Fjala e ministres Balluku, konferenca “Zbatimi i Axhendës së Gjelbër për Prosperitet Ekonomik dhe Shoqëror në Ballkanin Perëndimor”:
I nderuar Sekretar i Shtetit Annen,
Të nderuar ambasadorë,
Të dashur kolegë, pjesëmarrës,
Është kënaqësi të jemi bashkë në një tjetër diskutim mjaft të rëndësishëm siç është axhenda e gjelbër për zhvillimin ekonomik dhe social të Ballkanit Perëndimor. Prania juaj sot vërteton padyshim më së miri bashkëpunimin tonë rajonal, por edhe ai mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Europian i cili arritur një nivel tjetër që unë do të thoja pa frikë që ndoshta është momenti më i mirë i këtij bashkëpunimi dhe bashkërendimi. Kjo dhe falë lidershipit të Qeverisë Gjermane përsa i përket Procesit të Berlinit, një platforme bashkëpunimi që ka vërtetuar se është një mekanizëm i frytshëm në rrugëtimin e vendeve tona drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, duke jetësuar reforma dhe projekte të cilat na sjellin më pranë realizimit të objektivave kombëtare dhe atyre të lidhura me anëtarësimin.
Kriza energjetike, më e rënda në shumë vite, vuri përpara një dileme shumë të madhe të gjitha vendet qofshin këto të vogla apo të mëdha. Tranzicioni i gjelbër apo siguria energjetike. Të vihesh para kësaj zgjedhje për të thënë të drejtën dhe të jesh vendimmarrës është një nga situatat më të vështira dhe këtë mund të faktoj vetë. Shumë vende u detyruan të shtyjnë apo të pezullojnë përkohësisht planet e dekarbonizimin, duke i dhënë prioritet sigurisë së furnizimit me energji për të gjithë abonentët. Kjo situatë risolli në vëmendje edhe një herë nevojën për të gjetur një ekuilibër të qëndrueshëm në politikat afatgjata ndërmjet interesave të zhvillimit ekonomik, atyre mjedisore, por edhe atyre sociale.
Kjo çështje ishte në qendër dhe të samitit të Procesit të Berlinit në vitin e kaluar, pra në nëntor të 2022, ku liderët e vendeve të rajonit miratuan një deklaratë të përbashkët për sigurinë energjetike dhe tranzicionin e gjelbër. Në këtë samit, Gjermania lançoi gjithashtu dhe një nismë të quajtur “Partneriteti i klimës së Ballkanit Perëndimor, për zhvillimin e një plani rajonal të energjisë dhe klimës me qëllim rritjen e mbështetjes dhe bashkëpunimin teknik dhe financiar mes Gjermanisë dhe rajonit, për të krijuar kushtet e nevojshme për implementimin e axhendës së gjelbër. Është thelbësore që ne të kemi një vizion të unifikuar se si duam që vendet tona të arrijnë në 2030 objektivat e vendosura apo në 2050, dhe të vendosura sigurisht nën mekanizma të Procesit të Berlinit, Komunitetit të Energjisë dhe udhëzimeve të Bashkimit Europian. Vetëm kështu ne mund të zhvillojmë politika dhe udhërrëfyes, të cilët do të na çojnë në destinacionin e duhur. Pse unë përsëris dhe pse është e nevojshme që këto politika të jenë të unifikuara. Pse vizioni ynë duhet të jetë i unifikuar, pasi duke marrë parasysh tregun e energjisë, por duke marrë parasysh dhe impaktin mjedisor që industria apo prodhimi i energjisë, trafiku, gjithçka tjetër, transporti mund të krijojë, në rast se nuk do të ketë një vizion të unifikuar, ne kemi parasysh që vendet nuk funksionojnë në mënyrë të izoluar dhe vendet si për prodhimin e energjisë, si për përdorimin e energjisë, si për karbonin që prodhohet nga transporti apo nga industria janë të afektuara pasi të gjitha këto, ashtu si efektet pozitive edhe ato negative fatkeqësisht apo fatmirësisht janë ‘cross border’. Është po aq e rëndësishme që këto instrumente politikbërëse të kenë stabilitet afatgjatë. Stabilitet afatgjatë pasi ndoshta për shkak të krizës të 2022 ne arritëm të shikonim se çfarë ndodh kur politikat ndryshohen shpesh. Çfarë ndodh kur nisim një politikë dhe themi që jo për gazin nuk do të investojmë. Dhe më pas na del në skenë se duhet të investojmë për gazin dhe për më tepër duhet të krijojmë pavarësi dhe siguri energjetike, pasi një pjesë e rajonit tim, por edhe të gjithë Ballkanit, ndoshta dhe Europës ishte e varur nga gazi rus. Kështu që sot parashikohet që të ngrihen infrastruktura dhe të kemi molekula që nuk vijnë nga Rusia dhe infrastruktura të jenë të pavarura.
