Kryeministri Edi Rama: Përshëndetje të gjithëve! E dashur Ursula, e nderuar Presidente e Komisionit,
Si gjithmonë është kënaqësi që të takohemi, jo sepse kështu e kërkon edukata diplomatike të thuhet, por sepse realisht ne e kemi ndjerë Komision Europian nën udhëheqjen tuaj më afër se asnjëherë më parë dhe ndjeshmëria e njohur qysh në kohën e shërbimit si Ministre e Mbrojtjes ndaj kësaj zone të Europës, Ballkanit Perëndimor, është theksuar edhe më shumë dhe është bërë edhe më e prekshme me drejtimin e Komisionit.
Ne jemi shumë të vetëdijshëm që falë jush personalisht, ne kemi pasur një mbështetje edhe më të madhe se ç’do ta kishim normalisht pas tërmetit katastrofik të pak viteve më parë. Ashtu sikundër jemi shumë të vetëdijshëm që edhe në këtë situatë kaq të vështirë për të gjithë, jo vetëm për ne, përsëri falë qasjes së Komisionit ndaj Ballkanit Perëndimor dhe falë qasjes tuaj personalisht, përsëri ne nuk jemi vetëm.
Kështu që unë dua ta falenderoj shumë Presidenten për këtë ndalesë në Tiranë. Kemi qenë së bashku për të parë punimet e hekurudhës së re, më në fund. Në këtë rast, jo për shkak të burokracisë së Komisionit, por për shkak të një burokracie tjetër, asaj të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Projekti ka nisur shumë më vonë sesa parashikimi, por jemi në kushtet ku mund të themi se në pranverën e vitit 2024 do të kemi aksin hekurudhor Tiranë-Durrës-Rinas dhe Rinas-Durrës-Tiranë.
Nga ana tjetër, sigurisht që takimi i sotëm ka një vlerë të veçantë për shkak se Presidentja na ka informuar për gjithë situatën financiare në kushtet e një lufte, që bombat edhe plagët i ka në Ukrainë, por pasojat e të cilës ndjehen në të gjithë Europën, përfshirë dhe ne këtu në Shqipëri, në çmimet stratosferike të tregut të energjisë dhe në inflacionin që ka prekur gjithë pa përjashtim.
Unë e informova Presidenten për qasjen tonë, për vendosmërinë tonë që ne të vazhdojmë të mbështesim me të gjitha mënyrat familjet dhe biznesin e vogël për të mos e prekur çmimin e energjisë elektrike, gjë që do të thotë një peshë e konsiderueshme për buxhetin e shtetit, por sipas nesh një peshë sidoqoftë e arsyeshme.
Nga ana tjetër, kemi folur pak, por do të takohemi përsëri më vonë, për një ngjarje të jashtëzakonshme për Shqipërinë. E para në histori, në 6 dhjetor, ku në Tiranë do të kemi Samitin e Bashkimit Europian me Ballkanin Perëndimor dhe të gjithë liderët europian dhe të Ballkanit Perëndimor do të vijnë në Tiranë për këtë Samit.
Tirana u bë në mënyrën më mbresëlënëse, për hir të vërtetës, skena e një finaleje europiane në futboll në fund-gjysmën e parë të vitit dhe tani bëhet skena e një ngjarjeje politike europiane të dorës së parë në fund të gjysmës së dytë të vitit. Në këtë aspekt, janë dy ngjarje të cilat deri pak vite më parë askush nuk mund t’i imagjinonte, jo më pastaj që t’i jetojmë.
E falenderova Presidenten edhe për këtë sepse jam i bindur që në zgjedhjet e mundshme edhe pse nuk ka për ta pranuar dhe nuk mund të ma pranojë as mua, por ka bërë avokatinë e Tiranës. Faleminderit!
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen: Faleminderit zoti kryeministër!
