Konferenca e parë Kombëtare Antikorrupsion, një bilanc arritjesh e sfidash në betejën e përditshme kundër korrupsionit - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Konferenca e parë Kombëtare Antikorrupsion, një bilanc arritjesh e sfidash në betejën e përditshme kundër korrupsionit

Nisi sot Konferenca e parë Kombëtare Antikorrupsion, e cila shoqëron daljen e Raportit Vjetor Kombëtar 2021 për Antikorrupsionion, puna për të cilën u drejtua dhe koordinua nga Ministrja e Shtetit për Standardet e Shërbimeve Milva Ekonomi dhe Ministrja e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes Edona Bilali.

Konferenca do të zhvillohet për tre ditë rresht në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, e  fokusuar në dy shtylla kryesore, reformimi i sistemit të drejtësisë dhe reformimi i shërbimeve ndaj qytetarëve përmes digjitalizimit si mjet efektiv për të luftuar korrupsionin. Konferenca në tërësi do të pasqyrojë rezultatet dhe problematikat në betejën e përditshme kundër korrupsionit, përgjatë gjithë frontit të marrëdhënies së shtetit me qytetarët dhe nga ana tjetër, do të ndajë këto rezultate dhe problematika me të gjithë drejtuesit e shërbimeve publike, por edhe me përfaqësuesit e drejtorive apo zyrave të caktuara të shërbimeve publike. Në ditën e parë, punimet e Konferencës vijuan me panelin e Reformës në Drejtësi.

Kryeministri Rama iu drejtua Konferencës me një fjalë, ku ndër të tjera theksoi se pavarësisht një sërë problematikave që mbeten për t’u zgjidhur, është lehtësisht e dallueshme se “Shqipëria ka filluar të ndahet shumë qartë nga një fazë kur korrupsioni ishte sistemi i marrëdhënieve të qytetarit me shtetin në çdo kontakt të tij me të”.

* * *

Përshëndetje të gjithëve dhe faleminderit për praninë tuaj, sidomos miqve të ftuar që na shoqërojnë në këtë përpjekje si partnerë në një rrugë të vështirë.

Dua, në radhë të parë, të falenderoj Milvën dhe Edonën sepse së bashku kanë koordinuar të gjithë punën për raportin e parë kombëtar vjetor të Antikorrupsionit, si dhe për këtë Konferencë Kombëtare, e cila synon, nga njëra anë, të pasqyrojë rezultatet dhe problematikat në këtë betejë të përditshme dhe përgjatë gjithë frontit të marrëdhënies së shtetit me qytetarët dhe nga ana tjetër, të ndajë këto rezultate dhe problematika me të gjithë drejtuesit e shërbimeve publike, por edhe me përfaqësuesit e drejtorive apo zyrave të caktuara të shërbimeve publike.

E pamë të udhës të shoqëronim nxjerrjen e raportit të Antikorrupsionit me këtë konferencë sepse besojmë që është shumë e rëndësishme të ndajmë me publikun edhe vështirësitë, si dhe të përpiqemi ta vendosim në një perspektivë këtë sfidë të vazhdueshme, e cila asnjëherë nuk mbaron sepse në asnjë shtet të botës, që nga shtetet më të zhvilluara, çështja e korrupsionit nuk është zgjidhur përfundimisht, por në ndërkohë, për të kuptuar se Shqipëria ka filluar të ndahet shumë qartë nga një fazë kur korrupsioni ishte sistem i marrëdhënieve të qytetarit me shtetit në çdo kontakt të tij me të.

Nuk ka qenë përpara 30 vitesh, por deri para pak vjetësh, koha kur të gjitha shërbimet për qytetarët jepeshin me kontakt fizik të drejtpërdrejtë dhe kur edhe për shërbime më bazike dhe të përmuajshme, siç ishte pagesa e dritave, qytetarët duhet të qëndronin në radha shumë të gjata, në shi apo në diell, që t’iu jepej mundësia të paguanin kontributet e tyre.

300 mijë kontakte fizike zhvilloheshin në muaj mes qytetarëve dhe shtetit dhe në këto 300 mijë kontakte fizike kishte arbitraritet të vazhdueshëm, mungesë të plotë cilësie në shërbim, mungesë të plotë transparence, zvarritjeje dhe shumë para nën dorë.

