Konferencë e përbashkët për shtyp e Presidentit të Këshillit të Europës Charles Michel, Presidentes së Komisionit Europian Ursula von der Leyen dhe Kryeministrit Edi Rama në përfundim të Samitit BE – Ballkani Perëndimor - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Konferencë e përbashkët për shtyp e Presidentit të Këshillit të Europës Charles Michel, Presidentes së Komisionit Europian Ursula von der Leyen dhe Kryeministrit Edi Rama në përfundim të Samitit BE – Ballkani Perëndimor

Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel: Mirëserdhët në konferencën për shtyp në vijim të takimit midis BE dhe Ballkanit Perëndimor në Tiranë ku do të kemi dhe një deklaratë, por natyrisht do të kemi dhe një seancë pyetje-përgjigje.

Do të filloj duke falënderuar ngrohtësisht Kryeministrin Edi Rama për mikpritjen! Kjo është një mbledhje historike, gjatë së cilës ne shkruam historinë sepse për herë të parë kjo mbledhje u organizua në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Për herë të parë Bashkimi Europian dhe liderët e Ballkanit janë rreth së njëjtës tryeze, në vijim të takimit që ka ndodhur në Bordo, në Slloveni dhe në takimet që u zhvilluan në Bruksel gjatë samitit që u zhvillua në muajin korrik.

Kjo mbledhje sot, është deklarata që shoqëron punimet tuaja, është e rëndësishme sepse përmban hapa shtesë në rrugën e integrimit. Kam pak emocion që jam në këtë tribunë në Tiranë. Besoj thellësisht se e ardhmja e fëmijëve tanë do të jetë më e sigurt dhe më e begatë me Ballkanin Perëndimor brenda Bashkimit Europian dhe kjo bindje e përbashkët na bashkon për të favorizuar përmes projekteve konkrete dhe të prekshme këtë përafrim me Ballkanin Perëndimor. Të gjithë kemi detyrat tona për ta realizuar, ka pritshmëri me qëllim që reforma në fushën e shtetit së të drejtës, reforma në drejtësi, lufta kundër korrupsionit të avancojë.

Nga ana tjetër, Bashkimi Europian duhet të përforcojë kapacitetin e tij për të përforcuar tregun e përbashkët. Është ideja e marrëveshjes roaming që u nënshkrua sot, është një hap përpara në vijim të Samitit të Bordos ku lindi kjo ide dhe kjo do të bëjë të mundur që vitin e ardhshëm dhe në horizont 2027-ën të zvogëlojmë dhe të heqim praktikisht shpenzimet e roaming, gjë që është vërtetimi i një angazhimi konkret për ndërmarrjet, për kontaktet mes shtetasve dhe gjithashtu për zhvillimin turistik të rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Së fundi, progrese konkrete janë realizuar për të përballuar bashkë pasojat negative të sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës dhe kjo luftë ka pasur pasoja të rënda në fushën e energjisë, në fushën ekonomike dhe në fushën e furnizimit me ushqim. Prandaj është shumë e rëndësishme që të kemi një paketë financiare për të mbështetur e për të ndihmuar Ballkanin Perëndimor kur vjen fjala për të luftuar këto pasoja.

Gjithashtu, dua të them disa fjalë për emigracionin. Dua të them që kjo është një temë sfiduese dhe natyrisht ne përballemi sërish me vështirësi, lidhur me këtë dhe gjithashtu në rritjen e shifrave.

Kështu që, ky bashkëpunim konkret operativ në Ballkanin Perëndimor është thelbësor për të gjithë ne.

Do doja që të shpreh mirënjohjen time sepse ne patëm mundësi që të shënonim një lloj progresi duke harmonizuar politikën e vizave që është një hap konkret në drejtimin e duhur.

Ne e dimë që duhet të bëhen, të merren vendime shtesë dhe natyrisht do duhet që të bëjmë dhe progres të mëtejshëm për të menaxhuar së bashku këtë situatë. Është një mbledhje shumë e rëndësishme.

Dëshiroj të falënderoj edhe një herë Edi Ramën, të gjithë partnerët e Ballkanit Perëndimor sepse pati sot shumë respekt, shumë besim. Jemi të kthjellët për momentin që jetojmë, për brezat e ardhshëm. Janë momente shumë tronditëse, tronditje klimatike, tronditje numerike, kriza e COVID na tronditi të gjithëve, gjithashtu kjo luftë që shkaktoi këto pasoja dhe çështja është të dimë në cilën shoqëri do të jetojmë nesër. A duam lirinë? A duam që parimet demokratike të garantojnë jetën e çdo qenie njerëzore apo a duam ne një model tjetër? Zgjedhja është në dorën tonë. Ne të gjithë duhet të shohim në të njëjtin drejtim për të ndërtuar një Bashkim Europian që do të jetë i qëndrueshëm i bazuar në vlerat tona të përbashkëta.

