Konferencë e përbashkët për shtyp e Kryeministrit Edi Rama dhe Presidentit të Këshillit Europian António Costa - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Konferencë e përbashkët për shtyp e Kryeministrit Edi Rama dhe Presidentit të Këshillit Europian António Costa

Në vigjilje të Samitit të 6-të të Komunitetit Politik Europian, Kryeministri Rama mikpriti sot në Tiranë Presidentin e Këshillit Europian António Costa, i cili do të jetë pjesëmarrës në Samit.

Pas takimit të zhvilluar mes tyre, Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti i Këshillit Europian António Costa dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp.

* * *

Kryeministri Edi Rama: Mirëmbrëma Presidenti i Këshillit Europian është përsëri në Tiranë dhe sigurisht që kjo është një kënaqësi e veçantë për ne dhe natyrisht e personalisht është kënaqësi që të ritakohem me Presidentin, i cili është një mik i dashur edhe shumë i mençur.

I dashur Antonio shumë faleminderit!

Ne jemi këtu sot pasi Presidenti ka vizituar të gjithë rajonin dhe është ndalur në Tiranë dhe për faktin që nesër do jetë i pranishëm në takimin, në Samitin e Komunitetit Politik Europian.

Natyrisht që, diskutuam për të dyja aspektet që na lidhin me Këshillin Europian dhe me Bashkimin Europian, për aspektin e procesit tonë të rrugës drejt anëtarësimit që po ecën shumë mirë.

Sot Shqipëria është zyrtarisht në tryezën e negociatave me 16 kapituj të hapur, 8 kapituj të tjerë do të hapen në ditët në vijim dhe synojmë që t’i hapim të gjithë kapitujt brenda vitit.

Ndërkohë që, siç e kam ndarë dhe publikisht gjatë gjithë fushatës elektorale në mënyrë të veçantë, plani i përbashkët me Komisionin Europian dhe i mbështetur nga vendet anëtare është që të arrimë të mbyllim negociatat në harkun e tre viteve, domethënë nga 2024 kur filluam, në 2027. Është një plan shumë ambicioz, por është një mundësi e jashtëzakonshme për ne, pasi janë rreshtuar yjet në njëfarë mënyre dhe BE sot, si asnjëherë më parë, të paktën në memorien time, është shumë i dëshiruar që të pranojë anëtarë të rinj, por natyrisht bazuar në meritë dhe bazuar në rezultat.

Aspekti tjetër për të cilin folëm me Presidentin është natyrisht ecuria në tërësi e rajonit sepse dhe kjo është e lidhur me arsyen pse BE sot është në gatishmërinë më të lartë për të pranuar anëtarë të tjerë sepse dhe konteksti gjeopolitik është i tillë dhe unë dëshiroj që të përfitoj nga rasti dhe sot, por patjetër dhe nesër, kjo do jetë pjesë e diskutimit që ti ftoj të gjithë kolegët e rajonit, miqtë e mi që të mos e humbasim këtë moment që historia na e ka sjellë në derë dhe ta shfrytëzojmë maksimalisht këtë gatishmëri të BE pa harruar që historia e gjithë këtyre viteve që procesi i zgjerimit mund të shpejtojë në një moment dhe mund të ngadalësohet për shumë vite.

E fundit, që dua të theksoj është që më vjen jashtëzakonisht mirë që këtu kemi dhe një mike të shtrenjtë të Shqipërisë, në fakt definicioni ekzakt nuk është mike, por është ish mike sepse tanimë është “skipëtare” nga Italia, Federica Moghnerinin,  që nuk e kuptoj akoma pse se ka bërë aplikimin për pasaportë shqiptare. Vetëm një justifikim ka që pret ta marrë pasaportën europianeShqipërisë, pra Europian Union Albania se nuk do këtë pasaportën me lëvizje të lirë, por pa të drejtë qëndrimi në BE.

Shumë faleminderit dhe studentëve të kolegjit që i shoh nga portreti që janë studentë kolegji se kanë një vezullim nga yjet e BE në portret.