I dashur Edi, është vërtet kënaqësi që kthehem sërish në Tiranë. Sa shumë kanë ndodhur që nga vizita ime e shkuar përpara rreth një viti. Erdha këtu për herë të fundit në Tiranë atëherë dhe në korrik ju keni filluar negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Europian dhe unë isha vërtete e kënaqur që isha me ju atë moment. Në këtë moment historik, një moment prekës, një moment vërtetë i veçantë, por më lejoni të përsëris atë që thashë atëherë: Ky është suksesi juaj!
Është suksesi ose rezultati i shumë viteve plot me përpjekje, me punë të madhe që ka bërë Shqipëria dhe qytetarët e Shqipërisë. Pra janë si rezultat i viteve plot me durim. E mbaj mend shumë fort sigurisht dhe ju keni mbajtur, keni ruajtur një vëmendje shumë të fortë tek procesi e integrimit në rrugëtimin tuaj të integrimit europian dhe sigurisht kjo ka sjellë negociatat.
Ju keni treguar përherë përkushtimin tuaj ndaj vlerave të BE dhe ligjësimi juaj i plotë me përgjigjen e BE ndaj luftës brutale dhe agresore të Rusisë kundër Ukrainës, dhe më duhet të them që është shembullore të shohim që Shqipëria në formë aktive ka mbrojtur rendin ndërkombëtar të bazuar te rregullat në Këshillin e Sigurisë së OKB-së dhe ju falenderoj për këtë përkushtim të qartë dhe kjo ju nderon sepse na tregon ngahera që ne jemi një komunitet me të njëjtat vlera të cilat i ndajmë.
Shqipëria vërtetë po ecën përpara në mënyrë të vendosur në rrugën e saj drejt BE-së. Procesi i analizës së legjislacionit ka filluar dhe natyrisht po vijon siç duhet. Raporti fundit i zgjerimit që sapo është botuar kohët e fundit ka treguar të gjithë përparimin që po bën Shqipëria. Ju po forconi shtetin e së drejtës me reforma të rëndësishme në sistemin tuaj të drejtësisë, për të cilën ju arritët të krijonit konsensus ndërpartiak dhe për këtë ju falënderoj vërtetë sepse ne e dimë nga përvoja që ky është parakusht, por nuk është e lehtë ama sepse kërkon shumë forcë dhe është mënyra e duhur për të ecur përpara.
Ju gjithashtu keni miratuar dhe masa të reja për të siguruar barazinë dhe gjithë përfshirjen në shoqërinë tuaj. Ekonomia juaj është bërë e fortë sërish pas COVID-it, pra të gjitha këto janë arritje të dukshme dhe të prekshme. Këto janë arritje në një kohë plot sfida dhe këtu e kam fjalën për luftën e Rusisë, agresionin rus kundër Ukrainës dhe këtë mizori të tmerrshme dhe shkatërrim që kjo luftë dhe Rusia po i sjell popullit ukrainas. Rusia po shkel rendin ndërkombëtar dhe të drejtën ndërkombëtare dhe çdo kartë të OKB-së dhe ne e ndjejmë që Rusia po përdor në fakt energjinë si armë, po manipulon tregjet dhe natyrisht që ne të gjithë i ndjejmë efektet që sjellin si rrjedhojë të gjitha këto çështje që kanë të bëjnë me hallkat e pasigurta të sigurisë së furnizimit me energji. Fatmirësisht siç e thatë Shqipëria nuk ka fare varësi te gazit rus, kjo për shkak të sistemit tuaj të energjisë nga burime hidrike, por natyrisht që energjia elektrike që vjen në Shqipëri ndikohet nga trazirat që ne shikojmë në treg dhe këto çmime kaq të larta stratosferike dhe kjo sjell ndikim edhe në Shqipëri.
Ne në BE kemi vendosur që e vetmja përgjigje që mund të japim është me anën e unitetit dhe solidaritetit dhe për shkak e me këtë problem ne përballemi të gjithë sëbashku, kjo do të thotë unitet dhe solidaritet edhe më Shqipërinë.
