Konferencë e përbashkët e Kryeministrit Edi Rama me Përfaqësuesin e Bankës Botërore në Shqipëri, Emanuel Salinas - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Konferencë e përbashkët e Kryeministrit Edi Rama me Përfaqësuesin e Bankës Botërore në Shqipëri, Emanuel Salinas

Kryeministri Edi Rama: Ky është një komunikim shumë i veçantë sepse lidhet me një proces jo të lehtë edhe të gjatë bashkëbisedimi dhe negocimi me Bankën Botërore për të përcaktuar kornizën e re të partneritetit që është faktikisht programi i ri i zhvillimit me mbështetjen e BB për periudhën 2023-2027 për të cilën kemi marrë në dispozicion 900 milionë dollarë dhe të cilat do të shpërndahen sipas një sërë pikash.

 

Por ajo që dua të them para se t’i jap fjalën Drejtorit të Bankës këtu në Tiranë, është se jemi në kushtet e një faze të re në jetën ekonomike dhe sociale të vendit dhe kemi hedhur të gjitha bazat e nevojshme për të bërë një kapërcim tjetër, në funksion të objektivave tona të shpallura për vizionin “Shqipëria 2030’’.

 

Dhe do t’ju jap vetëm shumë pak shifra për të ilustruar çka thashë: mbani parasysh që të ardhurat për banorë në vit në Shqipëri janë rritur nga 3300 euro kur ne morën detyrën, në 6190 euro sot. 87.5 %, gati dyfish. E për të mos bërë krahasime të tjera me kur morëm detyrën, po bëjmë krahasime vetëm me veten dhe me vitin përpara krizës së madhe të pandemisë dhe gjithë atyre që pasuan.

 

Eksportet në Shqipëri, në vitin 2022 kanë arritur shifrën rekord 4.1 miliardë euro.  Pra kjo Shqipëria që s’ka punë, ku të gjithë ikin, që ka vetëm pleq, ka eksportuar 4.1 miliardë euro në 2022 , 57% më shumë sesa 2019, falë pikërisht punës dhe njerëzve të punës dhe falë konkretizimit të të gjithë atyre përpjekjeve që ne kemi bërë në mbështetje të sipërmarrjes dhe për të hapur rrugë të reja për njerëzit që prodhojnë dhe që eksportojnë.

 

Vetëm eksportet bujqësore janë rritur me 59%, krahasuar me 2019 dhe kanë prekur shifrën rekord të gjysmë miliardi dollar.

 

Eksportet e tekstileve dhe të këpucëve, dhe ato kanë arritur një shifër rekord, 1.15 miliardë.

Të ardhurat vjetore nga turistët e huaj në 2022 janë 2.84 miliardë euro, 36% më shumë sesa në 2019, ndërkohë që numri i turistëve preku 7.5 milionë.

 

Rritja e të ardhurave dy herë më shumë sesa numri i vizitorëve dhe kjo është shumë e rëndësishme. Pra vizitorët janë rritur me 36%, të ardhurat  nga vizitorët janë rritur dy herë, që tregon se është rritur numri i ditëve të qëndrimit dhe është rritur konsumi i tyre në Shqipëri.

 

Të ardhura vjetore nga eksporti i shërbimeve në IT, teknologji të lartë në 2022, eksport shërbimesh 156 milionë euro.

62% krahasuar me vitin 2019. Dhe e fundit, investime e huaja direkte, ne vitin 2022 janë rritur 29 % krahasuar me vitin 2019, 1.37 miliardë që është shifra më e lartë e arritur ndonjëherë me diferencë.

 

Rritja ekonomike pastaj në shifra, ju e dini, sepse e keni dhënë, dhe në fund dua të falënderoj edhe një herë Bankën Botërore për gjithë mbështetjen e saj në të gjitha vitet, por në mënyrë të posaçme dua ta falënderoj për këtë proces që kemi kurorëzuar tani. Në memorien time është procesi më i dialoguar, është procesi më i thelluar në çdo sektor dhe në çdo detaj dhe është procesi më jo konvencional që kemi bërë për të adresuar realisht të gjitha ato pika të organizmit, të vendit, dhe të jetës sociale dhe ekonomike të vendit që do të stimulojnë energji të reja zhvilluese.

 

Në fund të vitit 2019, në Shqipëri operonin 4270 ndërmarrje me kapital 100 % të huaj.

Në fund të vitit 2021 kanë operuar 5250 dhe në vetëm dy vite, pa hyrë në nga vijnë këto ndërmarrje, për të mos iu marrë më shumë kohë, po ia jap fjalën drejtorit të Zyrës së BB në Tiranë dhe me këtë rast falënderoj të gjithë stafin e Bankës Botërore këtu në Tiranë, shqiptarë dhe të huaj sepse realisht kanë qenë shumë aktivë dhe na kanë ndihmuar shumë edhe me sugjerimet, edhe me rezervat që kanë pasur në proces, edhe me kundërshtitë, derisa kemi arritur të kemi një kornizë për të cilën drejtori do të japë shpjegime më të qenësishme.

Përfaqësuesin e Bankës Botërore në Shqipëri, Emanuel Salinas Faleminderit shumë kryeministër! Një mëngjes mjaft i mbarë për të gjithë ju. Jam i kënaqur që gjendem këtu në emër të Bankës Botërore. Në fakt jemi mbledhur sot për diçka që asnjëherë nuk kemi pasur në historinë e partneritetit me Shqipërinë.

Banka botërore ka 30 vjet që punon në Shqipëri dhe kur kthejmë kokën pas shohim që është arritur shumë përmes bashkëpunimit, por sot donim të shënonim ngjarjen  e miratimit tw kuadrit të ri të partneritetit me vendin që në thelb përcakton kontratën tonë me ju, me Shqipërinë. Pra për çfarë angazhohet Banka Botërore që të realizojë për ju, gjithashtu dhe për popullsinë shqiptare në 4-5 vitet në vijim.