Nga ana tjetër, për të kaluar në zemrën e sistemit, sistemi ishte i kapur tërësisht nga kanceri i një drejtësie thellësisht të korruptuar, gjerësisht të kalbur dhe faktisht, të transformuar në një pazar, ku e drejta shitej ose blihej dhe pavarësisht se brenda sistemit kishte, si kudo dhe si në çdo vend dhe çdo fushë, njerëz të zotë dhe njerëz të ndershëm, tërësia e sistemit e bënte të pamundur, qoftë për njerëzit e zotë e të ndershëm të promovoheshin, qoftë për njerëzit e thjeshtë dhe të pafajshëm të garantoheshin nga sistemi i drejtësisë.

Kështu, ne u fokusuam në të dyja drejtimet; nga njëra anë, reformimi i sistemit të drejtësisë dhe nga ana tjetër, reformimi i shërbimeve. Për reformimin e sistemit të drejtësisë do ketë pas kësaj hapjeje një panel të veçantë dhe unë nuk do doja të zgjatesha shumë, por do doja të thosha vetëm diçka që ma ha mendja biem dakord që të gjithë, pavarësisht bindjeve që kemi, pavarësisht rezervave që mund të kemi për këtë apo për atë, madje pavarësisht simpative që mund të kemi në aspektin politik; Kush e mendonte deri pak vite më parë se në këtë vend do ndëshkoheshin nga drejtësia figura politike të rangut më të lartë? Kush e mendonte në këtë vend, deri pak vite më parë, se do vinte dita, vetëm pak vite më pas nga fillimi i Reformës në Drejtësi, që askush më nuk do ndjehej i paprekshëm dhe që anëtarë qeverie, përfaqësues të zgjedhur në pushtetin vendor, deputetë do të merreshin nën hetim dhe do të akuzoheshin nga një prokurori tërësisht e ndarë nga politika dhe tërësisht e fokusuar tek misioni i saj për të bërë drejtësi?

Unë nuk besoj se dikush në këtë sallë, deri para pak viteve, do t’i përgjigjej pozitivisht pyetjes “A e beson që pas pak vitesh do ndodhë kështu?” dhe jo anëtar qeverie apo kryebashkiakë apo deputetë të opozitës por të partisë në pushtet.

Ne kemi pasur dikur anëtarë qeverie që pushkatoheshin, por ishte sistem tjetër. Këtu flasim për një sistem ku pushtetet janë të ndara dhe ku ndarja e pushteteve mishërohet në veprimtarinë e pavarur të organeve të drejtësisë, në raport me pushtetin ekzekutiv apo në raport edhe me pushtetin legjislativ.

Ky është një moment historik përtej të gjitha mangësive apo dobësive që ka një proces që nuk ka ndodhur kurrë më parë dhe që është ende në hapat e tij të parë për të pasur në këtë vend, ku të gjithë jemi kushërinj, një drejtësi të pavarur, e cila ndan kushëririn e ndershëm nga kushëriri i fajshëm. Është jashtëzakonisht sfidë e madhe dhe nuk ka ndodhur kurrë.

Nuk ka pasur Shqipëria drejtësi të drejtë apo drejtësi të pavarur nga politika apo nga pushteti i politikës në asnjë prej momenteve të qeverisjes së saj, qoftë në mbretëri, qoftë në komunizëm apo qoftë në periudhat më përpara. Është jashtëzakonisht sfidë e madhe dhe nuk ka ndodhur kurrë. S’ka pasur Shqipëria drejtësi të drejtë apo drejtësi të pavarur  nga politika apo nga pushteti i politikës në asnjë prej momenteve të qeverisjes së saj, qoftë në mbretëri, qoftë në komunizëm, qoftë në periudhat përpara, as në periudhën përpara reformës në drejtësi dhe ky është një fakt. Është një fakt jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe shumë inkurajues, pavarësisht e përsëris se ky është një proces që ka uljet dhe ngritjet e veta, që ka rëniet dhe zhgënjimet e veta, por që sidoqoftë është procesi i duhur në drejtimin e duhur.

