Kryeministri Edi Rama: Mirëdita! Sot jam këtu së bashku me Ministrin e Financave për dy tema shumë të rëndësishme, besoj, të fundvitit.
E para, Samiti i djeshëm vjetor i Bashkimit Europian me Ballkanin Perëndimor dhe e dyta, akti normativ që sapo kemi kaluar në qeveri. Po e nis unë me të parën pastaj ministri do t’iu informojë ju dhe përmes jush publikun e gjerë për përmbajtjen dhe qasjen e aktit normativ.
Dje ishte një Samit ku u diskutua perspektiva e vendeve tona në rrugën e integrimit europian.
U vu në pah progresi i bërë, u fol për procesin e normalizimit mes Serbisë dhe Kosovës, për nevojën e linjëzimit të plotë të të gjithë vendeve të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Europian në aspektin e politikës së jashtme dhe më vjen shumë mirë të ndaj sot me ju faktin se vendet anëtare kanë një vlerësim shumë pozitiv për progresin e Shqipërisë dhe posaçërisht nga ana e Komisionit Europian vlerësohet me nota shumë pozitive performanca e skuadrës sonë kombëtare të negociatave në fazën e parë, tanimë të përmbushur, të skanimit të krejt organizmit shtetëror të Shqipërisë, si dhe të tregjeve tona.
Këto ditë do organizoj edhe një takim falënderimi dhe motivimi për më tej të anëtarëve të kësaj skuadre, e cila në totalin e vet, po të marrim negociatorët, të marrim prezantuesit dhe kontribuuesit, është rreth njëmijë vetë, ku përfshihen, jo vetëm institucionet e ekzekutivit, por edhe institucionet e pavarura, një skuadër, e cila ka bërë 777 prezantime në Bruksel gjatë 14 muajve nga çelja e procesit të negociatave të anëtarësimit dhe përfitoj nga rasti tua përcjell që sot edhe njëherë falënderimin dhe mirënjohjen për organizimin, për përkushtimin, për profesionalizmin dhe për disiplinën e të 36 ekipeve përbërëse të kësaj skuadre të cilët siç e thashë, kanë lënë një mbresë të shkëlqyer. Këtë gjë e kam dëgjuar disa herë, por sidomos dje nga përfaqësuesit e Bashkimit Europian në këtë proces, në mënyrë të veçantë.
Më pas, në fjalën e mbajtur dje në emër të Shqipërisë, kam falenderuar me gjithë zemër presidentin e Këshillit Europian, Charles Michel, presidentet e Komisionit Europian Ursula Von der Leyen, Komisionerin për Zgjerimin Oliver Varhelyi dhe patjetër edhe ekipin e gjithë Drejtorisë së Përgjithshme të Fqinjësisë në Bruksel dhe nuk ka qenë një falenderim thjesht formal, por një falenderim i sinqertë dhe shumë i ndjerë për gjithë emrat që përmenda më lart, lidhur me një punë të përbashkët thuajse 5 vjeçare dhe përpara faktit që ky ishte Samiti i fundit i BE-së me Ballkanin Perëndimor nën lidershipin aktual të Këshillit dhe të Komisionit sepse siç e dini, qershorin e ardhshëm, zgjedhjet e reja europiane do të prodhojnë një lidership të ri, Parlament të ri Europian, Komision të ri dhe drejtim të ri të këtyre strukturave.
Ne jemi sinqerisht mirënjohës sepse e vërteta është që si kurrë më parë, Ballkani |Perëndimor është dëgjuar, kemi fituar një respekt që nuk e kemi pasur kurrë dhe është bërë pjesë e pandarë e punës së lidershipit të Brukselit. Nuk e kam bërë kalkulimin aritmetik, por ma ha mendja se ndoshta të dy presidentët aktualë, Charles Michel dhe Ursula Von der Leyen e kanë vizituar Shqipërinë, por edhe rajonin më shumë se të gjithë paraardhësit e tyre të marrë së bashku.
