Kryeministri Edi Rama: Faleminderit dhe mirë se erdhët në Tiranë të gjithëve ju që vini nga rajoni. Gjendem këtu së bashku me Komisionerin Varhelyi, Komisionerin tonë, i cili na ka shoqëruar gjatë gjithë rrugëtimit dhe ka qenë kyç në këtë ndryshim mjaft të rëndësishëm të paradigmës. Për herë të parë të gjithë ne në Ballkanin Perëndimor biem dakord se Bashkimi Europian nuk po bën vetëm punën e zakonshme, por po shkon një hap më tej për t’u afruar me ne, për të na mbështetur në rritjen tonë ekonomike dhe integrimin tonë me një plan të ri të rritjes, i cili faktikisht është një nismë e konceptuar jashtë kornize.
Ky është rezultati i dialogut, ky është rezultat i nxitjes nga ana jonë për t’u dëgjuar, për t’u kuptuar sa u takon vështirësive tona, argumenteve tona dhe ideve tona.
Falë këtij shkëmbimi të ndërsjellë pikëpamjesh kemi arritur këtë objektiv shumë të rëndësishëm për të futur në procesin tradicional të integrimit diçka të re, diçka të re që është mjaft konkrete dhe që mund të na çojë në një nivel tjetër shumë më shpejt. Plani i ri i Rritjes është një platformë kyçe për të përshpejtuar hyrjen tonë në BE. Është një instrument që do ta bëjë këtë proces të prekshëm për njerëzit.
Solla shembullin e kostos së transaksioneve financiare. Ne në Shqipëri, por edhe në të gjitha vendet e rajonit kemi shumë njerëz që jetojnë jashtë. Duke punuar jashtë ata vazhdojnë të ndihmojnë të afërmit e tyre, prindërit e tyre, familjet e tyre në atdhe. Për çdo para që ata dërgojnë kostoja e transaksionit është 6 herë më e lartë krahasuar me koston e transaksioneve në para midis shteteve anëtare të BE.
Plani i ri rritjes do të na lejojë ta çojmë këtë kosto në të njëjtin nivel me atë të shteteve anëtare, çka nënkupton se do të kursejmë vetëm me këtë, gjysmë miliardë euro. Do të kursehen nga xhepat e qytetarëve tanë dhe do të kursehen nga kostot e bizneseve tona dhe kjo është vetëm një prej këtyre gjërave, ka shumë të tjera të cilat janë pjesë e këtij plani të ri të rritjes i cili na jep mundësinë të kemi kushte dhe procese që janë krejt të njëjta me ato të shteteve anëtare.
Këto gjëra zakonisht kanë ndodhur kur një vend bëhej anëtar, tanimë ato po ndodhin përpara se ne të bëhemi anëtarë. Ana tjetër e Planit të ri të Rritjes është financimi. Më shumë financim për projekte dhe për buxhetet tona.
Kështu që jam shumë i kënaqur qe arritëm në këtë pikë. Nuk ka qenë e lehtë, por është vërtetë mjaft shpërblyese.
Nga ana tjetër, përpara se t’i jap fjalën Komisionerit për të shtjelluar më tej dua t’ju them se të gjithë ato përpjekje qe ne kemi bërë përgjatë 10 vjetëve për të ecur drejt integrimit rajonal, përmes Planit të ri të Rritjes, tanimë duhet të ndodhin pa “por” apo pa arsye politike për të mos bërë marrëveshje, e kështu me radhë.
Dua të përfitoj nga ky rast për t’ju thënë të gjithëve se kur flisnim herë pas herë sa e rëndësishme ishte të ecej më shpejt përmes rrugëtimit rajonal e për të arritur më pranë njëri-tjetrit me marrëveshjet ndërkufitare për lëvizjen e kapitalit, të shërbimeve, të mallrave, të njerëzve, tanimë është e qartë që po të kishim bërë më shume më përpara, do të kishim qenë edhe më pranë tani.
Pra, integrimi europian shkon përmes integrimit rajonal. Kjo nuk ha aspak diskutim. Nuk është diçka e debatueshme dhe Plani i ri i Rritjes e vulos një gjë të tillë. Kështu që, të gjitha gjepurat që kemi dëgjuar për Ballkanin e Hapur, për këtë apo atë tjetrën, janë tashmë qartësisht të ekspozuara si gjepura sepse kjo është rruga.
