Konferenca Kombëtare Antikorrupsion- Qeveria, sektori privat dhe individët duhet të bashkëpunojnë për të luftuar korrupsionin - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Konferenca Kombëtare Antikorrupsion- Qeveria, sektori privat dhe individët duhet të bashkëpunojnë për të luftuar korrupsionin

Qeveria, sektori privat dhe individët duhet të bashkëpunojnë në mënyrë që korrupsioni të mund të eliminohet në vendin tonë.

Ky ka qenë një ndër mesazhet që Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, dha në fjalën e saj në ditën e tretë të Konferencës së parë Kombëtare Antikorrupsion.

Ministrja Ibrahimaj ishte pjesë e sesionit me temë: “Të bërë bashkë me digjitalizimin për të garantuar një mjedis miqësor ndaj biznesit”.

 “Ka një sfidë shumë të madhe, e cila është ndërrimi i kulturës. Qeveria ka një rol të madh, një rol kryesor ka dhe sektori privat, por edhe individët duhet që të ndërgjegjësohen. Kjo është një punë e përbashkët, është një punë kombëtare dhe mendoj se është sfida për të ardhmen, që sektori privat, individët dhe qeveria të punojnë së bashku në mënyrë që kjo dukuri të eliminohet një herë e përgjithmonë nga vendi ynë”, tha Ibrahimaj.

Ministrja vuri theksin në rëndësinë e dixhitalizimit, zhvillimit dhe ngritjes së sistemeve të nevojshme, me qëllim parandalimin e fenomenit të korrupsionit, por edhe uljes së evazionit dhe reduktimin e informalitetit në ekonomi.

Që prej vitit 2014, Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka nisur punën për zhvillimin e këtyre sistemeve dhe ka fuqizuar mekanizmat e kontrollit nëpërmjet dixhitalizimit:

  • Duke rritur transparencën;
  • Duke ulur komunikimin ndërmjet biznesit dhe administratës apo individit dhe administratës;
  • Duke rritur profesionalizmin e administratës si dhe;
  • Duke rritur bashkëpunimin me biznesin dhe me individët.

Ministrja Ibrahimaj përmendi disa prej elementëve kryesorë që ndihmojnë në luftën kundër korrupsionit, të vlerësuar si të tillë nga ekonomistët, të cilët janë pjesë e politikave të ndjekura nga qeveria në këto vite. Këto elementë kanë të bëjnë me:

  • Fiskalizimin dhe me automatizimin e mbledhjes së të ardhurave;
  • Përdorimin e mjeteve teknologjike për të rritur besimin tek institucionet;
  • Ndërtimin e sistemeve automatike, në gjendje për të shkëmbyer informacion në kohë reale me vendet partnere;
  • Dixhitalizimin në masë të shërbimeve publike;
  • Parandalimin;
  • Aplikimin e praktikave më të mira në rang botëror në kontekstin lokal;
  • Avancimin e vazhdueshëm të demokracisë.

Në mënyrë të veçantë, Ministrja vuri theksin në reformën e fiskalizimit dhe automatizimin e mbledhjes së të ardhurave.

Ne sot kemi një administratë fiskale e cila është totalisht e automatizuar dhe e ka filluar këtë punë shumë intensive në vitin 2015, kur u adoptua sistemi cats, i cili i dha hapësirë administratës tatimore dhe biznesit të të gjitha deklarimet dhe proceset që lidheshin me administratën tatimore të kryheshin online”, tha Ibrahimaj.

Duke u ndalur të Fiskalizimi, Ministrja Ibrahimaj shprehu bindjen se kjo reformë është element kyç i luftës kundër korrupsionit, kundër evazionit dhe uljes së informalitetit.

“Fundi i këtij muaji përbën përmbylljen totale të procesit të Fiskalizimit, ku 100 % e biznesit të madh është fiskalizuar dhe lëshon fatura elektronike dhe rreth 85 % e biznesit të vogël gjithashtu është fiskalizuar dhe është e aftë të lëshojë faturë elektronike. Këto sisteme të cilat na ndihmojnë që ne të parandalojmë dhe të mbyllim çdo hapësirë që i lejohet korrupsionit”, vijoi Ministrja.

Nga ana tjetër, Ministrja tha se synohet që automatizimi në mbledhjen e të ardhurave sa i përket taksave të shtrihet edhe në qeverisjen vendore dhe theksoi se ka nisur puna për ngritjen e një sistemi të unifikuar të taksave vendore, që do të reduktojë hapësirën për abuzim edhe në nivel lokal.

Dixhitalizimi në masë i shërbimeve publike është një proces që ndihmon në uljen e fenomenit të korrupsionit dhe që prej datës 1 maj të gjitha shërbimet që ofrohen nga MFE dhe institucionet e saj të varësisë tashmë mundësohen vetëm online.

Duke iu referuar shifrave, Ministrja Ibrahimaj tha se që nga data 1 maj e deri në datën 10 qershor janë lëshuar 264 441 certifikata apo vërtetime të lëshuara me vulë elektronike.

