Konferenca Ndërkombëtare për Forcimin e Llogaridhënies – Fuqizimin e Përpjekjeve Kundër Korrupsionit në Ballkanin Perëndimor - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Konferenca Ndërkombëtare për Forcimin e Llogaridhënies – Fuqizimin e Përpjekjeve Kundër Korrupsionit në Ballkanin Perëndimor

Lufta kundër krimit të organizuar dhe përmirësimi i sigurisë publike janë prioritetet kryesore të qeverisë e Ministrisë së Brendshme. Rezultatet në luftën ndaj kriminalitetit në tërësi, kanë ardhur duke u intensifikuar gjatë muajve të fundit. Ndaj Policia e Shtetit po ecën në rrugën e konsolidimit si institucioni më i besuar në vend, deklaroi Ministri i Brendshëm Taulant Balla në konferencën ndërkombëtare për Forcimin e Llogaridhënies – Fuqizimin e Përpjekjeve Kundër Korrupsionit në Ballkanin Perëndimor, që po mbahet në Tiranë për dy ditë me radhë.

Ministri solli në vëmendje Operacionet Kombëtare “TEMPULLI” dhe “TEMPULLI 2” ku janë goditur 37 grupe kriminale dhe janë vendosur para drejtësisë 984 shtetas, prodhues, shpërndarës dhe trafikantë të lëndëve narkotike. Ndërsa, gjatë Operacionit Kombëtar “SUNDIMI I LIGJIT” janë çuar para drejtësisë 840 shtetas. Rezultatet, tha ai, janë meritë e përkushtimit dhe sakrificës së mijëra punonjësve të Policisë.
“Detyra jonë është të ruajmë këtë besim të publikut dhe të nxisim edhe më tej motivimin e atyre punonjësve të ndershëm e të dedikuar që shohin të ardhmen e tyre me uniformën e policisë. Duhet te krijojmë kushtet që këta të rinj e të reja të bëjnë karrierë në radhët e Policisë së Shtetit, mbi bazën e meritave, dhe të mos largohen nga organizata apo nga Shqipëria për shkak të kushteve ekonomike”, theksoi kreu i Ministrisë së Brendshme.

Ndër të tjera Balla shtoi se janë duke u aplikuar disa programe për mbështetjen e Policisë, nisur me angazhimin për rritjen e pagave duke filluar nga muaji korrik, zbatimi i programeve për strehim për familjet e reja, si dhe garantimi i trajnimeve cilësore të vazhdueshme brenda dhe jashtë vendit.

Më tej, ai tha se prej muajsh ka nisur fazë të re e procesit të thellë të vetë-pastrimit të Policisë së Shtetit.

“Rritja e performancës dhe e meritokracisë në radhët e Policisë së Shtetit lidhet në mënyrë të pandashme me procesin e vetëpastrimit, për të çrrënjosur një herë e përgjithmonë nga trupa e shëndoshë e Policisë së Shtetit elementët e dëmshëm të inkriminuar apo shkelës së etikës, të cilët njollosin punën e palodhur të mijëra e mijëra uniformave blu që shërbejnë me vendosmëri të palëkundur shtetit të së drejtës dhe në mbrojtje të qytetarëve të këtij vendi”, nënvizoi Ministri.

“Përgjegjësia jonë, si aktorë institucionalë, është që përmes forcës dhe cilësisë së ligjeve, institucioneve dhe modeleve kulturë-formuese, të ndikojmë sadopak në kurimin e kësaj sëmundjeje brenda organizatës dhe në shoqërinë ku kjo organizatë vepron. Rruga është ende e gjatë por ne jemi më të vendosur se kurrë”, tha Balla, në takimin e organizuar nga Iniciativa Globale kundër Krimit të Organizuar Transnacional.