Tashmë me Planin e ri të Rritjes dhe sot patëm edhe një deklaratë të përbashkët që çdo vend, të gjashta vendet kanë rënë dakord që kjo është diçka që duhet ta bëjmë dhe nuk ka rëndësi se çfarë problemesh politike kemi me njëri-tjetrin, nuk kanë rëndësi. Ne duhet ta bëjmë këtë gjë dhe Bashkimi Europian është i gatshëm të na mbështesë, por gjithsecili duhet ta harrojë se mund të marrë më shumë nga tregu i përbashkët europian, nëse nuk kontribuon plotësisht 100% në tregun rajonal. Pra, e gjitha lidhet me sjelljen e çdo fqinji me fqinjin tjetër. Ja pse çështjet politike duhet të diskutohen mbi baza dypalëshe, duhet të zgjidhet mbi baza dypalëshe, por nuk janë një arsye dhe nuk do të pranohen si e tillë arsye nga BE për të mos realizuar gjithçka që ka të bëjë me lëvizjen e lirë të njerëzve, kapitaleve, shërbimeve, mallrave. Komisioner fjala është për ju.
Komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Oliver Varhelyi: Faleminderit shumë kryeministër! Ndoshta e mbani mend dhe në fakt ka ndodhur në nëntor që u bë ky propozim, por ndoshta unë mund të ndaj dhe një sekret me ju, që vetë ideja e të gjithë Planit të Rritjes ka qenë kryesisht i konceptuar pikërisht këtu, në Tiranë, në diskutimet e mëparshme që ne kemi pasur me Kryeministrin, por edhe me udhëheqësit e tjerë të rajonit.
Pra, nuk është vetëm ide kjo e Komisionit Europian apo e Bashkimit Europian apo e Këshillit Europian që ka vendosur që kjo gjë të krijohet e të realizohet, por ka qenë dhe ideja e gjithë rajonit.
Prandaj mendoj që ju shihni sot dhe meqenëse është dita e fundit e muajit shkurt, ne tashmë po flasim dhe po themi se çfarë do të zbatojmë nga ky Plan për këtë vit. Parlamenti Europian dhe Këshilli i BE po punon për legjislacionin e duhur që të miratohet legjislacioni i duhur, por kjo punë po vijon dhe ne vijojmë edhe diskutimet se çfarë do duhet të bëhet. Prandaj, dita e sotme ka qenë edhe një inkurajim i madh për të gjithë ne për të ecur përpara në mënyrë të përshpejtuar.
Kryeministri për shembull përmendi SEPA ose zonën e përbashkët të pagesave në euro nga e cila do përfitojnë si bizneset ashtu dhe qytetarët.
Unë dëshiroj të përmend korsitë e gjelbra, një gjë që ne e krijuam gjatë periudhës së COVID. Ndërkohë është një gjë që ka shpëtuar njerëz, biznese dhe kjo vetëm vitin e shkuar dhe nuk funksionon plotësisht gjithandej.
20 vite kohë pritjeje për kamionët, kjo tashmë është hequr, nuk ekziston më dhe mund të arrijmë edhe më shumë dhe të kursejmë edhe më shumë.
Pra, këto janë ato elementë, këto janë ato gjëra, të cilat njerëzit duhet t’i ndiejnë, t’i prekin, t’i shohin, të jenë pjesë e tyre. Këto janë ato risitë e këtij Plani sepse sigurisht që Europa është shumë burokratike, gjithmonë bëhet fjalë për plane, instrumente, masa, por mendoj që këtë herë ne kemi mundësinë që të tregojmë dhe se cilat janë përfitimet e drejtpërdrejta ekonomike të një vendi kur bëhet shtet anëtar dhe cilat janë dhe të mirat që sjell në shoqëri anëtarësimi në BE sepse këto ne tashmë kemi mundësi t’i ndajmë me rajonin përpara se ju të bëheni pjesë e Bashkimit Europian.
