Komunikim i Kryeministrit Edi Rama me qytetarët në FB mbi Paketën e Rezistencës Sociale. - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Komunikim i Kryeministrit Edi Rama me qytetarët në FB mbi Paketën e Rezistencës Sociale.

Mirëmbrëma të gjithëve!

Faleminderit për secilindo prej jush në facebook apo në Instagram që po më ndjek! Është një tjetër komunikim në domosdoshmërinë për të folur së bashku, pasi unë iu dëgjoj me shumë vëmendje në sensin që i ndjek me shumë vëmendje komentet, reagimet dhe besoj dëgjimi i njëri-tjetrit është një domosdoshmëri gjithnjë, por sidomos në kushtet e një situate si kjo, ku si të mos mjaftonte taksirati i madh i pasojave të një lufte që është paraqitur në Shqipëri dhe kudo tjetër, në formën e çmimeve të rritura befasisht – se atje ku zhvillohet me bomba dhe me tankë është në formën e saj vrastare, – e sikur të mos mjaftonte ky taksirat i madh na duhet të komunikojmë edhe sepse këtu te ne si në asnjë vend tjetër të NATO-s, si në asnjë vend tjetër të Europës, si në ansjë vend tjetër të botës demokratike që po i ripërjeton ekzaktësisht të njëjtat shenja shqetësuese me faturat e çmimeve, të kemi të bëjmë edhe me një gërdi turpi.

Do ta përsëris këtë sa herë të më jepet mundësia që të komunikoj sepse qysh nga protesta e parë e fillimit të zgjimit të Shqipërisë pluraliste dhe deri më sot ka patur lloj-lloj protestash, ka patur dhe protesta të dhunshme, ka patur dhe protesta që pastaj kanë degraduar në një formë apo në një tjetër, por protestë më të turpshme sesa kjo, as nuk ka patur dhe as nuk ka sesi të ketë.

Reagim më të turpshëm sesa reagimi në mbështjetje të kësaj proteste, as ka patur dhe as s’ka sesi të ketë për arsye se për çfarë protestohet sot?

Kundër kujt protestohet sot?

Të gjitha vendet që po e përjetojnë me të njëjtin shqetësim, secili në proporcionin e vet, kërcimin e çmimeve të energjisë, që këtu nuk po përjetohet sepse askush nuk po paguan asnjë qindarkë më shumë energji, po të karburantit, po të çmimeve të shportës, po të çmimeve të tjera, por protestojnë kundër shkaktarit që është Rusia dhe që është agresioni rus mbi Ukrainën.

Nuk ka dalë askush të protestojë kundër qeverisë së vet sepse çdo qeveri përfshirë dhe këtë mund të ketë një mijë e një arsye për të cilat duhet protestuar ndaj saj, po asnjë qeveri sot përfshirë edhe këtë tonën nuk është një arsye për të protestuar sot për shkak të pasojave që ka sjellë në çmimet e shportë, karburantit dhe të tjera, një luftë që nuk ka nisur kjo qeveri dhe që nuk e ndal dot kjo qeveri.

Dikush nga frymëzuesit e kësaj proteste tha një shprehje që i thotë të gjitha “nuk do ta lëmë këtë rast të na shpëtojë se po na shpëtoi edhe kësaj herë, nuk e kapim dot”. Po shpëtoi “kush” ? Unë, qeveria. Po çfarë lidhje ka në këtë rast qeveria e Shqipërisë më rritjen e çmimit të të gjitha produkteve në mënyrë lineare në të gjithë botën. Çfarë lidhje ka? Po flas për një fjali, shprehje të thënë qysh në ditët e para të paralajmërimit të protestës dhe të nxitjes së këtij reagimi. Mua nuk më shqetëson protesta në vetëvete. Absolutisht jo, sinqerisht deri në fund jo. Protesta në vetëvete është ajo që është dhe jo aq por 10-fish, 20-fish, 30-fish e 300 fish të ishte taksat mbi karburantet sa të jem unë këtu dhe kjo qeveri këtu e kjo shumicë qeverisëse këtu, nuk hiqen, nuk ulen, nuk lëvizin. Mua më alarmon diçka tjetër. Më alarmon cënimi i drejtëpërdrejtë i dinjitetit tonë si komb, si popull, si shtet, si vend, si shoqëri, si shqiptar nga ky reagim, i cili mund të gëzojë vetëm ata që e nxisin dhe ata që janë në Kremlin. Njëri tjetër të arsyeshëm ky reagim nuk ka sesi gëzon. Nëse hipotetikisht do të ishim në muajin e tretë, të katërt të luftës dhe të ishim në muajin e tretë e të katërt të goditjes së njëpasnjëshme të çmimeve, të nivelit të jetesës do të ishim në kushte ku e ku më të vështira se këto të sotmet për shkak të luftës dhe qeveria nuk do të kishte reaguar dhe nuk do të kishte bërë asnjë, atëherë mbase do të ishte krejt normale që të thoje “ore shiko një minutë tani”.

Por kur qeveria nuk e ka pritur luftën farë ndonjëherë, po qysh kur është shfaqur në formën e disa shenjave të para kriza energjitike ka marrë një vendim për ta mbajtur ajo barrën e krizës dhe për të mos e rritur çmimin e energjisë në faturën e 726 mijë familjeve rezidente sot në Shqipëri sipas INSTAT dhe në 95 mijë biznese të vogla. Kur qeveria këtë vendim, jo vetëm e ka thënë publikisht kur kriza atyre që sot protestojnë po që sot nxisin apo mbështesin në protestë u dukej ose u përcaktua prej tyre si lojë e imja. Se për çfarë një kryeministër cilido qoftë ai duhet të luajë me nervat e njerëzve të paralajmërojë kriza që nuk ekzistojnë, këtë e dinë vetëm ata.

