Konferencë e përbashkët për shtyp e Kryeministrit Rama dhe Presidentes së KE, Ursula Von der Leyen, në vigjilje të Samitit të Procesit të Berlinit - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Konferencë e përbashkët për shtyp e Kryeministrit Rama dhe Presidentes së KE, Ursula Von der Leyen, në vigjilje të Samitit të Procesit të Berlinit

Kryeministri Edi Rama: Mirëmbrëma të gjithëve! Jam këtu së bashku me të nderuarën Presidente të Komisionit Europian, e cila është ndër të tjera edhe një mike shumë  e çmuar dhe një mbështetëse e Shqipërisë qysh në orën e parë të mandatit të saj në krye të Komisionit Europian, jo me fjalë, por duke u gjendur pranë nesh përgjatë gjithë këtij rrugëtimi dhe nuk do ta harroj asnjëherë dhe nuk do ta lë asnjëherë pa përsëritur sa kohë që të jem në këtë detyrë, duke qenë pranë nesh në një moment  tragjik për vendin dhe për popullin tonë, kur tërmeti shkatërrimtar solli aq shumë dhimbje dhe aq shumë dëme dhe pa Presidenten e Komisionit, pa angazhimin e saj të drejtpërdrejtë për të thirrur me shumë shpejtësi një konferencë të madhe në Bruksel dhe për të kërkuar nga të gjithë solidaritet, – ne nuk do t’ia kishim dale, ashtu sikundër ia dolëm dhe dhjetëra mijëra e më shumë fëmijë që në atë tërmet humbën shkollat e tyre, nuk do ishin sot, duke bërë mësim në shkolla që nuk kanë asnjë ndryshim nga shkollat më të mira të vendeve të BE.

Por sot ne jemi këtu së bashku me Presidenten Von Der Leyen në vigjiljen e një samiti tjetër në Tiranë, këtë herë i pari Samit i Procesit të Berlinit që organizohet jashtë kufijve të BE, gjë që natyrisht na bën krenar dhe na jep mundësinë që të shprehim kënaqësinë tonë si vend pritës, duke shfaqur të gjithë fuqinë e mikpritjes shqiptare, e cila besoj që po të kishte një konkurs në Europë do ta synonte me shumë dinjitet vendin e parë.

Por, nga ana tjetër jemi shumë të vetëdijshëm që ka shumë gjëra të tjera, që jo thjesht jemi larg vendit të parë, por për të cilat na duhet të bëjmë një përpjekje shumë të madhe për të arritur të hyjmë në perimetrin e standardeve dhe të cilësisë së jetës së BE.

Presidentja ka ardhur e para nga të gjithë liderët që do të vijnë më vonë ose nesër edhe sepse e ka çelur këtë moment kaq të rëndësishëm për ne, me çeljen e rrugës për të gjithë vajzat dhe djemtë në Shqipëri, por edhe në rajon që dëshirojnë të kryejnë studime të thelluara europiane, gjë që do mund ta bëjnë në Kolegjin e Europës në Tiranë.

Kolegji i Europës në Tiranë do të jetë Kolegji i dytë i Europës jashtë Belgjikës, pas atij që Komisioni vendosi aso kohe të hapë në Poloni për të mbështetur valën e madhe të zgjerimit të Europës dhe për të ndihmuar rritjen e kapaciteteve të vendeve aso kohe kandidate.

Dhe unë besoj shumë që hapja e këtij Kolegji të Europës lidhet dhe me vullnetin, dëshirën, ambicien e Presidentes dhe të Bashkimit të sotëm Europian për ta shtyrë më tutje procesin e zgjerimit të mëtejshëm të kësaj familje të madhe të bashkuar europiane.