Në kuadër të këtij partneriteti jemi përqendruar apo jemi zotuar për t’u përqendruar në tre gjëra: më shumë vende pune më të mira për popullsinë shqiptare, por sidomos për rininë dhe për gratë. Mendojmë se është arritur shumë në këtë drejtim, por ka dhe shumë për t’u bërë. Ne e vendosim theksin tek pjesa më e mirë, pra punë më të mira sepse natyrisht ka tashmë vende pune që po krijohen, por ne mendojmë që në të ardhmen sfida jonë është që të krijojmë vende më të mira pune, mundësi më të mira, për të shfrytëzuar maksimalisht talentin e njerëzve këtu në vend dhe për të krijuar stimuj që njerëzit të qëndrojnë këtu dhe të kenë jetë produktive në vend.

Shtylla e dytë e strategjisë sonë përqendrohet tek kapitali njerëzor, forcimi dhe përdorimi më i mirë i kapitalit njerëzor. Dhe çfarë duam të themi me këtë është se siç e dimë të gjithë ne jemi të shqetësuar për numrin e personave që largohen nga Shqipëria dhe nga vendet e tjera të Ballkanit perëndimor, por ne mendojmë që së bashku mund të vazhdojmë trajektoren në kuptimin e forcimit të kapitalit njerëzor dhe jetët produktive në vend, duke vijuar me përmirësimit e shëndetësisë, së arsimimit, të mbrojtjes sociale dhe të shërbimeve publike gjithashtu.

 

Mendojmë që është arritur shumë në këtë drejtim. Kemi punuar së bashku me qeverinë e Shqipërisë për shëndetësinë gjatë këtyre viteve të fundit, sidomos për rindërtimin e spitaleve dhe gjithashtu dhe për përmirësimin e  cilësisë së shtrirjes së kujdesit shëndetësor te publiku. Por mendojmë që ka mundësi për të bërë më shumë në të ardhmen. Sa i takon arsimit jemi shumë të lumtur që të nisim të punojmë për të përmirësuar aftësisë digjitale për fëmijët dhe presim me shumë padurim për mundësi të tjera, për të bërë më shumë për këtë gjë.

Së treti, shtylla e tretë e strategjisë sonë përqendrohet tek qëndrueshmëria, rezistenca. Siç e dimë kur kthejmë kokën në 3 deri në 5 vitet e shkuara duket sikur çdo vit ka një krizë, një krizë të madhe. Ne e dimë që Shqipëria ka qenë e prekur nga këto kriza dhe ajo për të cilën do të punojmë së bashku me qeverinë është të rrisim rezistencën për krizat e ardhshme, rezistencë financiare të aseteve fizike, të përmirësimit të infrastrukturës për të ulur ndikimin e disa prej këtyre ngjarjeve në të ardhmen dhe sidomos edhe përmirësimin e menaxhimit të katastrofave në përgjithësi.

Jemi shumë të gëzuar që nisim këtë kuadër të ri partneriteti në mënyrë mjaft të konsoliduar. Në të njëjtën kohë ia kemi prezantuar këtë kuadër bordit në Washington dhe i kemi prezantuar 4 ndërhyrje të reja. Kjo është diçka që nuk është bërë, jo vetëm në Shqipëri, por askund në asnjë vend në rajon, në Europë dhe Azinë Qendrore, me gjasë as në rajonet e tjera. Për ne kjo është një dëshmi shumë e mirë e partneritetit të fortë që kemi, por po kështu e angazhimit mjaft të fortë të homologëve nga qeveria me të cilët ne kemi bashkëpunuar, për të arritur tek kjo pikë. Mund të shohim në vend te parë sesi njerëzit kanë punuar me orë e orë të gjata, kanë punuar nw fundjave, me një nivel mjaft përulës angazhimi për të  realizuar të gjithë këtë. Ky është vetëm një hap i parë. Pra është vetëm miratimi i projekteve dhe tashmë duhet të lëvizim drejt zbatimit. Por jemi mjaft të inkurajuar, jemi mjaft të përulur ndonjëherë, jemi mjaft të vetëdijshëm që po i marrim kohë kolegeve nga qeveria kur duam të punojnë përtej orarit të punës,  por njohim dhe pranojmë angazhimin e fortë të të gjithëve për të punuar në këtë pikë.

Siç e tha dhe kryeministri, kuadri i ri për partneritetin i vë në dispozicion Shqipërisë për 4 vitet në vijim 900 milionë euro, tranzhi i parë i projekteve është 360 milionë euro dhe presim një tjetër projekt që të miratohet së shpejti për 60 milionë euro. Për t’ju dhënë një ide të objekteve apo fushëveprimit të projekteve, së bashku me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjetikës kemi punuar për një projekt, i cili do të trajtojë urat në rrezik nga goditjet natyrore. Ka një sërë urash të tilla dhe duhet të lëvizim me shpejtësi për të përmirësuar rezistencën e këtyre urave. Është një program i fortë dhe mjaft i madh dhe jemi shumë të prirur që të nisim shumë shpejt me të. Ka një sërë urash që janë identifikuar tanimë.

Duke nisur qysh prej fillimit, së bashku me Ministrinë e Financave kemi punuar për të rritur rezistencën fiskale të Shqipërisë.  Por po kështu edhe për mbështetjen e rritjes së gjelbër të ekonomisë në të ardhmen përmes një pakete mjaft të konsiderueshme veprimesh dhe reformash dhe u jemi mirënjohës Ministrisë për udhëheqjen e tyre, jo vetëm në këtë ndërhyrje, por edhe në pjesën tjetër të programit.

Së bashku me Ministrinë e Bujqësisë ne do të punojmë për të rritur rezistencën e bujqësisë ndaj ndryshimit klimaterik dhe për të përmirësuar konkurueshmërinë e sektorit për të rritur jo vetëm vëllimin e eksporteve por edhe cilësinë e eksporteve drejt BE dhe tregjeve të tjera gjithashtu.