Ju faleminderit!

Kryeministri Edi Rama: Në nder të gazetarëve të huaj dhe do të flas në anglisht dhe pse është e vështirë të më përkthesh mua nga shqipja në anglisht.

Dua të falënderoj me gjithë zemër Charles Michel, presidentin e Këshillit Europian dhe mikun e dashur, më duhet të them.

Së pari, mbi të gjitha një mik vërtetë besnik i angazhuar ndaj rajonit dhe mund ta them këtë sepse e kam parë të luftojë për rajonin dhe për këtë dua të bashkohem edhe për Ursulën, Presidenten e Komisionit Europian, një luftëtare e madhe, e mirënjohur për këtë rajon.

Siç e thashë në seancën tonë plenare, nuk kemi pasur kurrë, ose së paku nuk më kujtohet të kemi pasur një tjetër President Këshilli apo Komisioni që ka qenë si Charles dhe Ursula, kaq të vendosur për të qenë avokatë të rajonit për të nxitur e për të dhënë shtysë për rajonin e për t’u siguruar që procesi që ne dimë, është mjaft i vështirë në vetvete, të mos vdesë në agoni.

Thënë kjo, do doja të theksoja përmasën tejet historike të këtij Samiti.

Është hera e parë kur BE del nga kufijtë e BE për të mbajtur një samit dhe kjo ndodh në Ballkanin Perëndimor dhe konkretisht në Shqipëri.

E shoh si shenjë të jashtëzakonshme të një vetëdijesimi mbi të gjitha që këto ditë BE ka nevojë për Ballkanin Perëndimor, ashtu si Ballkani Perëndimor ka nevojë për Bashkimin Evropian.

Dhe sërish e shoh kështu si një vlerësim për vendin tonë për rolin e tij në rajon si një faktor i vendosur dhe rezistent i paqes dhe stabilitetit dhe bashkëpunimit. E dua po kështu, të besoj se është momenti që të gjithë njerëzve në rajon, por në veçanti popullit shqiptar t’i përçohet mesazhi që BE është këtu për ne, është këtu për ju sepse është një fakt i mirënjohur se barometri i Brukselit, barometri i BE e ka theksuar më shumë se sa një herë se shqiptarët janë kombi më pro BE në Europë, jo sepse jemi naivë, por sepse vijmë nga një ferr shumë, shumë i vërtetë, jo nga ferri francez, është parajsa që francezët e quajnë ferr, vijmë nga ferri i vërtete i izolimit dhe i pamundësisë totale për t’u lidhur me Europën.

Patëm momentet tona të vështira, patëm frustrimet tona, patëm momentet kur vuajtëm, por kurrë nuk hoqëm dorë nga kjo fe, besimi tek Bashkimi Europian.

Patjetër ky është një samit, është një takim, është një hap, nuk është fundi i rrugëtimit tonë drejt Bashkimit Europian, por është gur themeli në të njëjtën kohë që tregon, jo vetëm përmes pranisë, por edhe përmes fakteve të caktuara që do t’i detajojë edhe Presidentja e Komisionit, por dua që të them sot, t’u them studentëve, t’u them të rinjve në vendin tonë se nga ky samit ne vijmë me një lajm të shkëlqyer, që, jo vetëm universitetet tona do të jenë në gjendje të angazhohen me Erasmus +, por do të përfshihen në aleancën e arsimit të lartë në Europë dhe nga një moment i caktuar pasi të jenë përfunduar të gjitha procedurat e nevojshme, studentët tanë, fëmijët tanë mund të studiojnë prej këtej në çdo universitet europian në mënyrë digjitale dhe universitetet tona do të nisin të lidhin aleanca e të rriten së bashku me universitetet europiane. Kjo është diçka që deri më tash ishte e mundur vetëm po të ishe anëtar.

Ashtu edhe një tjetër çështje e korsive të gjelbra, me Kroacinë, me Italinë, me Greqinë dhe kjo është diçka e re dhe e shkëlqyer për transportin dhe për tregtinë.

Po kështu, një tjetër gjë fantastike që diskutuam dhe kemi marrë mbështetje në parim si të Presidentit të Këshillit, ashtu edhe Presidentes së Komisionit dhe mesa kuptoj edhe mbështetjen e plotë të udhëheqësve është për të punuar e për të pasur në Tiranë kampusin e Kolegjit të Europës në Bryzh (Bruges, Belgjikë).

