Mirëdita!
Jam unë këtu sot sepse besoj që vendimet që kemi marrë janë të rëndësishme në kuadrin e rezistencës ndaj inflacionit të luftës dhe njëkohësisht të angazhimit tonë për të mbështetur të gjithë ata që janë më në nevojë, por edhe për të mbështetur ata të cilët janë në krye të detyrës dhe për këtë arsye ne sot kemi marrë vendimin që Policia e Shtetit, nivelet bazë, pra gjithë punonjësit e Policisë në nivel inspektorësh si dhe niveli i mesëm të kenë një shtesë page. Shtesa më e lartë është për nivelin bazë, shtesa në vijim është për nivelin e mesëm, respektivisht 15% dhe 7%. Po ashtu, e njëjta gjë vlen për Gardën e Republikës, kemi një shtesë page. E njëjta gjë vlen dhe për Policinë e Burgjeve, kemi një shtesë page. E njëjta gjë vlen për zjarrfikësit, kemi një shtesë page. E njëjta gjë vlen për administratën publike dhe jo vetëm për nëpunësit në shërbimin civil, por edhe për gjithë punonjësit mbështetës dhe të gjitha këto vendime hyjnë në fuqi menjëherë.
Pra, paga e ardhshme që do të marrin të gjitha këto kategori do të jetë paga e rritur sipas përcaktimeve të bëra nga vendimet përkatëse dhe sipas përqindjeve në bazë kategorish, por ajo që vlen të theksohet është se principi mbetet po ai i ditës së parë. Kush ka më pak, mbështetet më shumë.
Nga ana tjetër, e njëjta gjë do të ndodhë me pensionet të cilat janë, siç e kemi thënë, ri indeksuar dhe kemi një rritje prej 9.5% në raport me pensionin e një viti më parë dhe kjo gjë do të materializohet në pensionet që do të merren të radhës, menjëherë.
E njëjta gjë me të gjithë familjet në ndihmë ekonomike të cilat kanë një rritje me 10 %, por ku gratë kryefamiljare me dy fëmijë kanë dyfishim të ndihmës ekonomike, gjë që pason gratë kryefamiljare me tre fëmije të cilave ua kemi dyfishuar ndihmën ekonomike.
Po ashtu, për të gjithë të moshuarit mbi 65 vjeç që janë në kategorinë e ndihmës ekonomike bëhet dyfishim i ndihmës në mënyrë që pesha më e madhe që ata mbajnë për shkak të dobësisë së pozicionit të lehtësohet më shumë dhe patjetër edhe indeksimi për të gjithë personat me aftësi të kufizuar që trajtohen nga ndihma shtetërore.
Është e gjitha kjo një paketë besoj më e plotë në këtë fazë, në përgjigje të domosdoshmërisë për t’i mbrojtur sa më shumë njerëzit tanë nga inflacioni i luftës. Inflacionin nuk e ka sjellë qeveria dhe nuk e zhduk dot qeveria, jo qeveria e Republikës së Shqipërisë, por as qeveria e Shteteve të Bashkuara, as qeveria e Bashkimit Europian dhe as qeveria e Kinës apo e të gjitha vendeve që sot globalisht janë prekur nga inflacioni.
Ajo që qeveria mund dhe do ta bëjë deri në fund është që siç kemi bërë në rastin e tërmetit, siç kemi bërë në rastin e pandemisë, dy kriza të rënda që i kemi kapërcyer me sukses dhe që i kemi kapërcyer duke mos i lënë vetëm ata që kanë patur më nevojë, do të bëjmë edhe në këtë krizë të madhe të tretë, që është përsëri një krizë e përbotshme, e përbashkët, që është një krizë edhe më e egër sesa të parat për shkak se i prek të gjithë pa përjashtim, jo thjeshta ata që i godet fatkeqësisht tërmeti apo ata që fatkeqësisht i goditi sëmundja. Pavarësisht kësaj vështirësie, ne do të vazhdojmë të punojmë me ngulm që në çdo hap qeveria të jetë pranë njerëzve që kanë nevojë për mbështetje dhe në këtë rast faktikisht siç e shihni, paketa jonë është gjithëpërfshirëse.