Pra ne jemi pjesë e një unioni për energjinë, prandaj ne po propozojmë një paketë mbështetëse për energjinë për Ballkanin Perëndimor, të njëjtën gjë po bëjmë edhe në BE duke përfshirë së pari mbështetje të drejtpërdrejtë buxhetore për të ndihmuar mos vuajtjen e ndikimit që kanë çmimet e larta e energjisë tek familjet qytetarë, bizneset, siç e thatë edhe ju. Pra, do të jenë 80 milionë euro në grante dhe në rast se e kam kuptuar siç duhet, ju keni një sistem që është i mirë, pra funksionin për të ndihmuar familjet, por edhe bizneset e vogla në këtë kohë të vështirë.
Pjesa e dytë ka të bëjë jo me mbështetjen e menjëhershme, por me mbështetjen që do të vijë pas janarit. Në fakt në aspektin afatmesëm dhe afatgjatë mbështetja për sistemin e energjisë. Këtu po flasim për 500 milionë euro në grante për të investuar në infrastrukturën energjetike për të gjithë rajonin, që do të thotë që do të kanalizohet me anën e planit ekonomik të investimeve për Ballkanin Perëndimor i cili po funksionon tashme në këto momente këtu sepse është e vërtetë, unë e pashë në fakt personalisht fillimin e linjës hekurudhore që ju përmendët, por për mua është shumë e rëndësishëm që ne të investojmë me energjinë e rinovueshme sepse energjia e rinovueshme prodhohet në vend, na bën të pavarur, krijon vende pune në rajon dhe është e mirë dhe për mjedisin.
Investimi do të jetë për shembull në impiantin lundrues diellor, në një vend Vau i Dejës, shpresoj që e kam shqiptuar siç duhet, nuk e di a e kuptuat, Vuan e Dejës. Modernizimin e hidrocentralit të Fierzës dhe në fakt u habita shumë kur dëgjova që prodhon 1/4 e energjisë elektrike në vend si edhe plani po ndihmon me rinovimin e eficencës energjetikë të godinave të Qytetit Studenti, të Universitetit të Tiranës. Këto janë vetëm disa shembuj por tregojnë orientimin, drejtimin në të cilin ne po ecim.
Kryeministër, i dashur Edi, unë mendoj që sërish Shqipëria mund të ndihet krenare për arritjen e saj sepse nga fjalët dhe nga veprat ju keni treguar që qytetarët e Shqipërisë kanë treguar jo vetëm largpamësi, por edhe rezistencë dhe jeni në rrugën drejt Bashkimit Europian, kështu që nga ana ime urime, përgëzime për datën 6 dhjetor dhe do takohemi sërish këtu në Tiranë me Këshillin Europian dhe do të kemi Samitin e Ballkanit Perëndimor këtu në Tiranë dhe do të jetë vërtetë një takim ky tejet i rëndësishëm, kështu që me shumë dëshirë po pres këtë takim dhe faleminderit për mikpritjen sot.
* * *
– Zonja Presidente, Bashkimi Europian angazhohet me një fond prej 80 milionë eurosh përsa i përket energjisë. Përveç mbështetjes financiare për energjinë, në fakt kriza nuk është vetëm energjia, kriza janë karburantet të cilat kanë sjellë një rritje të çmimeve, inflacioni është rritur, pagat e qytetarëve janë zhvlerësuar dhe kemi të dhëna që shkojnë drejt një reduktimi të rritjes ekonomike vjetore. A ka një angazhim Bashkimi Europian që përveç ndihmës përsa i përket energjisë elektrike të ketë edhe një fond tjetër për të gjitha çështjet që unë përmenda?
E njëjta pyetje vlen dhe për ju zoti Kryeministër. A prisni ju tanimë që Shqipëria ka hapur negociatat anëtarësuese me Bashkimin Europian një tjetër mbështetje përveç për energjinë elektrike. Së dyti, 80 milion euro, sa % përmbush nevoja që Shqipëria ka për energjinë e importuar dhe a janë këto 80 milion euro një ndihmesë që qeveria ndoshta të shtyjë në kohë apo të tërhiqet përfundimisht nga rritja e çmimit të energjisë elektrike me 42 lekë mbi fashën 800 kWh?
