- Rezistenca dhe dhuna ndaj Policisë së Shtetit është e paimagjinueshme.
- Jo vetëm shkelje ligjore, por është edhe një thyerje e kodit të mikpritjes që ne si shtet iu kemi bërë atyre si komunitet i rrezikuar nga regjimi i Teheranit.
- Vijimësisht ne kemi pasur shqetësime për mosrespektimin e marrëveshjes për strehim të tyre në vendin tonë, marrëveshje që është vetëm për qëllime humanitare duke përjashtuar çdo veprimtari politike të tyre.
- Kjo ka tërhequr edhe vëmendjen e SPAK, e cila ka hapur çështje penale. Gjykata ka arritur në konkluzionin që duhet hetuar dyshimi i arsyeshëm i Prokurorisë prandaj sot mori vendim që të kryhej një kontroll në vendqëndrimin e MEK.
- Nuk jemi në kushtet kur Policia e Shtetit ka ushtruar dhunë, përkundrazi policia është dhunuar dhe penguar nga anëtarët të MEK që të zbatojë ligjin. Për personin që ka ndërruar jetë në ambientet e spitalit të MEK, mjekësia ligjore po kryen të gjitha veprimet hetimore për të përcaktuar shkaqet e vdekjes.
Ministri i Brendshëm dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit – Komunikim me mediat në lidhje me zbatimin e vendimit të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, nr. 262, datë 19 qershor 2023, “Për lejimin e kontrollit”, si dhe të urdhrit të ekzekutimit të Prokurorisë pranë kësaj Gjykate, për kontrollin e të gjitha ambienteve dhe zyrave ku banojnë për qëllime humanitare, anëtarë të organizatës “MEK”.
Bledi Çuçi: E thirra këtë konferencë për shtyp së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, për të sqaruar disa aspekte në lidhje me kontrollin që është ushtruar sot në kampin e komunitetit të MEK në Manzë. Që në fillim dua t’ju them që ndihem i keqardhur edhe, madje, i indinjuar, me reagimin e anëtarëve të organizatës MEK ndaj Policisë së Shtetit, sot, gjatë aksionit që ka bërë Policia e Shtetit. Ndihem i keqardhur sepse Shqipëria u ka ofruar atyre gjithçka që lidhet me strehimin e tyre për qëllim humanitar në Shqipëri sipas marrëveshjes. Në vijimësi iu ka ofruar ndihmë, iu ka ofruar siguri, madje dhe mbrojtje ndaj të gjitha kërcënimeve që vinin nga shërbimet sekrete të regjimit të Iranit. Besoj se ata, për më shumë se 3000 ditë, kanë jetuar në siguri të plotë në garancinë tonë. Dhe është e paimagjinueshme dhuna dhe reagimi që ata kanë bërë sot ndaj Policisë së Shtetit.
Besoj se duhet të biem të gjithë dakord që jo vetëm është shkelje për këdo që jeton në Shqipëri, apo është shtetas shqiptar, apo që ka pranuar të jetojë në Shqipëri, brenda ligjeve shqiptare, por edhe një lloj thyerjeje e kodit të mikpritjes që ne u kemi ofruar atyre. Që të jemi të qartë, organizata MEK ka një marrëveshje me qeverinë shqiptare për t’u strehuar në Shqipëri, vetëm për qëllime humanitare. Dhe kjo është e shkruar e zeza mbi të bardhë, dhe po aq e qartë është e shkruar në marrëveshje edhe fakti që atyre u ndalohet të kryejnë çdo lloj aktiviteti politik, apo aktivitete të tjera të natyrës politike, apo protesta të çfarëdo lloji, ngjyre, forme që kanë.
Ne herë pas here kemi pasur shqetësime për mosrespektim të marrëveshjes. Kanë qenë madje publike aktivitetet politike të tyre. Por kjo, tashmë kohët e fundit, pra aktiviteti politik i tyre kohët e fundit, ka tërhequr vëmendjen e prokurorisë së Shqipërisë, të SPAK-ut, e cila ka filluar më shumë se një çështje penale në lidhje me këtë gjë. Dhe ashtu siç në fakt duhet të veprojë çdo institucion ligjzbatues në Shqipëri, SPAK-u ka pasur arsye dhe dyshime të arsyeshme dhe indicie të forta në lidhje me këtë gjë, i është drejtuar gjykatës për të bërë një kontroll brenda kampit, – që është një territor shqiptar, si të gjithë territoret e tjera, nuk ka asnjë mbrojtje të posaçme, – dhe për të bërë sekuestrime të pajisjeve që mund të gjendeshin aty që kanë lidhje me çështjen që ka filluar SPAK-u. Dhe gjykata ka marrë një vendim brenda gjithë ligjeve shqiptare. Këtu fillon dhe veprimi i policisë. Pra është një veprim që lidhet drejtpërdrejt me zbatimin e vendimit të gjykatës për të kryer kontroll në të gjithë territorin ku strehohen anëtarët e organizatës MEK, dhe të bëjë sekuestrime të pajisjeve elektronike sipas vendimit të gjykatës.