Nga ana tjetër është shume e rëndësishme të kihet parasysh se paralelisht ne do të bëjmë çmos që të vazhdojmë të mbajmë të paprekur çmimin e energjisë elektrike për familjarët dhe për biznesin e vogël. E kam thënë dhe e përsëris, koha do ta tregojë nëse kjo është një marrëzi apo nëse kjo kurajë do shpërblehet me suksesin e merituar, por për shkak të mbajtjes nën kontroll me subvencion të vazhdueshëm të diferencës e cila rritet për shkak se çmimi rritet, inflacioni është pak më pak i rëndë dhe i dhimbshëm sesa në vendet e tjera të rajonit ku siç e keni parë, vendet janë futur në trajektoren e prekjes së çmimit apo në trajektoren e kufizimeve. Ne duam as të mos preket çmimi e as të mos ketë kufizime. Besoj që deri tani ia kemi dalë. Dimri është sfidë e madhe, por hap pas hapi do të shikojmë si do të veprojmë duke i qëndruar deri në fund me këmbëngulje këtij parimi dhe kësaj politike, që të mos prekim çmimin e energjisë për familjarët dhe për biznesin.
Nga ana tjetër, ne do të shikojmë dhe dinamikën e kursimit dhe për këtë, unë dua t’i bëj thirrje të gjithëve të hyjmë të gjithë së bashku në mendësinë e kësaj situate për të kursyer sepse duke kursyer nuk është thjesht dhe vetëm që paguajmë më pak nga buxheti i familjes apo nga buxheti i institucioneve, por kemi më shumë energji sepse pikëpyetja më e madhe këtu nuk është thjesht sa do shkojë çmimi, por a do ketë energji dhe flas jo vetëm për Shqipërinë, por për gjithë Europën dhe gjithë botën.
– Zoti kryeministër, pak ditë më parë ministrja Balluku ka theksuar që për shtesat e pallateve pa leje, të gjithë ata pronarë që duan ta ri blejnë atë shtesë, përveç çmimit të metrit katror që është aktual në treg, do të aplikohet dhe një tarifë shtesë. Sa është koeficienti për këtë tarifë shtesë? A e ka qeveria gati këtë? E dyta ka të bëjë me rastin e zoti Martinaj, i cili është theksuar më herët që do ketë një komunikim nga ana e Policisë për të patur një deklaratë përfundimtare se çfarë ka ndodhur me të. Çfarë provash të tjera po pret Policia për të patur një përfundim të qartë edhe për publikun?
Kryeministri Edi Rama: Nuk di se çfarë keni parasysh me të tjera, por di t’iu them që në momentin e parë që Policia do të ketë provat e nevojshme do ketë dhe komunikimin. Për sa kohë që nuk e ka komunikimin, do të thotë që nuk i ka akoma provat e nevojshme.
Ndërkohë që përsa i përket pyetjes së parë, bëhet fjalë për çmimin e tregut jo për çmimin e deklaruar, por për çmimin e tregut plus një koeficient dhe kjo varion nga zona në zonë sepse çmimi i tregut varion nga zona në zonë. Natyrisht që këto janë të gjitha të përcaktuara.
E dyta, dhe këtu përfitoj nga rasti sepse nuk ishte pyetja, por tema ishte e njëjta, të them që jam shumë i keq ardhur dhe i mëshiroj të gjithë ata të cilët vazhdojnë dhe i bien fyellit në një vrimë që nuk ka asnjë lidhje fare me thelbin dhe me rezultatin e kësaj nisme, duke theksuar, e para, këtë problematikë ndryshe nga të tjera, nuk e ngriti as politika, nuk e ngriti as media dhe fatkeqësisht këtë problematikë nuk e ngriti as drejtësia. Këtë problematikë e ngritëm ne, e ngritëm dhe natyrisht e ngritëm ne për një arsye shumë të thjeshtë; sepse asnjë nga ata të cilët ndërtojnë metra katrorë për qëllim fitimi, nuk na mban dot lidhur me asgjë. Pra, kjo masë rrëzon të gjithë mitin e pazareve dhe të gjitha legjendat urbane të fshehjes sime apo tonën prapa kullave apo pallateve sepse po të ishte kështu, as ju nuk do të kishit marrë vesh gjë, askush tjetër nuk do të kishte marrë vesh gjë dhe drejtësia që duhet të veprojë në nivelin e prokurorive të rretheve, që janë larg së qëni të reformuara, do kishte vazhduar të bënte atë që ka bërë dhe arsyeja pse ne kemi dalë në këtë konkluzion dhe jemi detyruar të futemi vetë për të ekzekutuar këtë vendim, rezultatet e së cilit do t’i shikoni ditë pas dite tani, sepse po dorëzohen subjektet sepse e kuptojnë që nuk kanë më rrugë shpëtimi dhe nuk e gjejnë dot më tek prokurori i radhës dorën e shtrirë për të marrë bakshishin e radhës e për të mbyllur çështjen, është pikërisht kjo. Është shumë e thjeshtë.