Ne kemi vazhduar ndërkohë t’i qëndrojmë atij vendimi edhe pse çmimi i energjisë sot që blihet në tregjet ndërkombëtare ka hipur aty, ku as nuk e imagjinonim kur e morëm këtë vendim.

E dyta, kur qeveria vetëm pak ditë, shumë pak ditë pasi ndeshet, si e gjithë bota, me befasinë e kësaj lufte që vjen këtu me kërcimin zgupthi të cmimeve, del dhe thotë “Brenda javës do kemi skenarët dhe do ju njohim me masat që do të marrim”, atëherë, cfarë nguti ka këtu për të marrë rrugët e për të investuar masivisht para në internet që të derdhet sa më shumë helm, që të përhapet sa më shumë panik, që të krijohet sa më shumë një re e zezë pasiguri dhe mërzie mbi renë që ka krijuar kjo situatë, përveçse qëllimeve të ulëta fare politike, të cilat i mishëron ajo fjalia “Po na shpëtoi edhe kësaj radhe, nuk e kapim dot më”. Asnjë qëllim tjetër.

Nuk ka asnjë lidhje, as me popullin, as me pensionistët, të cilëve ua qajnë hallin, me demek, këta që ndërkohë turpërojnë Shqipërinë, as me askënd tjetër që goditet më shumë se të tjerët me pasojat e kësaj lufte.

Ndërkohë, siç e premtuam ashtu e bëmë. Spostuam gjithë atë volum finance nga buxheti i shtetit drejt njerëzve dhe të gjithëve ju për të vazhduar, së pari, të mbajmë të palëvizur çmimin e energjisë.

E kam thënë dhe do e përsëris që nëse çmimi i energjisë do të vinte siç është çmimi real në faturat e familjeve dhe bizneseve të vogla, atyre që ulërijnë për çmimet e karburantit do t’u dukej pompa e karburantit biberon qumështi dhe do ta pranonit me kënaqësi shumë të madhe përballë asaj që do të ishte fasha e cmimit të energjisë.

Cfarë i kërkohet qeverisë? Qeverisë u kërkohet të mbështesë. Çfarë mbështjetje më të madhe dhe ku, në cilin vend, ma tregoni një vend, mund të japë qeveria sesa që gjithë këtë krizë të madhe energjie, që po quhet gjithmonë e më shumë “Pandemia e re” për botën, jo për ne, por për të gjithë, të mos lejojë të kalojë pragun e shtëpisë suaj.

Përveç kësaj, qeveria ka për detyrë të garantojë shportën. Kjo është situatë lufte që nuk e dimë se sa do zgjasë, përveç të tjerave dhe pyetja që i bëj vetes është “Ku për kaq pak ditë, vetëm nga shfaqja e çmimeve, alarmante sigurisht, u krijua gjithë ky panik, po për një muaj, po për dy apo tre?

Po sikur kjo situatë të shkojë në ato pika ku janë dhe parashikimet, jo tonat, por të gjithë botës, të skenarëve më të zymtë, që të mungojë nafta, që të mungojë energjia, që të mungojë një seri produktesh të tjera.

Çfarë ndodh këtu? Çfarë bëjmë ne këtu?

Pse kaq jemi ne, kaq pak jemi ne, nga pikëpamja e forcës sonë të karakterit? Kaq të humbur jemi ne?

Jo nuk është kështu. Nuk jemi ne këta. Këta janë pakicë e pakicës që po kërkojnë me çdo çmim të instrumentalizojnë një dynja të tërë, duke treguar gjëra nga më të paturpshmet sepse është paturpësi t’u thuash dhe t’u përsërisësh shqiptarëve se “Ne e kemi energjinë, është thjesht çështje që këta, ne qeveria, dhe ky lubia, domethënë unë, të mos e vjedhë se nuk ka pse ta shesi lirë dhe ta blejmë shtrenjtë!

Jo, e shesin lirë sepse marrin pjesën e tyre dhe e blejnë shtrenjtë sepse marrin pjesën e tyre”. Kjo është kriminale dhe si kjo janë plot të tjera, që nga ato të mëdhatë, për naftën, për miellin, për oligarkët, për monopolet, një çmenduri, deri tek gjëra si ambazhuri im këtu. Ambazhuri im këtu që papritur del në sfondin e kësaj lufte ose të kësaj proteste ose të kësaj situate si një shpenzim i cmendur, me një çmim të çmendur dhe na del që është prej floriri, i blerë nga unë, që më kujton ose të kujton disa video të bëra nga kanalet e propagandës ruse, marrë nga video komplet të tjera, njëra e bërë në Austri në një kohë tjetër, nga një skenë filmi. Tjetra nga një skenë proteste dhe nxjerr nëpër televizione ruse sikur po ndodh në Ukrainë dhe gazetarët përkatës, me maskë që nuk u lexohet goja, me një gjuhë që flisnin komplet gjëra të tjera me zërin e atij që bën montazhin. Për cfarë? Për t’ju treguar njerëzve një realitet komplet tjetër.

Del tani ambazhuri këtu në skenë si një provë e faktit që ky këtu, unë domethënë, është shkëputur nga realiteti aq shumë dhe aq shumë e ka mendjen tek luksi, saqë ka blerë një ambazhur floriri. Ambazhuri këtu, i sjellë nga italianët kur morëm godinën.

Është më i shtrenjtë se çmimi që ka dalë atje sot sepse është objekt jashtëzakonisht i çmueshëm, por nuk e kam blerë unë. Ky ambazhur ka qenë mbi kokat e të gjithë kryeministrave që kanë ardhur këtu, përfshi edhe njërin syresh që është sot një nongratë që është gati ta bëjë Shqipërinë nongrata në sytë e opinionit publik ndërkombëtar, duke nxitur ato protestat, bashkë me atë mikun e vet, një nongratë tjetër i pashpallur, që nuk ua ndjen fare se çfarë pamje ka Shqipëria si një vend anëtar i NATO-s ku protestohet.