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen: Përgjigja ndaj krizës energjetike që është edhe shtysa kryesore për inflacionin, por edhe për rritjen e çmimeve të produkteve e të gjitha ato efekte të tjera që vijnë, që ju i shpjeguat, reagimi duhet të jetë shumë më i gjerë sesa thjeshtë mbështetje buxhetore. Duhet të jetë dhe një reagim i strukturuar. Më lejoni pak minuta kohë që ta shtjelloj më tej atë që ne po bëjmë.
Së pari, është e rëndësishme që ne jemi pjesë e një unioni energjetik. E kemi avancuar tashmë anëtarësimin e Shqipërisë në BE, në fushën e energjisë dhe gjithçka që ne bëjmë na ndikon njëri-tjetrin. E ajo që kemi parë, është që gjatët 8 muajve të fundit, që prej fillimit të kësaj lufte të tmerrshme, Rusia në mënyrë të qëllimshme ka hequr 2/3 e furnizimit të saj me gaz për Bashkimin Europian që është rreth 100 miliard metër kub gaz dhe kjo ka sjellë efektin përkatës që është jo vetëm gazi që është rritur në çmim në tregun global, por edhe energjia elektrike që merret nga gazi, që është bërë më e shtrenjtë me të gjitha ato efekte që keni parë edhe në Shqipëri.
Ajo që kemi bërë është që së pari kemi diversifikuar në mënyrë të suksesshme larg nga Rusia me furnitorë si SHBA, Norvegji mund të përmend edhe të tjerë dhe në kemi mbushur magazinat, depot tona, jemi mbi 92% dhe këto janë në të gjithë Bashkimin Europian, por ama të gjithë përfitojmë nga këto depozitime të gazit. Kjo na jep tashmë sigurinë që ne do t’ia dalim gjatë këtij dimri vetëm në qoftë se ka pastaj rrethana të jashtëzakonshme, por jemi shumë më të përgatitur tani se ç’kemi qenë në fillim të luftës dhe tashmë kemi një situatë e cila është stabël dhe do të thotë që mund të shohim edhe ndërhyrjet në treg, të cilat ne i quajmë për shembull mekanizmin e korrigjimit të tregut.
Nuk dua të tregohem tejet teknike me fjalët e mia, por këto ndërhyrje për korrigjimin e tregut, janë për shembull me anë të shitjes me shumicë, ku kemi të bëjmë me TTF-në ose indeksimin e çmimeve dhe pjesa tjetër, ose tavani është ndikimi i çmimeve të larta të gazit tek çmimi i energjisë elektrike. Sa më shumë të ulim, aq më shumë do të ulim edhe çmimet e energjisë elektrike. Pra mbështetje financiare të drejtpërdrejtë, investime tek energjia e rinovueshme dhe te infrastruktura energjetike që kërkohet dhe është e domosdoshme si edhe një qasje e strukturuar me ndërhyrje në treg për të zbutur çmimet, ky është trekëndëshi që po përdorim për këtë krizë.
Kryeministri Edi Rama: 80 milionë euro nuk janë pak, janë një shifër e konsiderueshme. Për t’ju përgjigjur pyetjes sa pjesë e të tërë nevojës janë që ne të vazhdojmë të mbrojmë çmimin e familjeve dhe të konsumatorëve, janë 1/6. Nëse i referohemi këtij viti, ne na është dashur në total, deri në fund të vitit sipas parashikimit, duke pasur parasysh dhe çfarë është bërë deri tani, 460 milion euro. Kjo një shumë e kombinuar midis buxhetit të shtetit dhe operatorit të prodhimit të energjisë. Është një shumë marramendëse për tërësinë e buxhetit tonë, por është një shumë që ka ndihmuar edhe për inflacionin.
