Konferenca Ndërkombëtare e Komisionerëve të Informimit, për të nxitur dialogun, bashkëpunimin dhe shkëmbimin e informacionit - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Konferenca Ndërkombëtare e Komisionerëve të Informimit, për të nxitur dialogun, bashkëpunimin dhe shkëmbimin e informacionit

U mbajt sot në kryeqytet edicioni i 15-të i Konferencës Ndërkombëtare të Komisionerëve të Informimit, forumi më i lartë dhe më i rëndësishëm i bashkëpunimit e koordinimit të Autoriteteve botërore regullatore të së drejtës për akses në informacionin publik dhe transparencën.

Konferenca u zhvillua me pjesëmarrjen e 210 delegatëve dhe të ftuarve, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, shoqërisë civile, medias, botës akademike, etj me qëllim promovimin e zhvillimit të standardeve ndërkombëtare në fushën e të drejtës për informim, duke krijuar një forum që nxit dialogun, bashkëpunimin dhe shkëmbimin e informacionit.

Në fjalën e tij adresuar Konferencës, Kryeministri Rama tha ndër të tjera se “E drejta për informim nuk është thjeshtë një instrument demokratik, por një parakusht për shëndetin dhe zhvillimin e demokracive funksionale.”

* * *

Ju uroj  mirëseardhjen në Tiranë! Më lini të rrëfehem se është vërtet kënaqësi të mirëpresim këtu një mozaik të tillë e më së fundmi të kemi një ekip, një pjesë, ku europianët janë pakicë. Është vërtet një kënaqësi.

Është po kështu diçka që të ngroh zemrën që të vish në orën 9 e të shohësh se sa njerëz nuk kanë ardhur akoma që do të thotë keni kaluar një natë të gjatë e keni fjetur mirë, që në fund të fundit është ajo çfarë duam për miqtë tanë, sepse si shumë nga Amerika Latine mund të dëshmojnë këtu, puna është e mirë, po gjumi është më i mirë.

Sidoqoftë, faleminderit shumë edhe njëherë!

Më lini t’ju them që jam shumë krenar për Komisionerin tonë dhe për zyrën tonë të Komisionerit sepse puna që ai dhe ata kanë bërë është absolutisht e jashtëzakonshme dhe fakti që zyra e Komisionerit vlerësohet shumë lart përgjatë këtij rrugëtimit tonë që më në fund  të bëhemi vend anëtar i BE-së është tejet frymëzuese.

Kam një fjalë të gjatë që më është shkruar nga ekipi im, po ju garantoj nuk do t’ju mërzis me të gjithë ato detaje që i njihni mjaft mirë. Do të përpiqem thjeshtë të nënvizoj disa pika, duke e nisur me fjalët e urta të Platonit,“mund ta falim lehtë një fëmijë që ka frikë nga errësira. Tragjedia e mirëfilltë, ndërkohë, është kur të rriturit kanë frikë nga drita”. Mendoj që kjo është sfida si të bëjmë që të rriturit të mos i tremben dritës e si t’i bëjmë qeveritë dhe institucionet shtetërore të mos i tremben dritës. Në këtë kontekst, dua të shtoj se e drejta për informim nuk është thjeshtë një instrument demokratik, por një parakusht për shëndetin dhe zhvillimin e  demokracive funksionale. Natyrshëm kam kënaqësi të shoh përparimin e bërë nga autoritetet tona në Indeksin e Transparencës 2023 nga zyra e Komisonerit për të Drejtën e Informimit, ndërkohë jam mjaft i vetëdijshëm që ky përparim thotë shumë për atë nga vijmë, e ndërkohë tregon sërish se nuk është e mjaftueshme krahasuar me aty ku duam të arrijmë. Ja pse shumë shpejt në fund të qershorit do të mbajmë një konference vjetore, të jashtëzakonshme do të thoja për të drejtën e informimit të cilën e kemi konceptuar së bashku me zyrën e komisionerit si një ballafaqim midis fakteve dhe institucioneve, ndërmjet asaj që shkruhet në ligjet tona dhe asaj çka zbatohet sepse siç e dini mjaft mirë në fund të fundit nuk është çështja vetëm të kemi ligje, por dhe t’i zbatojmë ato dhe hendeku midis hartimit të ligjeve dhe zbatimit të tyre është sfidë për shumë prej nesh këtu sepse po, ne jemi vende e njerëz që ndajmë një mendësi kur vjen fjala për të drejtën e informimit, por ndërkohë jemi krejt të vetëdijshëm që nuk jemi suedez. Kur sheh njohjen e parë të kësaj të drejte që daton që në 1776, pra në shekullin e 18 në aktin suedez për lirinë e shtypit, atëherë e kuptojmë të gjithë sesa e gjatë është rruga që kemi përpara.