Avancimi i vazhdueshëm i demokracisë është një tjetër element që ndihmon në eliminimin e korrupsionit.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë vlerësoi se në vitet e fundit është bërë shumë për të krijuar një shtet demokratik dhe janë ndërmarrë politikat e duhura në funksion të kësaj.

“Rruga që kemi përpara është e gjatë por mendoj që ne kemi bërë shumë në këto vite për të luftuar këtë dukuri të tmerrshme dhe për të ndërtuar themelet. E ardhmja është që të gjitha shërbimet online të ofrohen edhe në qeverisjen vendore, pra në të gjitha bashkitë, që sistemet e taksave të aplikohen edhe në qeverisjen vendore. E ardhmja është që të rrisim transaksionet elektronike me qëllim reduktimin e cash-it në ekonomi, i cili do të sjellë gjithashtu reduktim të evazionit, reduktim të informalitetit dhe reduktim të korrupsionit”, u shpreh Ministrja.

Fjala e Ministres së Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj:

Në radhë të parë dua të falënderoj zonjën Ikonomi për organizimin e kësaj konference treditore dhe për hartimin e raportit të parë të këtij lloji në vendin tonë, i cili paraqet një punë cilësisht shumë të mirë dhe i cili do të jetë një udhërrëfyes i shkëlqyer për të gjithë ato sektorë që janë prekur aty, për punën që duhet të vazhdojmë të bëjmë.

Lufta kundër korrupsionit është një proces. Ne gjatë gjithë viteve të fundit, jo vetëm në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, por qeveria shqiptare ka punuar fort në mënyrë që të ngrejë themele solide dhe të forta për të pasur bazën që ky proces të vazhdojë siç duhet dhe një ditë ai raport i antikorrupsionit të tregojë ekselencën.

Siç e thashë, është një proces, i cili ka filluar me ngritjen e sistemeve të nevojshme që na duhen dhe na shërbejnë për ta reduktuar maksimalisht korrupsionin. Ka filluar me rritjen e kapaciteteve të të gjithë stafeve të administratës publike me qëllim përdorimin e sistemeve në mënyrë sa më eficente, me qëllim eliminimin dhe parandalimin e të gjitha mundësive për të krijuar korrupsion.

Por ka një sfidë shumë të madhe, e cila është ndërrimi i kulturës. Këtu qeveria ka një rol të madh, ka një rol kryesor edhe sektori privat, por edhe individët duhet që të ndërgjegjësohen dhe të punojnë më shumë. Kjo është një punë e përbashkët, është një punë kombëtare dhe mendoj se është sfida për të ardhmen, që sektori privat, individët dhe qeveria të punojnë së bashku në mënyrë që kjo dukuri të eliminohet një herë e përgjithmonë nga vendi ynë.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë, jo vetëm në vitin 2021, por që prej vitit 2014, ka filluar një punë të jashtëzakonshme me qëllim zhvillimin e sistemeve, me qëllim ngritjen e një barriere kundra korrupsionit, jo vetëm me synimin ndëshkues të këtij fenomeni, por me synimin parandalues të tij.

Në kemi fuqizuar mekanizmat e kontrollit në të gjithë sektorët që Ministria e Financave dhe Ekonomisë mbulon nëpërmjet dixhitalizimit:

Duke rritur transparencën;

Duke ulur komunikimin ndërmjet biznesit dhe administratës apo individit dhe administratës;

Duke rritur profesionalizmin e administratës dhe;

Duke rritur bashkepunimin me biznesin dhe me individët.

Për t’i dhënë një skelet punës së bërë nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, unë dua të citoj ministren Ikonomi me fjalën e saj hapëse të konferencës, e cila citoi “The Guardian” që thotë se të sfidosh është shumë e vështirë që të kesh një formulë perfekte dhe një çelës për të luftuar korrupsion; por ekonomistët  ofrojnë një recetë moderne me shtatë përbërës, të cilët unë do t’i përmend gjatë fjalës sime.

I pari, ka të bëjë me fiskalizimin dhe me automatizimin e mbledhjes së të ardhurave.

Ne sot kemi një administratë fiskale e cila është totalisht e automatizuar dhe e ka filluar këtë punë shumë intensive në vitin 2015, kur u adoptua sistemi cats, i cili i dha hapësirë administratës tatimore dhe biznesit të të gjitha deklarimet dhe proceset që lidheshin me administratën tatimore të kryheshin online. Hapi tjetër drejt këtij elementi të parë është Fiskalizimi. Jam e bindur se është përmendur disa herë gjatë konferencës antrikorrupsion dhe është një element kyç në luftën kundër korrupsionit, kundër evazionit dhe kundër uljes së informalitetit. Tashmë Fiskalizimi është fakt. Fundi i këtij muaji përbën përmbylljen totale të procesit të Fiskalizimit, ku 100 % e biznesit të madh është fiskalizuar dhe lëshon fatura elektronike dhe rreth 85 % e biznesit të vogël gjithashtu është fiskalizuar dhe është e aftë të lëshojë faturë elektronike.