Më pas së bashku me zyrën e kryeministrit, AKSH-in dhe Ministrinë e Arsimit ne kemi përpiluar një projekt, i cili sheh për nga agjenda digjitale e brezit të ardhshëm që përfshin, jo vetëm arsimin elektronik, por dhe ofrimin e aftësive digjitale për fëmijët në nivel shkollor.

Ky është tranzhi i parë i projekteve  dhe do të kemi dhe një tjetër, i cili do të vijojë me shpejtësi dhe që do të përqendrohet tek Lumi i Vjosës. Është shumë inkurajuese që pamë së fundmi që ai u përcaktua si një zonë e mbrojtur dhe do të punojmë së bashku me Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit si dhe me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë për ndotjen e lumit dhe për marrjen e masave për t’u siguruar që lumi të mbetet i egër, por të mbete dhe i pastër në të ardhmen.

Ky është grupi i parë i projekteve, kemi shumë më tepër gjëra në mendje. Mendojmë se kufiri është veç qielli këtu në Shqipëri sepse duke parë nivelin e bashkëpunimit këtu ai ashtë krejt i pashembullt krahasuar me vende të tjera ku vepron Banka dhe iu jemi mirënjohës të gjithëve që e bënë të mundur këtë gjë.

Siç e thashë në fillim, angazhimi ndaj jush, ndaj Shqipërisë është për t’i realizuar të gjitha këto në mënyrën më të shpejtë, më pak të kushtuese dhe më efikase. Presim gjithashtu me padurim që ju të na mbani përgjegjës kur vjen fjala për realizimin dhe dhënien e burimeve të premtuara. Do të ndalem këtu. Faleminderit zoti kryeministër!

 

***

– Një pyetje për drejtorin e Bankës Botërore; besoj jeni njohur me vendimin e qeverisë për të rritur pagat në mënyrë domethënëse në administratën publike por edhe në nivele të tjera,  kategori të tjera. Në këndvështrimin tuaj, ky është një hap i cili ndihmon për të frenuar largimin e të rinjve, një problem që edhe ju e quajtët shqetësues apo do të rëndojë në buxhetin e shtetit duke rritur edhe më tej borxhin publik?

Përfaqësuesi i Bankës Botërore në Shqipëri, Emanuel Salinas: Vërtetë jemi njohur me këtë nismë. Dëgjoni, çështja e migracionit është komplekse. Po, pagat janë një pjesë e rëndësishme e saj, por po kështu kur shohim, kur flasim me të rinjtë, me njerëzi e sidomos të rinjtë, nuk është vetëm çështja e pagave në vetvete, por edhe çështja e të pasurit të mundësive për të zhvilluar aspiratat që ata kanë. Gjithashtu, edhe çështja për të pasur jo vetëm një punë të mirë, por dhe një punë që krijon një perspektivë duke ecur përpara.

 

Ne mendojmë se kur hedhim sytë pas për mënyrën sesi mund të trajtojmë kolektivisht çështjen e migracionit na duhet të theksojmë shumë rolin mundësues, pra për të mundësuar sektorin privat për të qenë më aktiv në vend dhe ne mendojmë se ka shumë investime private që po kryhen tashmë, por mendojmë që ka më shumë potencial për të sjellë në vend investime të cilat do të krijojnë vende më të mira pune, që do të krijojnë mundësi për ta lidhur vendin me zinxhirët vlerorë ndërkombëtarë dhe gjithashtu edhe për mënyrën sesi zhvillohet prodhimi në vend.

Aktualisht ka një nivel shumë të lartë prodhimi që mbështetet tek lënda e parë dhe që mbështetet tek niveli i ulët i aspektit teknik kështu që, së bashku na duhet të ecim drejt një niveli më të lartë prodhimtarie, një niveli më të lartë novacioni e kështu me radhë.

Na duhet po kështu ta shohim si një rrugëtim ku shumë gjëra duhet të vendosen në vendin e duhur që të kemi gjëra të tjera që ndodhin. Jam i kënaqur që kemi nisur bashkëbisedimin me Ministrinë e Financës për këtë çështje në veçanti dhe mendoj që na duhet të harmonizojmë, t’i vëmë të gjitha ato copëza që duhet të jenë në vendin e tyre, duhet t’i vëmë në harmoni me njëra-tjetrën.

Sa i takon pagave, në këtë pikë edhe sipas nesh, pra siç e kuptojmë ne, ka një paketë masash që përfshijnë jo vetëm vlerësime për shpenzimet, por edhe për përmirësimin e mbledhjes së të ardhurave dhe mendojmë se kjo është e rëndësishme për tu marrë si pjesë e kësaj pakete.

Kryeministri Edi Rama: Nuk ka asnjë lidhje dhe nuk ka se si të ketë në fakt mes rritjes së pagave dhe rritjes së borxhit sepse ne nuk do të marrim borxh për të rritur pagat, përkundrazi, do t’i rrisim pagat dhe do të vazhdojmë të ulim borxhin, sikundër e kemi ulur gradualisht dhe sikundër kemi ecur konform gjithë planit të stabilitetit makro-ekonomik në aspektin e borxhit.

Rritja e pagave është sot një domosdoshmëri e mundshme; ka qenë domosdoshmëri edhe më parë, por nuk ka qenë e mundur, por sot është e mundur sepse kemi arritur rezultate domethënëse në të gjithë procesin e ngritjes së bazës mbi të cilën rrisim pagat. Ato shifra që iu dhashë janë arsyeja pse rriten pagat, nuk është borxh. Shifra që ju dhashë janë arsyeja pse rriten pagat.

Ato shifra që patë nga të ardhurat e turizmit për shembull dhe nga të ardhurat e eksporteve dhe nga të ardhurat e punës janë arsyeja pse rriten pagat sot dhe është një rritje që është shumë e lartë, në raport me të gjitha rritjet e bëra në të shkuarën, por është një rritje absolutisht e mire kalkuluar dhe shumë e qëndrueshme.

