Përshëndetje! Sot jam unë këtu përpara jush pas mbledhjes së qeverisë sepse patëm një diskutim shumë të rëndësishëm mbi analizën dhe projektin e ministres së Financave dhe Ekonomisë për pagat dhe më vjen shumë mirë që t’ju përcjell të gjithëve bindjen se tanimë kemi në dorë një plan shumë ambicioz, por njëkohësisht mjaftueshëm të arsyeshëm për një rritje pagash, e cila synon të mundësojë ngritjen në harkun e këtyre viteve, pra të 2023-it, 2024-ës të Shqipërisë në nivelin e lartë të rajonit.
Faktikisht synon të realizojë një target të një page mesatare prej 900 eurosh, që do të thotë se jemi në kushtet e një mundësie të re, një mundësi që do ta shfrytëzojmë maksimalisht në të mirë të njerëzve, në të mirë të familjeve dhe pas rritjes së pagës minimale tani mund të shkojmë drejt rritjes edhe të pagës mesatare, e thashë në dy faza.
Do të kemi një rritje tani së shpejti të shkallëzuar, për një pjesë, detaje të cilat do t’i diskutojmë më konkretisht pas aktit të miratimit që do të vijë besoj unë brenda 10-15 ditëve të ardhshme dhe sigurisht do të publikojmë dhe planin e plotë që të gjithë ta dinë se çfarë do të pasojë.
Për shembull kemi thënë dhe do t’i qëndrojmë zotimit për rritjen e pagës së mjekeve dhe të infermierë me 7% këtë vit, ndërkohë që mjekeve specialistë paga iu rrit me 50 mijë lekë të reja çdo muaj dhe pasi të bëjmë rritjen e kësaj pjese me 7% do të shkojmë në rritjen tjetër që do të jetë një rritje e konsiderueshme menjëherë vitin e ardhshëm.
Ndërkohë që, për të tjera kategori do të kemi një rritje të menjëhershme të këtij viti.
E dyta që besoj është po kaq e rëndësishme, jemi sot në kushtet kur mund t’ju themi edhe pensionistëve se zotimin për të shpërndarë në radhë të parë drejt tyre taksën e jashtëzakonshme që vumë mbi eksportuesit e mëdhenj të energjisë do ta mbajmë, sikurse e thashë dhe më parë, por sot nuk kemi vetëm zotimin e përgjithshëm, por kemi edhe informimin konkret se për pensionistët do të ketë 5 mijë lek të reja ose 50 mijë lekë (të vjetra) që do të shkojnë në drejtim të tyre bashkë me pensionet që do të marrin herën e ardhshme.
***
Zoti Rama, mund të na tregoni më shumë detaje sa i takon programit të pagave. A do të ketë një rritje tjetër pas datës 1 prill ku do të aplikohet paga minimale rreth 40 mijë lekë brenda këtij viti?
Së dyti, ju thatë se herën e ardhshme kur pensionistët të marrin pensionin e tyre, do marrin dhe shpërblimin, nëse mund ta konsiderojmë të tillë. A jeni në shkelje të Kodit Zgjedhor i cili nuk lejon që qeveria 4 muaj përpara zgjedhjeve të bëjë shpërblime të tilla, të ulë taksat dhe të ndikojë në mënyrë tek qytetarët?
Kryeministri Edi Rama: Së pari, këto janë të gjitha çështje dhe janë të gjitha zotime që janë marrë denbabaden dhe nuk kanë asnjë lidhje me Kodin Zgjedhor, nuk kanë asnjë lidhje me zgjedhjet dhe mbi të gjitha, për pensionistët që janë mbi të gjithë dhe që për njëmijë e një arsye kanë dhënë më shumë se të gjithë dhe nga gjithë kjo histori ndryshimi kanë marrë më pak se të gjithë, as nuk duhet t’i shkojë mendja njeriu ta bëjë fare këtë pyetje, me thënë të drejtën. Për më tepër që ky për pensionistët është një adresim në vazhdim i një problemi që ekziston siç ekzistonte dhe më parë, por nëse nuk ndjehet sepse qeveria shqiptare është aty; është aty në mbrojtje të të gjithë konsumatorëve familjarë, në mbrojtje të të gjitha bizneseve të vogla, që do të thotë problemi i madh i krizës së çmimit të energjisë dhe problemi i madh i inflacionit të luftës.
Ne nuk mund tu themi pensionistëve që nga taksa e jashtëzakonshme që mblidhet tani në fund të marsit ju nuk mund të merrni gjë se janë ca zgjedhje vendore dhe do prisni 4 muaj, se kështu kanë vendosur së bashku partitë në ato kinezeritë e tyre për të bërë sisteme që janë të panjohura në botë.
Ne i respektojmë ato kinezeri që i kemi bërë vetë, nuk ka asnjë diskutim, por kjo nuk mundet dot as t’i shkojë në mend njeriu se mund të na pengojë ne që të shpërblejmë pensionistët në kushtet kur për pensionistët jo 5 mijë lekë të reja plus por edhe 1 mijë lekë të reja plus janë të rëndësishme, siç e dimë mirë të gjithë.
Unë nuk e di se ku ishit ju ndërkohë që unë po flisja; unë thashë pikërisht këtë, që do kemi një rritje të konsiderueshme tani dhe plani është me dy hapa, një hap tani dhe një hap vitin e ardhshëm. E përsëris, nuk jemi në kushte të zakonshme, jemi në kushte të jashtëzakonshme dhe ne nuk mund tu themi njerëzve, prisni dhe 4 muaj se kështu është puna. Nuk mund ta bëjmë kurrë këtë, do ta bëjmë tani dhe do hedhim një hap pastaj vitin e ardhshëm dhe do bëjmë rritje pagash historike në kuptimin e vërtetë të fjalës.