Këtu do ta mbyll me pjesën e drejtësisë për të vazhduar me pjesën tjetër që ka të bëjë më sistemin e qeverisjes. Shumë herë gabimisht korrupsioni dhe lufta kundër korrupsionit identifikohet me thjesht çfarë bën drejtësia dhe kush u fut ne burg apo kush u akuzua përpara gjykatës. Ndërkohë që kjo është vetëm njëra anë. Ana tjetër është ana që ka të bëjë me marrëdhëniet mes qytetarit dhe shtetit në jetën e përditshme dhe që ka të bëjë me drejtësinë e jetës së përditshme ku jo domosdoshmërish bëhet fjalë për një vepër penale, po ku e drejta shkelet dhe shkelet në mënyrë flagrante.

Le ti marr pak me radhë disa prej aspekteve që kanë qenë aspekte të përditshme të jetës. Kush ka qenë prind që ka çuar fëmijën në universitet deri përpara disa vitesh, e di shumë mirë se si futeshe në universitet, e di shumë mirë që fëmijën tënd për shkak se mbiemri yt nuk i thoshte asgjë askujt, për shkak se ekonomia jote nuk ta jepte mundësinë që të paguaje, për shkak se nuk kishe një lidhje të drejtpërdrejtë politike apo një teserë domethënëse partie, parakalohej nga fëmija i dikujt tjetër që kishte ndonjë nga këto dhe vendet në universitet ziheshin jo sipas meritës, pra nuk kishte drejtësi. Sa vite u bënë që nuk ka një ankesë të vetme që kur me reformën që bëri Lindita Nikolla si ministre e Arsimit në atë kohë u kalua në platformën tërësisht digjitale të pranimit në universitet. Një platformë tërësisht transparente ku askush nuk e ka të mundur t’i japë dorën dikujt tjetër për ta bërë të kërcejë mbi supet e të tjerave dhe të marrë atë që nuk i takon.

Të vijmë tek mësuesit. Sa shanse kishe deri para pak vitesh të bëheshe mësues aty ku të takonte nëse nuk ishe drejtpërdrejtë i lidhur me një parti në pushtet apo nëse nuk paguaje? Dhe sa mësues janë sot në vendet e tyre të punës falë platformës digjitale të rekrutimit të mësuesve pasi prisnin me vite e me vite në radhë për t’ju hapur dera e rekrutimit në punë? Dhe “çuditërisht” platforma e rekrutimit të mësuesve tregoi që mësuesit që ishin në radhë në pritje merrnin më shumë pikë sesa të tjerët, por nuk kishin asnjë nga ato komponentët që përmenda për tu bërë pjesë e sistemit të padrejtësisë që të garantonte punën.

Marrim infermierët. Ishte e pamundur të bëheshe infermiere pa një teserë partie dhe teserën e një partie, e partisë që zakonisht merrte Ministrinë e Shëndetësisë dhe gjithë sistemi i rekrutimit të infermierëve kthehej në një sistem rekrutimi partiak, sot kjo është e paimagjinueshme sepse të gjitha infermieret dhe ata pak infermierë djem që janë, rekrutohen përmes sistemit digjital, portalit Infermier për Shqipërinë.

Rekrutimi i punonjësve të Policisë bëhej me letra bakalli që deputetët i dorëzonin ministrit të Brendshëm që ishte një nga anëtarët e grupit parlamentar të partisë në pushtet dhe niveli i trupës së Policisë përcaktohej nga cilësia e burimeve njerëzore që dilnin nga xhepat e deputetëve të zonave për vite e vite të tëra. Kjo sot është e paimagjinueshme. Nuk futesh dot në sistemin e Policisë së Shtetit pa kaluar nga Akademia e Policisë së Shtetit. Akademi nuk kishte! E mbyllën Akademinë, nuk kishte shkollë policie, bëheshin disa kurse dhe pastaj futej kush kishte partinë, kush paguante para, apo kush kishte lidhje farefisnore ose krahinore sipas rastit, por asnjëherë nuk ishte i garantuar asnjëherë ai që me meritë mund të hynte.