Është një universitet me një reputacion mjaft të lartë me kampusin e parë në Poloni në 1992 për të mbështetur vendet ish-komuniste për të hyrë në BE dhe tashmë është koha që këtë kampus ta ngremë në Tiranë, është fantastike.

Jo më pak është marrëveshja për roaming-un, qytetaret tanë këtu e atje do të kenë mundësi së shpejti të kenë tarifa që janë shumë më të ulëta dhe që do të mundësojnë hyrjen në rrjetin e qytetarëve europianë.

Për ta përmbyllur me atë çka është shumë e rëndësishme, me energjinë. Ne kemi marrë tanimë nga BE përmes komisionit mbështetje buxhetore për vitin në vijim, 85 milionë euro, por në të njëjtën kohë ka një paketë tjetër për projekte dhe tanimë kemi projektet tona.

Rajoni do të jetë i gjithi i përfshirë në këtë rrugëtim për të ndërtuar më shumë burime energjie dhe për t’u distancuar gjithnjë e më shumë nga ndikimi rus, kështu që mund të flisja shumë më gjatë por dua të ndalem këtu.

E ju thashë edhe miqve europianë që ne jemi mikpritësit sot dhe ju thashë që në kanunin tonë, në kodin të parë të shkruar, shtëpia e shqiptarit i përket Zotit dhe mikut. Por pa gjejeni, sot kishim miq që në Shqipëri konsiderohen perëndi, perënditë e Bashkimit Europian dhe u thashë që kodi është shumë i qartë, duhet të përgatitesh që të jesh gati të japësh jetën për mikun, kështu që, ne jemi akoma gati, por janë këtu, largqoftë të ndodhë diçka, por jemi gati të japim jetën. Kurrë, nuk do ta përdorja këtë moment për t’u ankuar, për të kritikuar apo për të thënë gjëra të cilat mund t’i them shumë lehtë kur jam në Bruksel.

E  fundit fare, do të kujtoj diçka prej këtij takimi. Një moment të bukur kur ishim në foton në grup dhe po dëgjoja shumë prej tyre të thonin, “dielli, dielli, dielli’, dielli i mrekullueshëm’’.

Pra, ia dolëm pas 10 ditësh moti Brukseli të sjellim diellin sot në mëngjes për ta. Kështu që ç’të bëjmë më shumë? Jeta jonë është në dispozicionin tuaj. Zonja Presidente ju lutem, duhet ta thotë ai, sepse janë rregullat e Brukselit.

Presidentja e Komisionit Europian Ursula Von Der Leyen: Faleminderit, faleminderit shumë Edi. Ka qenë përvojë fantastike që të ishim këtu në Tiranë dhe ju jeni i shkëlqyer. Nuk besoj se kemi për ta harruar ndonjëherë atë momentin kur bëmë fotografinë në grup, si dhe shfaqjen që pamë, qoftë tradicionale, si dhe pjesën moderne bashkëkohore. E shkëlqyer! Fantastike ta shihnim këtë gjë. Faleminderit shumë për fjalët tuaja!

Më lejoni t’ju siguroj se mbështetja jonë për rajonin vjen vërtetë nga zemra dhe kjo për arsye se ne besojmë thellësisht se ne duhet të punojmë së bashku. Ju e thatë si mikpritës që do të jepni jetën për ne. Ne nuk duam jetën, ne duam të jetojmë jetët tona, ta jetojmë jetën së bashku.

Pra, faleminderit shumë për këtë Samit të mrekullueshëm, fantastik, të shkëlqyer!

Një mesazh shumë i qartë nga ky samit, i të qenit së bashku për ato çështje, të cilat janë sfida me të cilat përballemi ne të gjithë. Një samit partneriteti, një samit partneriteti me biseda të thella, të qarta, të drejtpërdrejta e të sinqerta. Natyrisht që, ne diskutuam shumë tema. Do të flas për disa prej tyre. Një temë madhore është që ne dëshirojmë të përballemi me sfidat që vijnë, jo vetëm nga kjo luftë  e tmerrshme që ka nisur Rusia në Ukrainë, por dhe pasojat e saj që ka të bëjë me sektorin e energjisë.