Atyre që thonë: “këta i keni vënë vetë”, i them; fjalët të gjitha merrini mbrapsht sepse nuk kemi vënë ne vetë as prokurorë e as gjykatës. Ne kemi bërë një reformë për t’i pastruar prokurorët dhe gjykatësit e korruptuar, shumë prej të cilëve akoma janë në radhë për të hyrë në fshesën e vetting-ut dhe janë ata të cilët vazhdojnë bëjnë të tilla, por tani fuqia e tyre ka mbaruar sepse faktikisht, subjektet ose duhet t’i dhurojnë, me vullnet të lirë metrat katrorë që kanë ndërtuar për qëllim fitimi, ose t’i para blejnë në rast se duan të vazhdojnë tua japin klientëve të cilëve ua kanë shitur, por me një çmim i cili e bën krejtësisht të paarsyeshme ndërtimin e mëtejshëm të metrave katrorë për qëllim fitimi ose pastaj do t’iu konfiskohen. Në të gjitha rastet, kjo nuk e përjashton fare procesin me drejtësinë dhe në të gjitha rastet, se e para blenë, se e dhuruan apo se iu konfiskua, do paguajnë gjobën plus. Duhet të jesh i verbër deri në fund, duhet të jesh i mbushur me një urrejtje që nuk të lë të shohësh dhe as të dëgjosh logjikën për të akuzuar për këtë masë e cila i jep fund një historie shumëvjeçare, autorët e kësaj mase që jemi ne.
E fundit që kam dhe dua ta përsëris, sepse shumëkush flet pa ditur ekzaktësisht se çfarë flet, “po ku ishit ju, po pse tani”? Ne ishim këtu, këtu kemi qenë dhe për këtë arsye sot, këto metra katrorë të ndërtuara pa leje për qëllime fitimi janë dhjetëfish më pak se ç’ndodhte kur ne nuk ishim këtu. Kjo është një betejë e cila nuk fitohet brenda një viti, se po të fitohet brenda një viti do e kishin fituar dhe shtetet të tjera që kanë pasur të njëjtën problematikë ose që e kanë pasur deri vonë. Do e kishte fituar Italia, do e kishte fituar Spanja, do e kishte Portugalia, do e kishte fituar Greqia pra të gjitha shtetet sidomos në Mesdhe kanë pasur një problematikë të tillë. Disa e kanë zgjidhur ca kohë më parë, disa e kanë zgjidhur ca kohë më pas, por kanë pasur beteja të gjata ku i kanë provuar të gjitha llojet e mjeteve.
Ky është një mjet i ri që ne përdorim që ka dalë duke parë se çfarë shtegu ka mbetur hapur. Shtegun e hapur të drejtësisë ne nuk e mbyllim dot, do ta mbylli reforma, do ta mbylli një proces që kërkon kohën e vet, por ama ne mund ta bëjmë krejtësisht absurd shpenzimin për të ndërtuar metra katrorë që pastaj o do të t’i marrin, o do detyrohesh t’i dhurosh, o detyrohesh t’i parablesh me një çmim më të lartë se sa çmimi që do t’i shesësh për të mos hyrë në konflikte me ata të cilëve ja u ke shitur para kohe. Kjo është e gjitha.