Më tutje, kam informuar, me shumë krenari për hir të vërtetës, Samitin për modelin tonë të ri revolucionar, inovativ të Inteligjencës Artificiale me të cilin ne do të bëjmë ndërvendosjen e 3484 masave të organizmit ligjor të BE-së në legjislacionin tonë, të paktën duke qenë gati pastaj kjo do të jetë edhe pjesë e strategjisë sonë të procesit, por duke qenë gati me të gjithë malin e dokumentacionit, 5 vjet më shpejt sesa Kroacia, e cila mbahet mend nga të gjithë për një performancë shumë serioze dhe eficiente në këtë proces që Kroacisë, – flas për këtë proces teknik, – i mori 7vjet. I mori 7 vjet siç do të na merrte dhe ne, mbase edhe më shumë sesa 7 vjet, siç ua ka marrë vendeve të tjera, siç mund t’u marrë edhe vendeve në rajon në rast se do të ndiqnim dhe do të ndjekim rrugën tradicionale, manuale me ngritjen e një armate përkthyesish, juristësh, asistentësh ligjorë thjesht dhe vetëm për të siguruar përkthimin dhe redaktimin, korrektimin jo thjesht gjuhësor por edhe në gjuhën ligjore të dhjetëra e mijëra faqeve masa ligjore që duhet të adoptojë një vend për t’u bërë gati nga pikëpamja teknike për anëtarësimin në Bashkimin Europian.
Sigurisht që kam informuar dhe për modelin tjetër që nuk është dhe nuk ka sesi të jetë gati, por synimi ynë është që të jetë gati brenda këtij mandati për një minimizim të paprecedentë të pjesëmarrjes së njeriut në proceset e Prokurimeve Publike, duke përdorur Inteligjencën Artificiale. Modeli i parë ku procesit të ndërvendosjes së trupit ligjor të BE-së, acqui siç quhet ndryshe, në trupin ligjor të Republikës së Shqipërisë e ka kaluar me sukses testin dhe tani jemi në procesin e kolaudimit dhe do të fillojmë zbatimin me një shpejtësi që falë Inteligjencës Artificiale dhe teknologjisë digjitale është eksponencialisht më e lartë sesa rruga tradicionale.
Më tej kam prekur sigurisht çështjen e marrëdhënies strategjike të Shqipërisë me BE-në, si një marrëdhënie që bazohet tek një religjion i përbashkët që është Evropa, i të gjithë shqiptarëve, si një amanet i vjetër i atyre që na lanë porosi që të mos harrojmë asnjëherë se për ne dielli lind andej nga perëndon, si një mision dhe si një borxh historik ndaj gjeneratave të tjera dhe patjetër edhe si një fuqi e shtuar për të punuar dhe për të përballur me durim çdo vështirësi e për të kapërcye çdo pengesë të çfarëdo natyre.
Sigurisht që është trajtuar nga ana ime edhe çështja e vështirësisë që prej vitesh në fakt, krijojnë eksportime e mosmarrëveshjeve bilaterale mes një vendi dhe një tjetri në tryezën e BE-së, për hir të së vërtetës ka një sensibilizim shumë të lartë, sidomos nga shtetet më me eksperiencë, më me jetëgjatësi në familjen e bashkuar evropiane, lidhur me pikërisht faktin se si çështjet bilaterale të eksportuara nga një vend anëtar në tryezën e Këshillit Evropian krijojnë pengesa të paarsyeshme sepse çështjet bilaterale janë çështje që duhet të zgjidhen midis dy vendeve dhe aq më tepër është e pakuptueshme dhe është e paarsyeshme që në një proces integrimi, ku një vend hyn në negociata që do të thotë, hyn në një fazë përfundimtare të shtetbërjes evropiane, duke përfituar përditë nga transferimi i dijes nga BE, të pengohet, të vonohet sepse ka një çështje bilaterale.
Mbase do të ishte më e kuptueshme, mbase, që kur vjen momenti që vendi i ka përfunduar të gjitha dhe është vetëm vota për t’u anëtarësuar, atëherë cilido mund të thotë që “jo, unë s’jam dakord’’ por kjo pengesë është në një farë mënyrë e paarsyeshme. Jo vetëm e paarsyeshme, por edhe jo evropiane në frymë dhe natyrisht rastet dhe historitë kanë qenë jo një e dy, por më shumë se sa një e dy, dhe nuk është rastësi, dhe këtë e kam thënë që të gjitha ato raste vijnë nga zona e Ballkanit.
Dhe nëse nuk do të gjendet një rrugë për të ndarë njëherë ë mire çështjet bilaterale nga procesi i negociatave, Ballkani dhe vendet që janë të përfshira nëpër këtë proces në rajonin tonë, mund ta parashikojmë pa vështirësi se sa probleme të tjera mund të nxjerrin rrugës mes njëra-tjetrës, aq më tepër kur bëhet fjalë për çështje të natyrës historike, për çështje të natyrës krejtësisht politike dhe jo për çështje që prekin ndonjë aspekt që lidhet me vlerat dhe parimet e BE.