Ndërkohë që, një element tjetër shumë i rëndësishëm është elementi që do të thotë që rajoni juaj mund të bëhet gati për anëtarësim në BE edhe më shpejtë.
Kjo do të thotë që ne nuk është se po negociojmë me terma abstraktë që si dhe kur pas anëtarësimit do të fillojnë të aplikohen rregullat dhe standardet e BE nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Jo! Këto vende po fillojnë t’i aplikojnë këto rregulla që sot, në mënyrë që ne kur të arrijmë tek anëtarësimi kjo gjë të jetë kryer tashmë dhe nuk do të flasim fare për këtë gjë se do të jetë realitet në atë moment.
Elementi i tretë që dëshiroj të theksoj sot është që sigurisht që ne e kuptojmë që pjesëmarrja në tregun e përbashkët ka të bëjë dhe me konkurrencën dhe konkurrenca në tregun e përbashkët të BE është e fortë. Pra konkurueshmëria e shteteve anëtare të BE krahasuar me ato të Ballkanit Perëndimori është shumë e madhe dhe do të ishte shumë e padrejtë që ne tu kërkonim partnerëve të Ballkanit Perëndimor të merrnin pjesë në tregun e përbashkët ku ata kanë më pak mundësi për të konkurruar në krahasim me kompanitë tona, të cilat kanë avantazhin e tyre dhe për këtë arsye ne po japim fonde shtesë si pjesë e këtij plani për të ndihmuar të gjitha reformat, të cilat janë të nevojshme, të domosdoshme që këto reforma të kryhen sepse shumica e këtyre kanë koston e tyre financiare. Kosto financiare për bizneset, kosto financiare për qeverinë, kosto financiare për shoqërinë, por ne jemi të gatshëm që ta lehtësojmë këtë punë dhe ta zbusim këtë kosto. E për këtë arsye udhëheqësit e Këshillit Europian kanë vendosur pa as edhe një ndryshim propozimin që i kemi bërë ne në rishikimin e këtij dokumenti. Kjo është e vetmja pjesë e këtij dokumenti që u miratua pa kurrfarë dyshimi dhe ndryshimi, që ne jemi të mendimit që 6 miliardë euro do duhet që të ndihmojnë rajonin që me anën e kësaj mbështetje financiare ju do të shikoni se këto janë sasia e fondeve që u jepen shteteve anëtare sipas fondeve strukturore dhe deri në vitin 2027 rajoni do të gëzojë të njëjtin nivel intensiteti ndihme.
Kjo do të thotë gjithashtu dhe mund të thuhet madje që do të jetë shumë e vështirë ose që pas vitit 2027 do të ishte e vështirë që vendet e rajonit të thoshin që ne s’jemi gati për t’u bërë pjesë të BE.
Në fund të fjalës time, më lejoni që falë diçkaje që tha kryeministri, një element që sërish ne e kemi marrë këtu nga rajoni, nga nisma “Ballkani i Hapur”, por dhe nga Procesi i Berlinit dhe ky element ka të bëjë me tregun e përbashkët rajonal. Ne kemi filluar punën me planin e investimeve ekonomike, por mendoj që tashmë kemi kaluar në një nivel më lartë. Kjo do të thotë, në rast se mund ta them me fjalë të thjeshta, në rast se ju dëshironi të trajtoheni si një shtet anëtar i BE, atëherë ju duhet të trajtoni dhe partnerët e Ballkanit Perëndimor si anëtare të BE. Kështu që, po të marrim shembullin e SEPA-s. Pra, është gjë e mirë që Shqipëria do ta vërë në zbatim të gjithë legjislacionin e duhur të SEPA-s shumë shpejt, por në rast se një shtet tjetër i Ballkanit Perëndimor që po punon për këtë gjë dhe do ta vërë në zbatim këtë skemë në të njëjtën kohë, atëherë Shqipëria do të aplikojë të njëjta rregulla edhe me vende të tjera të Ballkanit Perëndimor, të cilët aplikojnë rregullat e SEPA-s. Kjo do të thotë që për bizneset do të jetë më lirë për të futur produkte në Shqipëri apo për të bërë biznes me Shqipërinë, por edhe në rast se po bëni biznes me vende të tjera të Ballkanit Perëndimor kostot tuaja të biznesit do të ulen në mënyrë të konsiderueshme.