Përsa i përket kësaj këngës së ikjeve, ishim në Veneto në Verona për Panairin e Verës, Verona është në rajonin më të pasur të Italisë, që ka një prodhim të përgjithshëm bruto 150 miliardë dhe që ka 5 milionë banorë dhe në 5 milionë banorë, ka 600 mijë ndërmarrje dhe kemi pasur një darkë pune me guvernatorin dhe e dini cili është shqetësimi kryesor i rajonit më të pasur të Italisë dhe i guvernatorit? Largimi i mjekëve, largimi i specialistëve të nivelit më të lartë.

Tani, pse ikin mjekët dhe specialistët e nivelit më të lartë nga rajoni më i pasur i Italisë, se ka korrupsion, se ka krim, se nuk ka shërbime? Jo, ikin sepse kjo është koha që jetojmë, ku të gjitha produktet e globalizmit që vijnë nga qendrat më të pasura arrijnë deri në zgëqen më të thellë të fshatit më të largët të vendit më të pazhvilluar dhe e ngrenë peshë atë 20 vjeçarin që është aty dhe i thonë “hajde”.

Njerëzit, siç e tha drejtori, shkojnë sepse kjo kohë që jetojmë e bën të mundur që aspiratat më të larta të ndiqen duke shkuar në vendin ku janë të ardhurat më të larta. Nuk ka asnjë çelës magjik dhe nuk ka asnjë forcë që të përmbysë këto lloj trendesh të kësaj kohe. Duhet vetëm hap pas hapi të bëjmë progresin që mund të bëjmë, të bëjmë gjithçka që është e mundur që të bëjmë progres dhe kjo rritje pagash që po bëjmë do të ndihmojë shumë, por nuk do ta frenojë globalizmin dhe nuk do të frenojë trendët, që janë trende historike të kohës. Flitet gjithmonë për të ikurit. Shifrat që përmenden për ikjet e bëjnë atë 7×7=42 që të jetë algjebër, jo lajthitje aritmetike, por askush nuk flet për shifrat e atyre që kthehen.

Në vitin 2022 ne kemi pasur numrin më të lartë të kthimeve krahasuar me më parë dhe sigurisht që ka më shumë ikje sesa kthime, por ka edhe kthime që rriten paralelisht. Kështu që, nuk kemi pse habitemi, por thjesht duhet të ulim kokën dhe të punojmë e të punojmë që gjërat të bëhen më mirë, siç po bëhen më mirë përditë, por po bëhen më mirë përditë jo në sensin që Shqipëria po bëhet Londër apo po bëhet Berlin apo po bëhet Paris, megjithëse jemi sot në kushtet që nuk mund të qahemi nga plehrat rrugëve siç po qahen të gjithë parisienët, për shembull, por kjo është e përkohshme.

 

– Në Shqipëri është diskutuar shpesh amnistia fiskale. Më herët, ndërkombëtarët si FMN dhe Banka Botërore apo edhe institucione të tjera ndërkombëtare financiare, janë shprehur kundër kësaj nisme. Ju si përfaqësues i Bankës Botërore a keni një koment për këtë çështje? Faleminderit.

Përfaqësuesi i Bankës Botërore në Shqipëri, Emanuel Salinas: Siç e përmenda më parë, në po punojmë ngushtë me Ministrinë e Financave. Për mua duhet ta shohim tablonë më të gjerë për këtë dhe tabloja më e gjerë, ka të bëjë me qëndrueshmërinë fiskale për vendin. Kur shohim trajektoren e Shqipërisë, shohim që janë bërë shumë përpjekje për të krijuar amortizues fiskalë dhe për të trajtuar ato çështje me të cilat vendi përballet shumë shpesh, për shembull në rastin e krizave e kështu me radhë.

Bashkëpunimi që kemi pasur me Ministrinë e Financave e që ka qenë shumë produktiv, kërkon të shohë këtë tablo më të gjerë, pra çfarë duhet të bëjmë në mënyrë të përbashkët për të rritur këto amortizues fiskal që i duhen vendit për të qenë në gjendje që t’u përgjigjet jo vetëm kërkesave në vazhdimësi, por gjithashtu edhe situatave të papritura. Ky është një element.

Pjesa e dytë  e bashkëpunimit tonë është përqendruar po kështu tek menaxhimi i borxhit sepse ne e dimë se një pjesë e të qenit në gjendje për të pasur elasticitet fiskal dhe për ta pasur shtëpinë në rregull kur bëhet fjalë për çështjet fiskale, është marrja parasysh e të ardhurave dhe shpenzimeve, por po kështu edhe për t’i pasur nën kontroll.

Ajo çfarë kemi parë gjatë këtyre viteve të fundit është se këto përpjekje kanë dhënë rezultat, sepse kur sheh numrin e goditjeve që Shqipërisë i është dashur të përballojë gjatë viteve të fundit, e kuptoni që Shqipëria ka dalë nga këto goditje, në një mënyrë shumë më pak të dhimbshme sesa vendet e tjera në rajon , kështu që ky kujdes fiskal ka dhënë rezultate. Menaxhimi i borxhit ka dhënë rezultate, sidomos tani në kontekstin e normave shumë të larta të interesit, kështu që unë mendoj se duhet të shohim në mënyrë konstante këtë tablo më të gjerë. Dialogu që kemi me qeverinë është shumë produktiv dhe shumë i hapur. Si partnerë në zhvillim, ne gjithmonë vijmë me sugjerime, ne shprehim sugjerime, këshillat tona që janë në më të mirën e njohurive tona teknike dhe pastaj punojmë së bashku me autoritetet për të zbatuar gjithçka që mundemi nga këto pikëpamje në kuadrin e ekspertizës teknike që kemi.

