Komunikim me mediat i Kryeministrit Edi Rama mbi vendimet e marra në mbledhjen e Këshillit të Ministrave - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Komunikim me mediat i Kryeministrit Edi Rama mbi vendimet e marra në mbledhjen e Këshillit të Ministrave

Përshëndetje!

Dola sot pas mbledhjes së qeverisë, për një arsye të vetme, sepse kemi marrë një vendim, të cilin ua kemi premtuar pensionistëve dhe sot, falë këtij vendimi, duke filluar nga dita e nesërme do të fillojë lëvrimi i bonusit të fundvitit për të gjithë 695,101 pensionistë, prej 5 mijë lekësh të reja. Edhe pse kemi pasur vështirësi të posaçme këtë vit, vështirësi që dihen, përsëri për ne ka qenë e padiskutueshme që, jo vetëm për pensionistët, por edhe për 66 mijë të tjerë të kategorisë pensionistë, që kanë pensione invaliditeti me përfaqësuesit e të cilëve kemi patur edhe një dialog intensiv në nivelin e Ministrisë së Financave, do të akordojmë edhe plus 6 mijë lekë të tjera, pra të reja, që shkojnë në 110 mijë lekë të vjetra për këta pensionistë, si kompensim i nevojshëm dhe i merituar, bazuar edhe në rezultatet e dialogut që kemi zhvilluar.

Po ashtu, do të mbështesim edhe 64 mijë familje me ndihmë ekonomike, për të cilat siç e dini kemi pasur disa rritje të ndihmës, por gjithsesi mbeten në nevojë dhe në vëmendje për t’u mbështetur edhe me bonusin e fund vitit, si edhe për gjithë kategorinë e paraplegjikëve edhe tetraplegjikëve.

Në total është një paketë prej 4.3 miliardë lekësh të reja, rreth 40 milionë dollarë që vihet në dispozicion pikërisht të këtyre kategorive që janë edhe kategoritë më në nevojë të shoqërisë sonë.

Ndërkohë kemi marrë edhe vendimin për të filluar nga janari i vitit të ardhshëm edhe aplikimin e një tjetër mase të konsultuar me publikun gjatë Këshillimit Kombëtar, për nënat e papuna me tre fëmijë të mitur, të cilave qeveria do t’u paguajë të gjitha sigurimet shëndetësore dhe shoqërore, njësoj sikur  të ishin në punë.

Shumë faleminderit!

–  Zoti Rama, në kohën kur në fakt duket një ditë historike 6 dhjetori, për faktin që do të jetë dhe Samiti në Tiranë, nga ana tjetër edhe opozita ka pretenduar që do të organizojë një proteste, ose më saktë e ka paralajmëruar edhe pavarësisht njoftimeve nga policia që është refuzuar apo masat e rëndësishme që do të merren. Keni një koment për këtë? Si konsiderohet kjo në një ditë të rëndësishme të samitit dhe krahu tjetër është një pyetje në lidhje me vendimin për ditën e pushimit që është marrë. Ishte e nevojshme të merrej një ditë pushimi në Tiranë?

Kryeministri Edi Rama: Nuk është marrë asnjë ditë pushimi, nuk ka asnjë ditë pushimi. Është një lajm i rremë dhe puna do të vazhdojë normalisht dhe ndërkohë përsa i përket masave të sigurisë, ato nuk negociohen me askënd. Janë masa sigurie, që vendosen bazuar në të gjitha standardet dhe rregullat e vendosura nga vetë Komisioni, Këshilli Europian që kudo ku zhvillojnë aktivitete, kanë masa standarde. Forcat tona të sigurisë punojnë me forcat dhe me organizatorët e Samitit që janë në fakt në Këshillin Europian, prej shumë kohësh pikërisht për masat e sigurisë, kështu që këto nuk janë çështje opinionesh, nuk janë çështje mendimesh, nuk janë çështje diskutimesh. Këto janë masa shumë të rrepta sigurie, aq më tepër në situatën kur këtu do të vijnë të gjithë liderët e Bashkimit Europian, siç nuk ka ndodhur kurrë ndonjëherë dhe pa diskutim për ta, ka masa ekstreme sigurie kudo që lëvizin dhe sa herë që lëvizin.