Shikoni numrin e vajzave në Policinë e Shtetit si ka ndryshuar dhe ka një arsye ndër të tjera. Kishte shumë pak vajza në Policinë e Shtetit për shkak pikërisht sepse rekomandimet që bëheshin, bëheshin nga mitingjet, tek tryeza e ministrit dhe sigurisht që në mitingje shumica dërrmuese ishin djem, ishin burra, në të gjithë sistemin tonë ka ndryshuar rrënjësisht kjo pjesë, siç ka ndryshuar dhe pjesa në administratën publike, por thënë kjo, që të mos krijojë askush idenë se po flas për një përmbyllje të kësaj përpjekjeje, ka ende pjesë të sistemit që vazhdojnë funksionojnë si më parë. Dhe ky është një problem që ne duhet të vazhdojmë të përpiqmi që ta zgjidhim.

Për të ardhur te revolucioni digjital, te kalimi i të gjitha shërbimeve në xhepin e çdo qytetari ku gjendet smartphone i tij apo i saj, apo në kompjuterin më të afërt në shtëpi apo kudo qoftë. Sot nuk ka më nevojë të shkosh në asnjë zyrë, sot çdo shërbim, përveçse kur do të martohesh që s’mund ta bësh online se duhet të paraqitesh bashkë me bashkëvuajtësen apo bashkëvuajtësin përkatës dhe me dy dëshmitarët e vuajtjes për tu kurorëzuar apo për të marrë gjurmët e gishtërinjve apo për ndonjë shërbim tjetër që kërkon prezencë fizike, të gjitha shërbimet e tjera janë online. Sot të gjitha transaksionet e biznesit janë online dhe janë në kohë reale. Ajo që Milva përmendi, si fiskalizimi. Nuk është aspak e rastit që në të gjitha raportet e vlerësimeve ndërkombëtare për qeverisjen digjitale Shqipëria hyn në grupin e vendeve më të zhvilluara.

Nuk e themi ne, e thonë të gjitha raportet ndërkombëtare, por aty ku Shqipëria hyn në grupin e vendeve më të prapambetura dhe ky është një paradoks shumë i madh është sektori privat, ku ne na takon të bëjmë një përpjekje shumë më të madhe që sektori privat të arrijë të ngrihet në nivelin e shtetit, në nivelin e sektorit publik.

Më tutje, dua të theksoj pjesën që ka të bëjë me tenderat. Është një transformim i pa imagjinueshëm nëse nisemi nga ku ka filluar kjo punë dhe në raportin që ne kemi përgatitur, i cili është vetëm raport faktik, nuk ka asnjë interpretim, nuk ka asnjë subjektivitet, ka vetëm fakte, flitet qartë për se si kemi lëvizur në drejtimin e duhur edhe në këtë aspekt, por edhe këtu kemi prap probleme se nëse do të thoshim që tenderat në Shqipëri kanë arritur transparencën dhe nivelin e drejtësisë që meritojnë të gjithë operatorët, atëherë ne duhet të ishim sot jo kandidatë për të çelur negociatat me Bashkimin Europian, por duhet të ishim sot në këmbë që të gjithë për tu bërë anëtarë të Bashkimit Europian. Nuk jemi akoma aty dhe prandaj po përgatisim një fazë tjetër për të çliruar administratën nga pesha e madhe e këtij procesi, e procesit të kontraktimit të fondeve publike përmes tenderave për të përfshirë ekspertizën e jashtme dhe pse jo edhe kompani ndërkombëtare në mënyrë që administrata të bëjë administratën, ministritë të bëjnë ministritë dhe procesin e tenderimit ta bëjnë struktura të cilat kanë një pavarësi shumë më të madhe dhe një profesionalizëm shumë më të lartë sepse një nga problemet tona kryesore nuk është thjesht korrupsioni apo përzierja me qëllimin e devijimit të ligjit për përfitim, por është edhe paaftësia për të ndërtuar procese të cilat janë deri në fund profesionale, transparente, cilësore dhe të drejta.

Në këtë aspekt, kemi vërtet shumë punë për të bërë. Nuk dua të zgjatem më tutje sepse kjo është një konferencë e gjatë dhe të gjitha temat që kanë të bëjnë me sistemin e korrupsionit dhe me sistemin e luftës kundër korrupsionit do të preken gjerësisht dhe në detaje, por dua ta mbyll me platformën e bashkëqeverisjes e cila i ka dhënë njerëzve një instrument gjithmonë e më të besueshëm e gjithmonë e më të përdorur nga njerëzit dhe e cila sot është ende dhe më e rëndësishme po të keni parasysh se të gjitha shërbimet janë online.