Presidentja na informoi për ecurinë e procesit të Screening, – po e them me këtë terminologji se akoma nuk jam i informuar si është kjo fjalë në shqip, por kur edhe të tjerët në të gjitha vendet e quajnë Screening, është Screening – që është një lloj diagnoze e thelluar e të gjithë situatës në të gjithë sektorët e vendit që ka marrë miratimin për të negociuar anëtarësimin. Dhe më vjen shumë mirë që nga Presidentja dëgjuam fjalë shumë të mira për këtë proces dhe për çka Shqipëria ka bërë, ashtu sikundër dua t’ju siguroj që Presidentja nuk është personi që thotë vetën fjalë të mira, çka e bën dhe më të rëndësishëm fjalën e mirë sepse sikur të ishte vetëm njeriu i fjalëve të mira atëherë dhe fjalët e mira do ta humbnisin peshën reale që kanë në gojën e saj.

Patjetër që kemi folur dhe për situatën në rajon, kemi folur dhe për domosdoshmërinë e një ecje të përbashkët të të gjithë vendeve të rajonit, duke shfrytëzuar të gjitha kapacitetet e Procesit të Berlinit dhe sigurisht kemi folur dhe për atë që sipas meje është risia më e rëndësishme prej vitesh e një Samiti të Procesit të Berlinit, edhe një herë falë Presidentes që nuk ka ardhur në Tiranë thjeshtë për të përsëritur gjërat e njohura, por edhe për të paraqitur një plan të ri që do ta ndihmojë shumë Ballkanin Perëndimor dhe do t’i ndihmojë shumë vendet tona që të ecin më shpejt në drejtim të BE. Po për këtë Presidentja do të flasë nesër në Samit dhe nuk e di sa do të zbulojë sot përpara jush. Prandaj, unë nuk po hyj më tutje në këtë pjesë. Nuk dua të zgjatem më shumë.

Dua ta mbyll me faktin që si gjithmonë qysh nga dita e parë e agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës ne kemi folur dhe për këtë. Shqipëria ka një përmasë modeste, ka një rol modest, por ne brenda përmasës sonë dhe në rolin tonë kemi qenë, jemi dhe do të mbetemi plotësisht të linjëzuar me BE, në raport me Ukrainën në një front, i cili nuk është një front thjeshtë për të mbështetur Ukrainën, por është një front për të mbajtur flamurin e vlerave dhe të parimeve të panegociueshme të kësaj familje të madhe të bashkuar vendesh që besojnë tek liria, besojnë tek demokracia, besojnë tek e drejta e pakushtëzueshme e çdo vendi për të mbrotjur integritetin e vet territorial.

Zonja Presidente, e dashur Ursula, me shumë mirënjohje të falenderoj për ardhjen e para edhe më lejo të them që ky është një ogur shumë i mirë për ne, sepse zakonisht udhëheqësit më të rëndësishëm vijnë të fundit. Fakti që ju keni ardhur e para tregon që ndër të tjera, edhe pse u bënë disa vite që po përpiqeni të bëni më të mirën për ne, keni të njëjtën ambicie dhe të njëjtin vullnet si ditën e parë.

 

Presidentja e Komisionit Europian Ursula Von der Leyen: Faleminderit shumë! I nderuar Kryeministër, i dashur Edi. Është vërtetë kënaqësi për mua të vij në Tiranë e në veçanti në një ditë të rëndësishme si  dita e sotme. Pra, siç e thatë edhe ju, ne sapo kemi çelur regjistrimin për vitin e parë akademik për degën e Kolegjit të Europës në Tiranë dhe do të jetë vërtetë shumë interesante që studentë nga e gjithë Europa do të studiojnë pikërisht këtu dhe ata do të jenë pjesë e përpjekjeve tona për të ndërtuar një të ardhme të përbashkët europiane hap pas hapi.

Pra, rrugëtimi juaj po ecën drejt Bashkimit Europian dhe po formësohet. Është i vërtetë dhe ky është mesazhi im i parë. Mesazhi im i parë i qartë, Shqipëria në fakt po ecën me sukses për t’u bërë pjesë e BE.  Siç e dini zgjerimi është në krye të të gjithë përparësive tona dhe aty duhet të jetë. Kjo për arsye se ne duam që partnerët tanë, ju, fqinjët tanë, të bëheni pjesë e jona që ta plotësojmë Bashkimin Europian.