Më poshtë fjala e plotë e Ministrit të Brendshëm Taulant Balla në konferencë:

Të nderuar miq e të ftuar,
E nderuar Ministre e Drejtësisë së Kosovës
I nderuar z. Ambasador,

Së pari, gjej rastin të falënderoj organizatorët, dhe në mënyrë të veçantë Fatjonën, por mbi të gjitha, Iniciativën Globale kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar, për një ftesë në një aktivitet shumë të rëndësishëm, që ka pasur edhe dje, do të ketë edhe sot, diskutime shumë të rëndësishme, sa i përket asaj që organizatorët me të drejtë e kanë quajtur llogaridhënia dhe patjetër lufta kundër korrupsionit, për të garantuar një kulturë integriteti, por natyrshëm edhe për kontributin e vazhdueshëm të kësaj organizate në promovimin e strategjive, por edhe të “ilaçeve”, do t’i quaja unë, inovative globale në luftën kundër korrupsionit por edhe krimit të organizuar.
Lufta kundër krimit të organizuar dhe përmirësimi i sigurisë publike, mbeten prioritet kryesor për qeverinë shqiptare dhe Ministrinë e Brendshme dhe këto ndërlidhen me përgjigjet që shteti duhet të japë ndaj kriminalitetit, të cilat mund ta them me plot bindjen se gjatë muajve të fundit kemi pasur rezultate të mira.

Mjafton të përmend këtu faktet se falë një sërë operacionesh kombëtare, sikurse kanë qenë “Tempulli”, “Tempulli 2”, “Sundimi i Ligjit”, janë goditur një sërë grupesh kriminale. Vetëm falë dy operacioneve kombëtare “Tempulli 1” e “Tempulli 2” janë goditur 37 grupe kriminale dhe janë vendosur para drejtësisë 984 shtetas, kryesisht prodhues, shpërndarës dhe trafikantë të lëndëve narkotike.

Ndërsa, operacioni kombëtar “Sundimi i Ligjit” ka çuar para drejtësisë 840 shtetas, ndër të cilët 211 persona të shpallur në kërkim ndërkombëtar, 167 të tjerë në kërkim kombëtar dhe zbuluar 2 baza kriminale, për përfshirje në organizim të paligjshëm të lojërave të fatit, dhe pastaj një numër tjetër për armëmbajtje pa leje, mashtrim, kontrabandë apo krime të tjera ekonomike.

Dhe mund ta them sot se Policia e Shtetit po ecën përpara në rrugën e konsolidimit si një institucion i besuar, me synimin për t’u bërë institucioni më i besuar në vend.

Një pjesë e anketimeve sociologjike na indikojnë se Policia e Shtetit sot ka një mbështetje prej 70% të qytetarëve dhe kjo falë punës së konsoliduar të ndërmarrë nga Policia e Shtetit.

Këto rezultate pozitive gjejnë reflektim, në fakt edhe në indeksin më të fundit, të vitit 2023 të publikuar nga Iniciativa Globale, sipas së cilit Shqipëria ka shënuar progresin më të madh nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, duke ulur nivelin e kriminalitetit me 0.46 pikë, krahasimisht me vende të tjera të Ballkanit Perëndimor, ku përmirësimi është ndjeshëm në pikë. Bosnja dhe Hercegovina me 0.28 pikë po ashtu edhe Maqedonia e Veriut. Dhe ky ndryshim në pikë përkthehet në një ndryshim të theksuar në renditjen e vendit tonë. Në nivel global, rezulton se Shqipëria ka përmirësuar pozitën me 26 vende, ndërsa në nivel evropian me 6 vende. Pa dyshim ky nuk është një ndryshim shumë i madh, por është një indikacion për një rrugë të konsoliduar përpara që duhet të ecim më me shumë shpejtësi.

Këto rezultate, duhet ta them, janë pikësëpari, meritë e të gjithë atyre qindra e mijëra punonjës të Policisë së Shtetit. Për fat kemi një numër që mund ta mbajmë mend të gjithë, kemi 9999 punonjës në Policinë e Shtetit, të cilët me përkushtim dhe shpirt sakrifice, shpesh jashtë orarit normal të punës, madje edhe në ditë festash e pushimesh, nderojnë shtetin dhe uniformën e Policisë së Shtetit, duke iu përgjigjur në mënyrë dinjitoze detyrave dhe sfidave të reja të kohës.