– Kur thoni tani, e keni fjalën për pagën e muajit prill – muajit maj? Si ta kuptojmë këtë? Është një rritje pagash që përfshin çdo sektor të administratës publike apo sipas ndonjë prioriteti të caktuar?
Kryeministri Edi Rama: Është një rritje pagash që në fakt është ndryshe nga rritjet e tjera të pagave që kemi bërë më parë sepse është reformë e gjithë strukturës së pagave të Republikës së Shqipërisë.
Pra, është rezultati i reformave, i përpjekjeve, i zhvillimeve dhe i ndryshimeve që kanë ndodhur dhe për të cilat me shumë të drejtë një pjesë e konsiderueshme e njerëzve kanë thënë dhe thonë, “ok, i shohim këto, por pse ne kemi ende paga më të ulëta sesa të tjerët në rajon?”
Pikërisht sepse pagat nuk rriten sipas qejfit, nuk rriten sepse ti dëshiron t’i rrisësh, sepse nuk ka kryeministër në botë edhe më i keqi, që të mos dojë t’i rrisë përditë pagat e njerëzve. Pagat rriten në raport me mundësitë për të garantuar pagimin e tyre në një proces që është i përhershëm dhe rritja e pagave jashtë mundësive do të thotë hapja e një grope të madhe që në fillim është e padukshme, pastaj bëhet e dukshme dhe pastaj i thith të gjithë brenda.
Kështu që, duke qenë se ne i kemi hedhur bazat dhe i kemi sot mundësitë, ne do të bëjmë tani reformën më të rëndësishme për njerëzit, më të rëndësishmen se të gjitha reformat që kemi bërë deri më sot, një reformë që nuk e kemi pasur të mundur ta bëjmë më përpara, që është reforma e të gjithë strukturës së pagave të Republikës së Shqipërisë.
Pra, pagat do të rriten për të gjithë dhe jo vetëm do të rriten për të gjithë në sektorin publik, por kjo reformë do të impaktojë drejtpërdrejtë sektorin privat. Kështu, një administratë e cila ka nevojë të jetë shumë më performuese, ka nevojë të ketë burimeve njerëzore shumë më të kualifikuara, ka nevojë të jetë konkurruese në tregun e forcave të punës, do ta ketë këtë mundësi dhe ndërkohë sektori privat do duhet të rrisë pagat nëse do të jetë një sektor që e udhëheq këtë proces të tërheqjes së forcave më të kualifikuara të punës pasi përndryshe nuk e ka të mundur t’i mbijetojë kësaj konkurrence.
Do të hyjmë në një fazë ku shteti do të bëhet konkurrent me sektorin privat dhe këtu flas për pagat e larta, flas për pagën mesatare; nuk flas për pagat e ulëta ose për pagën minimale ku ne e kemi tërhequr gjithmonë nga mbrapa sektorin privat ku detyrohet të pranojë kushtin, shpeshherë pa dëshirë, të një page minimale të rritur.
– Zoti kryeministër, çfarë efekti pritet të prodhojë rritja e pagave në skemën e pensioneve dhe a do të shoqërohet kjo me rritjen e pensioneve në qytet dhe në fshat?
Kryeministri Edi Rama: Pensionet janë të lidhura me diçka krejt tjetër prandaj janë dhe pjesa më e vështirë; janë tek pjesa ku po të shikoni dhe vendet e tjera këto diferencat janë shumë më të vogla sepse pensionet janë të lidhura me kontributet, nuk janë të lidhura me sa duam ne t’i rrisim, por janë të lidhura me kontributet dhe nëse një vend, për njëmijë e një arsye, nuk ka siguruar në vite e vite që kontributet të mblidhen dhe nëse pjesa më e madhe e njerëzve i kanë kontributet për pensionet si një gjë që janë gjëja e fundit për të cilën duhet të mendojnë, atëherë sigurisht nuk kanë sesi të kërkojnë që pensionet e tyre apo të baballarëve apo gjyshërve të tyre të jenë të larta aq sa të gjithë do duam apo dëshirojmë.
Ne kemi bërë përmirësime të ndjeshme në këtë pikë, por nuk jemi ende aty ku jemi kështu që për pensionet do vazhdojmë të bëjmë çmos që të rikuperojmë një kohë të gjatë të humbur dhe një gropë që është më e madhe nga të gjitha gropat që ne trashëguam dhe që sot nuk mund të them që është e mbushur siç për shembull janë mbushur plot gropa të tjera.
– Zoti Kryeministër, a keni informacion pse presidenti i Republikës po heziton të dekretojë emrin që ju i keni propozuar për në krye të SHISH, duke iu referuar edhe një takimi të fundit që keni pasur me zotin Albin Kurti, keni marrë informacion pse ai është shkarkuar nga detyra ku ai shërbente për Shërbimin Informativ të Kosovës?
Kryeministri Edi Rama: Nga unë mësohuni të dëgjoni pagat, pagat, pagat, ekonomia, ekonomia, ekonomia, mirëqenia e njerëzve, mirëqenia e njerëzve, mirëqenia e njerëzve dhe transformimi i përgjithshëm dhe modernizimi i vendit tonë. Kurse këto pastaj, thashethemet e katundit tonë politik dhe mediatik i kemi bërë bashkë për shumë vite, unë nuk kam as dëshirë, as energji, as nevojë dhe mbi të gjitha as kohë për t’u marrë me këto.
– Ish numri dy i qeverisë tuaj tashmë po hetohet nga SPAK me katër akuza. A do merrni vendim politik, zoti Rama?
Kryeministri Edi Rama: Kjo është pjesë e këtyre thashethemeve. Faleminderit!