Presidenti i Këshillit Europian, António Costa: Faleminderit shumë, i dashur Kryeministër, i dashur Edi për mikpritjen, për këtë mikpritje kaq të ngrohtë dhe që është kënaqësi për mua që përmbyll turin tim të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, këtu në Tiranë.

Siç e dini edhe ju për Bashkimin Evropian, zgjerimi me vendet e Ballkanit Perëndimor është investimi më i madh gjeopolitik që ne po bëjmë për momentin dhe ky është momenti i duhur dhe e kemi ne në dorë tashmë, për ta arritur këtë proces sa më shpejtë të jetë e mundur.

Shqipëria është mishërimi i procesit të zgjerimit të BE, duke qenë në rrugën e duhur drejt anëtarësimit në BE. Rezultati i zgjedhjeve këtë javë konfirmoi edhe një herë dëshirën e qytetarëve shqiptarë për t’u integruar në BE dhe i dashur, Edi më lejoni t’ju përgëzoj edhe një herë. Faleminderit për këtë fitore mbresëlënëse!

Anëtarësimi i Shqipërisë në BE është objektivi ynë i përbashkëtdhe këtu nuk bëhet fjalë për “ qoftë se’’ apo “se si’’, po këtu bëhet fjalë për “kur”. Ju e dini saktësisht se çfarë duhet bërë dhe ajo që dëshiroj të bëj, është që t’ju inkurajoj që sytë t’i mbani  drejt këtij objektivi dhe të arrini rezultate të tjera dhe tashmë në fund, dhe pikërisht tashmë dy çështje janë kyçe; ruajtja e ritmit dhe intensifikimit të punës, në veçanti sundimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit.

Ne gjithashtu qëndrojmë së bashku krah për krah në arenën ndërkombëtare, natyrisht të vendosur për të thelluar bashkëpunimin tonë për çështje që kanë të bëjnë me sigurinë dhe mbrojtjen. Gjithashtu dialogu, i pari i nivelit të lartë ndërmjet BE-së dhe Shqipërisë për mbrojtjen dhe sigurinë që u realizuapara pak kohe në Tiranë, është një shembull shumë i mirë i përafrimit që ne kemi me njëri-tjetrin.

Kjo javë shënon edhe një gur tjetër kilometrik, organizimin e Samitit të Komunitetit Politik Evropian në Tiranë që do të sjellë në kryeqytetin tuaj mbi 40 udhëheqës evropianë dhe është hera e parë që ky samit organizohet në këtë pjesë të Evropës, ndaj më lejoni t’ju përgëzoj për organizmin e shkëlqyer të këtij Samiti dhe me padurim pres takimet e ditës së nesërme.

Jam i bindur që ato do të jenë produktive dhe më lejoni që të përdor këtë mundësi, edhe për të përgëzuar Federica Mogherininpër iniciativën, për nismën në bashkëpunim me ju për çeljen e Kolegjit të Evropës këtu në Tiranë dhe unë i uroj mirëseardhjen studentëve të këtij viti të parë që marrin pjesë në studimet që është viti i Jacques Delors siç quhet.

Dhe më vjen shumë keq që nuk do të kem kohë që të vij tek Kolegji i Evropës, por ju kërkoj ndjesë dhe është kënaqësi që ju shoh të gjithëve këtu të pranishëm.

Faleminderit që erdhët sepse Evropa nuk do të thotë dhe nuk ka të bëjë vetëm begati, nuk do të thotë vetëm vlera; Evropa ka nevojë edhe për  fytyrën tonë të përbashkët që ta kemi atë dhe në një të ardhme të përbashkët dhe prandaj që shoh vitin JacqueDelors në Shqipëri, vitin e parë, është një kënaqësi e madhe për mua sepse pas baballarëve pra, atyre etërve themelues të BE, kjo ishte një gjë shumë e rëndësishme dhe tashmë, Edi ky është momenti siç ka qenë në 92-shin, për të marrë hapin tjetër të rëndësishëm  dhe fatmirësisht ju keni këmbe të forta dhe të gjata për të ndërmarrë hapa të mëdha përpara. Faleminderit.