Ky është një ndryshim rrënjësor i politikave të vendosura deri në 2022, siç është rasti i dekomisionimit të reaktorëve nuklear në Gjermani, por më pas Bashkimi Europian përmes një strategjie të një politike të re vendos të mini reaktorët të cilët po dizenjohen dhe po prodhohen sot në Francë të konsiderohen si burime të rinovueshme.
Unë nuk kam asgjë për të kontestuar përsa i përket politikave të reja, por çfarë është e rëndësishëm dhe çfarë duhet thënë duhet të ketë politika të qëndrueshme dhe afatgjatë, pasi përndryshe kostot të cilat kanë vendet apo edhe investitorët privatë që janë kontributorë të rëndësishëm në fushën energjetike apo në fusha të tjera janë të papërballueshme. Pra, ndryshimi i vazhdueshëm i politikave dhe mosdizenjimi i politikave afatgjata kanë kosto ekonomike të rëndësishme dhe kanë efekte vonuese të proceseve në të ardhmen.
Sektori i energjisë reagon shpejt dhe ndjeshëm ndaj incentivave, ndaj politikave nxitëse që promovojnë efiçencën e energjisë dhe reduktimin e konsumit çka duhet të jetë pjesë thelbësore e të gjithë politikës dhe e të gjithë procesit të Ballkanit Perëndimor. Çfarë ne identifikuam gjatë 2022, duke qenë në vështirësi përsa i përket energjisë. Identifikuam se një nga çelësat e suksesit për të vazhduar përpara dhe për të pasur atë që ne shumë e duam pavarësinë dhe sigurinë energjetike u desh që të aktivizoheshin të gjithë instrumentet për efiçencën energjetike. Pra, për të ruajtur sa më shumë energjinë dhe kjo tregoi që sigurisht me incentivat e duhura nga organet të cilat zbatojnë politikat energjetike siç janë ministritë, siç janë ndërmarrjet apo agjencitë e tjera, një intensifikim i edukimit të popullsisë se çfarë është efiçenca energjetike tregoi se padyshim ishte një ndihmë shumë e madhe në një kohë të vështirë. Por tashmë duke qenë se e kemi këtë fat ka ardhur momenti që efiçenca energjetike të jetë pjesë e të gjithë këtij procesi.
Shqipëria për të thënë të drejtën është me fat dhe ne e themi gjithmonë pasi në këtë sfidë të këtij 10 vjeçari futet me disa hapa përpara nga vendet e tjera, pasi ashtu siç ju të gjithë e dini dhe ne e përsërisim gjithmonë krenarisht, Shqipëria është një vend që prodhon 100% energji të rinovueshme. Nga ana tjetër e gjithë strategjia jonë e diversifikimit e cila ka nisur që nga viti 2018 është e bazuar mbi ngritjen e kapaciteteve të reja të burimeve të rinovueshme, por 2022 na tregoi që përveç këtyre kapaciteteve të energjisë së rinovueshme ne duhet të ngremë padyshim edhe disa kapacitete të izoluara të burimeve energjetike të kontrolluara dhe të qëndrueshme.
Por kjo nuk do të thotë që ne nuk kemi një sfidë po aq të vështirë përpara siç e kanë edhe vendet e tjera pasi lidhet me aspektin mjedisor, klimaterik dhe social të shoqërisë tonë. Shqipëria si palë e procesit të Berlinit, Komunitetit të Energjisë dhe si një nga vendet e cila aspiron të bëhet pjesë e Bashkimit Europian, kështu që i duhet që të plotësojë të gjithë kërkesat për këtë integrim ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm që lidhen me reformimin e sektorit energjetik për ta bërë atë efikas, transparent, konkurrues e gati për integrimin në rrjetet dhe në tregjet energjetike europiane.
Ne jemi vendi i parë në rajon që kemi miratuar Planin Kombëtar të Energjisë dhe të Klimës sipas targeteve të vendosura nga Bashkimi Europian për sektorin e energjive të rinovueshme, efiçencës së energjisë dhe emetimit të gazeve serrë. Kemi amenduar gjithashtu ligjin për burimet e rinovueshme, kemi punuar fort për diversfikimin e burimeve gjeneruese nga energjia e pastër dhe padyshim ne kemi vënë një target shumë të rëndësishëm për vendin tonë, i cili ecën në të njëjtin rrugëtim me axhendën e gjelbër, që është kthimi i Shqipërisë nga një vend importues neto në një vend eksportues neto, pasi synimi ynë është që deri në vitin 2029 kapacitetet prodhuese të vendit të rriten me 4 terravat.