Ndërsa në raport me çështjen e dallimit aktual mes nesh edhe Greqisë, unë nuk jam zgjatur, por kam nënvizuar se kjo është një çështje mes nesh, që ne duhet ta trajtojmë mes nesh dhe që në të gjitha rastet është një çështje që përsa në takon si Shqipëri, ne nuk e shohim të lidhur as me procesin e negociatave, por as me përmbajtjen e marrëdhënies tonë me Greqinë, e cila është një partner strategjik i Shqipërisë, e cila është një vend fqinj me të cilin ne duam t’i thellojmë marrëdhëniet e fqinjësisë, të thellojmë bashkëpunim dhe patjetër të forcojmë miqësinë, duke bërë gjithçka që na takon ne dhe ne duam të jemi një vend evropian në Ballkan, jo një shtet ballkanik në BE.
Shqipëria duhet, mund dhe me punën tonë të përbashkët do të bëhet Evropa e Ballkanit. I ka të gjitha ato që i duhen për t’u bërë Evropa e Ballkanit dhe transformimi i brendshëm i Shqipërisë është shumë i rëndësishëm për të gjithë ne. Ndryshimi i Shqipërisë nga një vend i prapambetur, vend i një rrumpalle ballkanike, në një vend që funksionon si një shtet anëtar i BE-së, është po aq i rëndësishëm dhe mbase më i rëndësishëm se sa vetë anëtarësimi i Shqipërisë në BE.
Për këtë arsye këto janë të lidhura pazgjidhshmërisht bashkë dhe për këtë arsye pozicioni ynë është ky. Ka pasur një keqkuptim që është i mrëkuptueshëm sepse lidhet me natyrën teknike të funksionimit të procesit. Këshilli Evropian nuk merr vendim lidhur me këtë, Këshilli Evropian ngarkon konferencën apo mbledhjen e ambasadorëve të vendeve anëtare që në ditët e ardhshme të procedojnë nga pikëpamja formale, teknike, lidhur me të gjitha vendet, lidhur në raportin e progresit, bazuar në edhe në indikacionet patjetër të Këshillit Evropian dhe të çdo vendi që përfaqësohet nga ambasadorët e vet.
Pra unë mbetem optimist që ky ngërç për të cilin nuk dua të zgjatem se kam folur shumë do të kapërcehet, por mbetem po i të njëjtës bindje se kapërcehet apo s’kapërcehet ky ngërç, Shqipëria praktikisht nuk vonohet asnjë ditë, jo muaj e vite sepse ndërkohë ne do të vazhdojmë dhe do të bëjmë detyrat tona dhe për më tepër kemi tani në dorë një instrument të jashtëzakonshëm, modelin tonë inovativ të inteligjencës artificiale, të cilin ia kam shpërndarë të gjithë miqve të familjes europiane, bashkë me një urim nga Shqipëria dhe nga shqiptarët. Dhe ne do të jemi gati për BE shumë më shpejt sesa BE të jetë gati për ne.
Kam prekur çështjen e procesit të normalizimit mes Serbisë dhe Kosovës, më falni Serbisë sepse Shqipëria dhe Kosova e kanë kollaj dhe aty kam theksuar edhe në praninë e përfaqësues së shtetit të Republikës së Serbisë se me të njëjtën qartësi dhe me të njëjtën gjuhë të troçtë që unë në të njëjtin vend apo në të tjera rrethana dhe takime kam shprehur bindjen se Serbia nuk duhej sanksionuar për moslinjëzimin me BE në sanksionet ndaj Rusisë se Serbia nuk ka asnjë të ardhme tjetër përveçse nën çatinë e Europës së bashkuar. Se çfarë ndodhi në Banjskë dhe shpallja e zisë kombëtare që pasoi për vrasjet e efektivit të policisë, jo vetëm që ishte një ngjarje asnjë lidhje me vlerat europiane, por ka lëkundur besimin dhe ka vënë në pikëpyetje linjën e gjatë të kredisë në kuptimin politik, që unioni së bashku me vendet e tjera të rajonit, përjashtuar Kosovën në këtë rast i kanë dhënë Serbisë për ta nxitur që të përfshihet përfundimisht në anën e duhur të historisë së këtij rajoni dhe për të mbajtur sa më larg zjarrin e përhapjes së konfliktit, që ka shpërthyer në Ukrainë. Prandaj është koha që të përballet me vetveten dhe të vendosë të gjithë gurët tek e ardhmja europiane e rajonit dhe t’i përgjigjet në mënyrë konstruktive ndryshimit pozitiv të Kosovës në dialogun e ndërmjetësuar nga BE.