Sot, për ata që nuk e kanë ndjekur, kam lexuar një mesazh që më ka ardhur para dy ditësh nga Brukseli, më saktë, jo nga Komisioni Europian, por dikush në një instancë të caktuar, ku thotë “Po ndjekim me shqetësim zhvillimet në Tiranë. A keni informacione kush qëndron para këtyre protestave në Tiranë? Është legjitime t’i bëhet presion qeverisë që të veprojë në ndihmë të njerëzve. Shqipëria është pjesë e NATO-s e ndërkohë NATO është gati de facto në luftë me Rusinë. Lufta sjell telashe, sjell vështirësi, sjell uri. Kjo që po ndodh me çmimet mund të jetë vetëm fillimi dhe Rusia ka shpresa të mëdha tek protestat ekonomike në vendet e NATO-s. Absolutisht nuk po diskutoj këtu, që këta në rrugë, i ka nxjerrë Putin, por po them që se si mund të bëhesh vegël edhe e një interesi tjetër për turpin tënd dhe për turpin e të gjtihëve, duke bërë diçka kaq të paturpshme sa një reagim i tillë?

Ndërkohë që, patjetër që i kam ndjekur reagimet, edhe të njerëzve që simpatizojnë me protestën dhe as nuk i fus të gjithë në një thes se nuk ka se si t’i fusim të gjithë në një thes, u kam dhënë dhe një pjese të tyre përgjigje të drejtpërdrejtë, jo për ta personalisht në këtë faqe, por për të gjithë ata që lexojnë në këtë faqe dhe do vazhdoj ta bëj këtë gjë, por ama, një gjë dua ta them.

Nëse unë do isha një person i painteresuar se çfarë mendojnë njerëzit, nëse unë do isha një person i shkëputur nga realiteti, nëse do isha ai personi arrogant që nuk do t’ja dijë për njerëzit, pse duhet të isha këtu në komunikim me ju, në komunikim tek komentet që bëni ju? Pse e bëj këtë?

Fare mirë mund të injoroja. Për çfarë e bëj? Autokratët, diktatorët, ata që janë arrogantë sepse përbuzin njerëzit nuk kanë si karakteristikë përpjekjen që të komunikojnë sa më shumë bindjen e tyre me njerëzit dhe që të futen në komunikim deri dhe me njerëz të zakonshëm nëpër komunikime, edhe virtuale, por kanë si karakteristikë shpërfilljen totale të tyren dhe të folurit nga shumë lart e poshtë.

Unë e bëj këtë sepse unë jam në këtë detyrë me pasionin e madh për ta bërë këtë punë sa më mirë dhe me ndjenjën shumë të lartë të detyrimit ndaj atyre që më kanë vënë këtu, shumica dërrmuese e shqiptarëve. Është një besim i jashtëzakosnhëm. Nuk ka pasuri, asgjë më të madhe se kjo për mua dhe kjo prodhon shqetësim për të komunikuar, njëkohësisht ndjenja e detyrimit që pavarësisht se Miley-Miley (emër profili) këtu, që nuk ka as emër e as fytyrë, por është një shqiptar/shqiptare që ka shkruar, është një person krejt i panjohur dhe krejt i parëndësishëm në kuptimin mediatik të fjalës, por duke folur me Miley Miley këtu, unë flas njëkohësisht edhe me të tjerët.

“Si ironike kjo paketa e kryeministrit të vendit tim”, thotë Miley-Miley, “Nuk filloi dje kriza”.

Jo kriza nuk filloi dje, kriza ka filluar më parë.

Kriza ka filluar më parë. Kriza ka filluar si rezultat i një reagimi të tregjeve ndaj ringritjes së fuqishme pas pandemisë në të gjithë botën dhe vala e inflacionit ka ardhur në të gjithë botën e këtu në Shqipëri ka qenë shumë më e përmbajtur se sa në shumë vende të tjera dhe se sa në eurozonë.

Ndërkohë që kriza energjitike, që është edhe ajo një arsye e thellimit të kësaj krizës tjetër, nuk ka filluar sot. E kam paralajmëruar unë atëherë kur shumëkush tjetër thoshte që nuk ekziston. E pikërisht pse nuk ka filluar sot, nuk ka filluar sot pagesa nga buxheti i shtetit për faturën e familjes tënde. Familje jote ka një faturë energjie që paguan rregullisht çdo muaj. Në atë faturë familja jote që kur ka filluar kriza, paguan njësoj sic paguante para se sa të fillonte kriza, por kjo nuk do të thotë që çmimi në atë faturë është ai që paguan familja jote. Çmimi në atë faturë është shumë i lartë dhe diferencën e atij çmimi e paguan qeveria nga buxheti i shtetit. Natyrisht nga buxheti i shtetit se ka disa që thonë këto janë lekët tona. Po patjetër, qeveritë që kur janë krijuar në historinë e njerëzimit janë krijuar për të administruar të ardhurat që shoqëria krijon për vendin dhe për vete, jo për secilin që a të ardhurat e veta.

Një pjesë tjetër përdorin fjalën tallje. “tallesh me këtë popull dele”, – thotë Partizoni Vjetër – dhe “fanatiks komunist”. Do me thënë ky popull është dele dhe fanatiks komunist. E para njëherë, unë nuk tallem me veten, se kam shumë respekt për veten. Unë nuk tallem me njerëzit se kam shumë respekt për njerëzit që më kanë sjellë këtu. Kurrë! Unë nuk tallem kurrsesi me vendin, se të gjitha këto për mua janë shumë të shtrenjta. Mbase ndonjëherë tallem, nëse fjala tallje hyn por unë e quaj bëj sarkazëm, me personazhe. Këtë po, nuk e mohoj që e bëj, mund të jetë dhe një e metë por këtë të metë nuk e rregulloj dot. Por kurrë nuk tallem me këtë popull. Me këtë popull tallen ata që paturpësinë e paditurisë së tyre e kanë ekstreme. Të jesh i paditur nuk është turp. Askush nga ne nuk i di të gjitha. Unë mësoj çdo ditë. Jam i paditur sot për një diçka të caktuar që më duhet nesër të kem mundësi ta diskutoj e të marr një vendim, e mësoj sot. Unë nuk shkoj nesër me paturpësinë e padijes që t’ju them të tjerëve ato që dëgjoj nga Partizoni i Vjetër apo nga të tjerë si Partizoni i Vjetër këtu dhe më keq akoma ato që ju thonë njerëzve ata që kanë mikrofona he që bëjnë gjëra nga më të çuditshmet, nga më të hatashmet. Llogarira nga më fantastike se si dilet sipas tyre nga situata që e ka shkaktuar qeveria.

