Komunikim me publikun për situatën energjetike në vend - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Komunikim me publikun për situatën energjetike në vend

Deklaratë për media e Zëvendëskryeministres, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku:

Përshëndetje të gjithëve!

Ky është komunikimi përsa i përket situatës energjetike për muajin Dhjetor. Kemi pasur një muaj me prurje të rëndësishme përsa i përket kaskadës së Drinit. Duke nisur nga data 19 Nëntor 2022 dhe më pas është pasuar me evente në javën e parë të Dhjetorit apo edhe 2-3 ditë më parë.  Kështu që për të dhënë dhe për të bërë një krahasim të situatës hidrologjike unë do ti referohesha sesi në muajin Nëntor e kemi nisur me një nivel prej 267 metrash në basenin e Fierzës, por më pas nga të gjitha prurjet në fillim të muajit Dhjetor kemi arritur një nivel prej 280 metrash në basenin e Fierzës duke mirë administruar padyshim edhe prodhimin edhe akumulimin e ujërave në të treja basenet. Por, çfarë kemi bërë për ti paraprirë çdo lloj problematike në të ardhmen? Kemi krijuar vendin e duhur duke vënë agregatët në punë në hidrocentralin e Komanit dhe në atë të Vaut të Dejës për të pasur volumet e duhura dhe për të pritur reshjet e shumta duke pasur parasysh që reshjet sapo fillojnë, prurjet kryesore vijnë në basenin e Komanit dhe atë të Vaut të Dejës, duke qenë se janë prurjet e lumenjve të alpeve apo e përrenjve të cilët aktivizohen menjëherë në kushtet e motit me shi.

Duhet pasur parasysh që kemi filluar me një rezervë energjetike muajin Nëntor prej 448 gigavatorësh, ndërkohë që në fillim të muajit Dhjetor kemi arritur të administrojmë 788 gigavatorë. Pra në rreth një muaj kemi akumuluar 340 gigavatorë energji elektrike. Rezerva energjetike sot, duke pasur parasysh dhe reshjet që kemi pasur gjatë datës 8, 9 dhe 10 Dhjetor ka arritur në një total prej 919 gigavatorësh duke bërë kështu që vetëm gjatë Dhjetorit të kemi konservuar 131 gigavatorë plus.

E gjithë kjo është një punë që është bërë me përkushtim nga të gjithë ekspertët dhe specialistët e Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare dhe që do të vazhdojë të bëhet në ditët në vazhdim. Por, unë do ndalesha pak edhe tek shifrat dhe faktet e tjera pasi në sistemin energjetik kemi dy komponentë shumë të rëndësishëm, atë të ofrimit të energjisë elektrike, por sigurisht dhe atë të konsumit të energjisë elektrike.

Pas një thirrjeje që kemi bërë në muajin Shtator për shkak të situatës shumë të vështirë që kemi pasur në ato momente, edhe për shkak të çmimeve të larta të importit, por sidomos edhe për shkak të thatësirës dhe të niveleve shumë të ulëta të kaskadës së Drinit, qytetarët i janë përgjigjur kësaj thirrjeje. Një thirrje për të konsumuar më pak energji. Një thirrje për të kursyer energjinë elektrike si produktin më të vyer, kështu që ne e kemi vlerësuar reagimin tuaj dhe pavarësisht se është vendosur nga Enti Rregullator dhe të gjitha Kompanitë të cilat ofrojnë në Republikën e Shqipërisë shërbimin përsa i përket mbulimit me energji elektrike, është vendosur një fashë e cila mund të futej në funksion në momentin kur ne do të kishim vështirësi, një fashë prej 800 kilovatorësh. Nuk është vendosur kurrë dhe nuk është përdorur deri më sot. As për muajin Shtator, as për muajin Tetor dhe as për muajin Nëntor dhe e gjitha kjo pasi situata herë pas here është përmirësuar. Puna e mirë që ka bërë Korporata  Elektroenergjetike për të optimizuar kaskadën dhe për të optimizuar edhe blerjen e energjisë ka dhënë rezultat.

Megjithatë duhet thënë që kursimi në muajt e parë, Shtator, Tetor ka qenë një kursim i konsiderueshëm i cili me të vërtetë na ka dhënë një dorë për të kaluar të gjithë situatën e vështirë. Në muajin Tetor e kemi mbyllur me 7% kursim në rang vendi, ndërkohë që muaji Nëntor është mbyllur me vetëm 2% kursim në rang vendi. Unë dua të kërkoj edhe një herë të gjithë angazhimin tuaj, të çdo qytetari, të çdo abonenti, të çdo familjari, të çdo biznesi të vogël që Qeveria i ofron mburojën sociale energjetike që të vazhdojmë dhe të kursejmë sepse do të jetë e vetmja mënyrë për të mos aplikuar fashën 800 kilovatorë. 2% është një kursim i vogël, i cili nuk na ndihmon që të vazhdojmë dhe të mbajmë të njëjtën situatë energjetike dhe të mbrojmë çdo qytetar, çdo familjar, apo abonent.