Dhe është në interesin tonë sepse në këtë formë BE-së do t’i jepet pesha, forca, kapaciteti për të vepruar dhe do ta bëjë Europën më të madhe, më të guximshme, më të fortë në një botë që po ndryshon kaq shpejt dhe kaq shumë. Shqipëria ka arritur tashmë vërtetë shumë dhe siç e thatë edhe ju, procesi i ‘’screening’’, pra procesi i analizimit të legjislacionit  po ecën pa probleme dhe në fakt falenderime të dyja ekipeve negociuese që kanë bërë një punë fantastike. Objektivi i ynë i përbashkët është që ne të çelim negociatat për ato që ne i quamë grup-kapitujt e pjesëve themelore sa më shpejt që të jetë e mundur deri në fund të vitit. Dhe mesazhi i dytë është që, ndërkohë që ne vijojmë për të ecur pra në këtë rrugë drejt anëtarësimit, ne po ndërtojmë tashmë këtë të ardhme tonë të përbashkët dhe këtë duhet të fillojmë ta bëjmë menjëherë në mënyrë që vendi juaj të bëhet gati për anëtarësim, por edhe që tani të krijojmë mundësi të reja tregtie ndërmjet nesh, në mënyrë që ekonomitë tona të bëhen gjithnjë e më të arfërta dhe kemi filluar këtë me planin e investimeve me 30 miliardë euro. Rezultatet kanë filluar të duken sepse në fakt më shumë se gjysma e fianncimit është mobilizuar pas vetëm 3 viteve.

Në fakt në Shqipëri me anën e këtij plani janë mobilizuar 1.4 miliardë euro me projekte shumë të rëndësishme si Hidrocentrali i Fierzës, por edhe lidhja hekurudhore me Malin e Zi me anën e korridorit 10.

Vjet, për shembull ne në fakt e plotësuam planin e investimeve me paketën e energjisë. Ishte shumë e rëndësishme për shkak të krizës, duke dhënë 90% të peshës së saj të mobilizuar, pra ne mund të arrijmë shumë së bashku. Megjithatë, sot dëshiroj të përqëndrohem dhe e kemi diskutuar këtë, në planin e ri të rritjes për Bashkimin Europian sepse këtu po ecim drejt një faze  të re veprimesh sepse ky Plan ka potencialin në rast se vihet në zbatim, ashtu siç duhet, që të dyfishojë madhësinë e ekonomisë tuaj brenda këtij 10-vjeçari që të inkurajojë rritjen, konvergjencën. Pra, parimi është që në disa fusha të caktuara, ju do të keni qasje në tregun e vetëm të BE, por për këtë janë të nevojshme reformat dhe reformat do të shoqërohen me investime, pra kështu hapet dera për tregun tonë, për tregun e përbashkët rajonal të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe natyrisht që kjo do të shoqërohet edhe nga investime financiare, por plus siç e thashë edhe nga reformat, të cilat janë të domosdoshme.

Mesazhi im i tretë është që investimet tona do të kenë të njëjtën vlerë si përpjekjet tuaja të vazhdueshme të reformave, pra, për shembull si reformat që duhet të bëjë Shqipëria për fushën e ekonomisë, biznesit, për qytetarët, dhe e bëmë ne sot, për procesin e regjistrimit, për aplikimet, për Kolegjin e Europës, si dhe për të diversifikuar në fakt edhe ofrimin e energjisë.