Pavarësisht se në ekranet tuaja dhe në faqet e informimit kjo gjë thuajse nuk duket asgjëkund, përkundrazi e kundërta dhe e pavërteta zë shumë vend, Shqipëria sot ka inflacionin më të ulët në rajon dhe arsyeja kryesore e këtij inflacioni të ulët është pikërisht apo më i saktë, më i ulëti në rajon pavarësisht se inflacioni s’është asnjëherë i ulët në kohë lufte sepse këtë inflacion e ka sjellë lufta, nuk e ka sjellë as qeveria, as Bashkimi Europian, është fakti që kemi një mburojë financiare për çmimin e energjisë.
Në rast se ne do të kishim relativizuar këtë mburojë, qoftë dhe pak të kishim prekur çmimin e energjisë duke afruar me tregun, sadopak te biznesi i vogël, kjo do kishte reflektuar menjëherë te të gjitha çmimet e familjeve, por faktikisht asnjë pikë shitje në Shqipëri nuk ka një çmim të energjisë elektrike të ndryshuar. Përkundrazi, paguan të njëjtin çmim të energjisë që paguante përpara fillimit të krizës së energjisë. Ky është fakti!
E dyta, e dëgjoj të përsëritur pyetjen “do hiqni dorë nga rritja e çmimit të energjisë”. Ne nuk do të rrisim çmimin e energjisë. S’e kemi thënë kurrë këtë gjë. Vendosja e fashës 800 kWh nuk është rritje e çmimit të energjisë. Është vendosja e një tavani nën të cilin çdo familje mund të kryejë të gjitha nevojat bazike, të gjitha, pa përjashtim, pa pasur nevojë për më shumë. Kjo është e llogaritur dhe mbi 1 milion konsumatorë, abonentë familjarë, 1.2 milionë më saktë, janë maksimumi 60 mijë familje të cilat konstatohet se dalin mbi këtë tavan në kulmin e nevojës për ngrohje apo për ftohje. Ky është komplet gjë tjetër në krahasim me fjalorin “rritje e çmimit të energjisë”.
Megjithatë edhe për këtë pjesë e sidomos për efektin psikologjik e patjetër edhe për të krijuar një filtër ndaj gjithë gënjeshtrave, fabrikimeve, helmimeve të përditshme të opinionit me të pavërteta që kanë terrorizuar një milet të tërë se do rritet çmimi i energjisë, një gënjeshtër e proporcioneve më të mëdha të mundshme, ne kemi shtyrë aplikimin e fashës për muajin tetor, jo sepse kështu deshëm ne, sepse po të ishte për atë që ne duam, s’do kishte fashë, do ishin bërë rrogat dyfish, pensionet dyfish e kështu me radhë, po këto lidhen të gjitha me mundësitë, por sepse ishin dy parakushte. E para, patëm reshje, jo aq sa do të donim, por sigurisht mjaftueshëm për ta konsideruar si krijim mundësie dhe e dyta, pamë një ulje të konsumit, që do të thotë një sjellje pozitive për kursim.
Aktualisht po e shohim çdo ditë. Për sa i përket reshjeve, s’kemi shumë për të parë sepse qielli është çdo ditë, shkëlqen nga dielli, pra lajmi është i keq, dita është e mirë. Për sa i përket kursimit, përsëri shikojmë pozitivitet, kemi ulje të konsumit. Nëse do të kursehet arsyeshëm, mundësia që ne të veprojmë ndryshe me fashën krijohet sepse fasha vendoset për kursim.
E fundit fare, ky alarm absurd, neglizhon komplet faktin që fasha 800 kWh ka kohë që është e vendosur në Republikën fqinje të Kosovës. Ka kohë që është e vendosur, është aty dhe pa kushte që të jemi të qartë dhe nuk na rezulton që ka prekur gjithë popullin e Kosovës, përkundrazi, sepse nuk prek të gjithë.