Një përgjigje shumë e gjatë për këtë, por sërish për mua është e rëndësishme që të shihet tabloja e gjerë dhe po të shihet tabloja e gjerë për qëndrueshmërinë financiare fiskale të Shqipërisë, në mendojmë që është bërë shumë punë e mirë dhe mendoj që gjithë vendi përfiton nga këto vendime të së shkuarës, për të trajtuar vështirësitë siç natyrisht edhe tani.

 

–  Zoti Kryeministër, ju deklaruat që keni marrë tashmë një nismë për të rritur pagën në administratë, po në sektorin privat a është menduar ndonjë skemë për ta nxitur këtë gjë?

Kryeministri Edi Rama: Siç ju e keni parë, ne kemi bërë atë që qeveritë bëjnë dhe mund të bëjnë në kushtet e një sistemi të ekonomisë së tregut. Kemi vendosur pagën minimale ta rrisim në mënyrë të vazhdueshme dhe e kemi rritur përtej të gjitha parashikimeve të bëra në programet elektorale, jo vetëm programin tonë, por edhe programet e të tjerëve dhe kini parasysh që të tjerët i kanë programet elektorale shumë më të guximshme se e dinë që s’do kenë gjë në dorë dhe premtojnë nënë e babë, kur i thonë fjalës, por edhe të tjerët maksimumin e pagës minimale për këtë mandate, e parashikonin 38 mijë lekë. Sot ne e kemi 40 mijë lekë dhe në fund të mandatit do ta kemi 45 mijë lekë, ky është qëllimi, ose më saktë që ta them që sot që të mos thoni e bëri për zgjedhje, në fillim të vitit 2025, se përkojnë.

Ndërkohë kemi nisur një proces që e keni parë, kontaktesh me kompanitë , me sektorët për të bërë atë që mundemi, lidhur me luftën e domosdoshme që do t’i bëjë kjo shoqëri si e tërë dhe jo vetëm qeveria,  por edhe sipërmarrja, por edhe ju, idesë së shfrytëzimit të krahut të punës. Ka qenë një fazë që është e tejkaluar sot, kur Shqipëria e ofronte krahun e lirë të punës si avantazh. Sot nuk është më dhe nuk mund të jetë më ky avantazhi ynë. Përkundrazi, ky është shfrytëzim, abuzim dhe shkelje e të drejtave të punonjësve të cilët duhet të marrin atë që u takon dhe ajo që u takon është më shumë sesa ajo që marrin, qoftë kur e marrin të tërën drejtpërdrejtë, qoftë kur e marrin një pjesë drejtpërdrejtë dhe një pjesë nën dorë.

Ne nuk mund të pranojmë dhe po përgatisim edhe parashikimet ligjore, kompani ndërtimi të cilat paguajnë punëtoret majë skelave, me pagë minimale, se ky nuk është më asgjë tjetër përveç se shfrytëzim që shkon në dëm të punëtorit, që shkon në dëm të kompanisë, që shkon në dëm të vendit, që shkon në dëm të së ardhmes dhe disa sipërmarrës në Shqipëri po e bëjnë si ai gomari, ose më saktë si ai i zoti i gomarit që i ngordhi kur tha “sapo e mësova që të mos hajë, më ngordhi” dhe fatmirësisht një pjesë e mirë e shëndetshme e sipërmarrëseve, e ka kuptuar që nuk mund të vazhdojë më të ketë pagën e ulët instrument për fitimet e veta dhe kanë rritur pagat në mënyrë të ndjeshme. Sot ka paga të larta në shumë kompani, por masa që do të marrim ne, është që nuk do të marrin dot leje ndërtimi, nuk do të marrin dot asnjë tender, nuk do të nënkontraktohen dot kompani të cilat i kanë punëtorët e tyre të ndërtimit me paga minimale që janë komplet ose skllavëruese ose të gënjeshtërta, sepse një pjesë i paguajnë pastaj nën dorë duke i vjedhur punëtorëve të drejtën e shëndetit dhe të drejtën e pensionit. Për çfarë? Për të fituar ata më shumë?  Po ku do i çojnë? Se i kanë fituar për 3-4 breza po njëherë. Ça do t’i thonë Shën Pjetrit kur të shkojnë ta takojnë?

Kështu që patjetër që do të marrim masa. Nuk është e lehtë sepse është tjetër sistem dhe nuk po i hyj pastaj se si nganjëherë na dalin në mes të rrugës edhe disa ‘’gjykatës’’ që për arsye të mos arsyes, kanë filluar të fillojnë të mendojnë se mund të bëjnë edhe pushtetin ekzekutiv, por kjo është temë tjetër me të cilën do të merremi, patjetër, kështu që sigurisht që do të bëjmë maksimumin edhe për punonjësit në sektorin privat. Është një kohë e mirë për Shqipërinë, është një kohë kur shumë re që qëndronin mbi kokat tona, kanë filluar të shpërndahen. Sigurisht që duhet shumë punë akoma, duhet të fryjë shumë erë akoma progresi për t’i shpërndarë plotësisht. Re të tjera do të kemi sepse gjithmonë çdo vend ka probleme të natyrave të ndryshme, por sot kemi për shembull, marrëveshjet konkrete në këtë plan, në këtë program me Bankën Botërore, që janë marrëveshje që shkojnë në afro 400 milionë dollarë për momentin, që nga mbështetja buxhetore për të zbatuar reformat, që është një gjë shumë e rëndësishme, tek projekti i urave. Urat nuk janë prekur prej shumë vitesh, për pamundësi. Janë vepra të rëndësishme inxhinierike që rrezikojnë. Po duke rrezikuar urat, rrezikojnë dhe shumë gjëra të tjera, larg qoftë edhe jetë njerëzish dhe erdhëm edhe në ditën që të prekim dhe urat që do të thotë që kemi shkuar përpara me mundësitë, pa harruar njerëzit.

Te bujqësia duam të bëjmë më shumë. Ne duam të shkojmë në 1 miliard eksporte në 2030-ën.