Pra, unë mendoj që kjo po vjen në momentin e duhur në mënyrë që Shqipëria dhe BE të jenë gjithnjë e më afër njëra-tjetrës dhe do të luajë edhe një rol shumë të rëndësishëm për rrugëtimin tuaj drejt BE. Ju gjatë gjithë kohës keni treguar përkushtimin tuaj për këtë rrugëtim, si për shembull dhe ju e thatë, me faktin që ju jeni në përputhje të plotë me përgjijen e BE-së përsa i përket luftës brutale të Rusisë, pra luftën e agresionit në Ukrainë  dhe dëshiroj të theksoj rolin tuaj personal, i dashur Edi në mbrojtjen e atij rendi shumëpalësh të bazuar tek rregullat edhe me anën e Këshillit të Sigurimit në OKB, në mënyrë të shkëlqyer dhe dëshiroj që të theksoj edhe këtu qëndrimin tuaj të qartë për sulmin e tmerrshëm terrorist të Hamasit përpara një jave. Pra, ne tashmë jemi në rrugën e duhur për të mirëpritur Shqipërinë në Bashkimin Europian.

Faleminderit edhe një herë për mikpritjen tuaj, për të gjitha bisedimet e shkëlqyera.

Është vërtetë kënaqësi që jam në Shqipëri.

Faleminderit!

 

* * *

-Marrëveshja e Ohrit u bazua tek plani franko-gjerman. Pas situatës së fundit në Kosovë, çfarë ndodh me të? Kjo është pyetja për ju, ndërkohë që për Kryeministrin: Zoti Rama, a prisni nesër zhvillime të reja sa i përket situatës  midis Kosovës dhe Serbisë për shkak se pas 24 shtatorit kjo do të jetë tryeza e parë ku do të jenë të pransishëm dy kryemsinistrat, Albin Kurti i Kosovës dhe Ana Bërnabiç e Serbisë?

 

Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyn: Marrëveshja e Ohrit është ato që u arritën në shkurt dhe në mars janë baza, themeli për pajtimin nëpërmjet dialogut të BE. Është shumë e rëndësishme që si Kosova, ashtu edhe Serbia të kthehen në tryezëpër të normalizuar marrëdhënien e tyre dhe kjo është e vetmja mënyrë, me anën e bashkëpunimit, angazhimit dhe vendi i duhur për këtë është dialogu i BE-së sepse kjo është rruga  e duhur për të ardhmen, sepse Kosova dhe Serbia do të jenë pjesë e Bashkimit Europian, pra pajtimi ,bashkëpunimi, angazhimi tërësisht të domosodoshme dhe vendi për ta bërë këtë është dialogu i BE-së.

 

Kryeministri Edi Rama: Procesi i Berlinit është një process, i cili lidhet me nxitjen e vazhdueshme të të gjitha vendeve të rajonit drejt 4 lirive të Bashkimit Europian; lirisë së lëvizjes së njerëzve,të mallrave, të kapitaleve dhe të shërbimeve.

Dhe tipikisht ky proces dhe samitet e këtij procesi nuk janë vendi për zgjidhjen e çështjeve bilaterale, por në programin e Samitit, që është përgatitur prej shumë kohësh në harmoni me Kancelarinë gjermane, dreka e punës e liderëve do t’i kushtohet edhe marrëdhënieve fqinjësore në rajon, pra hapësira për një diskutim të hapur mes të pranishmëve është e programuar, por nuk është një samit, i cili merr përsipër të gjejë zgjidhje për probeme, që siç e tha Presidentja lidhur me çështjen konkrete, janë probleme që trajtohen dhe duhet të zgjidhen nën ombrellën e BE.

-Në fakt kam një pyetje të përbashkët edhe për Presidenten e Komisionit Europian  edhe për Kryeministrin Rama. Duke theksuar se Samiti i ditës së nesërme vjen në një situatë të tensionuar, qoftë për rajonin, por edhe për botën, ju e prekët pak në përgjigjen tuaj, Zoti Rama, Por a do të ketë një qëndrim pas Samitit për çështjen e Kosovës, veçanërisht për ngjarjen e 24 shtatorit ku mbeti i vrarë edhe një efektiv i forcave të policisë së Kosovës dhe a do të ketë po ashtu edhe një qëndrim të përbashkët pas këtij Samiti lidhur edhe me atë se çfarë po ndodh në Rripin e Gazës, ku po themi rrezikohet edhe një krizë humanitare?