Dhe po ashtu i jam drejtuar edhe përfaqësueses së lartë të Republikës së Kosovës në tryezë, si dhe Kryeministrit në mungesë, ashtu sikundër dhe Presidentit të Serbisë në mungesë patjetër, me të njëjtën gjuhë troç, që Kosova nuk ka asnjë arsye, por mbi të gjitha ka vetëm humbje nëse humbet interesin e miqve dhe aleatëve të saj të mëdhenj në atë tryezë, duke u sjellë siç është sjellë për një kohë të caktuar më parë, çka është një humbje, jo vetëm për Kosovën, por për gjithë rajonin, i cili e ka të nevojshme si dritën, si ajrin, si ujin për jetën që të dalë përfundimisht nga zona e dhimbshme dhe degraduese e historisë dhe kam theksuar se tani është koha që Kosova të vazhdojë më tutje dhe të ndërtojë qasjen mbi themelin e ri që ka vënë, me hapin shumë pozitiv që hodhi, duke e pranuar pas një humbje kohe të gjatë, por nuk ka më rendësi kjo gjë, krijimin e asosacionit të komunave me shumicë serbe dhe duke bërë kështu që t’i hapë rrugë restaurimit të besimit shumë të dëmtuar të miqve dhe të aleatëve, por edhe të gjithë përfitimeve që vijnë nga një marrëveshje përfundimtare me Serbinë për të ardhmen e Kosovës dhe për të ardhmen e rajonit.
Dhe kam bërë thirrje në këtë rast së bashku me Presidenten e Republikës së Kosovës që Këshilli Europian të heqë menjëherë të gjitha masat shtrënguese apo sanksionet që iu imponuan Kosovës për arsye të njohura dhe të kuptueshme në atë kohë dhe duke bërë këtë, t’i japë Kosovës mbrapsht një inkurajim, një vlerësim pozitiv për ndryshimin pozitiv të kursit të Kosovës në qasjen ndaj dialogut të lehtësuar nga BE.
Më tutje, kam vlerësuar planin e ri të rritjes siç quhet, që është prezantuar nga i cili Shqipëria do të ketë një përfitim të rëndësishëm si mbështetje e drejtpërdrejtë financiare dhe si mbështetje në anën tjetër për sektorin e ekonomisë dhe kam kërkuar më shumë sepse eshtë shumë e qartë që kaq nuk mjafton. Vendet e rajonit tonë nuk mund të rrinë midis gjithçkasë së një vendi anëtar dhe kësaj diçkaje shumë modeste të një vendi jo anëtar, por duhet të ndihmohen shumë më tepër, duhet të mbështeten shumë më tepër, duhet t’u hapen rrugë të reja për t’u integruar në ndërkohë në tregun e përbashkët europian, për të pasur të tjera mjete financiare dhe një tjetër status të ndërmjetëm midis statusit të një vendi kandidat që negocion dhe statusit të një vendi plotësisht anëtar, ka rrugë për të një status të ndërmjetëm dhe për një prani të plotë të vendeve tona në gjithë ngrehinën e BE në Bruksel.
Këto qenë pak a shumë pikat kyçe që në një farë mënyrë kanë qenë pjesë e kornizës së diskutimit të bërë ditën e djeshme të këshillit evropian, ku e përsëris edhe njëherë tjetër, Shqipëria është me një pozitë dhe në një raport si asnjëherë më parë, e barabartë mes të barabartësh dhe e respektuar, e vlerësuar, e dëgjuar, njësoj si të gjitha vendet e tjera dhe mbi të gjitha me dinjitetin e plotë të një shteti që nuk pranon të trajtohet asnjë fije ndryshe nga askush tjetër.
Po ia kaloj fjalën ministrit dhe pastaj për ndonjë pyetje.
* * *
-Ditën e sotme në axhendën e Kuvendit ishte planifikuar për t’u miratuar edhe marrëveshja që ju keni nënshkruar me Italinë për marrjen e refugjatëve, por mbrëmjen e djeshme ka patur një vendim të Gjykatës Kushtetuese për të caktuar një datë për ta shqyrtuar, si e komentoni ju këtë gjë?
Kryeministri Edi Rama: Është e drejta e Gjykatës Kushtetuese, është e sanksionuar në Kushtetutë detyra automatike e Gjykatës Kushtetuese për të qëmtuar një marrëveshje ndërkombëtare përpara ratifikimit të saj. Kështu që unë s’kam asgjë për të shtuar këtu sepse nuk shoh asgjë që të lidhet me detyrat e mia
-Zoti kryeministër ju folët për sa i përket çështjes së hapjes së kapitujve. Pyetja ime është a druheni pikërisht se ky moment shumë i rëndësishëm i integrimit evropian të Shqipërisë, të hapjes së kapitujve të pësojë të njëjtin fat, sikundër ishte edhe çelja e negociatave? Komisioneri për Zgjerim ka rekomanduar shpeshherë nisjen e negociatave, por për hir të atyre që keni thënë dhe ju më parë, konjukturave politike të vendeve të ndryshme, u shtynë me disa vite dhe u mundësua vetëm në 22 korrik të vitit të kaluar.