–  Zoti Kryeministër, pse disa ndërtime pa leje ose në shkelje të lejes si Prestige Resort shemben dhe disa të tjera të ndërtuara në mes të Tiranës legalizohen nëse deklarohen të konfiskuara? A po përdor qeveria dy standarde?

Kryeministri Edi Rama: Zonjë, është mirë që kur diskutojmë për çështje që lidhen me ligjin, të njihemi me ligjin, të njihemi me procedurat, t’i mësojmë mirë ato për të mos bërë spekulime dhe pastaj për të mos ngritur akuza mbi bazë gjysmë të vërtetash. Lexoni ligjin, ligji është shumë i qartë. Masat për ndërtimet që bëhen në shkelje të lejeve të ndërtimit për qëllim fitimi, janë shumë të qarta në ligj dhe janë të përshkallëzuara në ligj. Ka konfiskim, ka shembje, ka masa pjesore në varësi nga niveli i shkeljes e kështu me radhë. Kështu që, edhe një herë do t’ju lutesha shumë, të lexoni ligjin me shumë vëmendje dhe të mos nxirrni konkluzione të bazuara në premisa të gabuara.

– Disa ditë më parë Parlamenti Europian ka miratuar një rezolutë, po citoj: “Shprehim rezerva të forta për çdo iniciativë rajonale të bashkëpunimit ekonomik që nuk përfshin 6 vendet e Ballkanit Perëndimor dhe që nuk është e bazuar në rregullat e BE siç është nisma Open Balkan”. Pyetja ime është, ndërsa në Malin e Zi janë bërë edhe protesta së fundmi ndaj kësaj nisme, do të vazhdojë qeveria shqiptare të insistojë në këtë nismë për të cilën me sa duket ka rezerva edhe Parlamenti Europian?

Kryeministri Edi Rama: E para, ajo nuk është një rezolutë e Parlamentit Europian. E dyta, “Open Ballkan” ose Ballkani i Hapur ka marrë miratimin e më shumë se 60% të shqiptarëve, të qytetarëve shqiptarë të konsultuar gjatë Këshillimit Kombëtar. E treta, Ballkani i Hapur është një nisëm në përputhje të plotë, 100 % me frymën dhe germën e BE-së dhe nga ana tjetër është pjellë e Procesit të Berlinit. Mjafton të marrim në konsideratë faktin që në Procesin e Berlinit të ristartuar kemi firmosur ekzaktësisht ato dokumente që ishin më parë firmosur në Ballkanin e Hapur. Kështu që, ne nuk kemi asnjë arsye të ndryshojmë opinion mbi Ballkanin e Hapur. Mbase ata, që janë kundër Ballkanit të Hapur, kanë arsye të ndryshojnë opinionin, por është e drejta e tyre të kenë një opinion të ndryshëm nga ky i yni.

– Zoti Kryeministër, cila është e vërteta juaj referuar disa akuzave që i janë drejtuar kreut të Grupit Parlamentar Socialist, Taulant Balla si person që ka kontaktuar me eksponentë të krimit të në Elbasan referuar edhe faktit që një vendim gjyqësor në Elbasan konfirmon që ai ka qenë në një kohë nën përgjim për efekt të këtyre elementeve kriminalë?

Kryeministri Edi Rama: Si mund të ketë një të vërtetë tjetër përveç asaj që bazohet në fakte? Unë i besoj fakteve dhe nuk merrem me llafe, me thashetheme, me spekulime dhe mbi të gjitha unë i ruhem shumë edhe gjysmë të vërtetave sepse ato janë edhe gënjeshtrat më të mëdha.

