Kryeministri Edi Rama: Mirëdita! Uroj që të keni kaluar mirë e të keni pasur pak pushim. Ja ku jemi përsëri për të vazhduar punën e përbashkët.
Sot, jam këtu bashkë Ministren e Energjisë dhe të Infrastrukturës për të folur për zbulimin e rëndësishëm i cili mund të ketë një impakt historik në zhvillimin ekonomik, social, por jo vetëm kaq, edhe në pozicionin gjeopolitik dhe gjeostrategjik të Shqipërisë.
Siç e komunikuam pak dje, jemi në një fazë shumë të avancuar të një përpjekje që zgjat prej thuajse 10 vjetësh dhe në prag të testimit përfundimtar, i cili është i domosdoshëm për të vlerësuar qëndrueshmërinë e presionit të fluksit të gazit dhe të naftës që mund të nxirret nga nëntoka. Kjo do të thotë që rezerva është aty në 6002 metra në thellësi të tokës. Është prekur rezerva, pas një eksplorimi shumë të vështirë për shkak të formacionit gjeologjik të zonës dhe një investimi masiv të bërë për shkak të thyerjes së përsëritur të sondave si rezultat i formacionit gjeologjik.
Lajmi interesant është që ende nuk është cekur uji, i cili është nën rezervën, çka prezumon se madhësia e rezervës mund të jetë edhe më madhe. Nuk jemi në kushtet kur mund të flasim për shifra konkrete sepse do të ishte e gabuar.
Informacionet në këtë fazë janë jo vetëm konfidenciale, por konfidencialiteti i tyre lidhet pikërisht me atë që thashë më parë, që pa marrë rezultatin e testit final që praktikisht përcakton nëse nxjerrja e kësaj pasurie është e arsyeshme nga pikëpamja financiare, sepse nëse financiarisht ky proces do të ishte më i kushtueshëm sesa përfitimi, atëherë kuptohet që rezerva është aty, mbetet aty për një kohë tjetër kur teknologjia mund të avancojë në përmasa që sot nuk janë edhe pse aty kompania Shell ka përdorur teknologjinë më të fundit dhe për nga gjithë aspekti i funksionimit teknik, ajo që po bëhet në Shpirag është fjala e fundit në industrinë gaz dhe naftë nxjerrëse botërore.
Paralelisht me përgatitjen për testin i cili do të fillojë në tetor dhe rezultatet e testit bazohen në gjetjen e qëndrueshmërisë së fluksit që del mbi sipërfaqe, për çka normalisht përdoret një periudhë 2 deri 3 mujore, po përgatiten dhe plani masiv i investimit sepse gjithë ajo rezervë për t’u nxjerrë sipër, duhet pastaj të hyjë në infrastrukturën përkatëse, për ta transportuar sasinë e gazit dhe të naftës dhe për ta nxjerrë atë në tregun vendas, patjetër dhe në atë botëror.
Lajmi tjetër fantastik është që nafta e zbuluar është e cilësisë më të lartë. Është hera e parë që kjo ndodh në vendin tonë sepse burimet e naftës që janë zbuluar në të shkuarën dhe që janë shfrytëzuar dhe shfrytëzohen akoma siç është për shembull, Patos – Marinza, janë burime të një nafte të rëndë që si e tillë përdoret për bitum, solar, por nuk është një naftë që mund të hyjë në konsumin e automjeteve dhe vlera e saj është shumë modeste. Ndërkohë që sipas analizave të bëra bën laboratorin e Holandës, nafta e zbuluar në zonën e Shpiragut është një naftë e të njëjtës cilësi me naftën premium të Arabisë Saudite.