– Zoti Kryeministër, ju morët një nismë për amnistinë fiskale që u hodh edhe për konsultim publik dhe krijoi debate dhe kritika. Pse nuk e keni dorëzuar akoma në Kuvend, jeni tërhequr nga kjo nismë dhe pyetja e dytë, është dorëzuar buxheti faktik nga Ministria e Financave në Kuvend pa raportin e performancës së koncesioneve si detyrim ligjor. Pse nuk është bërë një raport performance?
Kryeministri Edi Rama: Për këtë të dytën duhet të pyesni Ministrinë e Financave apo ministren e Financave, nuk jam në dijeni të një fakti teknik.
Për të parën, e kundërta është e vërtetë, ne nuk jemi tërhequr, por ne po vazhdojmë të diskutojmë dhe po vazhdojmë të dëgjojmë për të sheshuar të gjitha moskuptimet, keqkuptimet apo edhe për të ekspozuar edhe mos dëshirën për të mos kuptuar. Amnistia fiskale do të bëhet, e kam thënë dhe e përsëris. Pse do të bëhet? Sepse amnistia fiskale e kërkojnë shumica dërrmuese e shqiptarëve. E keni parë këtë edhe në Këshillimin Kombëtar, ne Këshillimin Kombëtar nuk e kemi bërë për të bërë një “show” siç u tha, dhe nëse e keni vënë re, të gjitha pikat e Këshillimit Kombëtar ose kanë hyrë në rrugën e zgjidhjes, nënat me tre fëmijë, kryefamiljare iu është dyfishuar ndihma sepse e kemi marrë si mbështetje nga pjesa më e madhe e atyre që morën pjesë në Këshillimin Kombëtar dhe ishin gjysmë milioni njerëz dhe kështu me radhë të gjitha nismat e tjera që të mos i numëroj, të mos humbas kohë dhe që të mos dalim nga pyetja dhe jo vetëm sepse e kërkon Këshillimi Kombëtar, por unë mendoj që nëse politikanëve në Shqipëri u është dhënë e drejta të gabojmë më shumë se një herë , nëse sot ne kemi në Shqipëri deri edhe një parti politike të tërë që ka pretenduar të vijë në qeveri dhe që është financuar me para të një vendi armik të demokracisë dhe të ekspozuar si armik ndaj të gjithë normave në të cilat ne besojmë dhe të ekspozuar si armik dhe si agresion i kartës së Kombeve të Bashkuara dhe nëse në atë parti sot kemi në krye jo formalisht por defacto një person të shpallur non grata, për të gjitha të zezat nga SHBA dhe nëse me radhë mund të marrim të tjerë dhe të tjera që vazhdojnë të jenë në skenë, vazhdojnë të pretendojnë të marrin vota, vazhdojnë të pretendojnë dinjitet e pastërti e ku e di unë se çfarë, atëherë kush jemi ne? Me çfarë të drejte që t’i privojmë qindra, mijëra shqiptare nga e drejta elementare për të formalizuar të ardhurat e tyre nga puna, në të zezë, në vendet e huaja, pse? Dhe kush jemi ne që t’i paragjykojmë 99% të shqiptarëve për shkak të atij 1%, që është pjesë e të gjithë të këqijave që kanë të bëjnë me trafikun, me krimin e organizuar. Ne nuk jemi askushi që t’i privojmë shqiptarët nga e drejta e tyre, ne nuk jemi askushi që t’ua bëjmë ferr jetën emigrantëve që nuk sjellin dot kursimet e tyre këtu se duhet të kalojnë në 1001 filtra, ne nuk jemi askushi që t’ju themi:
për shkak se …., ju nuk mundeni”. Jo. Dhe kush janë ata që na thonë ne se Shqipëria s’mund ta bëjë këtë, sepse shqiptarët janë kriminelë? Natyrisht që unë atyre nuk u vë faj sepse këtë ia kemi bërë ne vetes. Ia kemi bërë ne vetes përmes politikanësh të cilët nuk kanë lënë gjë pa bërë për ta shkatërruar dhe për ta nxirë imazhin e Shqipërisë dhe të shqiptarit, për të luftuar kundërshtarin këtu, por me një kosto të madhe që e paguajnë të gjithë shqiptarët sepse Shqipëria nuk është as vendi i krimit, as vendi i kriminelëve. Shqipëria ka “xhagajdurët” e vet, siç ka çdo vend tjetër, por atë që i bëjnë Shqipërisë vetë shqiptarët, disa shqiptarë, këta shqiptarë, nuk ja ka bërë asnjë armik. Dhe këtu shtoj ata, të cilët marrin përsipër të bëjnë ndërmjetësin apo katalizatorin e të vërtetave apo të gënjeshtrave të opinionit publik që kontribuojnë shumë për mjegull dhe gënjeshtra. Amnistia do bëhet. Ne jemi këmbëngulës, po dhe të duruar që të pastrojmë të gjitha ato cepa nga çdo lloj pluhuri apo iluzioni optik se aty ka pluhur dhe pastaj secili do ketë bindjen e vetë, por një gjë dua ta përsëris: Unë këtu jam i zgjedhur nga shqiptarët, nuk përfaqësoj ndonjë shtet tjetër dhe as nuk jam këtu si shprehje e vullnetit të ndonjë populli tjetër, që të jemi shumë të qartë.