Dhe ky është një përfitim i drejtpërdrejtë që i vjen rajonit, por ama funksionon dhe funksionon vetëm nëse, siç e tha kryeministri, nëse rajoni i bën këtë nder vetes. Pra vendet e rajonit ta bëjnë të njëjtën gjë dhe përndryshe nuk do i jepet i njëjti trajtim.
Mendoj që ajo që keni parë sot do të ndryshojë në formë dramatike realitetin në vendet tuaja. Sipas përllogaritjeve tona modeste, ky plan së bashku me planin e investimeve ekonomike dhe duhen gërshetuar të dyja sepse njëri është ndërtuar në bazë të tjetrit, rajoni do duhet të dyfishojë ekonominë, të risë dyfish ekonominë e vet gjatë 10 viteve të ardhshme. Faleminderit!
* * *
-Me këtë plan të ri të rritjes, çfarë parashikoni se do të jetë pengesa më e madhe që do të duhet të tejkaloni dhe si planifikoni që të përballeni me të në të ardhmen e afërt?
Kryeministri Edi Rama: Faleminderit për pyetjen, është pyetje e mirë. Pengesa e vetme më e madhe së cilës mund t’i trembemi është mendësia midis vendeve të rajonit sepse siç e thashë më parë, ky plan i ri i rritjes, sa i takon asaj çfarë duhet të bëjmë në planin rajonal, është saktësisht ajo për të cilën kemi rënë dakord në parim 10 vjet më parë kur nisëm Procesin e Berlinit, është saktësisht ajo çfarë jemi përpjekur të çojmë përpara me Ballkanin e Hapur dhe arsyeja pse për 10 vjet nuk arritëm të përparonim aq sa do të donim ishte mendësia dhe ndërhyrja e çështjeve politike dhe retorikës së politikave të brendshme kundër interesave tona.
Pra, pengimi i qarkullimit të kamionëve është krejt kundër frymës së Procesit të Berlinit dhe është krejt kundër frymës, por jo vetëm frymës, por edhe shkronjës së Planit të ri të Rritjes. Deri më tani shohim që ka vullnet të mirë. Deklarata e Përbashkët është miratuar nga të gjashta vendet. Gjashtëshja ka rënë dakord të përqendrohet fort tek puna së bashku, ndaj le të shohim. Nëse do të jemi në gjendje t’i bëjmë gjërat së bashku do të ecim shumë shpejt, nëse nuk do të jemi në gjendje t’i bëjmë gjërat të gjithë së bashku do të dështojmë të gjithë sepse është çdo gjë e ndërlidhur.
E dëgjuat atë çfarë tha Komisioneri. Nuk mund të pretendosh që të kesh një kosto transaksioni me vendet e Bashkimit Europian dhe pastaj koston tjetër të transaksionit ia lë fqinjit. Nuk funksionon, do të thonë “Jo”, do të thonë “Jo, nuk mundesh”.
Pra, të përfitosh nga ajo çfarë ky plan sjell nga ana e BE-së na duhet të japim rezultate nga aspekti rajonal.
E dyta është puna e brendshme. Plani i rritjes nuk është i shkëputur nga reformat në vende, duke nisur nga bilanci i këtyre vendeve. Në njëfarë mënyrë, pra, plani i rritjes është një bashkudhëtar i procesit tonë të rezultateve në reforma. Si Shqipëri na duhet të ecim përpara me një valë të re reformash që praktikisht e kemi nisur mbështetur në procesin e analizës së legjislacionit e mbështetur në shumë fakte të tjera që janë të qarta.
– Komisioner, a mund të përmendni disa tema konkrete qe u diskutuan sot dhe cilat ishin rezultatet e këtyre diskutimeve? Ju gjithashtu përmendët edhe financime shtesë, a mund të na tregoni sa do të jetë kjo shifër?
Dhe ndoshta një pyetje për kryeministrin, cili do të jetë hapi i radhës ku do të organizohet samiti i radhës dhe në këtë aspekt, i ka përgatitur Shqipëria idetë për projekte të tjera të mëdha dhe a kanë lidhje këto me planin e ri të rritjes? Pra a mund të presin shqiptarët diçka si rezultat sivjet dhe sinqerisht ta them haptazi më shumë para sivjet?
