Konferenca e VI Kombëtare Për të Drejtën e Informimit - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Konferenca e VI Kombëtare Për të Drejtën e Informimit

Po zhvillohet sot konferenca e VI-të Kombëtare Për të Drejtën e Informimit, bashkëorganizuar midis Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe Ministrit të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin.
Konferenca mbledh bashkë në një tryezë diskutimi, autoritete publike, ekspertë dhe përfaqësues të shoqërisë civile e do të shërbejë për t’u thelluar mbi rolin kritik të aksesit në informacion sipas parimeve të transparencës, gjithëpërfshirjes dhe llogaridhënies.

***

Fjala e Kryeministrit Edi Rama: Përshëndetje të gjithëve!
Kjo është Konferenca e VI-të Kombëtare për të Drejtën e Informimit dhe është e para herë që marr pjesë dhe jo rastësisht sepse dëshiroj që të përfitoj nga ky rast, së pari për të vlerësuar me shumë respekt dhe mirënjohje punën e Komisionerit dhe të zyrës së Komisionerit, e cila e ka nderuar Shqipërinë në procesin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian kur Shqipëria iu nënshtrua një diagnoze shumë të thelluar nga ana e Komisionit Europian e cila ndryshe njihet me emrin “screening”.
Ky moment i shkëlqimit të një institucioni të Republikës së Shqipërisë në atë proces, ashtu sikundër tërësia në fakt e procesit ku Shqipëria mori vlerësime jashtëzakonisht pozitive dhe surprizuese në njëfarë mënyrë edhe për mua vetë e jo më për palën në anën tjetër të tryezës, që ishte Komisioni Europian, janë një arsye shumë e fortë për të kuptuar nga njëra anë se sa shumë më tepër mund të bëhet, por edhe për të pasur parasysh nga ana tjetër se forcat e nevojshme për t’i bërë gjërat që mund të bëhen ne i kemi; ne i kemi sepse po të mos i kishim do të ishte e pamundur për Shqipërinë që të dilte me aq shumë dinjitet dhe me aq shumë sukses në gjithë procesin e diagnostikimit nga ana e Komisionit Europian i cili për të gjithë ata këtu që kanë marrë pjesë në këtë proces dhe e dinë shumë mirë, është ushtrim jashtëzakonisht i vështirë, jashtëzakonisht teknik dhe objektiv dhe patjetër edhe për të gjitha këto arsye, jashtëzakonisht sfidues.
Për të ardhur tek arsyeja e pranisë sime këtu dhe për të vazhduar me aspektet e tjera të kësaj arsyeje përveç vlerësimit dhe respektit për zyrën e Komisionerit, janë disa gjëra që realisht bëjnë shumë përshtypje dhe që patjetër që në rastin tim nuk është se mund të delegohem, por që kanë të bëjnë me atë që thashë më parë; sa shumë nga gjërat që na shfaqen dhe na vihen në dukje qoftë nga publiku, qoftë nga palët me të cilat ne ndërveprojmë si mangësi, mund të riparohen pa ndonjë vështirësi të caktuar dhe pa nevojën e një kohe të gjatë.
Po e nis nga një fakt i cili është i nënvijëzuar në klasifikimin e Access Info Europe që është institucioni, agjencia, trupa që merret me vlerësimin e legjislacionit për transparencën dhe të drejtën e informimit në tërësi. Shqipëria ishte e 86-ta në klasifikim deri kur në vitin 2014 ne hodhëm hapin e parë serioz duke transformuar bazën tonë ligjore dhe sot, nëse klikoni, Shqipërinë do ta gjeni në vendin e shtatë, përsa i përket legjislacionit. Madje Komisioneri që është dhe nga Labëria dhe nuk mund ta pranojë dot që të jetë i shtati, nëse autobusi me shtatë nuk është i vendosur paralelisht, kuptohet, po më thoshte që disa ndryshime të reja që kemi bërë, si dhe me ligjin e ri që kemi gati të bëjnë që ne të ngjitemi edhe më lart por këtu fillon edhe debati, debati që në këtë rast e kemi konkretisht në një shembull por që mund ta gjejmë në të gjithë jetën e vendit sot, për hendekun midis legjislacionit dhe zbatimit të legjislacionit dhe kur dëgjon që 70% e ankesave për mungesën e të drejtës ose për shkeljen e të drejtës së informimit që vijnë në zyrën e Komisionerit janë ankesa të cilat përmbushen në sekondë pasi zyra e Komisionerit vihet në lëvizje dhe i kërkon institucionit përkatës që të informojë qytetarin apo grupin e caktuar të interesit, është për të vënë duart në kokë sepse siç e tha Komisioneri, kjo është thjesht dhe vetëm një mungesë e funksionimit të një mekanizmi tërësor që e garanton të drejtën e informimit pa pasur nevojë për subjektivitetin e koordinatorit apo të atyre që kujdesen sipas përshkrimit të punës që kanë për ta garantuar këtë dhe që nuk e bëjnë në mënyrë sistematike.