Investimi i parashikuar dhe projekti që do të realizohet nga kompania nis me 3 miliardë euro dhe projeksioni është që deri në përfundim të të gjithë infrastrukturës së nevojshme pasi do të fillojë puna për një sërë shpimesh për të krijuar gjithë kompleksin e nevojshëm për nxjerrjen e kësaj pasurie, është 7 miliardë euro investime në vendin tonë. Një investim që parashikon ndërtimin e gjithë infrastrukturës dhe logjistikës për depozitimin e rezervës, ndarjen në gaz, në naftë dhe në sulfur dhe kjo e treta ka një rëndësi të veçantë sepse krijon një bazë qoftë për prodhimin e imputeve bujqësore, qoftë për prodhimet kozmetike, bazë që Shqipëria mundet ta shfrytëzojë për të ndërtuar një komponent të ri industrial që sot na mungon.
Ajo që është e rëndësishme sot të thuhet është se ndërkohë ne kemi filluar prej rreth një viti punën për konceptimin dhe ngritjen e fondit sovran të Republikës së Shqipërisë. Vendet që gëzojnë pasuri të tilla natyrore kanë fondet e tyre sovrane që janë fonde që administrojnë këto pasuri dhe qëllimi kryesor i yni me ngritjen e fondit sovran, është balancimi midis shfrytëzimit aktual të të ardhurave nga rezerva dhe vënies në dispozicion një pjese të të ardhurave për të ardhmen, që do të thotë për gjeneratat e tjera.
Ne jemi në një proces pune konkrete, të konsultuar me fondin sovran të Norvegjisë, i cili ndryshe quhet fondi i pensioneve të Norvegjisë dhe natyrisht që fondi ynë sovran do të ketë një profil i cili do të integrojë domosdoshmërinë për mbështetjen e pensionistëve dhe për balancimin e gjithë barrës së tmerrshme të trashëguar nga e shkuara me parimin etik që kjo pasuri është qoftë e atyre që jetuan dhe punuan në këtë vend dhe nuk patën pjesën e tyre në të, por qoftë dhe e atyre që lindin sot në këtë vend dhe kanë të drejtën të kenë pjesën e tyre në të.
Fondi sovran është po ashtu një fond investimesh, i cili një pjesë të të ardhurave e vendos për t’i shumëfishuar ato në tregun ndërkombëtar dhe paralelisht ne po punojmë me qendrën për zhvillim ndërkombëtar të universitetit të Harvardit me të cilën kemi prej kohësh një marrëdhënie pune shumë të dobishme dhe kemi angazhuar të gjitha kontaktet tona edhe me fondet e tjera të Arabisë Saudite, të Azerbajxhanit, të Emirateve e kështu me radhë.
Ky është një zhvillim siç thashë i jashtëzakonshëm, i shumëpritur, por nuk është gjithçka sepse ndërkohë në Shqipëri ka filluar eksplorimi i fushës së Dumresë ku një tjetër kolos global në fushën e shfrytëzimit të burimeve nëntokësore natyrore, kompania italiane ‘’Eni’’ është në punë. Edhe aty kemi të dhëna shumë optimiste dhe inkurajuese, por puna është në një stad pak më fillestar sepse kompania hyri në punë para pandemisë, por pandemia solli një bllokim të gjatë të gjithë procesit.
Besoj shumë që impakti i gjithë kësaj zone të re po themi, të pashfrytëzuar të potencialit tonë ekonomik duhet të jetë i jashtëzakonshëm. Në të gjitha rastet, ne sot kemi në dispozicion skenarë të ndryshëm sepse deri tani asgjë nuk është e parashikuar dhe e parashikueshme, por edhe nëse nisemi nga skenari më konservator, përfitimi përsëri është shumë i konsiderueshëm. Është praktikisht një burim i ri masiv investimi dhe financimi në organizmin e ekonomisë shqiptare.
Unë dua ta mbyll këtë pjesë me një gjë që besoj është shumë e rëndësishme të përsëritet.