Kryeministri Edi Rama: Së pari, ka një përgjigje pyetja se pse Shqipëria në këto 14 muaj pati një performancë që la mbresa shumë pozitive në Bruksel. Pse Shqipëria dhe si Shqipëria arriti të bëjë bashkë 1000 veta pothuajse, pak më shumë, pak më pak, po 1000 vetë, për 36 sektorë, për 777 prezantime dhe përgjigja është sepse ne nuk humbëm në fakt kohën e punës, pavarësisht vonesës politike. Ne, kohën e punës nuk e humbëm dhe u përgatitem në ndërkohë, që në momentin që arsyet politike për shtyrjen e fillimit të procesit të skanimit, pra për shtyrjen e hapjes së negociatave, të mos ekzistonin më dhe negociatat të hapeshin dhe ne të ishim në top formë dhe ne ishim në top formë, e njëjta gjë dhe tani, madje dhe më lehtë tani sepse kapitujt nuk janë sekret.
Kapitujt mund t’i marrë, t’i trajtojë dhe një vend që nuk është fare në këtë proces dhe mund t’i adoptojë në trupin e vetë ligjor të gjitha masat edhe pa qenë fare. E unë për këtë do të bëj një bisedë me Kryeministrin e Kosovës dhe këdo qoftë me të bashkë, për tua propozuar që ata ta bëjnë këtë proces sidoqoftë, pavarësisht se s’janë akoma vend kandidat dhe në momentin kur politikisht hapet rruga, të jenë gati në shumë gjëra që përndryshe do duhet t’i bëjnë pasi të hapet rruga.
Ky është vullnet i mbështetur në një vizion dhe i mbështetur në një qëllim të madh. S’ka asnjë problem pasi nuk jemi në kushtet kur ne i kemi përfunduar të gjitha detyrat dhe tani po vonojnë se nuk po na bëjnë anëtarë. Ne jemi ende larg atij momenti. Ne duhet ta afrojmë atë moment dhe ai moment afrohet jo politikisht thjesht, por ai afrohet në radhë të parë duke i pasur të gjitha detyrat të kryera dhe këtë të detyrave të kryera e kemi në dorë vetë. Nuk na i mban dot dorën njeri që ne mos bëjmë ditë, natë detyrat tona. Në rast se politikisht pengohet hapja formale e fazës tjetër të negociatave, ne do të bëjmë punën dhe në momentin kur kjo pengesë do të hiqet, ne do të kemi bërë një pjesë të konsiderueshme të punës dhe përsëri do të jemi në super formë në momentin kur ekipi ynë do të përballet me përfaqësuesit e Brukselit dhe do të bëjë prezantimet e radhës. Është shumë e thjeshtë kjo dhe mbi të gjitha në kushtet kur kemi në dorë instrumentin e ri inovativ të inteligjencës artificiale, pra nuk na duhet të ngremë një armatë përkthyesish, nuk na duhet të ngremë një armatë juristësh as në sensin ligjor, nuk na duhet të nxjerrim buxhete nga buxheti i shtetit ekstra. Kjo është shumë herë më e thjeshtë. Ka vetëm vështirësinë që ka në të gjitha rastet edhe kur gjithçka shkon normalisht, edhe kur ka një anomali të tillë, përndryshe është e thjeshtë. Rëndësi ka këtu çfarë impakti ka këtu ky proces. Ne nuk po përgatisim një ekspozitë për në Bruksel që të marrim Shqipërinë dhe ta çojmë në ekspozitë. Ne po përgatisim një shtet anëtar këtu, në Shqipëri, për shqiptarët. Dhe këtë nuk na e pengon dot askush që ta bëjmë.
– Zoti kryeministër, hetimet e SPAK kanë nxjerrë që nga 60 milion euro para publike që janë shpenzuar për ndërtimin e impiantit të menaxhimit të mbetjeve në Tiranë, rreth 40 milion euro janë transferuar në kompanitë e të akuzuarve për mashtrim. Janë zhdukur pa u bërë asnjë punë sipas SPAK-ut. Ju dhe qeveria juaj si personat që iu është besuar të menaxhoni paratë publike a mund të na shpjegoni se çfarë ka ndodhur me këto para? Çfarë ka dështuar në menaxhimin e këtyre parave?