Për sa i përket pyetjes që iu bë Presidentes së Komisionit, duhet të jemi shumë të vetëdijshëm që Bashkimi Europian nuk është në kushtet kur ka një shpellë me ar që ka ardhur dita ta hapi dhe të derdhi florinjtë mbi gjithë popujt. Kjo është kohë lufte, nuk e kemi zgjedhur ne. Nuk e ndalojmë dot ne. Lufta është fakt dhe nuk është një luftë që nuk na atakon dhe s’ka lidhje me ne. Jo thjesht sepse na lidh përmes inflacionit dhe krizës së çmimeve, por na lidh edhe përmes përmbajtjes së saj. Unë e kuptoj që shqetësimet e natyrës ekonomike mund ta çojnë dikë të thotë, “po ç’na duhet ne lufta”! Ne na duhet shumë për të vazhduar të kemi këtë që kemi. Lirinë, demokracinë dhe përkatësinë në një familje të madhe e cila është e kërcënuar. Familja europiane sepse Vladimir Putin nuk ka shkuar në Ukrainë thjesht për Ukrainën, ka shkuar në Ukrainë për të gjunjëzuar perëndimin demokratik në anën e këtejshme të globit. Ky është basti dhe gjunjëzimi i Perëndimit demokratik në mendësinë e tij është pikërisht: ndërpriti gazin, 2/3 e furnizimit janë ndërprerë, rriti çmimet, futi në stres, nxirri në rrugë dhe bëji që të refuzojnë atë që kanë arritur dhe të ndryshojnë mendje për të gjithë mënyrën se si jetojnë. Kjo është gjëja.
Kështu që në këtë aspekt, ne sigurisht, e thashë, nuk na mjaftojnë fare ato 80 milionë, por ato janë një ndihmë e rëndësishme dhe unë jam shumë falënderues, ne i jemi falënderues Presidentes së Komisionit, Komisionit për këtë ndihmë. Ashtu sikundër, ne do të vendosim taksën e jashtëzakonshme duke ndjekur direktivën europiane, duke parë çfarë kanë bërë disa vende, taksën mbi 3 prodhues të mëdhenj të energjisë. Edhe këtu, do ju lutesha shumë të jeni korrektë me publikun që informoni dhe të mos flisni për taksë për gjithë HEC-et. Është taksë për tre prodhuesit e mëdhenj të energjisë në Shqipëri, të cilët nuk kanë bërë asnjë gjë për ta shitur energjinë me shumëfish. Nuk kemi ndonjë gjë kundër tyre, por ata nuk mund të nxjerrin fitime marramendëse se ju ra fati dhe ne të mos kemi mundësi të mbështesim ata që janë më në nevojë sepse kështu na ra fati. Kështu që do të vendosim taksën e jashtëzakonshme dhe me paratë e taksës së jashtëzakonshme do të mbështesim drejtpërdrejtë ata që janë më në nevojë.
Patjetër që janë të rëndësishme dhe ato që tha Presidentja, investimet. Një gjë që nuk e përmendi është ajo që diskutuam për investimin e përbashkët të Azerbajxhanit, të Bashkimit Europian dhe vendeve tona për gazsjellësin Jonian-Adriatik ose Adriatik-Jonian, si të doni, varet se nga niseni, që do të lidhë gazsjellësin Trans-Adriatik me Malin e Zi dhe Kroacinë dhe do jetë një vlerë e shtuar për vendin tonë.
Shqipëria do ketë një periudhë tranzicioni të vështirë për të dalë në një tjetër nivel sepse me investimet që po bëjmë për energjinë diellore dhe me investimet që po bëjmë për pjesën që ka të bëjë me gazin e lëngshëm, ne në vitin 2025, do jemi 100% të kapaciteteve për nevojat kur është mot me shi të mjaftueshëm kurse kur është mot pa shi fare do të na duhet të vazhdojmë të investojmë për vitin 2029.