Për ne është e rëndësishme që së bashku me miqtë tanë nga Ballkani Perëndimor, ne përballemi me këtë sfidë së bashku në mënyrë të tillë ku ne reflektojmë gjithçka që do bëjmë ne në BE reflektohet dhe këtu në Ballkanin Perëndimor. Për shembull, fakti që familjet dhe bizneset këtu do të kalojmë po aq vështirësi sa do të kalojmë edhe ne, për ne është shumë e rëndësishme që të japim zgjidhje të njëjta prandaj kjo paketë prej 1 miliardë euro për mbështetje për sektorin e energjisë është e ndarë në dy pjesë. 500 milionë euro mbështetja e drejtpërdrejtë buxhetore e cila jep mundësi që në formë të shënjestruar t’i jepet ndihmë familjeve në nevojë si edhe bizneseve në nevojë. Ndërsa pjesa e dytë, gjysma e dytë, pra 500 milionë të tjera euro  janë mbështetje për infrastrukturën në mënyrë që të bëhet e pamundura që të bëhen investime për energjinë e së ardhmes sepse e së ardhmes natyrisht është energjia e rinovueshme. Është më pak e kushtueshme, është po ashtu më e mirë, me e gjelbër për planetin  dhe prodhohet këtu në vendet tona. Pra, sjell edhe vende pune, jep dhe vende të reja pune, por dhe krijon gjithashtu edhe pavarësi nga varësia që ka qenë e mëparshme. Pra, për energjinë e rinovueshme, për infrastrukturën, për ndërlidhjen, por edhe për efikasitetin e energjisë.

Ne dje, gjithashtu miratuam 6 projekte të ndryshme, të cilat shkojnë që nga për shembull fermat fotovoltaike, fermat e energjisë me erë, si edhe për shembull rehabilitimin  e hidrocentraleve. Sigurisht që theksi këtu vihet tek efikasiteti i energjisë, prandaj është e rëndësishme pra përmirësimi me anën e investimeve të tjera shtesë për spitalet, për universitetet, për shkollat, natyrisht me anën e  një sistemi efikas të energjisë, kështu do të përmirësohet dhe situata. Por përveç energjisë si sektor kjo është një  pjesë e saj natyrisht, por kemi dhe një kuadër më të gjerë të planit të investimeve ekonomike, të cilën ju e keni dëgjuar tashmë, me investime në fushën e transportit, në fushën e furnizimit me ujë, por këtu kemi përfshirë natyrisht dhe kemi miratuar dje 40 projekte të rëndësishme me një shifër të madhe në euro.

Pra lajmi i mirë këtu është që ky plan ekonomik i investimeve po funksionon dhe po ecën në drejtimin e duhur. Gjëja tjetër ka të bëjë me situatën në të cilën shikojmë pra marrëdhënien ndërmjet Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Europian. Më lejoni t’ju siguroj sërish që ne tërësisht dhe me zemër mbështesim procesin e zgjerimit dhe të integrimit të rajonit.

Këtë vit, ne kemi parë shumë ecuri, përparime, progres. Kemi patur në fakt konferencën e parë ndërqeveritare me Shqipërinë dhe  Maqedoninë e Veriut, pra shikojmë një lëvizje të re në të gjithë këtë proces. Ka qenë vërtete një hap historik për çeljen e negociatave dhe tashmë ka filluar procesi i vlerësimit analitik të legjislacionit dhe kjo punë po vijon.

Ne, Komisioni kemi rekomanduar dhënien  e statusit të vendit kandidat Bosnje-Hercegovinës natyrisht me kusht që të ndërmerren disa hapa dhe presim që të merret dhe një vendim nga Këshilli në lidhje me këtë çështje. Dhe përveç kësaj ecurie, që ne shikojmë, natyrisht që ka dhe një çështje tjetër të rëndësishme, e cila ka të bëjë me integrimin ekonomik, pra tregun e përbashkët rajonal.

Këtu dëshiroj t’ju përgëzoj shumë vërtetë për këtë ecuri që keni patur, përparime për këtë treg të përbashkët rajonal gjatë muajve të fundit.  Është gjë shumë e mirë për rajonin që ju keni nënshkruar marrëveshje më njeri-tjetrin, të cilat theksojnë rëndësinë e lirisë për të udhëtuar, për të studiuar, për të punuar. Kjo e bën tregtinë më të lehtë në rajon, krijon vende të reja pune, të gjitha tema këto, të cilat janë të rëndësishme për qytetarët dhe që theksojnë edhe një herë rëndësinë e këtij Samiti, që përshpejtohen dhe më tej me ritëm më të madh.