Sa për një informacion të vogël, për të gjithë ata që e shikojnë fshatin as nga televizori jo, po nuk e di se nga e shikojnë dhe nuk dinë se çfarë bëhet në fshat që thonë, “s’ka njerëz në fshat se kanë ikur të gjithë, se nuk prodhohet e nuk bëhet”. Sot Shqipëria eksporton shumë më tepër se ç’eksportonte në kohën kur kishte kthyer dhe kodrat në toka pjellore. Sa për një informacion.

Ne sot eksportojmë në bujqësi më shumë sesa atëherë, që të jemi të qartë dhe te mbështetja për laboratorët “smart” të fëmijëve nëpër shkolla. Kemi premtuar që do t’i pajisim. 1 mijë laboratorë do të bëjmë për fëmijët dhe me këtë program, me Bankën Botërore kemi nënshkruar 200 prej tyre. Një pjesë tjetër është në proces me institucione të tjera financiare dhe një pjesë tjetër me qeverinë shqiptare dhe me të ardhurat e tjera që do të vijnë nga ligji i ri i basteve sportive që do financojë drejtpërdrejt sportin, kulturën dhe teknologjinë për të rinjtë.

 

– Organizata ndërkombëtare si Transparency International e rendisin qeverinë shqiptare si një qeveri e korruptuar. Me një ish-ministër rendi në burg për trafik droge, një ish-ministër tjetër në burg për korrupsion dhe ish zv/kryeministri nën hetim me akuza për korrupsion. A mendoni se kjo mund të jetë vetëm një perceptim apo është shenjë e një qeverisje jo të mirë?

Përfaqësuesi i Bankës Botërore në Shqipëri, Emanuel Salinas: Nuk mund të flas për treguesit e organizatave të tjera. Mendoj që nga ana e Bankës Botërore ne jemi të vëmendshëm dhe jemi të vetëdijshëm që qeverisja është një punë në progres dhe duam të kontribuojmë për këtë dhe përmirësimi i qeverisjes është pjesë e vlerave tona dhe pjesë e objektit të punëve tona. Ajo çfarë dua të them është që sa herë që bashkëpunojmë me qeverinë në çdo projekt, ne jemi plotësisht të kënaqur që gjithçka qysh nga fillimi e deri në fund të këtij projekti është tërësisht transparente. Është e qartë që paratë i alokohen në mënyrë të përsosur edhe qartë dhe ne e dimë se si përkthehen këto para në rezultate. Kështu që, për ne kurdo që shohim mundësi të punojmë së bashku për të përmirësuar institucionet, jo vetëm në kontekstin e projekteve që ne mbështesim, por edhe në një objektiv më të gjerë, jemi shumë të lumtur ta bëjmë këtë gjë.

Ajo çfarë mund t’ju them është që përvoja jonë në Shqipëri me projektet që kemi zbatuar është në përputhje me të gjitha standardet e procedurat tona, që përfshin prokurimin, transparencën, qeverisjen e kështu me radhë. Ne jemi mjaft të prirur të punojmë bashkë me qeverinë për të përmirësuar qeverisjen edhe një herë në kuadër të atyre aftësive ku Banka Botërore mund të kontribuojë. Për t’ju dhënë një shembull të mirë për këtë. Puna që po bëjmë për qeverisjen elektronike është një kontribut i mirë për këtë. Përmes qeverisjes elektronike, mendoj se ka tashmë një rezultat shumë të mirë në uljen e mundësive për ryshfete kur njerëzit shkojnë të marrin dokumente qeveritare, apo leje apo gjithfarë ju duhen në një pikë të caktuar. Për mua kjo është një mënyrë produktive për të trajtuar këto çështje sepse këto përkthehen jo vetëm në uljen apo eliminimin e këtyre mundësive për korrupsion, por po kështu edhe në kursim mjaft të rëndësishëm për persona të cilët ndërveprojnë me qeverinë, me një sërë autoritetesh dhe agjencish. Kjo është diçka që për ne është tashmë e prekshme në jetën reale ndaj mendoj që ne këtë e shohim si shembull të mirë të llojit të kontributit që ne po i sjellim kësaj çështjeje dhe si pjesë e dialogut që po zhvillojmë me autoritetet, ne jemi të hapur në mënyrë konstante për të krijuar më shumë mundësi, për të kontribuar më tej për këtë çështje edhe një herë në kuadër të instrumenteve dhe të mjeteve që kemi në dispozicion.

Për të qenë i ndershëm më duhet të them se kur kthej kokën pas për bashkëpunimin tonë, për qeverisjen elektronike, për e-albania-n ka arsye për të qenë krenar për rezultatet e arritura, por ka dhe shumë për të bërë, por mendoj se kemi një fillim shumë të mirë dhe një trend shumë të mirë me potencialin për të bërë shumë më  tepër duke shkuar përpara.

 

Kryeministri Edi Rama: Dua të shtoj diçka këtu se pyetja ishte mbresëlënëse. E para, Transparency International nuk flet për qeverisje të korruptuar që të jemi të qartë sepse natyrisht, detyra numër një e çdokujt që ka një mikrofon, një penë, një gojë në publik është të mos shtrembërojë burimin e informacionit mbi të cilin ngre argumentet. Transparency International flet për korrupsionin i cili nuk është një fenomen pjesor, por është një fenomen i përgjithshëm dhe nuk thotë: qeveria, merr të gjithë sektorët e jetës, të gjitha pushtetet, pushtetin ekzekutiv, pushtetin gjyqësor dhe pushtetin e katërt që është media, që është një tjetër vatër korrupsioni, që patjetër duhet edhe ajo të pastrohet, jo nga qeveria, por nga auto-rregullimi i famshëm. Është korrupsion i një niveli kriminal sepse është i bazuar te shantazhimi, është i bazuar te gjobvënia e bizneseve, gjobvënia e aktorëve publikë për përfitime financiare, të padeklaruara kuptohet se janë kriminale. Siç nuk është e gjithë media kështu, sepse ka media që bëjnë detyrën e tyre, për shembull unë s’jam fare dakord me ju, por mua nuk më shkon mendja që të them që ju dhe media juaj është e korruptuar dhe ka lidhje me korrupsionin, në rastin konkret. Brenda pushtetit të katërt ka segmente shumë të korruptuara deri edhe kriminale. Pastrim parash dhe evazion fiskal me përmasa të mëdha. Folëm për shfrytëzim të punës dhe shfrytëzim të punonjësve. Shfrytëzimi i gazetarëve në Shqipëri është pjesë e kësaj, patjetër. Jo te të gjithë, jo për të gjithë. Kështu që, atë Transparency International thotë që qeverisja është e korruptuar dhe ju bashkëpunoni, atë, mos ia thoni as vetes jo më publikisht sepse në fund të ditës mos harroni që jemi të gjithë shqiptarë dhe këto pyetje që i bëhen të huajve dhe këto muhabete që u tregohen të huajve, janë një nga arsyet që vuan imazhi i Shqipërisë.