* * *

– Pyetja e parë për ju zoti President. Zoti Rama më herë, por edhe sot, në konferencë për media, ka deklaruar synimin që ka Shqipëria për përmbylljen e procesit të negociatave të anëtarësimit deri në vitin 2027 me qëllim anëtarësimin me të drejta të plota në familjen  europiane në 2030. E shihni ju këtë si një objektiv realist dhe të arritshëm në këtë afat kohor? Ndërsa për ju zoti Kryeministër, vijon në të njëjtën tematikë, gjatë fushatës elektorale ju u kërkuat shqiptarëve votën me qëllim për tu dhënë pasaportën europiane.  Tani që qytetarët ju besuan sërish mandatin e katërt, a është ende premtimi që Shqipëria të jetë në BE në 2030? Faleminderit!

Presidenti i Këshillit Europian, António Costa: Unë nuk është se po kërkoj ndonjë gjë, ndonjë datë në vetvete magjike, por ne do të shikojmë dita-ditës se çfarë po bën Shqipëria, pra arritjet e Shqipërisë dita-ditës e sapo të kemi përfunduar procesin, në atë moment Shqipëria do të bëhet shtet anëtar i bashkimit Europian. Pse jo, madje edhe më përpara? Pse jo përpara vitit 2030? Që do të thotë që në rast se Shqipëria do të vijojë me këto rezultate, me të njëjtin ritëm, atëherë është plotësisht e mundur që Shqipëria të bëhet shtet anëtar i Bashkimit Europian përpara vitit 2030. Megjithatë, e gjitha kjo varet nga ecuria juaj. Nëse do të vijoni me të njëjtin ritëm dhe unë jam i sigurt që me këtë mesazh të fortë që kam për qytetarët shqiptarë dhe për ju Edi, për ekipin tuaj, që ti përgjigjemi të njëjtës pyetje a do të jetë e mundur apo jo, sepse ndoshta pyetja do të jetë që po, unë këtë dëshiroj të dëgjoj që Shqipëria do të bëhet shtet anëtar së shpejti.

Kryeministri Edi Rama: Besoj që në të gjitha rastet do vish vitin e ardhshëm, se do hapim Kolegjin e ri. Jemi duke ndërtuar një godinë që është më e bukur se ajo në Bryzh, kjo është ambicia dhe do vish ta inaugurosh, në të gjitha rastet.

Tani, për sa i përket pyetjes, unë nuk e kuptova pyetjen, ose më saktë po them po bëj sikur nuk e kuptoj, sepse pyetja ishte që gjatë gjithë fushatës unë thashë diçka për të marrë votat dhe cirku mbaroi? Apo ajo që thashë mbetet në fuqi? Kështu që, unë po bëj sikur nuk po e kuptoj pyetjen e po them që, jo vetëm që i qëndroj asaj që kam thënë, që ne na është dhënë mundësia historike pasi janë rreshtuar yjet bashkë dhe Bashkimi Europianka hapur derën, që të hyjmë në atë derë, nëse ne bëjmë të gjitha ato që janë të shkruara dhe të përmbledhura në planin që kemi në tavolinë së bashku me Komisionin, deri në fund të 2027. Kështu që ne do bëjmë tonën dhe duhet ta bëjmë patjetër tonën, sepse nëse ne nuk e bëjmë tonën, nuk ka çfarë bën as Antonio që e do me zemër këtë proces dhe Shqipërinë dhe rajonin, as ndonjë mik tjetër, sepse Bashkimi Europian funksionon me laps dhe me kritere e standarde që duhen përmbushur. Pasi ne të bëjmë tonën, pastaj topi është në fushën e tyre për të hapur derën. Zoti ju shtoftë inatin themi ne, edhe para 2030, por ne kemi vënë 2030,duke pasur parasysh që mund të ketë në proces momente që mund të marrin më shumë kohë. Kështu që absolutisht, kjo është një mundësi historike dhe ky është një mision historik për ne.

Ne jemi në mes të Europës, nga popujt më të vjetër këtu dhe për sa kohë nuk do hyjmë në Bashkimin Europian, do mbetemi të huaj e për ne nuk është çështja as fondesh, as prosperiteti, por në radhë të parë është çështje dinjiteti, është çështje identiteti, është çështje përkatësie e ne duam ta mbyllim këtë proces.