Por energjia siç e thashë është një produkt ndërkufitar dhe për rrjedhojë pasojat negative ekonomike apo ato pozitive, pasojat që ky produkt sjell në mjedis janë të gjitha efekte që shkojnë përtej kufijve të një shteti. Në këtë kuadër Bashkimi Europian ka integruar në legjislacionin e Paktit të Gjelbër mekanizimin e kuotimit të karbonit, i cili hyn në fuqi në vitin 2026. Kjo është një politikë për të cilën rajoni ynë do të diskutojë gjerësisht gjatë këtij viti dhe Shqipëria për fat mban presidencën e Komunitetit të Energjisë.
Përdorimi i mekanizmave si taksat e karbonit apo sistemet e tregtimit të emetimeve ndihmojnë në internalizimin e kostove mjedisore të konsumit të fosileve dhe krijimin e një hapësire të barabartë për industrisë vendase. Duke llogaritur gjurmën e karbonit të mallrave të importuar dhe njëkohësisht inkurajojmë adoptimin e teknologjive më të pastra dhe rritjes së efiçencës së energjisë. Sa i përket ndotjes mjedisore padyshim kontributori kryesor në Republikën e Shqipërisë është transporti. Pavarësisht të gjitha masave që ne kemi ndërmarrë vazhdon të jetë një problematikë të cilën ne e ndjekim me kujdes. Është prioritet dhe në fokusin tonë për ta ndryshuar këtë realitet njëherë e mirë. Sigurisht ne kemi nisur të zbatojmë disa politika të rëndësishme që do të ndryshonin këtë situatë, duke nisur nga flotat e transportit urban të cilat tashmë janë elektrike, apo edhe nxitja e individëve të cilët me të gjitha incentivat që qeveria, por edhe sektori privat ka ndërmarrë do të duhet ti përgjigjen një mentaliteti të ri të përdorimit të automjeteve elektrike apo edhe përdorimit të automjeteve të një kohe më të vonshme prodhimi. Çka do të ndihmojë të gjithë këtë proces konkretisht dhe jo thjesht me politika është ndërtimi i infrastrukturës së nevojshme për lehtësimin e përdorimit të automjeteve elektrike. Siç është edhe projekti i stacioneve të karikimit që ne kemi në plan të ndërtojmë përgjatë të gjitha akseve kombëtare dhe autostradave tona.
Gjithashtu duhet thënë që qeveria shqiptare me një vizion pararendës ka vendosur që të gjitha projektet e hekurudhave të cilat kemi nisur dhe njëra prej tyre është në realizim e sipër të jenë hekurudha të elektrifikuara. Sigurisht duke pasur një kosto më të lartë si projekte, por nga ana tjetër duke na garantuar ne që problemi i dekarbonizimit, sidomos ai që vjen nga transporti të zgjidhet sa më parë.
Në vitet e fundit një vëmendje të veçantë i është kushtuar nga Qeveria Shqiptare dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, efiçençës së energjisë dhe ne kemi parë sa mirë kanë reaguar qytetarët tanë, sesi kanë përqafuar iniciativat tona dhe për të thënë të drejtën unë dua të ndaj konkretisht me ju një iniciativë që nisëm në mesin e vitit të krizës në 2022. Pas një analize të thellë që u bë nga ekspertët e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe të Agjencisë së Efiçencës Energjetike arritëm në rezultatin se 20% e faturës mujore të konsumatorëve, të abonentëve shkon për ngrohjen e ujit. 20% nuk është pak as në ditë normale dhe as në ditë krize. Kështu qe vendosëm që një fond të caktuar në ato momente shumë të vështira për të thënë të drejtën për buxhetin e shtetit ne ta dedikonim për familjarët të cilët do të ndërmerrnin me iniciativën e tyre vendosjen e paneleve diellore për ngrohjen e ujit dhe skema ishte 70% e mbuluar nga shteti dhe 30% nga privat. Më besoni që në fillim vendosëm një grup prej 2 mijë abonentësh me idenë që do merrte kohë për këto aplikime dhe ju siguroj që brenda 2 muajve nga nëntori deri në 31 dhjetor 2 mijë aplikime janë bërë dhe për më tepër në kohë rekord u bënë të gjitha instalimet, duke na detyruar ne që ta zgjeronim këtë ofertë dhe paketën.
Pra në rast se qeveritë angazhohen, në rast se politikbërësit angazhohen, në rast se ka incentiva të rëndësishme të cilat bëjnë sens për qytetarët, qytetarët janë të gatshëm të ndjekin politikat tona, axhendën tonë të gjelbër dhe politikat e dekarbonizimit. Ky është një rast, e ndava në detaje me ju pasi flet konkretisht sesi duke bashkëpunuar me qytetarët ne mund të ecim më shpejt.