-Zoti Kryeministër, është i njohur qëndrimi juaj ndaj agresionit rus në Ukrainë, por cili do të jetë qëndrimi politik i Shqipërisë nëse ju do të përballeni me kërkesë nga shtetasit rusë që braktisin vendin e tyre për të mos iu bashkuar luftës?
Kryeministri Edi Rama: Janë të mirë se ardhur në Shqipëri!
-Zoti kryeministër, përse Partia Socialiste po distancohet kaq shumë nga Arben Ahmetaj, ish-zëvendës kryeministër, ministër në qeverinë tuaj. A paralajmëron një hetim të tij për çështjen e inceneratorëve apo ndoshta një “non-grata”?
Kryeministri Edi Rama: Këto janë ato përrallat që thashë edhe dje. Ju jeni në të drejtën tuaj që t’i tregoni përralla popullit, duke kërkuar gjithmonë mbas çdo vendimi dhe mbas çdo hapi qëllime që nuk ekzistojnë. Jeni në të drejtën tuaj, nuk dua ta diskutoj. Kjo është diçka që nuk do të ndodhte 10 vite më parë, po ndodh fatkeqësisht edhe këtu edhe kudo në botë që në emër të lirisë së medias i jepet e drejta vetes për të spekuluar në dëm të personave deri në ekstrem dhe për ta kërdisur popullin, për ta kërdisur opinionin publik me lloj-lloj fantazish, me lloj-lloj përrallash, me lloj-lloj shpikjesh e gënjeshtrash që vijnë rëndom nga qëllimi për të shpifur, por vijnë dhe në rastet e tjera thjesht nga qëllimi për të bërë lajm. Është e drejta juaj, nuk di çfarë të them. Zoti i paftë të gjithë dhe Zoti u kujdestë për të gjitha. E vërteta e ka gjithmonë e më të vështirë të çajë rrugën në këtë botë ku sundon gënjeshtra dhe njerëzit që i qëndrojnë besnikë të vërtetave të tyre dhe që i qëndrojnë besnikë qëllimeve të tyre, e kanë gjithmonë e më të vështirë që të mbijetojnë qetësisht në një botë, e cila tregon një përrallë për çdo qëllim. Jo moj zonjë! Ne jemi në të drejtën tonë të bëjmë ndryshime organizative. I kemi bërë gjithmonë dhe njerëzit janë aty. Kanë lëvizur, lëvizin, këto s’kanë lidhje fare. Po është e drejta juaj, kush jam unë në fund të fundit apo jo?!
-Bëhet fjalë për ish-numrin dy të qeverisë. Është një figurë e rëndësishme e Partisë Socialiste. Ka një distancim pothuajse total. Edhe qarku i Vlorës iu hoq. Çfarë gaboi Arben Ahmetaj?