 

– Zoti President, unë dua ta vazhdoj pak pyetjen e koleges, pasi Brukseli e ka cilësuar Shqipërinë dhe Malin e Zi si pararojë në procesin e integrimit. Gjatë vizitës suaj në Mal të Zi, ju deklaruat se Mali i Zi mund të bëhet anëtar i Bashkimit Europian, me të drejta të plota, deri në 2028. Vlen ky afat për Shqipërinë, mbase pasi edhe shqiptarët kanë nevojë të dëgjojnë edhe deadline-e, pasi ju e thatë dhe pak më herët, besuan dhe shpresojnë që Shqipëria të bëhet anëtare në BE. Zoti Kryeministër, keni deklaruar dhe më herët që mandati juaj i katërt do të jetë mandati i integrimit të Shqipërisë në BE. Cilat janë fushat prioritete mbi të cilat do të bazohet ky mandat i katërt për të përshpejtuar procesin e integrimit?

Presidenti i Këshillit Europian, António Costa: Ne po jetojmë në momente të veçanta në botë sot dhe në këto momente të veçanta, më shumë se kurrë ne kemi nevojë që të përshpejtojmë bashkimin e të gjithë Europës dhe forcën, fuqinë e saj e kjo na sjell në këtë momentum, për zgjerimin. Sigurisht për Ukrainën, Moldavinë dhe Gjeorgjinë nëse ata dëshirojnë, por sigurisht edhe për Ballkanin Perëndimor dhe Ballkani Perëndimor na ka treguar edhe më parë që dëshironte të bëhej pjesë e BE. Sigurisht, këtu nuk është ndonjë garë apo konkurrencë por dëshira ime është që të gjithë këto vende, të gjashta vendet të ecin përpara sa më shpejtë të jetë e mundur me përmbylljen e negociatave që të tregojnë rezultatet e të përmbushin kriteret e kjo nuk ka të bëjë vetëm me të bërit e punëve për hir të bërit të punëve por me ndryshimin që do të sjellë, për mënyrën se si ne funksionojmë, do të ndryshojmë dhe mendësinë, mentalitetin. Ndonjëherë kjo nuk është e lehtë, këtë e di, se edhe unë vetë vijnga një vend që jemi bërë shtet anëtar vetëm përpara 40 vitesh dhe e di se çfarë do të thotë që ndonjëherë vazhdojmë të kemi vështirësi, por kjo është rruga e duhur për të ecur përpara.

Për shembull këtë javë unë vajta në Serbi, në Bosnje, në Kosovë, në Malin e Zi, në Maqedoninë e Veriut dhe sot jam në Shqipëri, duke plotësuar kështu të gjashtë vendet, vizitën në të gjashta, pavarësisht vështirësive që ka në të gjitha vendet. Ndonjëherë probleme dypalëshe, ndonjëherë probleme historike, gjithsesi të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor kanë një objektiv dhe dëshirë të përbashkët që të bëhen pjesë e Bashkimit Europian e të ecin përpara, të hapin një kapitull të ri e ajo që unë u them të gjitha vendeve është, dëgjoni, mund të keni besim te BE. Besoni tek ne.

Ne kemi një vullnet të qartë politik në Këshillin Europian.

Ne kemi një angazhim të qartë nga Komisioni Europian që ky është momenti i duhur për të arritur këto rezultate e duhet ta përdorim këtë moment, këtë çast.

E mbaj mend shumë mirë përpara disa vitesh kur kemi ardhur këtu në Tiranë dhe kemi dëgjuar Edi Ramën kur tha, dëgjoni, askush nuk ju beson më ose që ne do të bëhemi shtet anëtar sepse aq shumë herë është thënë saqë tashmë askush nuk e beson. Por ajo, që ka ndodhur në secilin nga këto vende të Ballkanit Perëndimor, por edhe mënyra se si ka ndryshuar BE-ja gjatë 2 viteve të fundit, ka ndryshuar tërësisht mendësia edhe në BE, por edhe qasja.

Kështu që, jam i sigurt që edhe Edi Rama beson tani në një gjë që nuk besonte para dy vitesh.