 

 

Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen: Atëherë me çfarë kam kuptuar, nuk mendoj se është parashikuar deklaratë në Samitin e Procesit të Berlinit. Ne do të kemi një samit të Këshillit Europian një ditë më pas. Dhe zakonisht kjo bëhet edhe pasohet me një deklaratë nga Këshilli Europian dhe mendoj se aty do të ketë një deklaratë. Në fakt deklarata është bërë publike pak a shumë vë në kornizë, në fakt dënim të fortë të sulmit terrorist të Hamasit mbi Izraelin që nuk ka justifikim për këtë  terror. Dhe që Izraeli ka të drejtën të mbrohet në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe atë humanitare. Në të njëjtën kohë është urgjente që duhet ofruar ndihmë humanitare për civilët në Gaza edhe ata viktima të Hamasait dhe kjo ka qenë arsyeja sepse dje në Komisionin europian trefishuam ndihmën humanitare për civilët në rripin e Gazës. Me anën e organizatave të OKB, në 75 milion euro. Kjo është pak a shumë korniza në të cilën do të jetë edhe deklarata e ditës së martë, e cila është bërë publike.

 

Kryeministri Edi Rama: Samiti i Tiranës është në vazhdën e Procesit të Berlinit dhe Procesi i Berlinit është një vizion i Kancelares Angela Merkel, e cila bëri të mundur që për herë të parë në historinë tonë, në të gjithë historinë tone, – dhe kur them tonë kam parasysh të gjitha vendet e rajonit, – liderët e Ballkanit Perëndimor të mblidheshin bashkë e të uleshin në një tryezë, siç nuk kishte ndodhur kurrë në histori, jo për të folur për të shkuarën, por për të filluar një bashkëpunim për të ardhmen, dhe ky bashkëpunim për të ardhmen është i përcaktuar brenda kornizës së katër lirive të bashkimit Europian që i përmenda më lart, të cilat i japin vendeve mundësinë që të çlirojnë shumë më tepër nga potenciali i tyre dhe ndërkohë që individualisht përpiqen me proceset e tyre të integrimit Europian që të anëtarësohen në bashkimin Europian.

Dhe të gjitha përpjekjet e bëra kanë shkuar dhe shkojnë në këtë drejtim. Në ndërkohë edhe në kushtet kur situata e përgjithshme e botës është shumë më e ngatërruar seç ishte në 9 vite më parë dhe qoftë edhe 5 vite, apo qoftë edhe tre vite më parë, Bashkimi Europian ka marrë një rol nën udhëheqjen e Presidentes së Komisionit shumë më proaktiv, duke e shfrytëzuar edhe këtë proces për të sjellë një kontribut konkret shumë të rëndësishëm që është një risi për mua mbas, fotos familjare të takimit të parë në Berlin. Kjo është risia e dytë më e madhe. Pra, plani i ri i rritjes, i cili i jep mundësi vendeve përkundër natyrisht reformave që vazhdojnë të bëjnë, nga njëra anë që të  aksesojë një fond ekstra të Bashkimit Europian dhe nga ana tjetër që të ketë hapësira të reja në tregun e përbashkët Europian çka është një nxitje shumë e fortë e ekonomive tona. Dhe në këtë kornizë, ne shumë përpara që të ndodhte kjo që ka ndodhur së fundmi që ju përmendet në fjalën tuaj në pyetjen tuaj, lidhur me konfliktin e ringjallur egërsisht në Lindjen e mesme mes Palestinës dhe Izraelit kemi përcaktuar edhe një hapësirë për të diskutuar çështjet e fqinjësisë në rajon. Por, asgjë më shumë se kaq, sepse nuk është ky fare qëllimi i këtij Samiti.