Besoj se askush në Shqipëri, përfshi këtu edhe anëtarët e organizatës MEK, të cilët janë strehuar, – e theksoj, – vetëm për qëllime humanitare, nuk ka të drejtë të kundërshtojë vendimet e gjykatës. Vendimet e gjykatës janë për t’u zbatuar. As për t’u komentuar, e jo më për t’u kundërshtuar. Kështu që prandaj ndihem i keqardhur siç thashë, që në fillim për këtë reagim të shumë prej anëtarëve të kësaj organizate, sot ndaj Policisë së Shtetit. Shqipëria ka qenë, është dhe do të mbetet gjithmonë një vend paqësor. Ne nuk kemi pasur asnjëherë probleme me shtete, qoftë fqinjë, apo me shtete të tjera. Ne jemi një vend paqësor, një vend turistik, zhvillojmë turizmin, po hapemi gjithmonë e më tepër, gjithmonë e më të sigurtë me hapjen tonë. Besoj se për këdo që aludon që ne mund të jemi shtrënguar për këto veprime nga vend të tjera, qoftë këtu edhe nga regjimi i Iranit, është pretendim i pa argumentuar dhe i pa bazuar, për dy arsye.
E para, sepse qeveria shqiptare nuk është ajo që ka shkuar dhe ka ndërhyrë në kampin e MEK, por ka qenë gjykata që ka urdhëruar ndërhyrjen në kampin e MEK, dhe e dyta është shumë i qartë qëndrimi jonë ndaj regjimit të Iranit. Ne, në vjeshtën e vitit të kaluar, kemi ndërprerë edhe marrëdhëniet diplomatike me këtë regjim. Kështu që besoj se aludimet këtu janë vetëm keqdashëse dhe vetëm për konsum politik. E theksoj që veprimet që janë ushtruar ndaj policisë nga anëtarët e MEK-ut janë të pa tolerueshme. Ata janë në Shqipëri me angazhimin se nuk do të kryejnë asnjë aktivitet politik, asnjë protestë të çfarëdo lloji, dhe do të zbatojnë të gjitha ligjet e shtetit shqiptar si çdo shtetas shqiptar, apo çdo i huaj, që kërkon të jetojë në Shqipëri. Ne i kemi plotësuar detyrimet tona për këtë qëllim, besoj në 3000 e kusur ditë, më së miri , ashtu siç ne fakt ne dimë ta bëjmë në bazë të kodit të mikpritjes, siç kemi bërë edhe me komunitete të tjera që u kemi ofruar strehimin në Shqipëri.
Madje unë i kam lënë një person përgjegjës nga MB në mënyrë që të jetë pranë për çdo lloj halli dhe problemi që mund të kenë me çdo zyrë në Shqipëri, apo institucione, qoftë këto shëndetësore, sidomos në Shqipëri, si pikë kontakti për të lehtësuar çdo marrëdhënie me institucionet shqiptare duke ditur statusin e tyre. Kështu që ky qëndrim është tërësisht i pa justifikuar, i dënueshëm sigurisht, edhe besoj unë që është një qëndrim që na vendos në një pozitë, edhe ne si mikpritës. Pra është një thyerje e drejtpërdrejtë e marrëveshjes që ne kemi bërë me ta.
Para se t’ia kaloj fjalën Drejtorit të Përgjithshëm, – i cili do japë një panoramë më të detajuar të ditës së sotme, se çfarë ka ngjarë edhe se si ka rrjedhur e gjithë dita e sotme dhe kontrolli që është ushtruar atje, – dua t’ju them diçka për atë personin që ka vdekur sot në kamp. Personi që ka vdekur sot në kamp, ju garantoj që vdekja nuk është shkaktuar nga asnjë veprim i forcave të policisë.