Komisioneri i BE për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Oliver Varhelyi: Mendoj që sot ne patëm marrëveshje për katër fusha ku duhet të ketë rezultate sivjet. E para, ka të bëjë me SEPA-n, që do të thotë një rishikim tërësor i të gjitha aspekteve rregullatorë në vendet tona. Shikojmë tashmë që në fakt vendet po përgatiten për këtë gjë dhe që të jem i sinqertë nuk duhet të jetë shumë e vështirë për shembull sepse sistemi bankar kryesisht ka në vetvete banka europiane. Që do të thotë ato duhet të aplikojnë të njëjtat rregulla që aplikojnë në vendet e tyre të origjinës, por sfida është sa shpejt do të mund të arrijmë ne që këto rregulla të bëhen konkrete në terren, pra sa shpejt mund të aplikohen ato, por mendoj që ka patur dakordësi të gjerë që kjo gjë do të arrihet sivjet dhe besoj se do të arrihet sivjet.
E dyta ka pasur të bëjë me korsitë e gjelbra. Me korsitë e gjelbra e kemi fjalën që të heqim të gjitha kohët e pritjes në pikat kufitare, që do të thotë se do të rregullohen procedurat doganore në mënyrë që të përshpejtohen kalimet në kufi në të gjithë rajonin.
Ne tashmë kemi disa pika të kalimit kufitar që funksionojnë në formë të dyfishtë për shtete të ndryshme, por duhet ta zgjerojmë këtë në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, pra ta shtrijmë në të gjitha vendet, në të gjitha pikat e kalimit kufitar. Kjo është sërish një gjë që duhet të përfundojë deri në fund të këtij viti dhe në këtë formë në mënyrë të konsiderueshme do të ulë kostot e biznesit për bizneset e ndryshme në vendet e rajonit.
E treta fushë ka të bëjë me punën kërkimore shkencore që do të thotë që të sjellim brezin tjetër të industrive të ndryshme në rajon, që do të thotë që inovacioni, hulumtimi, kërkimi shkencor, industri të ndryshme do të kenë nevojë për një, të themi në fakt për atë që do të quhej një qendër ku të jenë këto industri, një bërthamë ku këto industri të mund të mbështeten dhe kjo të krijohet këtu në Ballkanin Perëndimor. Po flasim për aspektet farmaceutike, për sektorin farmaceutik digjital, aty ku njohuritë për teknologjitë aplikohen çdo ditë.
E fundit dhe ndoshta nuk e di siç duhet shkurtimin, unë vetë e quaj rrjetin falas të internetit në hapësirat publike në të gjithë Ballkanin Perëndimor, pra që të gjithë të kenë mundësi që të hyjnë në internet dhe ne këtë mund ta shohim edhe si pjesë të planit të investimeve ekonomike, i kemi fondet për këtë gjë dhe tashmë duhet t’i pajisim bashkitë me të gjitha mjetet e duhura që kjo gjë të bëhet realitet sivjet. Pra këto janë ato katër fusha prioritare për sivjet.
Ndërsa gjëja tjetër që u diskutua gjerësisht është çfarë do të bëjmë vitin e ardhshëm.
Tashmë ne po presim që vetë rajoni të na sjell ide, çfarë duan vendet e rajonit që të ndodhë vitin e ardhshëm, ku janë pengesat për ekonomitë, për qytetarët, pra çfarë gjërash mund të arrijmë vitin e ardhshëm në atë 12 mujor që të arrijmë të tregojmë ndryshime të prekshme për qytetarët dhe kjo sa u përket financimeve, është përveç 30 miliard eurove, përndryshe kemi edhe 6 miliard euro, 2 miliard euro në grane dhe pjesa tjetër me hua. Pra, siç e tha kryeministri këto financime shtesë do të përcaktohen dhe do të jenë për të gjitha përpjekjet që duhen për reformat, për të sjellë vendet tuaja pranë anëtarësimit në BE.