Një çështje tjetër që ne diskutuam sot ka të bëjë me migracionin. Migracioni ka qenë një sfidë me të cilën jemi përballur të gjithë. Ne kemi një interes të plotë dhe të përbashkët për të bashkëpunuar në të gjitha këto aspekte. Këtu bëhet fjalë për menaxhimin e migracionit në formë të përbashkët, prandaj komisioni ka propozuar një plan veprimi, pikërisht për të rritur dhe bashkëpunimin tonë reciprok dhe për mua është e rëndësishme që të përçoj edhe një herë mesazhin që mund të mbështeteni tek ne. Ne do t’ju japim të gjithë mbështetjen e duhur për menaxhimin e kufirit për procesin e azilit. Kjo është një sfidë e përbashkët dhe ne këtë duhet ta menaxhojmë së bashku, prandaj është e rëndësishme për ne që të ecim përpara  në këtë fushë. Në të njëjtën kohë, ne presim që të gjithë partneret tanë të Ballkanit Perëndimor të jenë në harmonizim të plotë me politikën tonë të vizave, pra në përputhje të plotë në mënyrë që të mbahen regjimet pa viza, liberalizimi i vizave sepse kjo ka të bëjë dhe me respektimin reciprok të rregullave.

Dhe së fundmi, më lejoni të theksoj edhe këtë çështje që është kaq e rëndësishme që ka të bëjë me rininë, e di dhe sa e rëndësishme është kjo çështje për ju.  Projektet, të cilat ju përmendët dhe ju keni qenë i pari që më keni thënë për shembull që ju donit që në këtë rajon të kishte më shumë shanse, më shumë mundësi për të rinjtë dhe ju keni qenë ai që na keni kërkuar që të mendonim për shembull mundësi për ta bërë nismën e universiteteve europiane realitet këtu në rajon. Ja që ja arritëm këtë gjë. Faleminderit shumë që e nisët ju këtë proces. Dhe universitetet e Ballkanit Perëndimor do të mund të bëhen pjesë e rrjetit të universiteteve të BE, që do të thotë që studentët e vendeve të Ballkanit Perëndimor  do mund që jo vetëm të studiojnë, duke qenë fizikisht në universitete të ndryshme të Europës, por edhe në formë virtuale, duke qenë në vendin e tyre, por në të njëjtën kohë kanë qasje të drejtpërdrejtë tek këto universitete dhe këtu është ai vizioni juaj që kishit për të patur kolegjin e  Europës, një universitet kaq të rëndësishme ashtu siç e kemi dhe në Bryzh dhe në Poloni dhe nga ana ime kjo është një gjë që shpresoj që në një nga Samitet e tjera ne do themi: Ja e arritëm dhe këtë gjë. Faleminderit shumë!

* * *

-Pyetja e parë është për të dy presidentët. Nuk e di a keni arritur ta kuptoni një tipar që i karakterizon njerëzit në këtë pjese të Ballkanit Perëndimor, që është që duan t’i dëgjojnë gjërat qartë dhe me zë të lartë. Pse u zgjodh Tirana, ishte arsyeja pse shqiptarët janë populli më “europëdashës” dhe serbët për shembull janë populli që e duan më shumë Rusinë? Ishte kjo një nga arsyet dhe pyetja për Kryeministrin Rama: Ka një paketë të dytë për gjithë Ballkanin Perëndimor. Për Shqipërinë a kemi shifra se sa do t’i takojë Shqipërisë dhe kush janë projektet që ju synoni të mbështesni me këtë mbështetje të BE?

Presidenti i Këshillit të Europës Charles Michel: Atëherë pse Tirana? Sepse para disa javësh u propozua që të bëhej ky takim këtu, ky samit deri në fund të vitit dhe para se të vendosnim Tirana sigurisht dukej si vendi i duhur dhe ju falënderoj ju, i nderuar Z Kryeministër, Z. Edi, ekipin tuaj sepse ishte mbresëlënëse, pra se si u bë e gjithë kjo gjë dhe që në kaq pak kohë organizuat një gjë kaq të madhe. Nuk është e lehtë, ne kemi në fakt përvojën tonë në Bruksel, kërkohen përpjekje nga më të ndryshmet, zakonisht ka përpjekje të ndryshme logjistike që duhen zgjidhur, por që kjo gjë u bë e mundur dhe jo vetëm që ishte e mirë për Shqipërinë, sigurisht pra që kemi në sinjal shumë të qartë që ne e përçojmë të gjithë qytetarëve të Ballkanit Perëndimor sepse ideja nuk është që ne vetëm të flasim me udhëheqësit e vendeve tuaja, por edhe t’u dërgojmë mesazhin e duhur qytetarëve. Pra ne jemi tërësisht të bindur se e ardhmja jonë është e përbashkët.

Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen: Ndoshta pjesa që ju pyetët, 85 milionë është një mbështetje e drejtpërdrejtë buxhetore brenda kësaj pakete prej 500 milionësh.

Ka një sërë projektesh të ndryshme që tashmë po financohen me 500 milionëshin tjetër, besoj 6 projekte, të cilat miratuam dje, janë 120 milionë. Unë di që disa prej projekteve janë për shembull një central i madh fotovoltaik këtu në Shqipëri, por nuk i mbaj mend të gjitha projektet e tjera përmendësh, kështu që ndoshta mund të hyj më shumë në detaje me stafin tonë.