Ne po presim ekspertizën mjeko-ligjore. Ka pamje sigurisht edhe nga policia gjatë ushtrimit të kontrollit të zbatimit të vendimit të gjykatës në kamp, por jam i bindur që ka pamje dhe nga vetë anëtarët e MEK nga brenda fshatit, që e vërtetojnë këtë gjë. Sepse nuk është prekur me dorë qoftë dhe një anëtar i vetëm i organizatës MEK në kampin e Manzës. Asnjë, qoftë dhe një person nuk është prekur me dorë. Do presim ekspertizën mjekoligjore për këtë qëllim. Ai është një burrë i moshuar, në mos gaboj është diku te 76 apo 79 vjeç. Vdekje brenda kampit ndodhin rëndom, sepse ai është një komunitet që jeton aty, dhe po plaket aty, dhe e ka krijuar jetën aty, dhe është një fenomen krejt i natyrshëm që edhe të vdesin. Por thashë, do presim ekspertizën mjekoligjore për të dalë në konkluzione. Por unë jam i bindur sepse kemi pasur të gjithë kujdesin e duhur që mos të krijojmë asnjë incident me anëtarët brenda fshatit, por thjeshtë të zbatonim vendimin e gjykatës.
Kështu që po i le fjalën Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë për të sqaruar sot për veprimet e policisë gjatë ditës së sotme, dhe pastaj çfarë të keni ndonjë pyetje, mund ta diskutojmë mbas fjalës së drejtorit. Faleminderit
***
Muhamet Rrumbullaku: Pas marrjes së njoftimit dhe urdhrit të ekzekutimi të Prokurorisë së Posaçme mbi vendimin e Gjykatës së Posaçme, për lejimin e kontrolleve në të gjitha ambientet e kampit MEK, një kamp i cili përbëhet nga rreth 127 objekte, të ndërtuara në një territor prej 38-40 hektarë.
Me marrjen dhe me njohjen e vendimit të Gjykatës, nga ana ime si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, kam dërguar shkresë zyrtare për të gjithë drejtuesit e MEK-ut, për takimin e sotëm të orës 08:00, në zyrat policore të stacionit Policor Manzë.
Në orën 08:00 të mëngjesit, unë së bashku me disa drejtues Policie të nivelit të lartë, kemi thirrur në takim dhe na janë përgjigjur në takim 6 drejtuesit kryesorë të kampit MEK.
Përgjatë 1 ore, kemi sqaruar me detaje gjithçka përfshihet në vendimin e gjykatës së posaçme për lejimin e kontrolleve të ambienteve të gjitha godinave, si dhe qëllimin për të cilin motivohej në vendimin e Gjykatës së Posaçme.
Kemi gjetur mirëkuptimin e tyre në momentet e para, ku pas takimit zyrtar me to, unë së bashku me to jemi adresuar në hyrje të kampit për të cilin kemi kërkuar dhe hapjen e portave respektive të tyre, për të cilën mendoj se gjithsecili prej jush nga gazetarët, në momentin që jeni afruar pas mbylljes së operacionit, keni pare vetë se çfarë masash sigurie dhe reagimi të rreptë ka për mos-hyrje brenda atij territori, i cili është totalisht territor shqiptar, nuk është aspak pronë e tyre dhe së bashku me drejtuesit dhe forcat policore kemi hyrë në ambientet e gjithë territorit.
Pas këtij momenti ka filluar faza e kontrollit e të gjitha ambienteve, ku për rreth 2 orë është ushtruar kontroll për shkak të numrit të madh të objekteve dhe ndarjes sektoriale të të gjithë punonjësve të Policisë, për marrjen e detyrës së tyre.
Pasi nga ana jonë u konstatuan paligjshmëri, objekt i vendimit të Gjykatës, përsa i përket evidentimit të sallave të serverëve dhe pajisjeve kompjuterike, gati në 17 objekte, filloi një rezistencë e organizuar e të gjithë rezidentëve të kampit MEK, duke u përballur me Policinë dhe duke mos lejuar ekzekutimin e vendimit të Gjykatës.
Pas këtij momenti nga ana e forcave të Policisë, është kaluar në vetëpërmbajtje ekstreme dhe në asnjë rast nga Policia nuk është përdorur dhunë mbi rezidentët.
I është kërkuar drejtuesve të MEK-ut, të flisnin me të gjithë grupimet që kryesonin në rezistencën e organizuar ndaj forcave të Policore, por nuk kemi gjetur mbështetjen dhe mirëkuptimin e tyre. Pas kësaj Policia ka përdorur procedurat standarde të punës, për menaxhimin e turmave dhe i vetmi mjet për realizimin e qëllimit për ekzekutimin e vendimit të gjykatës kanë qenë sprajtet individual, pjesë e pajisjeve personale të punonjësve të Policisë së Shtetit.