Sot kemi Hipotekën online. Sot nuk ka nevojë të shkosh te Hipoteka për të pritur në radhë e për të takuar njeri e për të gjetur rrugën se si të marrësh titullin tënd të pronësisë, por cikli nuk është ende i mbyllur. Që do të thotë që ti aplikon online, por pastaj do ta presësh përgjigjen me postë në shtëpi dhe në të gjithë këtë proces ka jo pak raste kur afatet shkelen, ka dhe jo pak raste kur shërbimi nuk merret dhe për këtë arsye platforma e bashkëqeverisjes është aty në mënyrë që nga ndërveprimi mes qytetarit i cili nuk e ka marrë shërbimin dhe qeverisë që është personi i parë i interesuar që i gjithë ky sistem të jetë një sistem garancish të plota deri kur të hyjë në ciklin e mbyllur, që edhe përgjigjet të jepen të gjitha online në mënyrë që qytetarët të marrin atë që ju takon pa humbur kohë, pa paguar dhe pa qenë fare e nevojshme as të kenë një mik, as të kenë një mbiemër të njohur dhe as të jenë domosdoshmërish të lidhur me një parti apo me një parti tjetër.

Unë duhet t’i falenderoj sinqerisht të gjithë ata që punuan për përgatitjen e këtij raporti. Do t’ia u sugjeroja dashamirësisht të gjithë strukturave të administratës ta lexojnë, jo vetëm për pjesën që ju takon drejtpërdrejt, por në tërësi sepse është një informacion që në këndvështrimin tim i duhet çdo qytetari që është i angazhuar në radhë të parë në shërbimin publik dhe do ta mbyllja fjalën duke ndarë bindjen e plotë se procesi i transformimit për ta çliruar vendin tonë nga kjo sëmundje shekullore, që është një sëmundje e prapambetjes, unë nuk jam dakord me teorinë që janë ca popuj që janë më të korruptuar se popujt e tjerë. Hajde të shkojmë të marrim ca gjermanë t’i fusim te Hipoteka e Sarandës, t’i lëmë nja 40 ditë aty, e do shikoni se çfarë gjermanësh do jenë ata. Ndërkohë që hajde t’i marrim nga Hipoteka e Sarandës disa shqiptarë, t’i çojmë në Gjermani e t’i fusim në hipotekë në Gjermani dhe s’do t’i shkojë mendja që të kërkojë lekë sepse është sistemi i tillë që nuk ua bën të mundur, pra nuk është çështje popujsh që kanë prirje të ndryshme, është çështje sistemesh dhe në rrugën që ne jemi, pa asnjë diskutim do ta ndërtojmë sistemin që na i jep mundësinë ta bëjmë bekimi i madh i teknologjisë.

Teknologjia digjitale është bekimi i vendeve në zhvillim sepse të jep mundësinë që të bësh kapërcime që përndryshe nuk do t’i bëje dot kurrë pasi zhvillimi linear hap pas hapi, me mjete tradicionale do ta bënte të pamundur që në një hark kohor të arsyeshëm, një vend si Shqipëria të arrinte botën, kur i themi ne. Ndërkohë që, zhvillimi eksponencial përmes teknologjisë që të bën të bësh kapërcime të paimagjinueshme na i jep këtë mundësi. Prandaj duhet të kemi shumë besim, shumë vullnet dhe bindjen e plotë se Shqipëria e 2030 do të jetë një vend modern në aspektin e marrëdhënieve të shtetit me qytetarët në pikën që korrupsioni si një sëmundje e shumëpërfolur dhe e kudondodhur, do të jetë histori dhe patjetër lufta me korrupsionin do të vazhdojë në nivele të tjera siç zhvillohet në Amerikë ku ka korrupsion sat ë duash. Siç zhvillohet në Europë, në Bashkimin Europian ku ka korrupsion sa të duash, por që është i një niveli komplet tjetër dhe që nuk prek kurrsesi në mënyrë të drejtpërdrejtë të drejtat e qytetarëve që janë të barabartë përpara ligjit dhe që janë të garantuar në meritën e tyre.

Faleminderit! 

Previous Konferencë e përbashkët për shtyp e Kryeministrit Edi Rama dhe Komisionerit të BE për menaxhimin e krizave, Janez Lenarčič

Leave Your Comment