Vërtet Tirana është kryeqyteti Europian i Ballkanit, por nuk është kërthiza e Europës, politikës. Gjeografikisht mund ta diskutojmë, po na duhet të hyjmë në luftë me grekë, serbë, maqedonas, malazeze se kush është kërthiza e Europës fizikisht. Por politikisht  është e sigurt që asnjëri nga ne nuk është kërthiza e Europës. Kështu që kërthiza e Europës është në Bruksel, atje diskutohen dhe vendosen këto tema që janë shumë të mëdha për ne. Ne thjeshtë kemi nderin që të jemi bashkë me këtë familje dhe nuk e kemi me thënë të drejtën atë dhimbjen e tmerrshme të kokës se çfarë vendimi duhet marrë në momente dramatike, që është një dhimbje koke për Presidenten, për liderët e Bashkimit Europian. Ne mundohemi tua lehtësojmë, nëse na pyesin për opinionit tona, por nëse jo nuk na takon ne këtu në Tiranë t’i japim zgjidhje problemeve të planetit.

-Presidente e nderuar Von der Leyen, ju lutem cili është thelbi i kritereve që ju do të vendosni për shpërndarjen e financimeve nga plani i rritjes së Bashkimit Europian në situatën që përmend këtu, të një momenti të ri gjeostrategjik nisur nga interesat e përbashkëta të BE dhe të vendeve të rajonit, por edhe nga kërkesa  këmbëngulëse e qytetarëve për të patur rezultate të prekshme nga ky plan dhe për zotin kryeministër, si do t’i përgjigjet qeveria jua ofertës ose këtij plani të ri rritjeje për të marrë financimet që dëshiron Shqipëria për të vazhduar në rrugën e progresit të saj në procesin e  hyrjes në Bashkimin Europian. Ju faleminderit!

 

 

Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen: Historia e Bashkimit Europian ka treguar po të shikojmë që ne filluam kur u themeluam me 6 shtete dhe tashme jemi 27 dhe çdo herë që ka patur vende që janë bërë vende anëtare të Bashkimit Europian, ne e kemi parë që në mënyrë të menjëhershme ka sjellë përfitime, sepse është rritur niveli i jetesës, por që gjithashtu edhe për Bashkimin Europian, sepse tregun ynë i vetëm është bërë më i madh, pra është një situatë nga e cila përfitojmë të gjithë dhe për momentin plani i rritjes kërkon që të sjellë stimuj për të përshpejtuar dhe për të përdoruar këtë moment të caktuar të kësaj situatë që përfitojmë të gjithë, duke hapur dyert e ekonomisë, për tregti, për biznes, ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Europian. Dhe këtë dëshiron të arrijë  plani i rritjes. Pra ideja është se kemi parë shtatë fusha të ndryshme, në të cilat ne mund të hapim derën. Çfarë do të thotë kjo. Do të thotë që duhet të ketë të njëjta rregulla për të dyja anët e asaj dere, që do të thotë që janë të domosdoshme reformat, gjithësesi këto reforma do duhet të kryheshin për t’u bërë shtet anëtar i Bashkimit Europian, por është thjeshtë që këto reforma duhen bërë më parë në mënyrë që përfitimet që ato sjellin, pra këto dyer të hapura të shtatë fushave të ekonomisë të vijnë sa më parë, më herët  dhe që të japim stimuj për këto reforma. Dhe bashkë me reformat vijnë dhe investimet. Pra do të ketë korridore të reja tregtie, mundësi për biznes më shumë nga njëra anë. Natyrisht kërkesat për reforma në vende të caktuara të Ballkanit perëndimor sigurisht. Dhe e treta ka të bëjë me investime që do të vijnë në mënyrë specifike për të mbështetur këto reforma dhe ky është thelbi i planit të rritjes.