Kryeministri Edi Rama: E para e punës njëherë, unë nuk jam llogaritar këtu. Jam kryeministër i Shqipërisë. E dyta e punës, SPAK-u është organi i akuzës. Gjykata është organi që vendos dhe midis akuzës dhe vendimit ka një proces të tërë që nuk është proces ku përfshihet qeveria, po është proces ku përfshihen komponentët që e përbëjnë procesin. Prokurorët, të akuzuarit, avokatët, gjykatësit. Përgjithësisht unë edhe pa SPAK-un fare, jam i prirur që këto lojërat me shifra dhe këto kalkolatriçet popullore t’i shoh me shumë skepticizëm.
Ndërkohë që në këtë rast, s’është fare kjo pyetje për mua. Kjo është një çështje e një procesi që duhet të bëjë rrugën e vetë dhe në fund ka një gjykatë që vendos. Në të treja shkallët e saj dhe vetëm në fund, atëherë ne mund të bëjmë diskutime të natyrës teorike se si ndodhi, çfarë ndodhi në aspektin e shifrave. Nuk dua të bëj asnjë koment lidhur me këtë se kam parë çudira që janë për të qeshur dhe për të qarë me këto kalkolatriçet folklorike.
– Zoti Rama, do doja t’i kthehesha pak sërish çështjes së marrëveshjes me emigrantët që ju firmosët me homologen italiane në 6 nëntor. A i druheni ju një pezullimi përfundimtar nga ana e Gjykatës Kushtetuese pas shqyrtimit të kësaj marrëveshje dhe çfarë ndodh më pas? Së dyti, ju folët gjatë në fakt për samitin që u mbajt dje mes Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Europian në Bruksel. Nga disa video të shpërndara ne kemi parë një moment përpara fotografisë familjare që ju patët një komunikim me homologun grek, Mitsotakis. Cili ishte qëndrimi i tij sa i takon kësaj bllokade të vendosur nga shteti helen për Shqipërinë?
Kryeministri Edi Rama: Një gjë mund t’ju siguroj që nuk folëm për ty. Dhe për sa kohë nuk folëm për ty, nuk kam çfarë të them tjetër në sensin që këto janë pyetje që nuk kanë si të marrin përgjigje pasi bisedat, që nuk janë biseda për shtyp, janë biseda që mbeten jashtë shtypit. Kjo është etika minimale. Unë nuk kam përdorur kurrë elementë bisedash të paautorizuara nga bashkëbiseduesit dhe mund t’ju them vetëm kaq, që marrëdhënia ime me kryeministrin e Greqisë, është një marrëdhënie shumë miqësore, është një marrëdhënie shumë e hapur, është një marrëdhënie respekti dhe unë për veten time, fal edhe gjithë kësaj eksperience po falë edhe eksperiencës me Bashkimin Europian, me liderët e tjerë, në kushte nga më të ndryshmet, e kam mësuar që ka një rrugë për t’i trajtuar mosmarrëveshjet, që është rruga që ne njohim. Me çjerrje, me sharje, me inate, me mllefe dhe ka një rrugë tjetër për t’i trajtuar me të gjithë elegancën e sjelljes njerëzore. Sa më elegante të jetë mënyra e trajtimit të mosmarrëveshjeve mes njerëzish që kanë shumë gjëra të përbashkëta për të zgjidhur, aq më larg jemi nga zoologjia. Sa më shumë i kthejmë mosmarrëveshjet në arsye për të mos u kacafytur, aq më pranë zoologjisë shkojmë.
Një nga të mirat e mëdha për mua, dhuratat e mëdha për mua të gjithë kësaj historie politike është që më ka ndihmuar t’i largohem zoologjisë më shumë se sa çdo t’i isha larguar dot sikur të mos merresha me këtë punë dhe sikur mos kisha mundësi të njihja njerëz që e zotërojnë artin e komunikimit dhe të trajtimit të mosmarrëveshjeve në mënyrë të mahnitshme. E disa prej tyre janë ata që ishin në atë fotografinë që ju cituat dje.
Me kryeministrin Mitsotakis s’kemi asnjë gjë personale dhe përkundrazi edhe biseda e djeshme ka qenë shumë bisedë miqësore. Secili ka opinion e vetë, por kjo nuk është një arsye për të kaluar nga kufijtë e një problemi që duhet trajtuar, tek gjithë horizonti i një marrëdhënieje dhe për të hedhur në erë të gjithë marrëdhënien.
Ka vetëm një gjë që mund të komentoj unë dhe mbase ju vlen juve, fakti që Shqipëria ka një Gjykatë Kushtetuese që merr vendime që mund të mos i shkojnë për shtat planit që ka qeveria, është mirë për Shqipërinë, është shumë mirë për Shqipërinë.