Detyra jonë është të ruajmë këtë besim të publikut dhe të nxisim më tej motivimin e atyre punonjësve të ndershëm, e theksoj, – të ndershëm – e të dedikuar, që shohin të ardhmen e tyre me uniformën e Policisë së Shtetit. Duhet te krijojmë kushtet që plot të rinj e të reja të bëjnë karrierë në radhët e Policisë së Shtetit, mbi bazën e meritave, jo mbi bazën e ndërhyrjeve, as mbi bazën e miqve, as mbi bazën e ndërhyrjeve të deputetëve, të ministrave, të politikanëve dhe mbi të gjitha, të mos largohen nga organizata e Policisë së Shtetit, apo edhe nga Shqipëria për shkak të kushteve ekonomike.

Angazhimi i qeverisë për të mbështetur rritjen e pagave në mënyrë të ndjeshme duke filluar nga korriku i këtij viti, zbatimi i programeve për strehim me kredi për familjet e reja, garantimi i trajnimeve cilësore e të vazhdueshme brenda dhe jashtë vendit përmes mbështetjes së vyer të partnerëve. Dhe këtu gjej rastin, jo për shkak të subjektivizmit se e kam bashkë me mua në podium Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, por realisht, mund të nënvizoj si shumë të shkëlqyer bashkëpunimin mes policisë shqiptare dhe të gjitha agjencive ligjzbatuese britanik, përfshirë këtu, bashkëpunimin e drejtpërdrejtë, edhe me Sekretarin Cleverly në funksion të luftës së përbashkët kundër krimit të organizuar. Dhe po ashtu edhe me partnerët e tjerë, falë binjakëzimeve, projekteve të përbashkëta; kemi plot hapa të konkretizuara që duhet të pasurohen edhe më tej në të ardhmen.

Rritja e performancës dhe e meritokracisë në radhët e Policisë së Shtetit lidhet në mënyrë të pandashme me procesin e vetëpastrimit, për të çrrënjosur një herë e përgjithmonë nga trupa e shëndoshë e Policisë së Shtetit, elementët e dëmshëm, të inkriminuar apo ata që shkelin etikën, të cilët njollosin punën e palodhur të mijëra e mijëra uniformave e që i shërbejnë me vendosmëri të palëkundur, shtetit të së drejtës dhe në mbrojtje të qytetarëve.

Ata që nuk respektojnë ligjin, që bëjnë pis uniformën, shkelin edhe betimin, por bëjnë pis edhe gjakun e dëshmorëve të Policisë së Shtetit.
Kemi nisur prej muajsh një fazë të re, të një procesi të thellë të vetë-pastrimit të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës, prej të cilit të gjithë presim, edhe publiku pret, që në të dyja këto organizata, qoftë në drejtim, por edhe në rolin bazë, të kemi jo vetëm më profesionistët, por personat me integritetin më të lartë.

Kam thënë dhe e konfirmoj edhe në këtë audiencë të nderuar sot, në këtë konferencë se vetëpastrimi i policisë është misioni kryesor i mandatit tim në krye të Ministrisë së Brendshme. Kjo pasi besoj se lufta kundër korrupsionit nuk nis jashtë nga jashtë policisë, por fillon brenda radhëve tona.

Pavarësisht se është disi e parehatshme ta them, edhe në radhët e policisë janë vërejtur dhe vërehen çdo ditë raste të përfshirjes në akte korruptive të zyrtarëve me uniformë të policisë. Tregues konkret për këtë janë të dhënat e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, e cila gjatë këtyre 240 ditë që unë kam në krye të Ministrisë së Brendshme, që nga mesi i korrikut të vitit të kaluar, i ka rritur me 50% referimet për punonjës policie apo zyrtarë të tjerë, që janë subjekt. Përkatësisht, është dyfishuar numri i punonjësve të policisë, që janë dërguar para drejtësisë; 257 punonjës policie, nga të cilët, 78 të arrestuar.

Para pak ditësh, kisha një ceremoni publike për certifikimin e punonjësve të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, falë një programi të shkëlqyer me ICITAP, pikërisht për luftën kundër korrupsionit brenda radhëve të policisë. Dhe u kam kërkuar publikisht oficerëve të trajnuar të AMP, të mos hezitojnë për asnjë moment, ta godasin korrupsionin në çdo nivel që mund të shfaqet në strukturat policore nga baza e deri në nivelin më të lartë.