Prandaj, unë mendoj që kjo dhe disa aspekte të tjera që na pengojnë ne si vend, që siç jemi të shtatët në aspektin e legjislacionit, të jemi në një nivel ende shumë më të lartë sesa sot në aspektin e garantimit të të drejtës së informimit për të gjithë, janë fruta që mund të kapen pa u sforcuar shumë dhe pa kërkuar shkallë për tu ngjitur hap pas hapi.
Tjetra që bën shumë përshtypje është që ende sot ka një mendësi dominante në administratë që dhënia e informacionit është një ekspozim i panevojshëm, ndërkohë që këtu bëhet fjalë për të dhënë informacion mbi vendimmarrjet, mbi veprimet e përkthyera në vendime të cilat janë aty dhe është absolutisht sa dramatike aq dhe qesharake kur pastaj marrja e informacionit, pra marrja e dokumentave që praktikisht janë shkruar, janë firmosur, janë protokolluar dhe që ekzistojnë dhe nxjerrja e tij në publik paraqitet si një zbulim: “gjeta një dokument”.
Në fakt, ai dokument nuk është pronë e askujt në institucion, nuk është pronë e qeverisë së radhës, por është pronë publike dhe si pronë publike duhet të jetë e aksesueshme. Lëndina e të gjithë dokumentacionit në institucionet shqiptare është njësoj si një park publik, i aksesueshëm nga të gjithë dhe edhe këtu unë besoj që ne mund të bëjmë një progres shumë të shpejtë.
E treta që dua të them është që nuk ka një mënyrë më efikase për të përballur dezinformimin duke informuar më shumë nuk ka një mënyrë më të drejtpërdrejtë, më demokratike dhe patjetër dhe më ballafaquese për t’ju kundërvënë dezinformimit, sesa rritja e informimit. Dezinformimi rritet përditë, ndërkohë që informacioni i bazuar në çka realisht është e shkuar e zeza mbi të bardhë, e firmosur, e vulosur, e protokolluar, nuk shkon në proporcion me këtë si një vullnet për tu përballur dhe kjo nuk është një çështje koordinatorësh. Patjetër që koordinatorët janë të rëndësishëm në këtë fazë, por kjo është një çështje që ne duhet ta përballim duke e mekanizuar totalisht dhe duke e bërë krejtësisht të pamundur për institucionet që ta mbajnë dot informacionin.
Fatmirësisht jetojmë në një kohë kur teknologjia është bekim për vende si i yni që prapambetjen që lidhet me mungesën e traditës së shtetit, ta kompensojnë me zhvillimin teknologjik dhe sa më shumë teknologji dhe sa më shumë hapësirë të pa ndikueshme nga subjektiviteti i njërit dhe i tjetrit ne të krijojmë për të dhënat, për të gjitha ato të dhëna që janë pronë publike se ka dhe të dhëna që me ligj konsiderohen të dhëna konfidenciale, aq më shumë ne do të mund të ndihmojmë publikun, por të ndihmojmë dhe vendin tonë për tu ngjitur në një nivel tjetër dhe kjo është krejtësisht e mundshme!
Tjetra që dua të them është që trajtimi i informacionit që i takon publikut, i takon medias, i takon të gjithë të interesuarve si e drejtë e sanksionuar me ligj ndërkohë që trajtohet si një pushtet i ushtruar abuzivisht mbi të gjithë ata që përmenda është me pa diskutim një hapësirë ose një shtysë për të krijuar shumë mister, për të krijuar shumë thashetheme, për të krijuar shumë helm mbi faktet dhe për t’i dhënë mundësi pastaj lloj-lloj spekulimeve kur në fakt, faktet janë ato që janë dhe faktet ballafaqohen më mirë se cilido tjetër që flet në emër të tyre me këdo që lufton me faktet.