Nëse ka fakte, është detyra e akuzuesve që të sjellin fakte për ata që akuzojnë, që në kohën e Romes. Këtu ka ndryshuar komplet trendi i civilizimit, por kjo nuk më detyron mua të hyj në këtë trend të ndryshuar sepse unë besoj që ka shumë gjuhë sot në Shqipëri që punojnë për gënjeshtrën. Unë modestish i jam vënë në dispozicion vetëm të vërtetës dhe kuptohet, s’ka një të vërtetë absolute, por asaj të vërtete që unë besoj se është e vërteta e bazuar në fakte. Kaq! Për të marrë nëpër gojë njerëz e për të zhgërryer figura njerëzish e për të baltosur emra njerëzish e për ta katandisur në pamjen virtuale këtë vend sikur është një kënetë ku të gjithë janë të zhgërryer e të ngjyer, ka boll që e bëjnë këtë punë. Unë nuk jam pjesë e kësaj kategorie.

–  Zoti Kryeministër, gjatë ditëve të samitit do të vijë dhe homologu juaj grek Kyriakos Mitsotakis. Do të keni një takim dhe një konferencë të përbashkët për shtyp. Do të jetë çështja e detit, do të hidhen hapa të rinj. Deri më tani jeni në parim që çështja e detit të jenë nën një drejtësi ndërkombëtare.

Kryeministri Edi Rama: Ai është një proces tërësisht tekniko-juridik dhe s’ka lidhje fare me politikën.

– Zoti Kryeministër, për t’u kthyer te 6 dhjetori. Ju thatë që janë masa të sigurisë të vendosura nga Brukseli, por nga ana tjetër…

Kryeministri Edi Rama: Jo, jo janë masa sigurie të bazuara në kritere dhe në standarde që do i garantojë çdo vend që merr përsipër të mikpresë një Samit të këtyre përmasave dhe natyrisht këto janë të bazuara në kërkesat që kanë ata, të cilët vijnë këtu dhe organizojnë këtu Samitin, se këtë Samit e organizon Këshilli Europian, nuk e organizon Shqipëria. Shqipëria është mbështetëse dhe është mikpritëse e këtij Samiti.

– Por, nga ana tjetër opozita është e vendosur që protestën ta zhvillojë përpara godinës së qeverisë. Në rast se asnjëra nga palët nuk do tërhiqet, si do shkojë 6 dhjetori?

Kryeministri Edi Rama: Këtu nuk ka palë që tërhiqen ose nuk tërhiqen. Këtu ka një aktivitet që është aktiviteti më i rëndësishëm në historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare të Republikës së Shqipërisë apo të Shqipërisë para se të bëhej republikë. Nuk ka ndodhur kurrë që në Shqipëri të zbresë i gjithë kontinenti në shprehje të qartë respekti për Shqipërinë dhe në mbështetje të asaj linje tanimë të kristalizuar që e sheh Shqipërinë si një faktor kyç në rajon dhe për shkak të rajonit në funksion të Europës.

Këto pastaj, historitë e 1912 që vazhdojnë dhe tirren, këto janë çështje që për fat të keq, ne nuk i shmangim dot, por nga ana tjetër nuk mund ta marrin dot peng as Shqipërinë dhe aq më pak një samit të këtyre përmasave. Kështu që kjo nuk është çështje palësh që tërhiqen ose nuk tërhiqen, ky nuk është një vendim i qeverisë shqiptare. Këtu hyn në fushë siguria e samitit dhe garantimi i gjithë masave të kërkuara të sigurisë për të gjithë liderët dhe delegacioneve të mbarë Europës. Çfarë lidhje ka kjo këtu me Mujin dhe me Halilin? Unë nuk shoh lidhje.

–  Zoti kryeministër, drejtuesit e “Prestige Resort” kanë publikuar një dokument në të cilin thotë se zonja Dallëndyshe Bici ka konfirmuar lejen e ndërtimeve në 2017. A ka shkelur zonja Bici ligjin në 2017 apo po e shkel tani? E dinit ju zoti kryeministër kur u strehuan afganët që kishte ndërtime pa leje në atë resort?

Kryeministri Edi Rama: E kam thënë dhe në raste të tjera se është shumë e çuditshme kjo qasje, por megjithatë unë me shumë korrektesë i jam përgjigjur dhe vazhdoj të përgjigjem.