 

Kryeministri Edi Rama: Shumë shpesh ne e lidhim BE, KE, procesin me financime. Janë shumë të rëndësishme dhe pa diskutim që BE është rripi më i sigurtë i sigurisë për të gjitha vendet që janë në komunitetin europian, të cilat siç e keni parë në momentin e krizave të mëdha, pandemia, kriza e madhe e rritjes së menjëhershme të çmimit të energjisë, e kështu me radhe ka një përfitim shumë të madh, por sa na takon ne, vendeve tona përveçse i tillë, BE nuk eshtë një dyqan dhuratash. Por është shkolla më e sofistikuar dhe më e vështirë e shtetbërjes demokratike.

 

Në rajon, ne jemi vende me një traditë jashtëzakonisht të varfër institucionesh dhe Shqipëria mbase është ndër ato që edhe mes vendeve të rajonit ka pasur një histori që nuk e ka mundësuar dhe nuk e ka ndihmuar ngritjen e institucioneve dhe krijimin e një shteti në shekuj. Dhe BE është fati më i madh i yni për të pasur një shtet demokratik, me institucione funksionale që mundësojnë jetësimin e vlerave dhe standardeve të vendeve të BE në vendin tonë. Dhe në këtë proces shkollimi BE jep bursa. Këto janë bursa, nuk janë financimet që marrin vendet anëtare dhe ky program është një program i ri bursash, por bursat, e tha sot rektorja e Kolegjit Europian jepen për më të mirët dhe duke nisur dhe nga nevoja që të ndihmojnë ata që janë më të pamundur siç jemi ne në këtë rajon. Kështu që, kjo nuk është një marrëdhënie, një thes me para u mblodh dhe tani do shpërndahet. Kjo është një marrëdhënie, që po, një mundësi e re financimi është aty për ne dhe ne duhet t’i bëjmë detyrat e shtëpisë sa më mirë që të marrim sa më shumë financime në këtë drejtim. Asgjë nuk vjen me thjeshtë sepse u firmos, madje BE është i jashtëzakonshëm për të ta dhënë, për të të thënë ja ku e ke dhe ti mund të mos ta marrësh kurrë se duhet të shkosh ta marrësh ti, nuk të vjen. Në këtë sens ky është një incentiv shumë pozitiv. Dhe do të na ndihmojë që të bëjmë edhe më shumë përpjekje se nëse BE kërkon dhe nxit që Procesi i Berlinit të materializohet brenda perimetrit të vendeve tona si proces ku rriten liritë e lëvizjes së njerëzve, të mallrave etj dhe nëse nga ana tjetër thotë “ju mund të keni akses më shumë në tregun e përbashkët”, ne duhet ta harrojmë që mund të shkojmë të kemi akses në tregun e përbashkët dhe ndërkohë nuk plotësojmë detyrën tonë këtu në raport me rajonin. Pra, nuk mund të vësh tarifa dhe të bësh bllokime se kështu mendon ti brenda për brenda rajonit dhe pastaj të shkosh e të hysh, të përftosh të njëjtin akses në tregun e përbashkët

Të gjitha këto janë incentiva, janë një risi shumë e madhe që vjen nga fryma gjeopolitike që ka ky Komision Europian, gjë të cilën Presidentja e ka thënë që ditën e parë kur Komisioni ka filluar punën apo jo? Se ne në Shqipëri jemi mësuar që të vegjël që liderët t’i lexojmë dhe të mbajmë shënime. Dhe tani na takon ne. Na takon ne të bëjmë detyrat tona. Kjo është sfida. Jo t’i bëjmë detyrat tona sepse duhet t’i pëlqejë Komisioni, duhet t’i pëlqejë kancelarisë në Berlin, por sepse këto janë ajo që duhet për të nesërmen e këtij vendi.

Shumë faleminderit!

Previous Ministrja Koçiu inspekton Poliklinikën e Shkodrës: Investimi mundëson standarde më të mira për 50 mijë qytetarë