Në të njëjtën kohë, sidoqoftë besoj që për këdo këtu që është i ngjashëm me Shqipërinë, që do të thotë një vend në zhvillim, një demokraci në zhvillim, ne jetojmë në kohëra bekimi të madh që është teknologjia, teknologjia e re. Kjo teknologji na jep si vende në zhvillim një mjet që deri disa dekada më parë nuk ishte i pranishëm. Kësisoj na jep mundësinë të bëjmë një hap të jashtëzakonshëm drejt së ardhmes, duke përqafuar progresin eksponencial në vend të tij linear që do të na kishte detyruar të shpenzonim një kohë shumë të gjatë për t’u lidhur me vendet e tjera të zhvilluara. Nga ana tjetër, besoj po kështu, që po bekimi vjen bashkë me një mallkim që është kapaciteti, aftësia që kjo teknologji të përdoret për qëllime keqinformimi, për kaos apo dhe për konfuzion.

E drejta për informim kështu përballet me një kërcënim të madh në të njëjtën kohë kur kemi në dispozicion një mundësi të jashtëzakonshme, kështu që na takon ne ta përdorim sa më mirë, të vijojmë të investojmë në infrastrukturën digjitale dhe në programet e edukimit për t’u siguruar që të gjithë qytetarët të kenë qasje të përdorin me efektivitet platformat digjitale.

Së dyti, për të nxitur një kulturë transparence brenda institucioneve publike, duke nënvizuar rëndësinë e konsultimeve publike dhe qeverisjes me pjesëmarrje.

Së treti, për të mos pasur frikë nga drita, por për ta përqafuar dritën dhe për të punuar shumë më ngushtë me institucionet si Zyra e Komisionerit, si Avokati i Popullit që e përshëndes e që e vlerësoj mjaft sa i takon punës që ajo dhe institucioni i saj bëjnë, për të garantuar që të gjithë të kuptojnë pikë së pari nga brenda qeverisë që ekspozimi i informacionit dhe përdorimi i tij në maksimum për ta nxjerrë gjithçka në dritë është një ushtrim, një proces mjaft i shëndetshëm dhe një mjet mjaft efektiv kundër keqinformimit dhe dezinformimit.

Do të ndalem këtu dhe do të sigurohem që të përsëris se ndërkohë që ju bëni maksimumin të shfrytëzoni këtë mundësi që ju ka bërë bashkë për të zhvilluar një konferencë mjaft të frytshme të mos harroni në të njëjtën kohë ta shijoni këtë qytet, të shijoni gjithçka që ky qytet ofron.

Jam i sigurtë që për njerëzit që vijnë nga kontinente të tjera, ka një ndjesi të të qenit në shtëpi këtu në Tiranë

E di që Komisioneri është një mikpritës mjaft i mirë, e dëgjuat muzikën. Është hera e parë në përvojën time, kurrë nuk kam qenë në një konferencë ndërkombëtare që nis me muzikë. Mesazhi i nënkuptuar është të punoni, por mos harroni të shijoni sepse jeta është e shkurtër, puna është e gjatë dhe rezultatet do të jeni më të mira po t’i kombinoni të dyja.

Kështu që, faleminderit shumë edhe një herë dhe edhe një herë ju uroj mirëseardhjen të gjithëve sidomos miqve nga kontinentet e tjera sepse europianë kemi plot këtu, çdo ditë.

Kështu që, më besoni nuk është ndonjë lajm për ne në momentin që ata vijnë këtu, nuk është as lajm për ta kur na shohin ne, kështu që kemi durim me leksionet, vazhdojmë, por jemi mjaft të vetëdijshëm e duhet të jemi gjithmonë e më të vetëdijshëm për sfidën që në mënyrë që të shfrytëzoni sa më mirë shoqërinë e tyre, e mira është të mos bëheni të mërzitshëm siç bëhen ata.

Faleminderit!

Previous Manastirliu me monitoruesit e provimeve të Maturës Shtetërore 2024: Të garantohet proces i qetë dhe e sigurt për çdo nxënës, asnjë tolerancë për administratorët nëse shkelet rregullorja