Unë nuk jam polic, nuk jam as inspektor. Unë di që detyrat në këtë vend janë të ndara dhe nga ana tjetër di që nuk ka asnjë shans, nuk ekziston një shans që institucionet e këtij vendi, cilado qofshin, të godasin si pa leje ndërtime që janë me leje, nuk ekziston. Kur e kam nisur këtë proces, shumëkush ka nënqeshur, shumë kush ka përqeshur, të tjerët kanë thënë, ç’nuk kanë thënë, “jo po bëhet për këtë arsye, jo po bëhet për atë arsye”, ndërkohë që unë e kam bërë shumë të qartë që ky është një proces shumë serioz për t’i vënë kapak një historie 30 vjeçare abuzimi, harbimi dhe tërbimi në raport me ligjin dhe në mungesë të plotë respekti ndaj pronës private apo publike, ndaj të drejtave private apo publike në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Kemi bërë shumë në këtë drejtim por ka ardhur momenti për t’i vënë kapak përfundimtar kësaj historie. Janë 15 vendime konfiskimi, 15. Nuk janë as një, as dy dhe janë vendime konfiskimi për një numër të konsiderueshëm besoj unë, të atyre  që quhen rëndom oligarkë dhe që rëndom lidhen me qeverinë po të ishin të lidhur me qeverinë nuk do ishin sot në kushtet e të konfiskuarve. Pse janë konfiskuar? Sepse kanë shkelur ligjin! Kanë ndërtuar përtej kufijve të ligjit për qëllime përfitimi. Ndër to ka ndërtime që janë totalisht pa leje, ka dhe ndërtime që janë pjesërisht me leje, por kanë abuzuar duke shtuar dhe ligji është shumë i qartë. Kush abuzon me lejen deri në një masë të caktuar, në mos gabohem 10%, i merret ajo pjesë. Kush shkon përtej asaj mase i merret e gjitha. Pastaj kjo e gjitha, sipas të dhënave që dalin nga raportet e institucioneve të specializuara ose shembet ose përdoret për interesa publike. Është shumë e qartë dhe është një proces që vazhdon, do të shikoni të tjera nëqoftëse do dalin të tjera. Nuk është një proces që është ndalur. U tha atëherë që, “jo po bëhet vetëm në Tiranë, jo po bëhet se është luftë midis këtij e atij”, broçkulla! Është një proces që i vë kapak përfundimisht dhe që s’ka për të guxuar më askush që të bëjë të fortin në raport me ligjin, që të përdorë çfarëdolloj statusi për të marrë më shumë sesa i takon në bazë të ligjit dhe mbi të gjitha, të gjitha këto do të vihen në shërbim të publikut. Kështu që këtu nuk shoh ku është pyetja për mua dhe ku është pjesa për të dalluar njërin nga tjetri. Natyrisht secili është në të drejtën e vet të bëjë viktimën. Njëri thotë, “po më sulmojnë se jam shumë i zoti”. Tjetri thotë, “po më sulmojnë se jam shumë i fortë”, tjetri thotë, “po më sulmojnë se jam shumë i dobët”, tjetri thotë, “po me sulmojnë se jam…”, ku di unë se çfarë. Secili bën viktimën, por këtu është ligji dhe vetëm ligji, nuk ka asnjë tjetër. Vendosmëria për t’i shkuar deri në fund një beteje që unë e kam nisur kur juve ishit akoma ende shumë të vegjël dhe nuk jeni të detyruar që t’i mbani mend të gjitha

– Zoti kryeministër, deputeti juaj Erion Braçe ka akuzuar ditën e djeshme grupin parlamentar socialist se ka rrezuar amendamentin që ai ka propozuar ku mbron bujkun ndaj tregtarit. Ndërkohe ka paralajmëruar disa herë le të themi, është koha për punë të re. Ju keni kontaktuar me të, keni marrë një kërkesë nga zoti Braçe për të lënë mandatin?

Kryeministri Edi Rama: Erion Braçe është institucion në Partinë Socialiste dhe është në të drejtën e vet të thotë çfarë t’i dojë e bardha zemër sepse zemrën e ka të bardhë dëborë. Për të tjerat pastaj, ua kam thënë dhe kolegeve tuaj. Kur merrni përsipër të komentoni Erion Braçen, sigurohuni që minimalisht që përpara të keni ngrënë një lugë mjaltë. Faleminderit!

Previous Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 1 Dhjetor 2022