“Vazhdo mashtrimin”, thotë tjetri. “Fjalë të mëdha, të rënda, të turpshme, por ne në protestë do na kesh prapë”.

Unë nuk kam asnjë shqetësim nga protestat. Përkundrazi, unë protestat konsideroj një vlerë të sistemit dhe e kam treguar në gjithë këtë periudhë që jam në këtë detyrë se çfarë mendoj unë për protestat, e kam treguar me pozicione, me fakte, jo me fjalë. E kam treguar kur jam tërhequr, jo nga frika. Është ide e gabuar kjo e frikës, nuk funksionon kështu, se nuk kam çfarë frike të kem nga askush, për asgjë. Unë jam këtu për të bërë një detyrë dhe kaq. Një detyrë shumë të rëndësishme që nuk e pranon frikën si koncept por nga bindja. Unë e konsideroj virtyt të një lidershipi demokratik që të ndërrojë mendje. Kush nuk ndërron mendje asnjëherë ka një problem me mendjen, e para. E dyta, unë e konsideroj cilësi pozitive që një kryeministër të tërhiqet kur protesta e një grupi interesi apo e një numri të caktuar, nuk ka rëndësi numri i njerëzve dhe nuk ka rëndësi forma e protestës, ka të drejtë. Unë e konsideroj burrëri në kuptimin e mirë të fjalës se këtë karakteristikë në Shqipëri më shumë e kanë gratë se sa burrat me thënë të drejtën, që edhe të kërkosh ndjesë kur është për të kërkuar ndjesë dhe merrini protestat në historinë e pluralizmit dhe shikojini reagimet e qeverive dhe të kryeministrave. Nuk po flas për atë që të këpuste plumbin ballit dhe të vriste në rrugë dhe të akuzonte për vrasje. Po flas për reagimin ndaj të gjitha protestave dhe mi gjeni protestat ku kryeministrat i janë drejtuar protestuesve për tu tërhequr nga pozicioni i qeverisë apo ku kryeministrat i janë drejtuar protestuesve për të kërkuar ndjesë apo ku kryeministrat kanë hyrë në komunikim intensiv me protestuesit dhe pastaj qeveria ka ndryshuar komplet linjë, siç ishte rasti me protestën e studentëve. Pra nuk kam unë me protestat asnjë problem. Edhe ma to protesta të pafundme dhe të pashijshme po themi, për të mos thënë ndonjë fjalë tjetër, të bëra nga partitë politika, nga opozita, me lloj – lloj formash, me lloj – lloj brutalitetesh, gjithmonë e kam gjetur një justifikim me veten time dhe po themi me banalitetin e tyre, se në fund të fundit atë dinë, atë bëjnë, aq kanë, aq bëjnë.

Por kjo protestë, që të jemi të qartë, se është Dritani që flet dhe nuk po e them me mbiemër që të mos bëhet gaz i botës me ata që e njohin, kjo është një turp e nëse flasim për mashtrim, mashtrimi është gjithë qasja mashtruese e asaj proteste për të tërhequr sa më shumë njerëz të mërzitur, të dëshpëruar, të alarmuar, të shqetësuar, të panikuar, për arsye komplet legjitime nga kjo që po ndodh duk ei dhënë komplet adresë të gabuar. Bota proteston, jo për Ukrainën thjesht por proteston kundër luftës, që të ndalojë lufta një orë e më parë dhe që të mos paguajë edhe pasojat e luftës edhe vetë. Nuk del të protestojë pse u rritën çmimet dhe ti thotë qeverisë e ke ti fajin kur lufta ka plasur atje dhe kur të gjithë po flasin që mund të jetë edhe fillimi i luftës së tretë botërore. Këtu flitet për luftë të tretë botërore e ndërkohë disa personazhe që janë të pakualifikueshëm se nuk ka asnjë epitet që mund ti vësh që ta përmbushë misionin e vetë si epitet, thonë po na shpëtoi sot, nuk e kapim dot më. Kështu që ti Dritan, vazhdoni rrini në protestë sa të doni. Jo kaq sa ishit sot, por dhjetëfish, njëzetfish, njëqindfish, nuk lëviz asnjë taksë nga karburanti. Zero! Jo se nuk dua unë por se nuk bëhet dot sepse llogaria është shumë e thjeshtë sot. Kemi vendin me taksat më të ulëta e ky është fakt, me faktet nuk luftohet, faktet janë ato që janë, mbi individin dhe mbi biznesin e vogël. Jemi i vetmi vend në Europë, në rajon, bota është e madhe, nuk e di, me zero taksë dhe zero TVSH për biznesin e vogël. Kemi me vendimin e fundit të rezistencës së paketës sociale, kemi 56% të të punësuarve pa taksa. Pa tatim fitimi. 56% nuk e ka asnjë vend i botës. Kemi kontribute shoqërore dhe shëndetësore më të ulëtat absolute në rajonin tonë se në Europë as nuk diskutohet, të gjitha këto në Europë janë shumë më të larta, nuk po i krahasoj me Europën, por po them çfarë kemi ne.