Kryeministri Edi Rama: Mënyra ballkanike për të folur për Tiranën, është sepse jemi  më të mirët, jemi më të vjetrit dhe sigurisht sepse jemi më besnikët.

Unë nuk mendoj këtë dhe nuk e them këtë. Unë thashë thjeshtë që për ta, ishte vendi më i mirë për të qenë, duke qenë se është vendi më pro-europian në Europë, bazuar në barometrin europian, jo në opinionin tim dhe do të shtoja sepse Tirana është kaq e bukur, dhe nëqoftëse se Mark Rutte dje i tha shtypit holandez që kjo është aventura më emocionale e këtij viti e BE-së, imagjinojeni tani që ta thuash pak më butë, sa e bukur është.

Kur vjen fjala për paketën do të thoja që veç asaj çfarë shpjegoi Ursula, ju e dini që ka një paketë tjetër, e cila mbështetet në projekte. Kemi një sërë projektesh për të cilat jemi gati të aplikojmë. Njeri është tubacioni gazsjellës që do të lidhë Fierin me Vlorën për të siguruar ndërlidhjen me gazsjellësin Trans – Adriatik, gjithashtu dhe terminalin e Vlorës dhe terminalin energjetik, sidomos centralin ku do të kemi transformim të gazit, pra kalim të gazit.

U përmend nga të gjithë sot në seancë plenare, që Ballkani ka një potencial të madh për t’u shndërruar në një qendër të mirëfilltë për të ndihmuar qendrën e Evropës për të dalë nga varësia ruse. Sigurisht, Shqipëria është pjesë e Ballkanit Perëndimor dhe sigurisht  Shqipëria ka një potencial të rëndësishëm dhe rol të rëndësishëm për të luajtur në këtë drejtim dhe jam shumë i lumtur në fakt, që kjo është një mënyrë se si e kuptojmë së bashku nga ana e Ballkanit Perëndimor dhe nga ana e BE.

Ne punojmë së bashku siç ju e dini. BE nuk jep para dhe të thotë “merri, se ti je më i miri, je më i vjetri dhe të duam”. Paratë janë, por duhet të bëjmë projektet e duhura, të përmbushim kriteret e duhura dhe më pas të marrim paratë, por jam i sigurte se do të jemi në gjendje ta bëjmë këtë, siç e kemi bërë më parë, siç jemi tani dhe jo vetëm ne, por të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor sepse do të shkojmë përmes kuadrit të financimit të Ballkanit Perëndimor, instrumenti i financimit. Faleminderit!

-Tani që Samiti mbaroi dhe Brukseli erdhi në Tiranë dhe ndër të tjera shijoi vallet dhe diellin tonë, pyetja ime për të tre ju, është: Kur do të vijë Tirana në Bruksel? Kur do të anëtarësohet Shqipëria dhe rajoni, pasi duket sikur duhet qe Rusia të shtojë bomba diku që ju të keni vëmendjen në rajon.

Kryeministri Edi Rama: Mund ta nis unë. Do të thoja që është e padrejtë ta thuash këtë sepse ecuria, përparimi që është bërë, sidomos në periudhën e fundit dhe pa asnjë dyshim edhe për shkak të luftës si një përshpejtues, është i jashtëzakonshëm. Nuk ishte 10 vjet më parë. Është pak kohë më parë që ndodhi që ishim në Bruksel dhe patëm gjithë këtë diskutim, një konferencë shtypi ku Charlie, as nuk u shfaq, e kështu me radhe, është diçka krejt ndryshe.

Më lini ta përmbyll pjesën time duke ju thënë, kur vjen fjala për anëtarësimin duhet të bëjmë detyrat tona të shtëpisë dhe unë ua thashë e ua them të gjithëve përherë, dhe nuk kam ndryshuar mendim. Përpara kur kisha debatet e mia me disa prej miqve dhe udhëheqësve evropianë për arsyet se përse na duheshin bisedimet për anëtarësim, iu thosha, na duhet të kemi instrumentet e anëtarësimit, e procesit të anëtarësimit, për t’u forcuar, për të forcuar institucionet tona, për të ndërtuar sistemet tona, për të arritur në nivelin e një shteti funksional në nivelin e BE-së. Nuk është anëtarësimi sapo ka nisur, kam të njëjtin mendim edhe sot. Na duhet të bëjmë detyrat e shtëpisë.