E dyta, çfarë do të thotë kjo, një ministër në burg, dy ministra në burg, tre ministra në burg, një zëvendës kryeministër nën hetim, që nuk është akoma zyrtarisht, çfarë do të thotë kjo? Është pozitive kjo në luftën kundër korrupsionit apo është negative? Çfarë keni pritur ju nga Reforma në Drejtësi, se unë që e kam ideuar dhe e kam udhëhequr bashkë me Partinë Socialiste që qeveris prej 9 vjetësh e kusur, unë këtë kam kërkuar. Ju çfarë keni pritur nga Reforma në Drejtësi? Keni pritur nga Reforma në Drejtësi të konfirmojë që të gjithë janë engjëj apo keni pritur nga Reforma në Drejtësi që të provojë që të gjithë janë djaj?

Për këtë e kemi bërë Reformën në Drejtësi; që të mos ketë të paprekshëm, që drejtësia të funksionojë e barabartë për të gjithë dhe që të ndodhë ajo që nuk ka ndodhur qysh se ka pasur shtet shqiptar; që njerëz të lidhur me pushtetin aktual të shkojnë dhe në burg.

Për këtë e kemi bërë Reformën në Drejtësi, unë për këtë e kam bërë. Në qoftë se ju e keni mbështetur për ndonjë gjë tjetër, unë nuk e di.

Nuk ka ndodhur kurrë në historinë e Shqipërisë, është dashur të vijë kjo qeveri dhe është dashur të vijë kjo mazhorancë sot që të luftohet korrupsioni nga drejtësia pa i hyrë kurrë në mes pushteti politik dhe ekzekutiv drejtësisë.

Më tregoni një rast në historinë e Shqipërisë që një ministër ka shkuar në burg, duke qenë në detyrë apo jo, por duke qenë ministri i pushtetit aktual? Sigurisht, përjashtoni pjesën kur Sekretari i parë i Partisë i pushkatonte se ajo është tjetër gjë. Ma tregoni kur?

Në të gjitha anketimet që kemi bërë përpara Reformës në Drejtësi, pyetjes “A e mendoni se do arrini ditën kur një njeri i veshur me pushtet do të shkojë përpara drejtësisë”, nuk e di sesa përqind i përgjigjeshin “Jo, nuk ka shans sepse ata që janë të lidhur me pushtetin janë të paprekshëm”.

Janë të gjithë të prekshëm. Kështu që, kjo është gjëja më pozitive dhe nuk është diçka për t’u marrë si arsye për të pyetur Bankën Botërore që “Si mund të bëni ju një program me këta që kanë njerëz që janë brenda në burg”. Është e paimagjinueshme kjo lloj logjike. Më falni që po jua them, por e kam pak problem këtë ngatërrimin e punëve të brendshme me punët e jashtme unë.

E fundit që kam është që programi ynë, kjo kornizë partneriteti me Bankën Botërore është korniza më domethënëse dhe kuptimplotë për ata që duan të lexojnë me sytë e dashurisë për këtë vend, jo për qeverinë, fare, se qeverinë nuk e dua as unë e jo më ta doni ju. Qeveria nuk është për t’u dashur; qeveria është për t’u vënë aty që të punojë dhe për të bërë punën në respekt të njerëzve, ama vendi është aty për t’u dashur dhe po ta lexoni këtë kornizë partneriteti me sytë e dashurisë për Shqipërinë dhe jo me këto paragjykimet banale të 100 vjetëve, do të shikoni që keni shumë arsye që sot të dilni të gëzuar nga dita e punës dhe aftësia për t’u gëzuar është aftësi e veçantë e njeriut.

 

-Zoti kryeministër, si do t’i përgjigjet politika e rritjes së pagave politikës së ndryshimit të pensioneve? Ju parashikoni një pagë mesatare 900 euro në vitin 2025. Po për pensionin. Si do t’i përgjigjet ndryshimit të pensioneve?

Kryeministri Edi Rama: Përgjigjen për pensionet, në radhë të parë, duhet ta japë çdo individ që e kërkon, duke filluar nga ti. Ia kërkon ti punëdhënësit tënd të ta japë pagën e plotë, me sigurime shoqërore aq sa janë dhe me sigurime  shëndetësore aq sa janë apo jo? Kjo është pyetja e parë që do t’i bëjë çdo njeri vetes kur mendon për pensionistët sepse të mendosh për pensionistët me një sens keqardhjeje është shumë e thjesht, por për pensionistët mendohet, në radhë të parë, duke i kërkuar deri në fund punëdhënësit sigurimet shoqërore dhe duke i dhënë punëmarrësit sigurime shoqërore.