Kryeministri Edi Rama: E kuptoj pyetjen për paratë, por mendoj që e përmenda tashmë, se sa e madhe është kjo mundësi që kemi këtu kur vjen fjala te paratë, kur thashë se vetëm duke ulur koston e transaksioneve financiare apo për ta thënë shumë thjeshtë, shqiptarët jashtë që dërgojnë para në shtëpi dhe që paguajnë 6 herë më shumë, se sa paguajnë europianët kur dërgojnë para nga njëra pikë në tjetrën brenda Bashkimit Europian, shkon në një vlerë kursimi prej gjysmë miliardi për rajonin, gjysmë miliardi.
Vlera e transaksioneve aktualisht që kryhet nga qytetarët tanë përmes bankave, sa u përket dërgesave është e ulët. Shumica e kësaj vlerë vjen me para në dorë, një prej arsyeve, arsyeja kryesore është kostoja. Sepse dërgon para në shtëpi përmes bankës dhe paguan koston e transaksionit që është 6 herë më e lartë se ajo që paguan fqinji yt austriak që çon para në Suedi. Janë 24 milion, është shifër e ulët sa i takon numrit të transaksioneve, por është vlerë e jashtëzakonshme, këto 24 milion euro do të kursehen dhe do të mbeten në xhepat e qytetarëve e familjeve të zakonshme shqiptare. Janë shumë para, apo jo.
Meqë po flasim për paratë, sot edhe për shkak të pengesës për një kohë të gjatë të Ballkanit të Hapur, pengesës për një kohë të gjatë të Procesit të Berlinit, pengesës për një kohë të gjatë të CEFTA-s, vazhdojmë të kemi një rajon ku koha e pritjes së kamionëve është 26 milion orë. Ndërsa në Bashkimin Europian nuk ka pritje. Në qoftëse do të shkoni të pika doganore e Qafë-Thanës do të shihni aty një kanal në të cilin thuhet se keni arritur në korsinë e gjelbërt, që e kemi bërë në kuadër të Ballkanit të Hapur, por çfarë presupozohet të bëjmë sot dhe më tej në kuadër të lanit të ri të rritjes? Korsi të gjelbra, por korsi të gjelbra mes të gjithëve ne dhe korsi të gjelbra midis nesh dhe Bashkimit Europain. Pra, korsi të gjelbra midis nesh dhe Italisë, korsi të gjelbra midis nesh dhe Greqisë dhe anasjelltas, korsi të gjelbra midis Malit të Zi dhe Kroacisë, korsi të gjelbra midis Serbisë dhe Hungarisë dhe kështu me radhë. Vetëm duke shkurtuar me tre orë për kamion, kohën e pritjes, ne mund të rrisin PBB tonë me 3%. Janë shumë para dhe janë para që vijnë vetëm duke shkurtuar procedura burokratike të kota.
Më shumë sesa kaq, pra më përtej sa u takon projekteve, mund t’ju them se pak ditë më parë zëvendës/kryeministrja e Shqipërisë nënshkroi marrëveshjen me BERZH-in për një hekurudhë të re Vorë-Hani Hotit. Po përgatitemi të nënshkruajmë të tjera marrëveshje dhe kemi tashmë fonde në dispozicion për këto lloj projektesh të cilat po lëvrohen. Kështu që flasim për qindra miliona dhe është falë asaj çfarë tha komisioneri, planit të ri të rritjes që përmes instrumentit të financimit të Ballkanit Perëndimor na jep mundësinë të aplikojmë dhe të marrim fonde dhe kjo për energjinë, për infrastrukturën, për fushën digjitale e kështu me radhë.
Mendoj që kemi një mundësi të madhe përpara nesh, na takon ne të përfitojmë prej saj apo ta humbasin, por do të ishte një gabim i jashtëzakonshëm historik që ta humbnisim. Ashtu siç është një turp i madh, është turp i madh që ne nuk ia dolëm, për 10 vjet të gjithë ne, të gjashtë ne, të punojmë në këtë drejtim. Sot do të kishim qenë në një pozitë shumë më të mirë dhe këta djem do duhet të na jepnim shumë më tepër, por kur shohin që kanë të bëjnë më një grup vendesh që duan të jenë pjesë e Bashkimit Europian dhe pengojnë lëvizjen e lirë brenda njëri – tjetrit, thonë: “Jo! Së pari bëjeni me njëri tjetrin, për të na treguar që ne nuk po afrohemi me ata që shkaktojnë shqetësime dhe bela, por që po afrohemi me vende dhe kombe që ndajnë të njëjtën mendësi”.