E drejta e informimit dhe dhënia e informacionit nuk janë sekret hetimor. Sekreti hetimor është diçka tjetër, por edhe këtu unë përfitoj nga rasti se shoh Avokaten e Popullit që ta falënderoj Avokaten e Popullit dhe të solidarizohem me Avokaten e Popullit lidhur me një rast të një gazetari i cili u akuzua dhe u keqtrajtua për nxjerrje të sekretit hetimor.
Ka ndodhur dhe në një moment të caktuar në mos gabohem gjatë kohës së pandemisë kur prokuroria iu vu mbrapa ca gazetarëve dhe për mua gazetarët nuk nxjerrin sekret hetimor se gazetarët nuk i disponojnë sekretet hetimore. Sekretet hetimore i disponojnë prokurorët kështu që kur gazetarit i bie në dorë sekreti nuk është më detyrimi i tij të ruajë sekretin dhe nuk shkon drejt tij hetimi, por shkon drejt atyre që ia dhanë atij. Kjo është elementare sepse që në Kanun shkruhet e zeza mbi të bardhë: “lajmësi nuk ka faj”, kush e prodhoi lajmin ose kush ia dha atij lajmin që ta çojë diku tjetër është burimi me të cilin ti duhet të merresh në rast se lajmi është një gënjeshtër apo në rast se lajmi nuk duhet të dilte etj.
Pse e them këtë? E them këtë për të nënvizuar që informacioni mbi gjithçka që institucionet publike bëjnë dhe mbi gjithçka që ekziston në letër me firmë, me vulë dhe që nuk përfshihet në atë hapësirë fare të ngushtë që ligji e përcakton si hapësirë të pa aksesueshme për publikun ku hyn dhe sekreti hetimor është pronë publike. Është një pronë publike që shteti nuk ka asnjë të drejtë t’ia mohojë qytetarëve.
E meqë iu referova Avokates së Popullit, po i referohem Kryetares së Gjykatës Kushtetuese sepse më duket një shembull për tu marrë që Gjykata Kushtetuese nuk i lë asnjë ditë kohë spekulimeve, por menjëherë publikon vendimet e veta dhe jo vetëm kaq por kam vënë re më shumë se në një rast, vetë kryetarja e Gjykatës Kushtetuese bën shpjegime të vendimeve të veta. Këta janë shembuj për tu replikuar kudo dhe patjetër që siç e tha Adea institucionet i disponojnë pasqyrat e tyre të informacionit, disponojnë website-t e tyre, disponojnë të gjitha mjetet e nevojshme, por jam i bindur që nëse Fiksi apo Stop apo “Parakalimi” do hynin nëpër website-et e institucioneve sot do gjenin shumë arsye për të qeshur dhe për tu tallur me sa të prapambetura mund të jenë informacionet dhe mbase do gjenin aty dhe drejtues që ndërkohë nuk janë fare më në punë dhe përsëri kjo është një përgjegjësi e drejtpërdrejtë e institucioneve dhe ajo që unë po përpiqem të bëj është që të ndaj me ju dhe të ndaj me publikun një vështrim kritik ndaj qeverisë, ndaj institucioneve lidhur me të drejtën e informimit dhe njëkohësisht të ndaj me ju bindjen time se e gjithë kjo pengesë që na vendos ne në një hendek evident midis legjislacionit që kjo shumicë qeverisëse e ka bërë një legjislacion që është konsideruar me parametra për tu klasifikuar i shtati në botë nga pikëpamja e të gjithë standardeve që garanton dhe zbatimit të tij të jetë kaq i madh. Duhet të jetë në fakt inekzistent, sepse është qesharake të mendosh dhe të jetosh me atë idenë e vjetër apo të jesh ende peng i asaj kulturës së vjetër që shteti di ca gjëra që të tjerët s’duhet t’i dinë dhe këtu hyn deri ato gjëra që janë të drejta individuale të qytetarëve që lidhen me marrëdhëniet e tyre individuale me shtetin për një çështje apo një çështje tjetër. Këto nuk janë të drejta të shtetit, janë të drejta të qytetarit dhe këto dokumente nuk janë pronë e shtetit, janë pronë publike. Shteti duhet t’i ruajë për qytetarët, siç ruan dhe garanton pronën publike, siç ruan dhe garanton rendin publik.