– Një pyetje për ju kryeministër, por edhe për presidenten e Komisionit Europian. Të dy përmendët në fjalën tuaj Samitin e 6 dhjetorit në Tiranë. Cilat janë pritshmëritë nga ky Samit?
Kryeministri Edi Rama: Pritshmëria ime është që të vijnë njëherë të gjithë këtu, të zbresin në Tiranë të gjithë udhëheqësit e Europës, se këta të Ballkanit kanë ardhur shpesh dhe natyrisht, duke qenë një Samit i fokusuar tek Ballkani Perëndimor, të diskutojmë për këto tema, të shikojmë se çfarë është bërë dhe se çfarë mund dhe do të bëhet bashkërisht për vitin e ardhshëm, deri në Samitin tjetër sepse tanimë është krijuar një sinergji shumë pozitive midis Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor dhe pavarësisht se ne nuk jemi BE, atë E-në na e kanë kuptuar mirë tani dhe e konsiderojnë me një vlerë të barabartë. Pra europianë këta, europianë ne. Këta kanë edhe një B përpara, ne jemi vetëm E, por jemi europianë dhe fatet në gjërat e mëdha i kemi të përbashkëta.
Në këtë aspekt, besoj se kemi bërë avancime historike në raportin mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian dhe në raportin mes rajonit tonë, ku Shqipëria ka një rol të dorës së parë dhe Bashkimit Europian. Historike!
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von der Leyen : Po vërtetë, pritshmëritë tona janë që ne do të diskutojmë situatën gjeo-politike. Sigurisht në qendër të këtyre diskutimeve do jetë lufta e tmerrshme që Rusia po bën në Ukrainë dhe se si mund të mbështesim më tej Ukrainën sepse ne jemi shumë të qartë që ne do qëndrojmë krah Ukrainës për aq kohë sa të duhet dhe mendoj që edhe energjia do të luajë një rol shumë të rëndësishëm në këto diskutime dhe me gjithë ato pasoja që janë përmendur tashmë në këtë konferencë për shtyp.
Do kemi dhe tema të tjera si për shembull infrastruktura, por edhe se si do të vijojmë të trajtojmë krizën. Në fakt, zoti kryeministër, po ju dëgjoja me kujdes për gjithçka që ju thatë. Sigurisht që në Bashkimin Europian, Komisioni Europian e ka bërë të mundur edhe për shtetet anëtare që të merren me këto fitime kaq të larta të këtyre kompanive pasi kanë të ardhura super madhore të cilat nuk janë imagjinuar. Ne kemi marrë një pjesë të këtyre fitimeve për tu dhënë shteteve anëtare që të mbështeten familjet në nevojë dhe bizneset në nevojë. Është pikërisht pasqyrë e asaj që është bërë.
Më pas, ne do të diskutojmë dhe zhvillimin ekonomik dhe ato çështje aktuale që do të jenë aktuale në atë kohë. Një gjë që unë pres të diskutohet dhe e di që nuk do zhgënjehem në këtë gjë është mikpritja e mrekullueshme e Shqipërisë dhe e di që ka për të qenë një Samit vërtetë shumë i këndshëm këtu në Shqipëri.
Kryeministri Edi Rama: Duke qenë se kemi dhe një pyetje tjetër për të marrë, sipas marrëveshjes me delegacionin tjetër, dua të shtoj dhe këtë fakt. Bashkë me gjithë delegacionet që do të vijnë në Tiranë në 6 dhjetor, do të vijnë dhe shumë gazetarë, të cilët i përkasin kategorisë gazetarë që merren me politikë dhe të cilët, pjesa më e madhe rregullisht kanë menduar dhe mendojnë që Shqipëria është një vend i rrezikshëm.
Do vijnë këtu dhe do ikin me të njëjtën mendje që ikin të gjithë kur e shohin Shqipërinë, që Shqipëria ka vetëm një rrezik, që të bën të dashurohesh me të. Natyrisht, këtë e keni kaluar ju dhe prandaj e keni humbur dashurinë për të.
Shumë faleminderit!