Ndërkohë institucionet e administratës kanë vazhduar që të kursejnë ashtu siç duhet, pavarësisht se targeti që kemi vendosur për çdo institucion është vetëm 15%, sipas targetit të vendosur nga Bashkimi Europian, edhe për muajin Nëntor institucionet shtetërore, shkollat, spitalet, çdo ndërtesë e cila është në funksion të shtetit shqiptar ka kursyer në total 20%. Kjo është një shifër që me të vërtetë ka impakt në sistemin tonë elektroenergjetik.

Ndërkohë do të kthehesha pak tek temperaturat e ulëta që kanë filluar tashmë të na ndikojnë në Republikën e Shqipërisë. Sot konsumi ditor është 17 mijë e 800 megavatorë. Një konsum i lartë pa konsideruar këtu edhe humbjet teknike të sistemit. Nga ana tjetër kemi përpara nesh dy javë që janë javët e festave, ku sipas historikut që kemi nga të gjitha vitet e shkuara, konsumi do të rritet ndjeshëm, nga 22 mijë megavatorë deri në 26 mijë megavatorë në ditë. Kjo shumë e konsideruar duhet patjetër menaxhuar nga të gjithë së bashku, jo vetëm nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare, e cila sot po menaxhon në mënyrën më të mirë kaskadën për të pasur prodhim vendas dhe tepricat ne po i eksportojmë, duke krijuar kështu një buxhet financiar i cili do të përdoret në muajt në vazhdim për blerjen e energjisë elektrike kur nuk do të kemi mundësi që të prodhojmë aq sa duhet nga kaskada. Megjithatë duhet patur parasysh që dy javët në vazhdim me këtë konsum të lartë do të jenë të vështira për tu përballuar, ndaj unë do të bëja thirrje që të gjithë së bashku ti kthehemi edhe njëherë praktikës së mirë të muajit Shtator dhe Tetor, duke pasur kështu si synim kryesor kursimin e energjisë elektrike.

Ashtu siç e kemi thënë që në krye të herës situata energjetike, kriza energjetike mbarë botërore, është një situatë e cila mund të përballohet vetëm nëse bashkëpunojmë, vetëm nëse ka solidaritet nga të gjitha palët. Qeveria ka bërë maksimumin dhe do vazhdojë ta bëjë për ti ofruar çdo qytetari mburojën energjetike. Në raportin e fundit të FMN-së është vlerësuar vendimi i Qeverisë Shqiptare për të mbrojtur familjarët dhe bizneset e vogla nga ekspozimi ndaj çmimeve të tregut. Pra është vlerësuar fakti që Qeveria Shqiptare nuk ka rritur me asnjë qindarkë energjinë elektrike. Ne do të vazhdojmë të bëjmë të njëjtën gjë.

Fasha 800 kilovatorë për përdorimet mbi këtë fashë ka qenë e vendosur nga 1 shtatori deri në 31 dhjetor dhe sigurisht ne presim në ditët në vazhdim, pra dhe gjatë datës 14, 15, 16 dhe 17, ne presim prurje të reja në kaskadën e Drinit të cilat do të shkojnë 1000-1500 metër kub për sekondë në Fierzë dhe në Koman përkatësisht, por megjithatë kursimi është çelësi i suksesit tonë. Kështu që të gjithë së bashku duhet ti kthehemi edhe njëherë praktikës së mirë që patëm gjatë muajit Shtator dhe Tetor. Është e domosdoshme që të kemi një target, një target kombëtar prej 5% të paktën për kursim.

Duhet pasur parasysh gjithashtu që planet tona për të ardhmen në energji janë plane të rëndësishme dhe agresive. Ne do të vazhdojmë gjatë muajit Janar dhe gjatë muajit Shkurt të fusim në prodhim dy anijet prodhuese të energjisë elektrike që tashmë ndodhen të stacionuara në Triport. Por, nga ana tjetër, kushtet atmosferike nga ç’duket pas datës 17 do të përmirësohen dhe nuk do të kemi reshje, kështu që duhen marrë masat për të pasur mundësi që Qeveria Shqiptare të vazhdojë dhe të mbrojë çdo qytetar dhe të mos aplikojë fashën 800 kilovatorë ashtu siç nuk e ka bërë deri më sot.

Edhe njëherë do të kërkoja mirëkuptimin tuaj dhe do të kërkoja bashkëpunimin tuaj, se vetëm së bashku ne mund t’ia dalim.

Shumë faleminderit!

Previous Dita e mbulimit shëndetësor universal, Manastirliu: Akreditohen 261 institucione shëndetësore