Janë këto sisteme të cilat na ndihmojnë që ne të parandalojmë dhe të mbyllim çdo hapësirë që i lejohet korrupsionit.

Çfarë do të bëjmë më tutje? Patjetër që ka ende për të bërë më tutje.

Ne duam që automatizimin e mbledhjes së të dhënave për sa i përket taksave ta shtrijmë dhe në qeverisjen vendore. Është një pjesë e madhe e taksave që mblidhen nga qeverisja vendore dhe ne kemi synim që gjatë viteve në vijim, dhe e kemi filluar punën në fakt, për ngritjen e një sistemi të unifikuar të taksave vendore, që do të reduktojë hapësirën për abuzim dhe në nivel lokal dhe jo vetëm në nivel qëndror.

Elemeni i dytë kishte të bënte me përdorimin e mjeteve teknologjike për të rritur besimin tek institucionet.

Pak më parë u përmend regjistri i pronarëve përfitues dhe llogarive. Janë disa regjistra që tashmë janë ndërtuar dhe mbahen pranë institucioneve të varësisë të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, përkatësisht DPT dhe QKB, të cilët i shërbejnë më së miri luftës kundër pastrimit të parave, duke vendosur një bazë solide për uljen e korrupsionit dhe për evidentimin e atyre hapësirave për pastrimin e parave.

Elementi i tretë ishte ndërtimi i sistemeve automatike, në gjendje për të shkëmbyer informacion në kohë reale me vendet partnere.

Sistemi i shkëmbimit automatik të informacionit na ka lejuar që të shkëmbejmë informacion në kohë reale me 74 vende pjesëmarrëse në OECD, në mënyrë që evazioni të reduktohet dhe duke sjellë kontribut në reduktimin e korrupsionit.

Ne prej një viti tashmë jemi pjesë e këtij sistemi dhe po shohim benefitet e përdorimit të tij.

Elementi i katërt është dixhitalizimi në masë i shërbimeve publike.

Ju besoj të gjithë e dini se Shqipëria që nga data 1 maj i ofron online të gjitha shërbimet shtetërore. Po kështu edhe institucionet e varësisë së Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë i ofrojnë shërbimet e tyre online, duke filluar që nga ISSH, Doganat, Tatimet, QKB, por edhe duke vijuar me institucione si AKPA apo DPPI. Të gjithë shërbimet ne i ofrojmë tashmë online.

Janë 264 441 certifikata apo vërtetime të lëshuara me vulë elektronike që nga data 1 maj deri në datën 10 qershor.

Pra, nuk kemi të bëjmë vetëm me shërbimet ndaj qytetarëve apo biznesit, por edhe certifikatat apo vërtetimet, çdo lloj komunikimi me këto administrata që vite më parë bëheshin me radhe e me ndërhyrje, tashmë bëhen online dhe koha e ofrimit të shërbimeve është reduktuar maksimalisht.

Elementi i pestë, i gjashtë dhe i shtatë kanë të bëjnë me parandalimin. Unë e përmenda se ngritja e të gjitha sistemeve janë dhe shkojnë në drejtim të parandalimit të kësaj dukurie.

Elementi i gjashtë ka të bëjë me aplikimin e praktikave më të mira në rang botëror dhe në kontekstin lokal.

Ne jemi vlerësuar nga të gjithë institucionet ndërkombëtare si shteti me dixhitalizimin e shërbimeve. Ka avancuar shumë më shumë jo në krahasim me konktekstin rajonal, por në krahasim me të gjithë vendet e Europës dhe kjo tashmë është fakt.

Elementi i fundit ka të bëjë me avancimin e vazhdueshëm të demokracisë, sepse fuqizimi i shtetit ligjor është themeli i çdo përpjekje për të luftuar korrupsionin.

Për të avancuar në krijimin e një shteti demokratik, pika themelore është ndërtimi i bazave, ndërtimi i politikave dhe bashkëveprimi i privatit, publikut dhe individëve.

Rruga që kemi përpara është e gjatë por mendoj që ne kemi bërë shumë në këto vite për të luftuar këtë dukuri të tmerrshme dhe për të ndërtuar themelet.

E ardhmja është që të gjitha shërbimet online të ofrohen edhe në qeverisjen vendore, pra në të gjitha bashkitë, që sistemet e taksave të aplikohen edhe në qeverisjen vendore.

E ardhmja është që të rrisim transaksionet elektronike me qëllim reduktimin e cash-it në ekonomi, i cili do të sjellë gjithashtu reduktim të evazionit, reduktim të informalitetit dhe reduktim të korrupsionit.

Faleminderit.

Previous “Gratë, Paqja dhe Siguria”, Shqipëria bën bashkë në Këshillin e Sigurimit BE – OSBE- OKB

Leave Your Comment