E pse po i them këto? Po i them këto për t’ju thënë që nëse heqim taksën e naftës me se do e financojmë ne të gjitha ato që duhen financuar. Me çfarë? Pse mos ti mbyllim shkollat? Mbyllim spitalet. Kush do vdesi le të vdesi. Sipas këtyre që bëjnë protesta, ata që vdesin atje nga lufta nuk janë njerëz. Ne jemi njerëz që duhet patjetër brenda javës ti kemi të gjitha siç i kishim që mos ndjemë asgjë se edhe një dhimbje e vogël koke, ne nuk na pranohet. Si? Po e heqim dhe policinë fare. Pse të kemi polici? Edhe pastaj të gjitha këto i çojmë që këta të kenë karburant, të kenë naftë për makinat e tyre me të cilat bllokojnë rrugët. Si mund ta bëjmë këtë?

Ndërkohë që problemi ynë është shporta. Problemi ynë është ajo që këta i thonë buka, se për bukë asnjë shqiptar nuk rezulton i vdekur që nga koha e Skënderbeut por themi buka, themi ushqimi bazë që sot, për një pjesë është kërcënuar të reduktohet, jo të mungojë por të reduktohet si pasojë e rritjes së çmimeve. Atëherë çfarë bëjmë ne? Ne garantojmë pikërisht këtë, që ajo rritje çmimesh që e bën pensionistin apo që e bën atë me ndihmë ekonomike apo që e bën invalidin, paraplegjikun, tetraplegjikun, të verbrin apo që bën të shqetësohet jo një numër i vogël por një numër mbi gjysmë milioni shqiptarësh, të mos ketë këtë shqetësim. Pra, ajo të kompensohet ajo gjëja që krijon atë dridhjen që sa u rrit çmimi i një nga ushqimeve të shportës, të kompensohet me lekë në dorë. “A, i dhe 3 mijë lekë”, 30 mijë lekë të vjetra domethënë, “dhe e zgjidhe fukarallëkun”. Jo more jo, këtë lëreni ta thonë ata që kanë nevojë për atë 30 mijë lekësh, jo juve që shkruani nga kafeneja e as ata që dalin këtu e vijnë me vetura këtu. Këtë le ta thonë ata që kanë nevojë për atë 30 mijë lekësh, është apo nuk është i nevojshëm. Ata ta thonë se unë për ata jam këtu në radhë të parë dhe ai 30 mijë lekësh bën që të mos mungojë buka, e thënë në mënyrën më brutale. Pra në këtë situatë kaq shqetësuese, të mos mungojë buka, të mos shkojë njeri i uritur në shtrat, për ta bërë fare copë, për të gjithë ata që e përmendin këtë bukën që populli po vdes për bukë dhe flasin në emër të popullit dhe nuk e kanë idenë fare në fakt se çfarë ndodh me popullin. Ide që unë e kam shumë të plotë për shkak të detyrës. Ata që i thonë dele këtij populli i marrin të keqen. Ata që i thonë fanatiks, komunista, i marrin të keqen.

Ka propozime, “pse nuk e bën pagën minimale 400 lekë në orë dhe shihe a del njeri për protestë? 400 lekë, shumëzim 8 orë baraz me 3200 lekë. Minus 20% le t’i mbajë shteti, i bie 2560 lekë dita, herë 5 ditë, 12800 lekë. Java herë katër, 51200 lekë, paga minimale, kështu rritet mirëqenia.”

Dakord, por nëse kjo do të bëhej kështu, kaq thjeshtë pse nuk e bëjnë të tjerët? Mirë, ne nuk e bëjmë se jemi një qeveri e poshtër, pse nuk e bëjnë të tjerët?

Pse asnjë vend në rajonin tone, përfshirë edhe Serbinë që është më e avancuar se të tjerët së fundmi përfshirë edhe Malin e zi që është më i vancuar sesa Serbia në paga, pse nuk e bën dot? Edhe nëse do të bëhej kështu pse Italia apo Greqia që e kanë pagën minimale aq sa e kanë, pak më shumë se kaq sa thua ti, pse nuk e bëjnë 1500 euro pagën minmale nëse llogaria do të ishte kështu?

Ti thua që”shih a del njeri në protestë pastaj”?

Ta them unë. Nëse ne e bëjmë këtë për dy muaj a tre muaj nuk dalin një grusht njerëzish, por dalin gjysme milioni njerëz në protestë, dalin edhe pensionistët. Apo katër, pesë muaji maksimumi se po e lexoj tani dhe nuk i kam rënë lapsit sa ndodh kjo, por gjysmë milioni njerëz në protestë dhe nuk i ke në protestë kështu, i ke në protestë sepse bie komplet gjithë ngrehina financiare e shtetit. Prandaj nuk bëhet kjo. Cili është ai kryeministër në botë sot dhe qëkur është shpikur detyra e kryeministrit që do të kishte pritur kaq gjatë, që do të kishte pritur që do dilte dikush t’ia thoshte këtë dhe s’do ta kishte bërë nëse kjo do të bëhej kështu kaq thjeshtë. Nuk e di.

Është e pabesueshme që të bëhen llogaritë kaq thjeshtë dhe që pastaj të thuhen me këtë lehtësi dhe madje të jetë dhe bindja që po thua zgjidhjen për popullin dhe nuk po të dëgjon ai përballë sepse ai përballë nuk e ka mendjen të populli.

(Koment në FB) : Është ok zoti kryeministër por nuk mjafton …

Me siguri pyëtje për paketën. Asnjëherë nuk mjafton. Po të pyesësh në Gjermani ata që kanë rroga të mira, nuk u mjafton askujt asnjëherë nuk u mjafton. Këtu jemi në kushtet kur themi luftë, luftë. Lufta nuk ka ardhur me bomba këtu, nuk ka ardhur as me tankë shyqyr Zotit. Shpresojmë të mos jetë Lufta e tretë Botërore kjo që ka filluar sepse pastaj do ta shikoni të gjithë ju, bashkë me mua se çfarë do të thotë të mos mjaftojë, por ka ardhur në këtë formë. Ne tani duhet të përballemi duke kuptuar që lufta nuk vjen për të na sjellë më shumë, lufta vjen për të na marrë të gjithëve. Te kjo e marra çështja është që të mos u merret esencialja atyre që kanë më pak. Kaq e thjeshtë është.