Nga e gjithë kjo përballje, Policia mbeti viktimë e dhunës së tyre dhe jo rezidentët, nga ana jonë është përdorur thjesht sprajt individual, i cili nuk ka sjellë asnjë lloj pasoje jetësore mbi rezidentët. Ne kemi mbetur të dëmtuar, 15 punonjës policie të dëmtuar si dhe disa automjete policore dhe nga ana e tyre janë lënduar gjithsej 21 shtetas, të cilët ndodhen në dy spitale në Tiranë, aktualisht në momentet që po flasim nga 21 të lënduar 15 prej tyre kanë lënë qendrat spitalore dhe janë adresuar për në vendbanimin e tyre.
Në tërësi, në të gjitha veprimet e kryera nga Policia, ju siguroj që kanë qenë veprime totalisht të ligjshme pa kaluar aspak kufirin e ligjshëm të forcës vetëmbrojtëse për ekzekutimin e vendimit të gjykatës.
Në tërësinë e veprimeve të kryera nga Policia, në zbatim të vendimit të Gjykatës, janë sekuestruar në cilësinë e provës, të cilët kërkoheshin në vendimin e Gjykatës së Posaçme, 96 njësi kompjuterike, 49 laptop, 2 tableta, 3 karta memorie dhe materiale shkresore të bollshme, të cilët tentuan ti asgjësonin me djegie disa anëtarë të MEK.
Prokuroria e Durrësit, ka nisur ndërkohë hetimet për kundërshtimin me dhunë të punonjësit të policisë dhe pengimin për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës. Gjatë kohës që kryheshin veprimet në zbatim të vendimit të Gjykatës së Posaçme, nga drejtuesit e MEK, jam bërë me dije, unë personalisht se në qendrën e emergjencës së tyre ndodhej një banor i tyre i cili kishte ndërruar jetë. Përsa sipër është ngritur një grup i posaçëm hetimor nën drejtimin e Prokurorisë të rrethit Gjyqësor Durrës, Oficer të Policisë Gjyqësore të Prokurorisë Durrës, është njoftuar Agjencia e Mbikëqyrjes Policore për të shmangur konfliktin e interesit të Policisë me të cilin ishte palë në lidhje me ta, por ju siguroj që pas daljes së ekspertizës mjeko-ligjore do të nxirrni konkluzionin tuaj dhe unë nuk dua të prononcohem më gjatë në lidhje me këtë çështje.
Vendimi i Gjykatës së Posaçme është si pasojë e veprimeve që bien ndesh me marrëveshjen për strehim humanitar dhe angazhimet e marra nga grupi MEK kur u vendosën në Shqipëri. Faleminderit!
***
Pyetje: Më datën 1 korrik ka një festë Muxhahedine, pra ka një lloj tradite, keni marrë informacione nga inteligjenca juaj operative për qëllime terroriste të kryejnë ndonjë sulm të tillë dhe ndoshta kjo ndërhyrja të jetë bërë për parandalimin e asaj feste apo manifestimi që kryejnë ata?
Përgjigje: Më lejoni t’ju bëj me dije që drejtuesve të MEK-ut gjatë takimit të mëngjesit, u është vënë në dispozicion vendimi i Gjykatës i detajuar për gjithçka kërkohet për tu zbatuar nga Policia e Shtetit. Për sa i përket pyetjes që lidhet me datën 01.07.2023, nuk ka të bëjë fare me atë çka pritet sepse normalisht kemi zbatuar dhe ekzekutuar 1 vendim të Gjykatës.
Pyetje: Z. Rrumbullaku, keni patur ju informacione nga inteligjenca juaj se mund të kishte një përgjigje të tillë nga ana e anëtarëve të Mek? E bëj këtë pyetje duke parë edhe angazhimin e madh të forcave të Policisë.
Përgjigje: Absolutisht që Policia njihte shumë mirë situatën brenda kampit Mek. Nga ana tjetër, ju bëra me dije që në fillim që kishim të bënim me një territor shumë të gjerë prej 38-40 hektarësh dhe një numër të konsiderueshëm objektesh për t’ju nënshtruar kontrollit të imtësishëm, jo pak por 127, dhe si të tilla, ishin planifikuar edhe forcat rezervë të Policisë për tu përballur dhe për të zgjidhur çdo lloj problematike që mund të na vinte, në rastin konkret siç erdhi, të një rezistence të tyre të organizuar për sa i përket kërkesës së tyre për të mos ekzekutuar vendimin e Gjykatës, për shkak të provave që duhet të mblidhte Policia dhe që kishte të bënte me sistemet teknologjike të tyre.