Për fat të keq, për shkak të keqadministrimit, keqqeverisjes, keqkuptimit të madh dhe abuzimit historik me burimet tona natyrore, i dimë mirë dhe mos t’i kthehemi historive me AlbPetrol-in, me Patos Marinzën me lloj-lloj lidhjesh të errëta e të tjera. Fjala naftë në mendjen e qytetarëve shqiptarë është bërë sinonim i fjalës vjedhje. E vërteta është që nga njëra anë ne nuk është se kemi pasur dhe këtë duhet ta kuptojmë shumë mirë që të gjithë, nuk është se kemi pasur deri tani ndonjë pasuri të jashtëzakonshme në dispozicion, si vend flas, nuk flas si qeveri, si vend, pra burimet e shfrytëzuara në vite kanë qenë burime modeste, të keqpërdorura. Faktikisht koncesionet e bëra në të shkuarën kanë qenë skandaloze. Kanë qenë praktikisht dorëzim total i sovranitetit dhe i të drejtës së popullit për të marrë pjesën e vetë në këtë pasuri te koncesionarë lloj-lloj, por megjithatë edhe kjo pasuri është keqshfrytëzuar.
Ajo që unë dua të them është se ne e kemi luftuar këtë trashëgimi me të gjitha mundësitë që kemi pasur duke u gjendur përballë situatash kontraktuale të blinduara dhe të pamundura për tu axhustuar, por për këto kërkime në këtë territor të fushës së burimeve tona natyrore, ne kemi bërë komplet ndryshim të qasjes së shtetit në këto kontrata dhe kemi vendosur marrëdhënie kontraktuale me kompanitë si Shell apo Eni, të një niveli ndërkombëtar.
Thënë kjo, të gjithë duhet të jenë sot në Shqipëri. Çdo shqiptar duhet të jetë i bindur që kjo pasuri e madhe është dhe e tija dhe kjo pasuri e madhe do të jetë një mbështetje për çdonjërin. Nuk e kam fjalën këtu që çdonjëri do marrë një kovë me naftë apo do marrë lekë në dorë, por e kam fjalën që përfitimi ekonomik dhe financiar nga kjo pasuri do të impaktojë pensionet, do të impaktojë bilancin e pagesave të Republikës së Shqipërisë padiskutim, do të impaktojë, nuk diskutohet, sistemin e arsimit, sistemin e shëndetësisë dhe do të impaktojë mirëqenien e fëmijëve tanë në radhë të parë sepse ata do të jenë përfituesit më të mëdhenj nëse ne do të dimë të ndërtojmë si duhet dhe ne do të dimë ta ndërtojmë si duhet se nuk po e bëjmë vetëm, një fond sovran, serioz dhe me një përgjegjësi të madhe për mbrojtjen, garantimin dhe fuqizimin e sovranitetit ekonomik të vendit. Kjo është hyrja ime.
Ministrja do t’iu japë një pamje më teknike të gjithë peizazhit të zhvillimeve të sotme dhe të pritshmërisë tonë në përpjekje që të bëjmë më të mirën që gjithçka që mund të dalë nga nëntoka, të jetë në shërbim të shqiptarëve pa harruar standardet më të larta ndërkombëtare përsa i përket mbrojtjes së mjedisit, përsa i përket uljes së efektit të CO2 e kështu me radhë.
* * *
-Zonja ministre, Kryeministri tha që fondi është i konsiderueshëm dhe shifrat janë konfidenciale dhe për këtë arsye ju nuk do t’i bëni publike, por duke qenë se po ngrihet dhe një fond i posaçëm, e marrim me mend që edhe shifrat do të jenë të mëdha. Gjithsesi folët edhe për kontrata të mëparshme, të cilat kanë qenë abuzive nga të cilat shqiptarët pothuajse s’kanë fituar asgjë. Disa janë bërë edhe nga qeveritë socialiste përpara 2005-ës. Dua të di, e përmendët pak, por për të qenë më të qartë, për të mësuar më shumë, çfarë fiton shteti shqiptar duke qenë se investimi është privat dhe siç tha Kryeministri, mund të shkojë deri në 7 miliard euro. Çfarë fiton kompania dhe çfarë fiton shteti shqiptar nga ky fond që pritet të zbulohet?