(Koment në FB): Çoi pak në terren ata që merrem me të ardhurat se po marrin ndihmë ekonomike ata që kanë nga 100 mijë euro në bankë.

Kjo ndodhte dikur, por nuk ndodhin më sot. E di pse nuk ndodhin sepse ndihma ekonomike nuk jepet më siç jepej dikur dhe dikur nuk flas përpara 50 vjetësh, por flas përpara 7-8 vjetësh, verifikimi i ndihmës ekonomike është i tillë që nuk i lejon më që të ndodhin këto. Bëhen me kryqëzime të shumë të dhënave dhe nëse ti ke, jo 100 mijë euro, por nëse ke 5 mijë eur në bankë apo një mijë euro në bankë atehërë te emri yt del që ti ke lekë në bankë dhe ti nuk merr ndihmë ekonomike.

(Koment ne FB): Po sikur the që protestat janë turp kombëtar, tani del e thua “Me njerëzit për njerëzit”.

Po. E ke fjalin për atë posterin? “Me njerëzit për njerëzit” domethënë me njerëzit e për njerëzit. Ndërkohë që, jo protestat janë turp kombëtar, këto protesta janë turp kombëtar, që të jemi shumë të qartë. Janë një turp i madh kombëtar që do mbetet gjatë dhe do mbetet i shkruar në historinë e kësaj periudhe të zhvillimeve demokratike dhe me historinë e kësaj periudhe luftë në Ukrainë që mund të zhvillohet në forma nga më të ndryshmet, por sidoqoftë do të shkruhet “Çfarë ndodhi, si ndodhi” edhe ata që do shkruajnë për pjesën e Shqipërisë, kjo do jetë e shënuar aty për fatin tonë të keq.

Pranvera thotë “Të dëgjosh kur ti nuk dëgjon. Kemi çmimet më të shtrenjta në Europë dhe rrogat më të ulëta në Europë”.

Është e kotë ta bëjmë këtë bisedë sepse nuk i kemi cmimet më të shtrenjta në Europë, nuk i kemi. Kemi rrogat më të ulëta, po, jo më të ulëtat nga të gjithë se ka dhe vende që i kanë pak a shumë si ne, këtu rrotull, por ndërkohë, ne kemi taksat më të ulëta në Europë dhe në rajon për individin dhe biznesin e vogël, këtë po. Kemi kontributet shëndetësore dhe shoqërore më të ulëta. Si ndodh që të kesh taksat më të ulëta, kontributet shoqërore dhe shëndetësore më të ulëta dhe të kesh rroga më të larta. Si ndodh kjo? Nuk ndodh dot përveçse duke rritur të ardhurat përmes punës, sic janë rritur. Ne do t’i rrisim rrogat që kemi thënë, do t’i rrisim ato në 1 qershor, siç është shënuar në buxhet. Do të rriten rrogat për mjekët, për infermierët, për mësuesit, ushtarakët nuk diskutohet, edhe për ata oficerë policie që jan jashtë vendbaniit. Të gjitha këto do mbahen, që të jemi shumë të qartë.

(Koment në FB): “Bëhu njëherë popull, dil ta bësh pazarin vet, të paguash faturat, të mbash dhe familjen, tia bësh rrogën vetes 400mijë lekë, fol me gjuhen e popullit”.

Unë nuk flas me gjuhën e popullit, unë flas me gjuhën time dhe flas për popullin sepse e njoh shumë mirë dhe këtë po ta them pa asnjë lloj mendjemadhësie sepse për shkak të detyrës e njoh shumë mirë situatën, e njoh pëllëmbë për pëllëmbë Shqipërinë, kam parë kaq shumë në këtë vend, njerëz, shtëpi,jam futur në kaq shumë dyer saqë mua nuk më jep dot leksion për këtë pjesë, me gjithë respektin. Ky është populli që para 30 vjetësh iu rrit buka brenda një nate dhjetëfish dhe e kapërceu. Ka kapërcyer, ka kapërcyer e është e habitshme si sot diskutohen gjëra, të cilat nuk diskutoheshin, as para disa vitesh po këtu kur ishin më pak sesa sot gjërat që kemi.

(Koment në FB): “Ul çmimet o njeri se na ke shkatërruar, se nuk ke për të na kuptuar. Me këto rroga nuk përballohen cmimet”, thotë Leonardi.

Leonard, çmimet për të cilat po flasim nuk janë cmimet normale, nuk janë cmimet që i ngrita unë. Janë cmimet që i ka ngritur, jo këtu, por në të gjithë botën, edhe në Australi që nuk ka fare lidhje me Europën, lufta që bëhet atje sepse ka çrregulluar të gjithë sistemin e furnizimeve, të blerjeve, shitjeve, e kështu me radhë. Prandaj, mos më thuaj “Ul çmimet o njeri” se ja do doja unë të uleshin çmimet nëse do kisha fuqi ti ulja, ja s’ka.

Për atë rrtje çmimesh që ka ndodhur te shporta do të japim paratë në dorë për mbi gjysmë milionë njerëz dhe do të bëjmë që për ata njerëz të mos ndihet.

Më shkruani që keni lekë për Malumën. Lekët për Malumën janë njësoj si floriri i këtij ambazhurit. Nuk është paguar asnjë lekë për koncertin e Malumës nga asnjë buxhet publik. As i qeverisë dhe as i bashkisë se pyeta se çështë ky Maluma. Malumën e ka sjëllë këtu një kompani private dhe këta që dalin në protestë flasin për Malumën dhe ju thonë ju që “shiko se ky ka sjëllë Malumën këtu”. Unë as nuk e dija që kush ishte Maluma.