Pensionet janë diçka tjetër nga pagat. Pensionet janë rezultati i kontributeve individuale të çdo njeriu që punon, në vite. Pensionet nuk janë të lidhura me taksat, janë të lidhura me kontributet. Sa më shumë të kontribuojnë për pensionet, aq më shumë do kemi pensione dhe gropa e krijuar nga mungesa e kontributeve, nga mashtrimi, nga shmangia, nga fshehja, nga ikja në raport me sigurimet shoqërore është një gropë që nuk e mbush dot një qeveri, sado t’i ketë në vëmendje pensionistët në një kohë që është shumë e shkurtër kjo kohë, në raport me gjithë vitet dhe dekadat që janë dashur për ta hapur atë gropë.

Kështu që, rritja e pensioneve është objektivi i radhës, pas rritjes së pagave, nuk diskutohet. Ambicia ime është që të mos iki nga ky vend ku jam ulur pa i rritur dhe pensionet, jo këto rritjet e vogla, por pa i rritur në mënyrë të ndjeshme, por që të jemi shumë të qartë; kur flasim për pensionet kijeni parasysh që nuk është çështje dëshire, as për pagat, se ndjek komentet, ndjek analizat dhe duket sikur ne kemi një thes të fshehur nga ku ne mund të nxjerrim paga minimale 60 mijë lekë të reja dhe mund të nxjerrim pensione minimale 35 mijë lekë të reja. Njerëzit, ata që merren me komente e komentojnë si një gjë më normale e pastaj fillojnë ato sharjet e ato komentet “Po ju nuk e bëni”.

Po nuk ekziston kjo, nuk ekziston një kryeministër në botë, edhe më i keqi, që të mos dojë të rrisë pagat dhe pensionet çdo ditë, por dhe një kryeministër e një qeveri që i rrit pagat e pensionet jashtë mundësisë, atë gropën e kthen pastaj në një humnerë ku bie gjithë shteti, siç ra kur u ngritën piramidat financiare. Piramidë, pa bazë.

Kështu që, objektivi ai është, i radhës. Rritja e pagave na bën të marrin frymë të lehtësuar në raport me një detyrim të mbartur prej vitesh për njerëzit që nuk kemi patur mundësi ta përmbushim ashtu siç do donim sepse i kemi rritur pagat në mënyrë të vazhdueshme 5%, 7%, 10%, 12% por kjo rritje i tejkalon të tëra dhe të arrijmë ne në pagën mesatare 900 euro në harkun e këtyre, praktikisht në harkun e një viti e pak, është realisht puna e 10 viteve.

Që të arrijmë të rrisim pensionet, duhet të vazhdojmë të luftojmë fort për rritjen e kontributeve. E dini ju, se flasim për taksa, e dini ju që Shqipëria ka nivelin më të ulët të kontributeve shëndetësore dhe shoqëron në rajon në Ballkan? Se flitet për rroga, flitet për taksa. Kemi nivelin më të ulët të kontributeve edhe pse kemi kontributet më të ulëta shëndetësore dhe shoqërore, siç kemi dhe taksat më të ulëta. Siç kemi dhe taksat më të ulëta.

 

– Një pyetje për drejtorin e Bankës Botërore. Janë publikuar disa dokumente të cilat tregojnë për para ruse të padeklaruara, të cilat kanë penetruar në ekonominë shqiptare përmes financimit të disa partive politike opozitare. Në vlerësimin tuaj si kanë ndikuar këto para ruse në ekonominë shqiptare dhe a rrezikon Shqipëria nga influenca financiare ruse?

Përfaqësuesi i Bankës Botërore në Shqipëri, Emanuel Salinas: Nuk jam në dijeni të këtyre dokumenteve. Sigurisht ne nuk kemi ndërmarrë asnjë analizë të asnjë financimi rus që ka hyrë në Shqipëri, kështu që nuk kam ndonjë pikëpamje për këtë sepse nuk kam informacion.

Kryeministri Rama: Kjo nuk është një pyetje edhe pse është një pyetje që është pyetja e ditës faktikisht për opinionin publik dhe e vërteta e hidhur është që po. E vërteta e hidhur është që këto rubla paskan qenë shejtan i madh. Na kanë marrë shokë, na kanë marr shoqe në qafw. Por përtej çfarë thoni ju, përtej çfarë mund të komentojmë ne, Banka Botërore nuk hyn këtu, por edhe ne të tjerët. Kjo drejtësia e re do t’i japë përgjigje kësaj se kjo është një çështje e një urgjence të madhe kombëtare dhe ndërkombëtare. Ne jemi vend i NATO-s dhe kjo përzierje me konto, e me “offshore”, e me lidhje kanalesh që çojnë para në drejtim të partive që këtu duan të sjellin lirinë, është problem shumë i madh të cilin drejtësia e re duhet ta adresojë më urgjencë.

Unë e kuptoj që janë me rendësi dhe arkat me peshq që mund të merren për të gatuar pa paguar peshkun në fundjavë dhe edhe arkat me peshk nuk duhen marrë dhe duhen dënuar ata që i marrin, por kjo nuk është më punë peshqish, është punë peshkaqenësh që kanë hyrë në territorin e vendimmarrjes në Shqipëri dhe që kanë hyrë në procesin e zgjedhjeve në Shqipëri duke paraqitur kandidatë dhe kandidate peshkaqenë. Me këtë duhet të merret drejtësia, se s’është çështja, ne mund të themi çfarë të duam, por drejtësia do të merret me këtë punë.

Shumë faleminderit për pyetjet. Shpresoj që përgjigjet të kenë qenë interesante. Kornizën e partneritetit që mbase nuk do keni durimin ta lexoni se keni punë më të rëndësishme për të bërë, e keni në dispozicion. Nëse doni të merrni pak frymëzim nga Shqipëria lexojeni sepse do të shikoni që është vërtetë një hap jashtëzakonisht përpara dhe për këtë arsye dhe ne erdhëm këtu. Faleminderit!

 

Previous Forumi Ndërkombëtar i Turizmit në Tiranë, Kumbaro: Shqipëria kandidon për Këshillin Ekzekutiv të UNWTO, në tre muajt e parë të vitit 59% më shumë vizitorë