Pyetje: Që në krye të herës ju deklaruat që ambienti ku banojnë është rezidenca e anëtarëve të MEK sot dhe ata duhet tu përgjigjen ligjeve shqiptare. Ju thatë që ata kanë kundërshtuar dhe kanë dhunuar Policinë, pra Policia në këtë rast ishte viktimë. Rrumbullaku, pse nuk keni kryer arrestime duke qënë se ata kanë kundërshtuar forcat e Policisë pasi një rast të tillë të ngjashëm, Policia ka bërë edhe shoqërime, edhe arrestime në flagrancë.
Përgjigje: Faleminderit për pyetjen. Ju bëj me dije që ne kemi identifikuar gjithsecilin prej personave të përfshirë në kundërshtim me dhunë të Punonjësve të Policisë dhe pengim të ekzekutimit të vendimit të Gjykatës që përkundrejt identifikimit të tyre dhe nëpërmjet pamjeve filmike, pasi policia në kuadër të planit operacional, të gjithë zonën e ka pasur në monitorim të plotë ajror me dron. Kështu që përkundrejt asaj dhe përkundrejt konsultave me Prokurorët, do dalin masat e ndalimit për personat e përfshirë në dhunë si edhe për drejtuesit të cilët nuk bashkëpunuan për këtë çështje.
Pyetje: Ju thatë që kishit informacione se disa persona po përgatiteshin për sulme kibernetike. Cili do të sulmohej dhe çfarë dokumentesh janë djegur pasi thatë një moment z. Rrumbullaku se disa persona kanë djegur disa dokumente.
Përgjigje: Gjatë gjithë veprimeve policore dhe monitorimit, janë konstatuar veprime nga ana e individëve të veçantë të rezidencës së kampit MEK për të asgjësuar, për të larguar ato çka i interesonte dhe kërkohej në bazë të vendimit të gjykatës. Ato janë dokumente të gjuhës së tyre dhe po i nënshtrohen një ekzaminimi të një ekspertize të detajuar dhe më pas nga Prokurorët e Posaçëm dhe grupi hetimor.
Pyetje: Ju thatë që nuk është përdorur në asnjë moment dhunë nga efektivët e Policisë por ne kemi qenë prezent kur janë paraqitur dhjetëra persona me plagë, të gjakosur apo me gjymtyrë të dëmtuara. Si ka ndodhur kjo nëse efektivët nuk kanë ushtruar dhunë?
Përgjigje: Mund t’ju shpjegoj dhe më pas do të keni edhe pamjet filmike që do t’ju tregojmë me autorizim nga Prokurori, në raport me atë se çfarë ka ndodhur në të vërtetë përsa i përket sjelljes dhe revoltës së tyre të dhunshme, të cilët kanë bllokuar mjetet policore, janë shtrirë para mjeteve policore. Do t’i shikoni me syrin tuaj dhe do të bëni vlerësimin tuaj. Unë ju përsëris, Policia nuk ka ushtruar dhunë. I vetmi mjet i Policisë është përdorimi i sprajtit individual i punonjësit të Policisë si mjet personal i tij, dhe pjesa tjetër ka të bëjë me spostimin dhe hapjen e rrugës për lëvizjen e mjeteve policore.
Pyetje: Z. Çuçi tha në nisje të konferencës që ka pasur informacione më të hershme për shkelje të karakterit politik nga ana e komunitetit MEK. Po Policia e Shtetit ka pasur informacione më përpara për shkelje të karakterit penal nga ana e komunitetit të MEK këtu në Shqipëri?
Përgjigje: Më lejoni t’ju bëj me dije që Policia e Shtetit ka një sërë strukturash të cilat kanë objekt dhe përgjegjësi në fusha të caktuara, për të cilat ne jemi partnerë të besueshëm të SPAK-ut, për të cilat ne relatojmë, rekomandojmë, referojmë. Tashmë jemi në një fazë ku procedimi penal për të cilën ka dalë një vendim i Gjykatës, nuk ka nevojë për interpretim nga ana ime. Hetimet do të nxjerrin se për çfarë dhe çfarë trajton vendim i Gjykatës.
Pyetje: Ju thatë që ishit edhe vet prezent në operacionin e ditës së sotme. Pyetja është konkrete, në momentin që kanë filluar përplasjet, anëtarët e MEK-ut kanë sulmuar në mënyrë të organizuar apo kanë qenë sulme sporadike?
Përgjigje: Rezistenca e rezidentëve të MEK-ut ka filluar në momentin kur policia ka konstatuar paligjshmëri në raport me kërkesën e vendimit të Gjykatës, dhe që lidhet me sistemet teknologjike, serverë dhe kompjutera. Po ju sjell në vëmendjen tuaj që kemi të bëjmë me një komunitet prej 2500 banorë, pjesën tjetër llogariteni vet.