Kjo do të thotë që kjo gjë tashmë është e mundur. Për mua edhe kur përpiqem madje, që e zëmë edhe nëse do harrojmë për Ballkanin Perëndimor, se sa herë hyn në zyrë çdo ditë, shikoj një kanoçe CocaCola me një dizajn shumë të veçantë, nga vetë Edi Rama. Në vetvete ajo kanoçe shumë e veçantë është edhe simbolike, jo vetëm për faktin që e kishte projektuar e dizajnuar Edi Rama, por sepse kur isha për vizitë në zyrën e tij përpara disa vitesh në një cilësi tjetër, ai më ofroi një libër nga një shkrimtare vërtetë e madhe dhe shumë e mirë shqiptare, në portugalisht Lea Ypi “Të lirë” dhe unë e lexova librin gjatë udhëtimit ndërmjet Shqipërisë, Tiranës dhe Lisbonës dhe me të vërtet që e pëlqeva shumë atë libër, dhe u apasionova shumë pas librit dhe e di ajo po shkruan serish dhe është një novelë fantastike për të kuptuar historinë tuaj, historinë e Shqipërisë,por dhe historinë e Ballkanit Perëndimor.

Kjo është arsyeja se pse unë e kam ofruar si dhuratë tëKrishtlindjeve udhëheqësve të Europës librin e Lea Ypit. Dhe një nga momentet më simbolike të librit të saj ishte momenti kur po diskutohej për kanoçen e Coca-Colas, çfarë përfaqësonte ajo në atë kohë kur Shqipëria ishte një vend i izoluar dhe ishte aq larg të themi e veçuar nga vendet e tjera të Europes dhe sa herë e shoh atë kanoçe në zyrën time, gjithmonë mendoj “ky është misioni ynë, ky është objektivi ynë, që ti japim fund këtij izolimi dhe të përmbyllim bashkimin e familjes së kontinentit tonë europian.

Kryeministri Edi Rama: Çfarë të them unë tani pas kësaj? Nuk besoj se keni nevojë që unë t’ju shpjegoj detyrat që duhet të bëjmë se po ti hyj këtij shpjegimi, duhet ta mbajmë Presidentin e Këshillit Europian deri pasnesër këtu dhe duhet të humbim dhe EPC, kaq shumë detyra ka BE.

Por ne jemi shumë të vendosur ti bëjmë. Siç e dini ne kemi dhe një model të inteligjencës artificiale që na ndihmon shumë për gjithë procesin për transferimin e Acquis communautaire   Gjuhën shqipe dhe të një sërë informacionesh të tjera që marrim nga modeli dhe kemi dhe gjithë bindjen që pikërisht tani ky momenti, siç e tha dhe Antonio e ka ndryshuar komplet qasjen. Vetëm një gjë të korrigjoja. Unë personalisht nuk e kam humbur asnjëherë besimin, por gjithmonë kam thënë që kjo është një histori dashurie, deri kur ana tjetër do ta ndiejë  nevojën për ty, ti duhet të mos dorëzohesh. Dhe duhet të jesh gati në momentin,kur ana tjetër do hapë dritaren mbasi ti rri këndon poshtë dritares me vite të tëra bën serenata, nuk hapet dritarja.

Kështu që, tani dritarja është hapur, çarçafi është hedhur poshtë, ne tani të dashuruarit duhet të ngjitemi, duke pasur parasysh që dritarja mund të mbyllet nëse ne nuk arrijmë të ngjitemi me shpejtësinë e nevojshme. Kjo është pak a shumë panorama.

Do më lejoni dhe një herë ta falënderoj Presidentin për vizitën dhe për kohën këtu edhe të falënderoj dhe një herë studentet e kolegjit që na e zbukuruan këtë sallë sot.

 (Ju falënderoj dhe juve patjetër ngaqë juve ju kemi këtu gjithmonë, ju falënderojmë me disponimin tonë kjo ishte ideja por patjetër, faleminderit dhe ju të gjithëve)

 Faleminderit Antonio!

Previous Kryeministri Rama mikpret Kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar Keir Starmer/ Nënshkruhen marrëveshje bashkëpunimi