-Flisni pozitivisht për Shqipërinë e konsideroni një partner të besueshëm, një vend që luan një rol të rëndësishëm për sigurinë në rajon, një vend që është gati për të bërë hapin e radhës, por vendimet në Bruksel nuk përputhen me këto deklarata, siç ndodhi në dhjetor, ku me kërkesë të një vendi anëtar të Bashkimit Europian, Shqipëria u hoq nga diskutimi në mbledhjen e Këshillit të Bashkimit Europian. Pyetja është a do ta lejoni, a do ta lejojë Bashkimi Europian Greqinë që t’i bëhet pengesë për integrimin e Shqipërisë dhe kur pritet të kemi një vendim për Shqipërinë për hapin e radhës? Kujtojmë që vetë BE-ja është në prag zgjedhjeve.
-Ndërkohë për ju zoti Kryeministër, meqë pyetjet për Planin e Rritjes përsa i përket reformave dhe sa i përket projekteve u ezauruan, më lejoni t’ju drejtohem për një zgjatim të Samitit të ditës së djeshme mjaft të rëndësishëm, ku kishte një propozim nga ana e Presidentit të Ukrainës për bashkëprodhimin e armëve. A ka kapacitete Shqipëria për të prodhuar armë dhe si mund t’i vijë në ndihmë vendi ynë Ukrainës?
Komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Oliver Varhelyi: Pra, ju dëshironi që unë të flas për Shqipërinë në mënyrë negative? Ok atëherë, këtë nuk e bëj dot, refuzoj ta bëj këtë gjë. Unë mendoj që hapat tuaja, veprat tuaja e kanë treguar se çfarë keni arritur. Pra, mos harroni se ku ishim në tetor të vitit 2019 dhe shihni ku jemi tani. Pra, unë nuk mendoj se ka në Bruksel njerëz që nuk bien dakord për këto arritje të Shqipërisë. Gjithashtu, ne jemi të dakordësuar në Bruksel për faktin që Shqipëria është gati për të hapur negociatat për grup-kapitullin e parë dhe Bashkimi Europian do duhet që të ketë mundësinë që ta marrë këtë vendim dhe në fakt, sado teknik është si proces dhe që është thjesht hapi i radhës, unë nuk e kuptoj dot se pse nuk e marrim dot ne këtë vendim, edhe pse e kuptoj tërësisht rëndësinë e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, pra marrëdhënieve të mira me fqinjët, por nuk mund të ndërtohen marrëdhënie të tilla dhe të mira me fqinjët në rast se ti e bllokon tjetrin për të ecur përpara. Por gjithsesi, ne po përpiqemi të ndihmojmë dhe shpresoj shumë që në muajt në vijim do të kemi atë takimin ose konferencën tjetër ndërqeveritare në mënyrë që të kalojmë tek negociatat e vërteta sepse ne dëshirojmë të hapim negociatat për grup-kapitullin e parë që janë të drejtat themelore, sundimi i ligjit dhe ndoshta mund të diskutojmë këto të drejta themelore në mënyrë më të gjerë pasi të jenë hapur vetë negociatat.
Kryeministri Edi Rama: Dua vetëm të shtoj diçka asaj që tha Komisioneri, që ka të bëjë me thelbin, jo me procedurën. Ne vazhdojmë të punojmë çdo ditë me Komisionin, si të ishim duke negociuar gjithçka që duhej negociuar zyrtarisht në këtë fazë që sipas pikëpamjes sonë është shumë e rëndësishme sepse nënkupton që po bëjmë punën këtu.