Zv/Kryeministrja & Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku: Janë dy prurje totalisht të ndryshme; rasti i investimit në infrastrukturë që është vlerësuar nga 3 deri në 7 miliardë, sigurisht këtu kemi një analizë shumë të gjerë se çfarë mund të fitojë Republika e Shqipërisë që ka të bëjë me industrinë e ndërtimit, me bazën e parë materiale që do të përdoret, sepse edhe dje gjatë bisedës që ne kemi bërë, na është thënë që vetëm modulet e industrisë apo tubat do të jenë ato që do të importohen, pjesa tjetër sigurisht do të merret nga tregu vendas, duke nisur nga krahu i punës, duke nisur nga ekspertiza, nga shpronësimi dhe gjithçka tjetër. Pra, ky është një injektim, i cili nis menjëherë dhe siç thamë, në rast se do të ketë brenda këtij viti, do të ketë një rezultat, pasi na thanë që rezultati mund të dalë edhe në javët e para, në varësi të rrjedhës së produktit, ata do të marrin menjëherë këtë vendim. Duke marrë vendimin, do të nisin menjëherë investimi i infrastrukturës që ka një ndikim direkt në ekonominë e vendit.
Ndërkohë, përsa i përket produktit, që është një e ardhur, e cila zgjat nga 25 deri në 30 vite në bazë të kontratës, pasi kontratat hidrokarbure duke hequr të gjitha vitet e eksplorimit, vitet e testimeve etj, janë operative 25 me një të drejtë shtyrje dhe 5 vite të tjera, pra 30 vite, kanë të bëjnë me rentën minerare, e cila në Republikën e Shqipërisë ose në rastin e këtyre kontratave është e dakordësuar që të jetë 10 % renta minerare mbi produktin, ndërkohë tatim-fitimi është në masën 50% i dakordësuar.
Nga ana tjetër, kemi bonusin e prodhimit që është 250 mijë dollarë me prodhimin e fuçisë së parë siç e thashë; 750 mijë dollarë kur prodhimi arrin 15 mijë fuçi; 1.5 milionë dollarë kur prodhimi arrin 30 mijë fuçi në ditë, ndërkohë që janë dhe të gjitha bonuset e tjera. Ajo çka është më e rëndësishmja për qeverinë, është granti i faktorit R që do të aplikohet nga fillimi i kësaj kontrate.
Çfarë presim nga prodhimi? Ne kemi rënë dakord që pavarësisht se ne kemi një parashikim të shifrave dhe skenarësh nga Shell, por kemi rënë dakord me kompaninë duke qenë se ata e kanë politikë dhe ne duhet ta respektojmë këtë, që mos te deklarojmë skenarët që ata kanë marrë për bazë. E vetmja gjë që, ti e the vetë në pyetjen tënde, që nga momenti që ne kemi filluar punën për ngritjen e një fondi sovran, do të thotë që nuk janë të ardhura 500 milionë euro në vit, të cilat shkojnë direkt në buxhet të shtetit për të mbuluar nevojat, por flitet për të ardhura shumë më të larta të cilat nuk mund të menaxhohen nga buxheti i shtetit dhe do të menaxhohen nga Fondi Sovran, ashti siç ka ndodhur me naftën në Norvegji, me naftën në Arabinë Saudite, në Azerbajxhan dhe kudo tjetër. Kemi dhe raste dështimeve të fondeve sovrane, ashtu siç është rasti klasik i Kanadasë që merret si një key-study se si mund të kedh një fond sovran të asaj përmase dhe ta shkatërrosh, apo si mund të kesh një fond sovran të një përmase shumë më të vogël që ka Norvegjia, por që ne e kemi zgjedhur si partner pasi konsiderohet fondi sovran më i suksesshëm, i cili ka nisur me disa miliardë dhe sot ka disa trilionë nën menaxhimin e tij.