Publiku pret që të shohim edhe drejtorë policie të cilët të vendosen para drejtësisë. Policimi është një profesion tepër fisnik, që kërkon integritet, guxim dhe ndjenjë të thellë të detyrës. Me ndihmën e partnerëve, me mbështetjen e publikut, ne po vijojmë punën për rritjen e efikasitetit të punës së Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, si një strukturë që e ka detyrë dhe përgjegjësi primare garantimin e ligjshmërisë dhe integritetit të punonjësve të Policisë së Shtetit dhe të Gardës së Republikës. Këtu gjej rastin të falënderoj edhe agjencitë e tjera ligjzbatuese, në mënyrë të veçantë SPAK, falë punës së të cilëve, kemi pasur raste konkrete, drejtues të Policisë së Shtetit, për momentin deri në nivelin e shefave të komisariateve, por besoj do të shkojmë edhe më lart, për të garantuar një strukturë të Policisë së Shtetit, të pastër nga korrupsioni dhe shkelësit e ligjit.

Paralelisht, Ministria e Brendshme ka vazhduar punën e saj edhe me disa nisma që kanë qëllim luftën sistematike kundër fenomenit të korrupsionit. Edhe procesi i “vetingut” në radhët e policisë, më në fund, është aktiv dhe po ecën me shpejtësinë e mirëpritur edhe nga ligji, por edhe nga publiku. Edhe një element tjetër, i cili kishte ndoshta shumë diskutime, por mendoj që eksperienca në politikë më ka bërë të fortë për të marrë edhe vendime që duhen marrë në kohën e duhur, siç ishte edhe formulari i deklarimit mbi përdorimin e aplikacioneve të koduara nga punonjësit e Policisë së Shtetit, të cilët dyshohet se i kanë përdorur ato për komunikime me krimin e organizuar. Dhe mendoj që raste të tilla kërkojnë reagim të fortë dhe natyrshëm që ditët, muajt dhe javët në vijim besoj që qoftë mua, apo edhe AMP, do t’i japin të drejtë.

Më tej, sa i përket mbështetjes së partnerëve dhe ekspertëve më të mirë në vend, mendoj që është e udhës t’ju informoj se jemi pothuajse në momentet e fundit të përmbylljes së një drafti të ligjit të ri për Policinë e Shtetit dhe po ashtu do të kemi edhe kod të ri etik për punonjësit e Policisë së Shtetit, diçka që lidhet në fakt me arsyen pse jemi mbledhur sot, – rritjen e llogaridhënies por edhe të mundësive të përmirësimit të karrierës mbi baza meritokratike dhe transparente.

Mua më është dukur e pakuptimtë që një punonjës policie mund të qëndrojë 5-10-15 vite në të njëjtën gradë, pa bërë asnjë përparim, apo për të rënë nga ajo gradë nëse nuk e përmbush pritshmërinë e organizatës. Mendoj që ligji i ri i Policisë së Shtetit do t’i japë mundësinë kësaj organizate të bëhet më dinamike dhe natyrshëm, kush jep rezultate, të ecë përpara. Ata që nuk duan të japin rezultate, ose të pranojnë të bien më poshtë, ose të shkojnë të kërkojnë një profesion tjetër.
Korrupsioni është një “kancer” për zhvillimin demokratik por edhe atë ekonomik të një vendi. Dhe si i tillë duhet luftuar pa asnjë mëdyshje dhe pa asnjë kompromis kudo.

Përgjegjësia jonë, si aktorë institucionalë, është që përmes forcës dhe cilësisë së ligjeve, mënyrë së reagimit të institucioneve dhe modeleve kulturë-formuese, të ndikojmë sadopak në kurimin e kësaj sëmundjeje, edhe brenda organizatës së policisë, edhe në shoqëri, ku kjo organizatë vepron. Rruga përpara është ende shumë e gjatë, por mund t’ju them se jemi më të vendosur se kurrë për të ecur përpara.

Falënderoj organizatorët, Iniciativën Globale për këtë nismë dhe uroj të gjithëve suksese për vazhdimin e punimeve të konferencës. E për ata që kanë ardhur nga jashtë, nuk kemi shpesh ditë me shi, por në Shqipëri ne themi që “shiu është bereqet!”. Na qoftë bereqet edhe për këto punët tona!
Faleminderit.

Previous Përurohet shkolla e re e Vaqarrit, Manastirliu-Veliaj: Hapen kantieret edhe në 4 shkolla të reja në Tiranë