Pra, Komisioneri po na ndihmon që të kuptojmë se për çfarë duhet të jemi gati dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë gjë, kemi nisur tashmë dhe jemi shumë të kënaqur me rezultatet e modelit të Inteligjencës Artificiale që kemi krijuar për transferimin e Korpusit ligjor të Bashkimit Europian të acqui-ve në legjislacionin shqiptar, përkthimi është absolutisht shumë bindës. Kjo, ndërkohë do të na bëjë të fitojmë shumë kohë dhe kur procesi të hyjë zyrtarisht në fazën tjetër, do të jemi shumë më të përparuar.
Shikoni, në Planin e ri të Rritjes ka tregues shumë të qartë për atë çka vendet duhet të bëjnë së brendshmi. Më së shumti është shteti i së drejtës, së brendshmi. Ne kemi ecur përpara më shumë se çdo vend tjetër sa i takon shtetit të së drejtës, sa i takon reformave.
Kemi bërë me sistemin e drejtësisë atë çfarë vendet e tjera padyshim duhet të bëjnë dhe kjo na dha shumë avantazh kur erdhi puna për të marrë vendimin sepse mos harroni, ne ishim të bllokuar dhe Komisioni ka luftuar shumë me shtetet anëtare për të nisur negociatat përpara sesa i nisëm aktualisht. Pse u bllokuam? Për shkak të dinamikave të brendshme, por a humbëm kohë? Jo, nuk humbëm sepse ashtu siç tregon procesi i kontrollit dhe analizës së legjislacionit, tregojnë faktet, ne kemi punuar ndërkohë.
Komisioneri na ka ndihmuar, na ka mbështetur dhe kemi punuar, punuar, punuar.
Nuk është se tashmë jemi në momentin përfundimtar ku çdo vend duhet të bjerë dakord dhe ne do të bëhemi anëtarë. Anëtarësimi do të vijë, shpresoj, uroj, pas 5 a pak më shumë viteve apo në mos më gjatë se kaq dhe pastaj mund të shqetësohemi se dikush po na bllokon dhe të mërzitemi se pse nuk ulemi dot rreth tryezës, por jo tani. Tani duam të bëjmë punën, duam të jemi gati si një shtet anëtar i BE-së në mënyrën sesi funksionojmë në 2030. Ky është objektivi ynë.
Pastaj, nëse një vend na do apo jo, ky është problem tjetër. Për ne është e rëndësishme që BE-ja të funksionojë këtu që vendi të jetë si një shtet i BE-së me sundimin e ligjit, me institucionet dhe gjithçka tjetër.
Ndërsa sa i përket pyetjes për ditën e djeshme, patëm një Samit shumë të mirë, por edhe zhvilluam diskutime mjaft të mira në nivelet dypalëshe me presidentin Zelenskyy dhe të tjerë.
Ai Samit tregoi diçka që është thelbësisht e rëndësishme; që të gjithë ishin këtu, rajoni ishte larg duarve të Rusisë dhe ishte këtu si rajon që kërkon të jetë pjesë e BE-së, e gjithckaje pra apo më shumë se gjithçka tjetër.
Sa i takon industrisë ushtarake dhe prodhimit të armëve, ne, si Serbia apo Bosnja apo Kroacia, nuk kemi një prodhim, një industri prodhuese të mjeteve ushtarake. Duam ta kemi, së pari, për veten tonë dhe kemi punuar dhe po punojmë që të gjejmë marrëveshjen e duhur, të gjejmë partnerët e duhur të gjejmë partnerët e duhur, të ringjallim infrastrukturën tonë të vjetër dhe për të bërë më shumë investime për ne. Së dyti, propozimi nuk ka asgjë të jashtëzakonshme. Presidenti Zelenskyy na foli për mundësinë e bashkëpunimit që do të thotë investimi, prodhimi dhe bashkëpunimi dhe sigurisht të gjithë thanë po, jo vetëm Shqipëria, kështu që ky është një proces.
Ne e dimë shumë mirë që duhet të investojmë më shumë në mbrojtje si çdokush tjetër dhe do ta bëjmë këtë. Gjithçka që mund ta bëjmë në këtë drejtim, do ta bëjmë dhe sigurisht ka vetëm një kusht, që ta bëjmë këtë me aleatët tanë dhe jo me të tjerët. Kaq është. Pjesa tjetër është thjesht diçka e natyrshme.
Faleminderit shumë!