Dhe siç e tha dhe Kryeministri, ky fond sovran ka zgjedhur nga fillimi që të niste me rritjen e pensioneve, ndaj fondi sovran i Norvegjisë quhet fondi i pensioneve. Ne jemi në këto kushte. Do ishte dëshira jonë e madhe ta ndanim me ju. Personalisht mezi po pres të vijë janari edhe të kemi mundësi që Shell të dalë bashkë me ne në një konferencë për shtyp dhe ta thotë, sepse ky është një lajm shumë i mirë për Republikën e Shqipërisë. Është një lajm i mirë për çdo shqiptar pasi përfundimi do të jetë i prekshëm për të gjithë qytetarët e Republikës së Shqipërisë. Sigurisht fondi sovran nuk ka plan vetëm rritjen e pensioneve, ka në plan injektimin në arsim, injektim në shëndetësi dhe mbi të gjitha, fondi sovran i jep mundësinë Republikës së Shqipërisë që të investojë brenda dhe jashtë vendit për ta rritur këtë fond dhe për ta zhvilluar. Ky është gjithë synimi.
Kryeministri Edi Rama: Edhe një shtesë të vogël që të jemi shumë të qartë, nuk kemi sot për sot një shifër, kemi disa skenarë, kështu që do ishte e tepërt që këto skenarë të diskutohen sot dhe për këtë arsye kompania është shumë strikte deri në pasjen e një rezultati përfundimtar, së pari një herë me ndihmën e Zotit, testi të jetë i suksesshëm, domethënë fluksi i produktit që del lart, të ketë nën vete një presion të qëndrueshëm dhe të jetë mjaftueshëm për të justifikuar gjithë këtë investim kolosal. Së dyti, ju thashë që edhe sot që flasim, ata nuk e kanë prekur ende, pra nuk e kanë arritur ende ujin, sipërfaqen, volumin e ujit që është nën rezervë dhe siç e diskutuam dje, ky volum uji mund të jetë 1 metër më poshtë, por mund të jetë dhe 100 metra më poshtë. Mund të jetë dhe 200, dhe 300 dhe 500 më poshtë, dhe këto metra përkthehen pastaj në sa më e madhe është rezerva. Dhe tjetra që kam, është impakti i investimit në vetvete përtej çfarë fitojmë nga nafta, 3 miliardë investim për infrastrukturën dhe logjistikë, deri në 7, po shtata është deri në përfundim të të gjithës që është e shtrirë në kohë, është masiv. Ju kujtohet sesa shumë është folur për impaktin e investimit të TAP-it apo investimit të Statkraftit në Gramsh, ndërkohë që ky investim është kolosal, që do të thotë shumë punë për njerëzit, shumë fonde për punonjësit, shumë zhvillime në infrastrukturën e gjithë territorit, shumë perspektivë për industrinë, e kështu me radhë.
-Kryeministër kur dëgjon dikush që sot në Shpirag ka naftë premium të cilësisë së lartë mendon, a do të ketë makina ime karburant më të lirë dhe karburant më cilësor? A do të përfitojë tregu vendas nga kjo depozitë?