Kryeministri Edi Rama: Zonjë të lutem shumë, se si organizohet një skuadër është e drejta e skuadrës nuk është e drejta e tifozëve ose e spektatorëve. Spektatorët shohin ndeshjen dhe gjykojnë. Rezultatet do të tregojnë. Kështu çfarë do të thotë kjo? Pse duhet të ketë bërë diçka patjetër dikush që të lëvizi nga një pozicion? Pse duhet të ketë bërë patjetër diçka? Pse nuk është shumë më thjeshtë se kaq? Për arsye se secilit i duhet gjetur një pozicion ku të japi maksimumin në një betejë të re, bëhen dhe riorganizime dhe do bëhen dhe të tjera. Çfarë do të thoni prape pastaj, çfarë bëri ky, çfarë bëri ai?! Jo! do të shikojmë sipas nevojës së kësaj ndeshje. Organizimi bëhet për zgjedhjet vendore. Nuk ka lidhje fare me gjithë këto përrallat e tjera.
-Zoti Kryeministër, pak para fillimit të mbledhjes nga ambientet e kryeministrisë u pa të dalë Tom Doshi, ish-aleati juaj, person i shpallur “non-grata”. U takuat ju me zotin Doshi dhe çfarë diskutuat? Do bëni një aleancë për zgjedhjet vendore?
Kryeministri Edi Rama: Nuk kam asnjë dijeni për këtë dhe se kush hyn dhe kush del në këtë godinë nuk është fare detyra ime. Unë hyj nga diku dhe kam pjesën time të punës, kështu që se kush hyn dhe kush del është mbase detyra juaj t’i përgjoni nuk është detyra ime t’i kontrolloj.
-Zoti Kryeministër, ju flisni për një paketë të ndihmës sociale ndërkohë një grup polifonik është paguar dhe shpërblyer nga bashkia e Sarandës me 23 milion e 322 mijë lekë të vjetra vetëm se ju këndoi ju në tunelin e Kardhiq-Delvinë. A mund të kursehen këto para apo të çohen për familjet në nevojë?
Kryeministri Edi Rama: E para e punës, është hera e parë që e dëgjoj këtë gjë. E dyta e punës, kjo është një tjetër përrallë, dhe është jo pak, po e sigurtë dhe e treta me këtë rast, unë them që është mirë që ta studioni pak më shumë polifoninë dhe të studioni pak më shumë rrugën e polifonisë për të kuptuar që edhe kur bëhet fjalë për referime të caktuara te persona të caktuar, kjo nuk ka të bëjë me të kënduarit për mua apo me të kënduarit për dikë tjetër, por ka të bëjë me natyrën që ka ai folklor. Përsa i përket se çfarë ka paguar bashkia e Sarandës, për çfarë i ka paguar e të tjerë nuk kam asnjë dijeni. Nuk jam unë që jap “visto” sesi i shpenzon një bashki ato të ardhurat e veta që ka për të shpenzuar dhe mbi të gjitha juve në rast se doni që të ardhurat e bashkisë së Sarandës të shpenzohen ndryshe, kandidoni, fitoni dhe shpenzoni si të doni. Nuk mund të funksionojë kështu. Merr mikrofonin, krijo një përrallë edhe unë duhet të përgjigjem. Megjithatë unë tu përgjigja nuk kam dijeni për këtë dhe jam i bindur që kjo është një përrallë e treguar siç tregohen përrallat ose për të manipuluar njerëzit në funksion të një agjende politike ose nga dëshira për të krijuar lajm. Nuk jemi në debat këtu. Jemi në pyetje dhe në përgjigje. Megjithatë, unë t’u përgjigja, nuk kam dijeni për këtë dhe jam i bindur që kjo është një përrallë e treguar siç tregohen përrallat ose për të manipuluar njerëzit në funksion të një agjende politike ose nga dëshira për të krijuar lajm. Nuk jemi në debat këtu, jemi në pyetje-përgjigje.
-Zoti kryeministër, ju thatë që amnistinë fiskale do ta bëni, pavarësisht kundërshtive. Edhe nëse është Bashkimi Europian kundër do ta bëni, duke kujtuar që Shqipëria ka hyrë në një proces tashmë pas çeljes së negociatave dhe do ketë gjithë legjislacionin për ta përafruar me Bashkimin Europian dhe nëse keni vendet e BE-së kundër, si do të arrini që një shqiptar emigrant të fusë brenda në Shqipëri 2milionë euro nëse me 10milionë nuk arrin të futesh dot në doganë pa i deklaruar? Si mund të deklarojnë paratë e zeza nëse ju keni shtetet e BE-së kundër?