– Dua t’i rikthehem çështjes së inceneratorëve në lidhje me një vendim që ju keni firmosur. Në dhjetor të vitit 2016, ju keni firmosur një VKM me anë të së cilës jepni miratimin e një bonusi prej 8 pikësh për kompaninë e Klodian Zotos për rezultatin teknik dhe financiar në procedurën konkurruese për dhënien me koncension të landfillit me qëllim ndërtimin e inceneratorit të Tiranës. Megjithëse ju jeni paralajmëruar nga ish ministrja Felaj dhe ish ministri Manjani se kjo kompani nuk ekziston, pse favorizuat me VKM një kompani fantazëm e cila në momentin që ka marrë këtë bonus pikësh nuk ka qenë e regjistruar në QKB?
Kryeministri Edi Rama: Kjo pyetje ka të njëjtën përgjigje që i dhashë një kolegeje më parë dhe nuk ka asnjë përgjigje tjetër. Nuk është pyetje për mua fare kjo.
-E keni firmosur ju VKM, zoti kryeministër, apo nuk mbani përgjegjësi për firmën tuaj?
Kryeministri Edi Rama: Unë mbaj përgjegjësi për çdo firmë dhe çdo firmë e imja është fryt i një procesi dhe një mekanizmi dhe ai mekanizëm ka në përbërjen e vet përfaqësues nga institucione apo sfera të ndryshme që kanë kompetencat e tyre dhe ky bashkim kompetencash sjell në një rezultat. Kur ky rezultat merr edhe firmën time kthehet në një vendim. Edhe kështu bëhen të gjitha vendimet. Ju më bëni pyetje që nuk janë fare në sferën e kompetencës time dhe e përsëris, unë nuk kam asnjë dëshirë të përfshihem në këto kalkulimet e natyrës mediatike, në kalkulimet e natyrës politike, në kalkulimet e natyrës jo aritmetike që vijnë për arsye të ndryshme. Është e drejta e të gjithëve të bëjnë kalkulime..
-Më falni por nuk janë kalkulime, por është një vendim që ju e keni firmosur. Ju keni firmosur një VKM duke i dhënë bonus dhe favorizim një kompanie, e cila është krijuar disa muaj pas këtij vendimi. A mbani përgjegjësi për këtë gjë?
Kryeministri Edi Rama: Unë besoj se nuk kam nevojë për përkthyes kur flas në gjuhën shqipe kështu që unë e dëgjova pyetjen.
–Keni të më ktheni një përgjigje konkrete nëse mbani përgjegjësi që i keni dhënë bonus një kompanie fantazëm?
Kryeministri Edi Rama: Unë e dëgjova pyetjen dhe jua dhashë përgjigjen time. Përgjigja ime është përgjigja ime jo përgjigja që juve doni.
–Më falni, a jeni njoftuar nga ministrja që kjo kompani ka qenë kompani që nuk ekzistonte, nga ish ministrja Felaj dhe ish ministri Manjani?
Kryeministri Edi Rama: Edhe njëherë tjetër, qeveria është një mekanizëm, i cili funksionon në bazë të një zinxhiri me shumë hallka dhe nuk funksionon si një marrëdhënie mes një pronari që i çon gazetarit me mesazh pyetjen që do t’i bëjnë të intervistuarit…
-Më falni, keni qenë i njoftuar në momentin që keni firmosur? Ju lutem mos bëni paralelizma të tilla dhe më ktheni përgjigje për pyetjen konkrete që unë po ju bëj, nëse keni qenë të njoftuar nga ministrat tuaj në momentin që ju keni firmosur këtë VKM që kjo kompani nuk ekzistonte?
Kryeministri Edi Rama: Unë po ju jap shpjegimin…
-Ju po bëni paralelizma me rastin e pronarëve dhe gazetarëve ndërkohë që unë po ju bëj një pyetje shumë të thjeshtë…
Kryeministri Edi Rama: Unë po ju jap shpjegimin qetësisht dhe mitingun në konferencë ju lutem të mos e bëjmë. Unë nuk kthej dot një përgjigje që nuk është përgjigja ime. Unë kthej vetëm përgjigjen time dhe po të shpjegoj me qetësi sesi funksionon procesi i vendimmarrjes dhe paralelizmin e bëra pikërisht për këtë. Unë nuk marr njoftime individuale. Janë të gjitha pjesë e një procesi dhe një mekanizmi vendimmarrje dhe në fund fare firma ime vendoset kur mekanizmi ka përfunduar punën dhe kur çështja X, Y, Z shtrohet në mbledhjen e qeverisë ku janë prezentë të gjithë ministrat. E pasi shtrohet në mbledhjen e qeverisë dhe merr miratimin e të gjithë ministrave,- në qeverinë time nuk merren miratime nëse çdo gjë nuk sheshohet më përpara dhe nuk ndodh në qeverinë time qysh prej 10 vjetësh që unë të imponoj futjen e çfarëdo vendimi që vjen i pasheshuar nga gjithë mekanizmat e diskutimit dhe të negocimit, ballafaqimit dhe ridiskutimit mes të gjitha palëve që do të thotë, në fund fare firma është thjesht dhe vetëm zbardhja e një vendimi që merret si rezultat i gjithë këtij procesi.
