kemi të pranishëm Presidentin Zelenskyy, ndërkohë që paralelisht me të do përpiqemi që në atë hark kohor të kemi edhe takimin tjetër të liderëve të rajonit me përfaqësuesit e sotëm dhe që janë ata që do të ndjekin këtë proces të Komisionit Europian dhe administratës amerikane për të bërë një bilanc të këtij muaji nga sot deri në fund të shkurtit dhe për të vazhduar të punojmë me ritmin e përshpejtuar që diktohet edhe nga proceset që janë sot në Europë, sepse ka zgjedhje të reja dhe parlament të ri dhe në do të kapim datat dhe mundësisht të mbyllim këtë paketë, duke bërë ne punën tonë, brenda afateve që ka kjo administratë që është sot në pushtet.

– Samiti ka një teme të caktuar?
Kryeministri Edi Rama: Është një samit në mbështetje të Ukrainës dhe për të diskutuar me Presidentin e Ukrainas me njëri-tjetrin, lidhur me sfidat e sigurisë.

-Zoti kryeministër, ambicia e diplomacisë tonë është që të përafrojmë integrimin e Kosovës në NATO së afërmi. Pritet të ketë hapa konkret në samitin e radhës që është në Uashington?
Kryeministri Edi Rama: Kjo është një punë që bëhet përditë dhe nuk është diçka që është në një datë, apo datë tjetër. Kjo është një përpjekje e përditshme që ne bëjmë.

– Në fakt doja t’iu pyesja për takimin tuaj bilateral me Ndihmës Sekretarin e Shtetit. Kishte mesazhe specifike që nuk kanë të bëjnë ndoshta thjeshtë me Shqipërinë, por me rajonin?
Kryeministri Edi Rama: Kemi folur për të dyja, edhe për Shqipërinë edhe për rajonin natyrisht, sepse për të dyja mund të flisnim dhe flasim gjithmonë dhe besoj që marrëdhëniet tona me Shtetet e Bashkuara nuk kanë qenë ndonjëherë më të mira, nuk kanë qenë ndonjëherë më të afërta, nuk kanë qenë ndonjëherë më produktive, ashtu si kundër besoj që dhe roli ynë në rajon nuk ka qenë ndonjëherë më i qartë sesa pikërisht në këtë moment kur është dhënë një tjetër shembull që të gjithë duhet të jenë në tryezë, të gjithë duhet të punojnë bashkë. Nuk është e nevojshme, do të ishte e dëshirueshme. Por nuk është e nevojshme që kur të ulesh në një tryezë me një grup njerëzish, mos të kesh asnjë problem me asnjërin, mund të kesh shumë gjëra me të cilat nuk je dakord dhe për të cilat përpiqesh dhe bën betejën tënde në instancat dhe hapësirat e duhura, por kur flitet për një gjë kaq të mirë, kaq pozitive, kaq shumë të nevojshme për të gjithë popujt tanë, për të gjitha vendet tona, atëherë tryeza është i vetmi vend ku trajtohen çështje që lidhen me rritjen ekonomike, që lidhen me rritjen e mirëqenies, që lidhen me përshpejtimin e të gjithë fazave që na bashkojnë përfundimisht me Bashkimin Europian.
Faleminderit!

Previous Shkup, kryeministri Edi Rama në takimin mes liderëve të BP dhe përfaqësuesve të BE, SHBA e institucioneve financiare ndërkombëtare