Pra, nuk ka të bëjë më marrjen me vrap, por në të njëjtën kohë ajo çfarë ka ndodhur është historike, sepse BE ndër kohë po krijon hapësira e po krijon mekanizma mbështetjeje që po na sjellin ne më pranë pa pritur qe të jemi anëtar, sipas mënyrës së vjetër dhe nuk po flas për 30 vjet më parë, por pak vite më parë, kurrë nuk do të kishim hyrë në aleancën e universiteteve. Sepse të hysh në atë aleancë universitetesh, duhet të jesh anëtar i Bashkimit Europian. Ne po hyjmë aty. Pse? Sepse ka një mirëkuptim të përbashkët, që ndërkohë që bëjmë detyrat e shtëpisë, duhet edhe të mbështetemi e të jemi gjithmonë e më pranë për ta mbledhur bashkë, për ta bërë bashkë këtë Europë. Marrëveshja e roaming nuk do të kishte ndodhur kurrë, nëse ky përshpejtim nuk do ishte i pranishëm. Korsitë e gjelbra, të gjitha gjërat që po ndodhin janë gjëra të reja. Është mendësi e re. Ja pse e thashë që falë të dy presidentëve që janë këtu e me të cilat kam nderin të jem këtu, gjërat po ndryshojnë e nëse ju kujtohet, kur Ursula u votua për të qenë Presidente e Komisionit, tha, “është lindja e një komisioni gjeopolitik”. E kjo është ajo çfarë ka ndodhur. Për herë të parë Ballkani shihet e trajtohet si një rajon gjeostrategjik dhe gjeopolitik për Bashkimin Europian. Kur do të jemi anëtarë? Një gjë është e sigurt. Ne, Shqipëria, shqiptarët jemi besnik Bashkimit Europian edhe nëse Bashkimi Europian zhduket. Ne do të vazhdojmë të luftojmë që të jemi anëtarë edhe nëse jemi vetëm ne anëtarë, nuk ka rëndësi. Ne duhet të bëjmë përparime, kjo është më e rëndësishmja.

Presidenti i Këshillit të Europës, Charles Michel: Dëshiroj të shtoj që Bashkimi Europian nuk ka pikësynime që nuk do të jetë ndonjëherë aty më, kështu që do të vazhdojë Bashkimi Europian. Nuk prita këtë mbledhje, për të ardhur në Tiranë. Kam ardhur si kryeministër belg dhe kam patur rastin të shkëmbej rregullisht me kryeministrin Edi Rama prej 3 vitesh në funksionin tim dhe para shpërthimit të luftës së Rusisë ndaj Ukrainës kam pasur rastin të vij në Tiranë.

Janë këto dialogë, këto shkëmbime, këto të kuptuarit më mirë me Edi Ramën e me liderët e tjerë të rajonit që na bënë ne në Bashkimin Europian të kuptojmë rëndësinë për të bashkuar këtë proces dhe kohët e fundit kemi qenë të shumtë që e kemi kuptuar që duhet përshpejtuar procesi i integrimit të Ballkanit Perëndimor dhe është e vërtetë që lufta e filluar nga Rusia e përforcoi këtë bindje që kishte një dimension gjeopolitik urgjent që duhej marrë parasysh, por faktet janë fakte.

Para disa muajsh ishim në Bruksel dhe ju e mbani mend konferencën e shtypit të Kryeministrit Edi Rama në Bruksel pas mbledhjes, në Bruksel pati një ndjesi frustrimi reciproke, një ndjesi lodhje, një ndjesi braktisje, por gjithashtu pati një reagim falë mbledhjes së Brukselit me vullnetin e fortë nga të dyja anët për të punuar për të zhbllokuar atë që ishte bllokuar dhe ishte bllokuar në mënyrë absolutisht të padrejtë dhe kjo bëri të mundur që të rilançohej ky proces e të rilançohej ambicia dhe lista e krijuar nuk ishte një listë qëllimesh, por listë projektesh konkrete e të prekshme që janë fryt i shkëmbimeve që kemi patur para fillimit të luftës me Edi Ramën, i cili më ka thënë që nuk duhej pritur fundi i procesit të integrimit për të patur rezultate progresive, të prekshme  të perceptueshme nga qytetarët e vendeve tona dhe vendet tona të kuptojnë përfitimet e përafrimit pa pritur përfundimin e procesit. Unë shpresoj që procesi të jetë sa më i shpejtë. Do të ketë një integrim efektiv të Ballkanit Perëndimor. Kjo do të thotë guxim, punë, reforma të kryera mirë. Që të jem i qartë, kur flasim për paketën energjetike, për marrëveshjen energjetike, për universitetin, për të rinjtë shqiptar që do të jenë më shumë të pranishëm në universitetet europiane.