Thotë “kanë ardhur nga gjithë rajoni për të dëgjuar Malumën”.

Po mirë mo, le të vijnë nga gjithë rajoni për të dëgjuar Malumën, por Malumën nuk po e dëgjonnë me lekët e taksave.

Spiro thotë “Ore na mërzite me gjithë këtë energjinë”, bëje sa Kosova dhe Maqedonia e Veriut plus që e gjete të bërë me ujë nga prindërit tanë atë energji, kështu që mos u mburr sikur çfarë po bën”

Ta bëjmë saç e ka Kosva dhe Maqedonia e Veriut energjinë që gjetëm të bërë me ujë nga prindërit tanë. Ky është problemi, kur flitet kot dhe kur e folura kot bëhët me arrogancën e padijes dhe mendon njeriu që është kaq e thjeshtë “energjia u gjet e bërë me ujë nga prindërtit tanë”. Pse është kaq e vështirë për të dëgjuar gjëra kaq të thjeshta se me faktet nuk mund të luftojmë. Faktet janë ato që janë. Duhet t’i mësojmë faktet dhe pastaj hajde të bëjmë diskutime a ta bëjmë me shumë a ta bajmë më pak, por energjinë nuk e gjetëm të bërë me ujë nga prindërit tanë Spiro i dashur.

Energjia prodhohet në Shqipëri e gjitha mbi bazë të reshjeve dhe ndërkohë prindërit tanë ndërtuan disa hidrocentrale për atë Shqipëri, atë konsum ku dhe televizorët ishin me autorizim dhe ku frigoriferët merreëhin me autorizim, ku lavatriçet merreshin me autorizim dhe ku 90 % e njerëzve s’kishin as televizor, as frigoriferë e as lavatriçe për të mos folur për të tjerët dhe ku nuk kishte shtëpi, bujtina e hotele nëpër plazhe, po njerëzit jetonin nëpër kabina kompensate në dy, tre pika kampe punëtorësh me një poç. Ato kapacitete ishin për atëherë. Sot Shqipëria nuk i ka kapacitet që të prodhojë energji për të gjitha nevojat e saj, prandaj duhe të dalë dhe të blejë energji. Ky është problemi. Prandaj ne po bëjmë Skavicën që të kemi mundësi që të depozitojmë ujin e tepërt dhe të mos e shesim apo derdhim siç është derdhur kur vihet në rrezik siguria e digave. Atyre që thonë “pse e shet, mbaje”. Ku ta mbajmë, në frigorifer, lavatriçe, dollap, poshtë krevatit? Ku ta mbajmë energjinë? Prandaj po ndërtojmë Skavicën që më shhumë se 50 vjet si projekt dhe po e ndërtojmë ne, siç po bëjmë shumë gjëra që po të ishin bërë 20-30 vjet më përpara do të flisnim ndryshe sot. Por po i bëjmë dhe unë nuk po mburrem, por ama nuk mund të lejjë që përsa kohë ne po bëjmë gjëra kaq të rëndësishme dhe përsa kohë po bëjmë një gjë kaq të madhe për të mbrojtur njerëzit dhe jo të madhe në kuptimin ne, jo unë, por ne të gjithë së bahsku po bëjmë një gjë të madhe për të mbrojtur njerëzit nga rritja e çmimit, duke paguar nga buxheti diferencën, unë nuk mund të dëgjoj pa folur çmendurira të lloj-llojshme dhe mbi të gjitha nuk mund të pranoj pa folur që kjo qeveri u ka kthyer kurrizin njerëzve. Këtë nuk mund ta pranoj dot, kurrën e kurrës, sepse ka vetëm një arsye pse vazhdoj e bëj këtë punë, që është të mos tradhëtoj ata, që ma kanë dhënë këtë besim.

“Ule çmimin”, thotë Ervisi, “dhe boll me paketa qesharake, gjoja sikur po lufton me një tjetër armik imagjinar. Me një dorë të jep 1 euro, me dorën tjetër të jep 100 euro. Me ti rënë lapsi, jemi në një luftë ku bota është cdo ditë në një luftë të re”.

Se sa serioze apo qesharake është paketa, këtë nuk pres të ma thonë ata që nuk kanë lidhje me dhimbjen reale.

A është qesharake apo jo paketa, le ta thonë ata që marrin autobusin, jo ata që kanë merak ushqimin e veturës, ata që marrin autobusin urban apo linjën ndërurbane për të shkuar me autobus nga qyteti në tjetër dhe që qeveria me këtë paketë do u paguajë të gjithë diferencën e çmimit të biletës që ata nuk do ndjejnë asnjë ndryshim në çmimin e biletës megjithëse karburanti ka kërcyer. Ata le ta thonë nëse është qesharake apo është serioze.

Le ta thonë fermerët që do marrin më shumë mbështetje financiare për më shumë naftë pa taksa.

Le ta thonë edhe ata që uk do paguajnë më asnjë taksë për pagat deri në 400mijë lekë, gjysmë taksë deri në 500 mijë lekë, le ta thonë të gjithë ata që e kuptojnë ç’dua unë të flas me faturën e energjisë dhe sa për të vjedhurat, kush më thotë mua që vjedh, ose është hajdut ose potencialisht mund të bëhet një hajdut sepse nuk ka asnjë arsye në botë që ti t’i thuash tjetrit “Ti vjedh” pa e njohur, pa ditur se ça merr e ça bën tjetri pa asnjë provë e asnjë fakt. Dakord?

“Ore zotëri, me qime të bardhë” thotë Migerti, do na falni se qimet na u zbardhen Migert kështu që edhe për qimet nuk mund të japim përgjigje ne të qeverisë. Çështë ky muhabet.

(Koment në FB): “Akoma nuk kanë mbaruar shtëpitë e tërmetit, po tregon paketa pa lidhje. Ti e di se sa janë rrogat dhe e di se sa janë çmimet. Pse bën si njësh”?