Në fund fare dua të them se konkretisht unë mendoj se është koha që ne të krijojmë një bord kombëtar apo komitet kombëtar, për këtë fjalën komitet kam pak si problem, se jo vetëm për shkak të komiteteve me të cilat jemi rritur, por edhe për shkak të faktit se kam parë në eksperiencën time qysh se jam futur në vorbullën e qeverisjes në fund të viteve ’90 shumë komitete dhe kam marrë pjesë në disa syresh dhe më janë dukur sikur krijohen për të mos zgjidhur problemet edhe kam parë vetë të ilustruar atë shprehjen, “do të mos e zgjidhësh një problem? Krijo një komitet dhe pastaj dhe lërja kohës”.
Prandaj them që është koha për të pasur një bord kombëtar me pjesëmarrjen patjetër të qeverisë, nuk diskutohet pushteti vendor sepse në çfarë kam lexuar për të ardhur këtu kam vënë re që niveli i transparencës dhe i të drejtës së informacionit nëse për institucionet qendrore ka pasur një përmirësim të ndjeshëm këtë vit, më saktë në 2023 në raport me 2022 në nivelin vendor është ende më problematik me komisionerin patjetër, me Avokaten e Popullit patjetër dhe sigurisht edhe me të tjera institucione, sigurisht edhe me Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, me Agjencinë për Dialog dhe Bashkëqeverisje që me siguri mund të luaj një rol në këtë pikë dhe me të tjera institucione që do të jemi të hapur t’i marrim si sugjerim nga cili do qoftë për të pasur një plan të përbashkët pune, jo për gjë tjetër, por thjesht për të monitoruar bashkërisht të gjithë këtë proces transparence dhe të sigurimit të drejtës së informimit sepse në fund të ditës është shumë e qartë se në pjesën më të madhe problemi nuk është se ka një vullnet për të mos dhënë informacion, problemi është se nuk ka një vetëdije për dhënien e informacionit në kohë reale dhe kjo siç e tha komisioneri, gërryen patjetër besimin e qytetarëve, kjo hap shtretër të tërë lumenjsh për llumin e dizinformimit apo të keqinformimit si rezultat i marrjes së një cope letre, pa marr copën tjetër të letrës dhe kjo faktikisht shkel një të drejtë që është një e drejtë e sanksionuar me ligj e publikut dhe e çdo individi dhe që s’ka asnjë arsye në botë për ta shkelur sepse ndërkohë nuk bëhet fjalë për të krijuar një produkt, po bëhet fjalë thjeshtë për ta ekspozuar produktin që krijohet.
Çdo vendim qeverie, çdo vendim institucioni, çdo pjesë e dokumentacionit të çdo marrëveshje, të çdo marrëdhënie kontraktuale që nuk hyn në atë hapësirën e ngushtë të konfidencialitetit, duhet të jetë publike dhe ambicia jonë e përbashkët duhet të jetë që në fund të këtij viti ne të kemi një përmbysje të të gjithë përmbajtës jo të kënaqshme të të dhënave për aksesin e publikut në informim dhe për garantimin e të drejtës së informimit.
I jam shumë falënderues edhe njëherë të gjithë stafit të komisonierit, komisionerit personalisht po e po dhe shpresoj shumë dhe besoj shumë që ne do t’ia dalim kësaj dhe pastaj meqë është konferenca e parë që erdha dhe kam bërë 5 mungesa, do t’i kërkoj komisionerit të bëjë një konferencë të ndërmjetme midis të 6 dhe 7 në fund të vitit ose në fillim të vitit të ardhshëm për të bërë një paraqitje të kësaj përmbysje. Duhet të jetë një përmbysje! Dhënia e informacionit nuk duhet të diskutohet, nuk ka vend për diskutim, duhet thjeshtë dhe vetëm të zbatohet.

Faleminderit!

Previous Ministri Gonxhja, në konferencën e Ekonomisë të Dhomës Amerikane të Tregtisë: Në 4 muajt e parë të vitit u tejkalua barriera e 100 milionë dollarëve në shkëmbime tregtare