Mbërritja e Universitetit të Bryzh (Bruges) këtu, e Kolegjit Europian, gjithashtu çështjet që kanë të bëjnë me sigurinë, me emigracionin, janë çështje jashtëzakonisht konkrete, që kanë një impakt konkret në jetën e qytetarëve, në jetën e ndërmarrjeve, e nuk janë fjalime të përgjithshme.

Jemi të lumtur që jemi në Tiranë, do të vijmë shpesh në Tiranë e shpresojmë që miku ynë Edi do të vijë gjithashtu në Bruksel për të punuar bashkë.

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen: Dëshiroj të them edhe unë pak fjalë Edi. Po, është e vërtetë që ne i kemi kuptuar këto gjëra decizive. Kjo në sajë të luftës brutale që Rusia ka nisur kundër fqinjit të vet, e thjeshtë se ai fqinj kishte mendimin e vet për të ardhmen e vetë. Pra, ne shikojmë një moment deciziv dhe është sikur është hapur perdja dhe tashmë shikojmë thelbin e gjërave dhe thelbi i Bashkimit tonë Europian është që ne jemi një Bashkim Europian vlerash. Ne jemi dhe një bashkim për begatinë, për të ardhmen, por në themel, ne jemi bashkim për vlera dhe sigurisht që e kam pasur të qartë, që gjatë këtyre muajve vendimtarë, të cilët na kanë sjellë në kohë që e kanë shndërruar BE, ne jemi të mendimit që në Ballkanin Perëndimor, por dhe në Bashkimin Europian, ne shikojmë këtë lëvizje shndërruese, transfomative përpara, por ama kemi të njëjtin drejtim. Këtë e shikojmë dhe në integrim dhe në ekonomi, në mënyrën se si për shembull jemi përballur me krizën e energjisë, që së bashku ne jemi harmonizuar, duke investuar në formë masive për energjinë e rinovueshme, me synimin që në një të ardhme të afërt, me shpresën se do të jetë një e ardhme e afërt, ne do të jemi një i vetëm, pra me këtë infrastrukturë që po ndërtojmë tani.

Një shembull tjetër edhe më tregues për këtë gjë, për këtë qasje, është nisma për universitetet e Europës, sepse asgjë nuk mund të jetë më bindëse se të rinjtë, të cilët rriten në të njëjtin mjedis arsimor e të cilët do të jenë ata që do të jenë brezi i ardhshëm i Bashkimit Europian, duke ndarë të njëjtat vlera e duke punuar për një Bashkim të vetëm Europian, e këtu besoj që kjo luftë e tmerrshme, skandaloze, ka sjell më shumë përshpejtim, më shumë shtysë e inkurajim për të ardhmen.

– Një pyetje për presidentin Michel. A mendoni që kjo mbështetje për t’i dhënë statusin e vendit kandidat Bosnje dhe Hercegovinës javën që vjen dhe ne dëgjuam nga Ppresidentja e Komisionit që kjo gjë do të ndodhë, mund të na jepni një përditësim për këtë?

Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel: Nuk dua të them ndonjë gjë më përpara, por këto gjëra i kemi në tryezë dhe presidenca çeke po punon fort që në takimin e radhës ministerial kjo gjë të ndodhë e ne këtu jemi duke dhënë mbështetjen tonë, por nuk dua t’i dal punës përpara. Dua të shmang këto gjëra e shpresoj shumë që do ketë sinjale të mira që do të jepen shumë shpejt gjatë ditëve në vijim, por le të shikojmë se cili do të jetë vendimi që do të merret në nivel ministerial.

– Zoti Rama, mund të jepni një përgjigje për atë sulm ndaj kryetarit të opozitës?

Kryeministri Edi Rama: Përgjigja ime është e qartë, e kam dhënë tashmë që prej një ore, nuk kam asgjë për t’i shtuar. Është në faqen e internetit të qeverisë.

– Do të doja të flisja për temën e zgjerimit, sidomos për Kosovën. Sot, ka 5 vende që nuk e njohin ende këtë vend dhe sot në mëngjes, Presidentja e Kosovës kërkoi që do të dëshirojnë të paraqesin kandidaturën në Bashkimin Europian. A është e mundur e si i shikoni gjërat për Kosovën?

Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel: Dy pika shkurtimisht. Unë konfirmoj që ky informacion u publikua, u shpall nga presidenca e Kosovës, elementi i parë. Elementi i dytë, i takon Këshillit Europian që ta trajtojë këtë temë e të shikojë se çfarë vijimi do t’i jepet kësaj iniciative. Faleminderit!

 

 

Previous Deklarata e Tiranës në Samitin BE – Ballkani Perëndimor