Në qeverinë time ndodh që një proces vendimmarrës të vonohet edhe 6 muaj. Ndodh që të merren edhe 32 vendime brenda 1 dite. Varet se si shkon procesi ndërveprimit të mëparshëm brenda për brenda mekanizmit. Kjo është përgjigjja dhe prandaj bëra edhe krahasimin. Nuk merret njoftim “bëj këtë pyetje” me mesazh ose shiko me mesazh.. Është proces institucional. Nuk është një proces pazari, muhabet..
-Më fal, po ju si ua jepni kontratat një kompanie kur ajo nuk ekziston? Qeveria ka ndonjë përgjegjësi si i jep kontrata?
Kryeministri Edi Rama: Ka ndonjë pyetje se këto ekzistencat dhe mosekzistencat e kompanive nuk i vendos Syri. Net. I vendos tjetërkush. Nëse ka ndonjë pyetje..
-I keni dhënë bonus një kompanie që nuk ekzistonte…
Kryeministri Edi Rama: nëse ka një pikëpyetje për çfarëdo qoftë, pikëpyetje trajtohen në rrugët që ka përcaktuar një shtet dhe një shoqëri demokratike. Trajtohen në diskutime. Juve më pyetët, unë iu përgjigja. Juve më ripyetët, unë ju ripërgjigjem me durim shumë të madh, se ju thashë; durimin e kam mësuar më mirë nga të gjithë ju dhe ju lutem shumë, nëse ka pyetje tjetër, jepini mundësinë kolegëve të bëjnë një pyetje tjetër. Përgjigjen time e morët. Nuk kam një tjetër përgjigje për ju.
-Dhe një pyetje tjetër për ju: A keni dijeni nëse ka patur spostim të lejes së ndërtimit për çështjen e inceneratorit të Tiranës dhe dherat e kompanisë së ndërtimit, të cilët duhet të depozitoheshin brenda në landfill, janë depozituar jashtë ambienteve të inceneratorit.
Kryeministri Edi Rama: jo, unë kam dijeni për një gjë tjetër, që nuk më duket aspak e rastit që përtej të gjitha problematikave që kanë dalë nga ky proces, një pjesë e politikës vazhdon të mos i ndahet plehrave. Nuk më duket e rastit. Këtë mendim kam unë. Jepja pak. Kush ka një pyetje tjetër? Dhe e fundit besoj.
-Zoti Kryeministër lidhur më ketë çështje, a duhet të mbajë përgjegjësi kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj pas arrestimit të zyrtarëve të lartë të bashkisë së Tiranës apo vijoni, besoni se drejtori i institucionit nuk ka dijeni për atë se çfarë bëjnë vartësit e tij?
Kryeministri Edi Rama: Po juve ku e dini se çfarë besoj unë për shembull, që më citoni mua se çfarë besoj unë? Keni dëgjuar ndonjëherë që unë të them që besoj se ky ka dijeni, ky s’ka dijeni? Pse e ulni kaq shumë nivelin e bisedës, se nuk e kuptoj? Dhe ku hyj unë dhe ju tek marrja në përgjegjësi e njerëzve? Ju jeni gazetare dhe unë jam kryeministër dhe as nuk ju nuk jeni prokurore, as unë nuk jam prokuror. Ju mund të jeni gjykatëse e popullit sepse jeni gazetare, unë nuk jam gjykatës i popullit.
-Për përgjegjësi politike dhe morale, zoti Kryeministër.
Kryeministri Edi Rama: po, i kemi shpjeguar këto prandaj referojuni arkivave sepse kam folur shumë për këtë po nuk është se përtoj, po kemi disa angazhime të tjera. Ju falënderoj shumë për praninë, për pyetjet dhe mos harroni asnjëherë atë që ju them, kur Shqipëria bën sukses , Shqipëria është edhe e juaja. Shqipëria nuk është vetëm e imja kështu që buzëqeshni pak edhe mos jetoni gjatë gjithë kohës me idenë e plehrave.
Faleminderit!