Megjithatë duhet pasur parasysh diçka që sigurisht në këtë rrugëtim drejt axhendës së gjelbër Shqipëria dhe Ballkani Perëndimor ndiejnë nevojën e padiskutueshme të mbështetjes nga Gjermania dhe Bashkimi Europian qoftë kjo me ‘knowhow’ tuaj, por nga ana tjetër përtej çdo strategjie apo vendimmarrje tonën mbështetja financiare është e domosdoshme pasi kapacitetet tona janë të kufizuara dhe përballja me krizën globale energjetike i ka vënë këto kapacitete edhe në vështirësi më të madhe se zakonisht. Ne konstatojmë me keqardhje se financimi aktual i BE-së nuk është mjaftueshëm, nuk është elastik dhe nganjëherë jo vetëm që nuk është i shpejtë, por merr aq shumë kohë sa kur arrin në dyert tona ka humbur edhe sensin për çfarë kemi aplikuar dikur. Kështu që unë e ndaj këtë në çdo tryezë dhe besoj që ne nuk takohemi për të thënë vetëm sesa mirë bashkëpunojmë, sesa të mira janë këto politika, sesa arritje kemi bërë, pasi sipas meje puna flet vetë. Puna dhe rezultatet flasin vetë. Ne duhet të mblidhemi për të diskutuar për problematikat që hasim. Çdo proces gjatë implementimit të tij nxjerr në sipërfaqe problematika të cilat është më mirë të diskutohen publikisht, sepse nganjëherë kemi zakonin e keq që në tryeza themi vetëm çështjet pozitive, sepse mendojmë se duke folur kështu gjithçka do të ngjajë më mirë. Ndërkohë që unë besoj që ne duhet të ulemi në tryeza për të diskutuar problematikat që hasim gjatë implementimit dhe besoj që flas dhe në emër te kolegëve të mi të tjerë të Ballkanit Perëndimor pasi fatmirësisht edhe për shkak të procesit të Berlinit, por edhe për shkak të Ballkanit të hapur ne na duhet që të ulemi shumë shpesh me njëri-tjetrin. Unë dhe kolegët e mi dhe i referohem ministrave të energjisë që janë ose ministra energjie dhe infrastrukture ose ministra energjie dhe mjedisi. Këtë variantin e dytë unë nuk do ta desha, sepse është një përplasje e jashtëzakonshme që të duash të avancosh me sektorin energjetik dhe nga ana tjetër të ruash parametrat mjedisorë.
Por më besoni që është një problematikë që e hasin të gjithë vendimmarrësit, të gjithë politikbërësit. Ne kemi nevojë për mbështetjen tuaj, pra të Bashkimit Europian, të qeverisë gjermane, kemi nevojë për diturinë tuaj, kemi nevojë për ekspertizën tuaj, sepse keni qene shumë përpara nesh këtu ku ne jemi sot. Ne mësojmë nga gabimet tuaja, por ne kemi nevojë për mbështetjen financiare të Bashkimit Europian. Kemi nevojë për një përgjigje të shpejtë, ashtu siç Bashkimi Europian kërkon nga ne që ne të përgjigjemi shpejt, të implementojmë shpejt strategjitë dhe politikat e tyre, ashtu mendojmë dhe ne që Bashkimi Europian duhet të na përgjigjet sepse kjo është një ‘win-win situation’.
Në ndërkohë edhe çështjet e sigurisë energjetike në Ballkanin Perëndimor që për mua janë çështje të sigurisë kombëtare të çdo vendi dhe janë çështje të sigurisë rajonale dhe të sigurisë europiane, pasi janë çështje të cilat siç i shohim edhe sot që jemi këtu ndikojnë direkt në zhvillimet e politikave të jashtme të BE-së, unë do të thoja që do një vëmendje të veçantë, do një vendimmarrje të matur dhe do një sinergji nga të gjitha palët. Siguria energjetike që derivon në siguritë kombëtare apo siguritë rajonale nuk mund të jetë një çështje e cila trajtohet në mënyrë sporadike, sepse në rast se trajtohet në mënyrë sporadike edhe rezultatet do të jenë sporadike, por a e kemi ne më luksin që sot të kemi rezultate sporadike përsa i përket sigurisë energjetike, pra si rrjedhojë sigurisë. Kështu që ne kemi gjithë dëshirën e mirë dhe jemi të angazhuar plotësisht dhe unë shpreh dhe njëherë angazhimin total të qeverisë shqiptare dhe garantoj se pavarësisht vështirësive objektive ne do të vijojmë me rigorozitet zbatimin e axhendës së gjelbër, duke qenë një nga shembujt më të mirë në Ballkan dhe do të mbetemi të hapur për të forcuar bashkëpunimin rajonal si me Bashkimin Europian ashtu edhe me vendet e tjera të rajonit dhe padyshim me qeverinë gjermane, të cilën ne e vlerësojmë dhe e veçojmë për të gjithë kontributin direkt që ka dhënë në Ballkanin Perëndimor.
Shumë faleminderit për vëmendjen!