Kryeministri Edi Rama: Po ju me kë jeni, jeni me shqiptarët apo jeni me përrallat? Se nuk e kuptoj, me kë jeni në këtë rast? Hallin e kujt qani ju në këtë çast, se nuk e kuptova? Unë jam këtu për të qarë hallin e shqiptarë dhe këto “Nëse” janë të folura në hava, nëse do jetë ky kundër, nëse do jetë ai kundër. Ne jemi në diskutim me të gjithë dhe do mundohemi të krijojmë një bazë ku të gjejmë dakordësi. Nëse do jemi dakord, shumë mirë. Nëse nuk do jemi dakord 100%, prapë nuk ka problem. Ne këtu jemi për të bërë detyrat karshi shqiptarëve, natyrisht, pa i shkelur asnjëherë normat dhe pa shkelur asnjëherë parimet dhe pa shpikur asnjëherë gjëra që nuk kanë lidhje me legjislacionin dhe nuk kanë lidhje me BE-në.
Amnistitë fiskale ne i kemi parë dhe i kemi studiuar nga thuajse të gjitha vendet e BE-së, nuk i kemi gjetur në Australi dhe Amerikën Latinë. Edhe atje i kanë bërë, por në vendet e BE-së janë bërë shumë amnisti. Në vendin përballë, në Itali janë bërë edhe më shumë sesa në vende të tjera. Kështu që, ne nuk po bëjmë diçka që është një shpikje dhe nga ana tjetër, ne nuk duam të bëjmë diçka që i shkon ndesh asnjë kornize që ka të bëjë me normat, parimet, vlerat dhe konceptet e BE-së.
Përsa i përket parasë së zezë, një gjë të jemi shumë të qartë. Këtu bëhet fjalë për para të kursyer nga puna në të zezë, jo nga punët e zeza. Për punët e zeza ligji është shumë i qartë dhe i ka shumë të qarta dhe kategoritë që nuk janë të pranuara që të përfshihen në amnisti dhe pak më shumë respekt kur flisni për “Paranë e zezë” në thonjëza të emigrantëve, mendoj unë, pak më shumë respekt dhe pak më shumë vetëdije që ky nuk është një ligj për mua, nuk është një ligj për politikanët, asnjë politikan nuk është i lejuar të përfshihet në amnisti, nuk është një ligj për gjykatësit, nuk është një ligj për prokurorët, nuk është një ligj për policët, nuk është një ligj për ata që kanë pasur funksione drejtuese në administratë, nuk është për ta.
Ky nuk është një ligj kaste. Ky është një ligj për ata që kanë lënë vite të tëra rrugëve për të kursyer para.
Çfarë keni ju me ta? Pse nuk jeni ju mbështetës të kësaj? Qani hallin tim si do ia bëj unë? Kjo është gjëja më pak e rëndësishme në këtë proces dhe në çdo proces, se si do ia bëj unë. Unë nuk jam këtu për qëllime personale dhe nuk jam këtu për punët e mia personale, pavarësisht se ju mund të tregoni çdo përrallë dhe çdokush mund të besojë çdo përrallë.
Unë jam këtu sepse besoj në atë që kam besuar që në ditën e parë që i kam hyrë kësaj të përpjete dhe vazhdoj besoj e sot besoj më shumë se dje. Për këtë jam këtu. çfarë mund të bëj unë? Unë mund të ndaj me ju të vërtetat e mia, mund t’iu tregoj qëllimet e mia e pastaj ju jeni në të drejtën tuaj t’i ktheni të gjitha në përralla. Por, një gjë ama unë nuk e kuptoj. Këtë ligj e kërkon 60 e kusur përqind e njerëzve të këtij vendi dhe këtë ligj e kërkojnë të gjithë emigrantët që heqin picir për të sjellë paratë këtu dhe ju qani hallin sa do mërzitet BE-ja apo sa do mërzitet Amerika? Çfarë halli qani? Këta i kanë punët në rregull. Ne do t’i bëjmë punët në rregull si ata dhe natyrisht duke bashkëpunuar me ta.
Faleminderit!