Unë nuk bëj si njësh pa lidhje, unë flas se si lidhen të gjitha gjërat bashkë, përsa më takon mua për detyrën time. Përsa më takon mua me detyrën time, gjërat janë shumë të lidhura bashkë dhe shtëpitë e tërmetit po vazhdojnë të ndërtohen dhe po mbarojnë në kohë rekord dhe rekordi përcaktohet duke parë edhe të tjerët. Pyet në Greqi, duhet të njohësh ndonjë. Pyet në Itali e pastaj hajde më trego mua se si po mbarojnë shtëpitë e tërmetit. Por edhe për këtë unë nuk pres të më thonë gjërat e duhura ata që duan vetëm të përqeshin, duan vetëm të nxjerrin kunja, duan të nxjerrin mllefe e të tjerë sepse në këtë rast, janë ata që përfitojnë shtëpitë që janë të rëndësishëm. Nuk ka problem se çfarë thonë të tjerët.

(Koment në FB): E kuptoni ku jemi? Jemi në një jerm total. Arin e zi të shqiptarëve ua shitëm të huajve. Ca të them.

Shqipëria i dashur prodhon një naftë të rëndë, e cila nëse përpunohet për t’u bërë diesel apo benzinë del shumë më e shtrenjtë se sa dieseli dhe benzina e importit dhe ky është fakt. Me faktet nuk luftohet. Ky është fakt. E prandaj kjo naftë kryesisht eksportohet për bitum dhe në të gjithë botën naftën e eksplorojnë dhe e tregtojnë kompani. Ka vetëm 2-3 vende nga ato naftëmbajtëset që kanë akoma kompani publike shtetërore e në rastin tonë, ajo që kam bërë unë është që nafta nuk është në duar pa lidhje më, siç ishte. Se më fute në një thes dhe me këtë non grata. Nafta është në duart e kompanive më të mëdha, serioze, që po bëjnë një punë shumë serioze në Shqipëri dhe nga kontratat me ta ne do të mund të marrim, me zbulimet e reja sepse tjetra është kontratë shumë e vjetër dhe aty ne kemi ndryshuar për të marrë më shumë por sidoqoftë ndryshimet në një kontratë ekzistuese janë shumë të vështira se sa qasjet e reja në kontrata të reja. Këtë kemi bërë ne. Kështu që nafta, detyrimisht ajo që futet në makinë do të vijë nga jashtë se nuk ka se si. Se nuk e kemi naftën e lehtë këtu, e kemi të rëndë. Natyrisht që duke ardhur nga jashtë do të jetë e ndikuar nga çmimi i bursës. Ne ngritëm bordin e administrimit për furnizimin me karburant e tani të paktën është e garantuar transparenca. Unë pash që ka një ulje tjetër sot, sigurisht që do reflektohet dhe këtu por kjo e ngritit Londra, e uli Tokio, kjo nuk funksiono kështu.

Ashtu sikundër ne, nuk na u nda dhe një taksirat tjetër. Taksirati i atyre që i nxisin këto protesta. Taksirati i atyre që i marrin njerëzit, që paguajnë autobuzët, për njerëz që vijnë këtu për të bërtitur kundër rritjes së karburantit sepse janë ndjekës të verbër, siç shkruante njëri, “tani që iku Lul Brava u zgjua populli dhe ne do vijë”. Dhe çonte edhe foto nga protesta. Ky është taksirat shumë i madh por nuk kemi çfarë i bëjmë ne, se koha po e bën të vetën ndërkohë, po i ndryshk fare dhe do t’i ndryshkë deri në fund.

Ndërkohë ne do të rezistojmë e të gjithë këto gjëra që janë në paketë do të vihen në dispozicion, vetëm çështje ditësh sa të procesohen dhe gjatë pandemisë, çfarë nuk u tha këtu. Ky vend dha aq, ky vend dha këto, ky vend dha ato. E faktet ishin ndryshe. Tjetër çfarë thuhet, çfarë anonçohet, tjetër çfarë jepet e në sa kohë jepet e po ju them, është një vend, se nuk dua të përmend emra, këtu rreth e rrotull, që akoma nuk i ka dhënë paratë e pandemisë. Sa për dijeninë tuaj kështu që të mos i shohim të tjerët as si e bardha që ndriçon dhe kurrsesi veten si e zeza që nxin. Taksiratet na kanë zënë, taksiratet do ti heqim por me dinjitet, me durim dhe pa harruar që ajo që i themi vetes jam krenar që jam shqiptar ku jemi në stadium apo kur është kohë e mirë, sot më shumë se kurrë duhet të rrezonojë me sjelljen tonë dhe me qëndrimin tonë të gjithë sëbashku dhe kjo nuk është fare as politikë, por tek faktet duhet të jemi të bashkuar e kur ju thonë që ky këtu ka blerë ambazhurin e floririt, ata që jua thonë nuk duhet ti dëgjoni më. Jo të bini sa herë ju ftojnë në një kurth për t’ju treguar të tilla poshtërsi.

Që ta mbyllim në një notë pozitive, më vjen shumë mirë që gjërat po zhvillohen me shpejtësi për të lëvruar paketën, më vjen shumë mirë që sidoqoftë nafta po ka një moment stabilizimi, mund të kërcejë prapë, nuk e dimë, flas në tregjet ndërkombëtarë e më vjen shumë mirë që kemi zhbllokuar kontratat e grurit. Gruri i kontraktuar dhe drithërat e kontraktuara nga kompanitë, si gjithmonë me Serbinë, janë zhbllokuar, ky është Ballkani i Hapur sa për dijeni e për këtë do kemi mundësi të flasim më në detaje herë tjetër.

Shumë faleminderit!

Previous Bashkëbisedim me pensionistë të kategorive të ndryshme për Paketën e Rezistencës Sociale.

Leave Your Comment