Kryeministri Edi Rama: Kjo është një temë komplekse dhe jo më larg së mbrëmë ishim me një grup investitorësh nga SHBA-të, kur ata dëgjuan që Shqipëria nuk ka asgjë tjetër për një përdorues makine, asgjë tjetër, përveçse tarifës që paguhet në momentin parë për regjistrim dhe çmimit të naftës, mbetën pa fjalë. Sepse në të gjitha vendet e tjera ka të tjera gjëra dhe e kemi shpjeguar 1000 herë që ne i kemi mbledhur të gjitha dhe janë aty, që do të thotë që është në çmimin e secilit, sa naftë konsumon dhe në bazë të konsumit paguan, por nuk kanë taksa të tjera, nuk kanë detyrime të tjera. Me këtë lidhet. Tani natyrisht që nëse ne hyjmë në klubin e prodhuesve seriozë të naftës, se ne nuk jemi, domethënë ne flasim shumë për jemi vend i pasur dhe vuajmë. Ne në fakt kemi vuajtur për mendtë e kokës dhe kush vuan për mendtë e kokës, nuk e kthen dot asnjë pasuri natyrore në avantazh.
Kështu që, është e kotë që të diskutojmë të parën nëse nuk zgjidhim të dytën dhe kjo vuajtje për mendtë e kokës do të thotë dije, do të thotë kapacitete qeverisëse, do të thotë aftësi transformuese. Nëse s’i ke këto mund të kesh sa të duash ujë, mund të kesh sa të duash naftë, mund të kesh sa të duash minerale sepse as uji nuk vjen tek priza, as nafta nuk vjen tek makina.
Midis ujit dhe prizës është një sistem i tërë elektroenergjetik, midis naftës dhe makinës është një sistem i tërë industrial. Nëse s’i ke këto dhe këto nuk ndërtohen në një ditë, aq më tepër pastaj kur këto ndërtohen mbrapsht, koha për të rindërtuar dhe për t’i rivënë gjërat në shina nuk është një ditë. Thënë të gjitha këto, sigurisht që po. Sepse në momentin që ne disponojmë një pasuri të tillë, ne kemi në dorë edhe atë që sot s’e kemi dhe që nuk e ka asnjë shtet që nuk ka pasuri të tilla, influencën mbi çmimin. Nga ana tjetër, e preku pak ministrja, që ne trashëguam një rafineri, distileri që ishte thjesht dhe vetëm një mbetje e të shkuarës dhe që nuk kishte më asnjë mundësi të prodhonte asgjë për ekonominë tonë.
Duke hyrë në këtë klub, patjetër që pastaj qielli është kufiri dhe hapja, ndërtimi i kapaciteteve përpunuese është pjesë e planit tonë, që do të thotë që Shqipëria vetvetiu vjen në atë moment që ne e kemi ëndërruar prej shumë kohësh dhe për një kohë të gjatë s’kemi guxuar as ta themi, sepse duheshin pritur që disa gjëra të ndodhnin, që të kthehet në një nyje gjeopolitikisht dhe gjeostrategjikisht e pa anashkalueshme në rajon dhe në Europë. Dhe kështu ne shkojmë atje.
Dhe e fundit që kam, keni parasysh që investimi i TAP-it, 1.5 miliardë, investimi lart atje në Moglicë 500 milionë.
Këtu flasim për 3 miliardë në fazën e parë dhe 7 miliardë gjithsej, si investim. Nuk flasim për çfarë përfitojmë dhe sot ne shikojmë se sa të drejtë kemi pasur atëherë kur ndaluam, ne e ndaluam SHELL-in dhe i kërkuam të rishikojmë kontratat. Kemi kaluar një fazë shumë të vështirë diskutimesh edhe tensionesh me ta, sepse kontrata që kishim bërë me qeverinë e mëparshme ishte një paçavure, si të gjitha kontratat, kështu që besoj që po, patjetër.
– Prej muajit maj, Shqipëria është në një përplasje diplomatike me Greqinë. Pas tensioneve të krijuara mes dy vendeve, a i druheni ju një vetoje të Greqisë në bllokimin e rrugëtimit të plotë të Shqipërisë në familjen europiane, i referohem një interviste pak ditë më parë në mediat greke të ministrit të Punës në Greqi i cili deklaronte se nëse do të vijojë të pengohet betimi i kryetarit të zgjedhur në 14 maj në Himarë, Fredi Bejleri, Shqipëria ta harrojë kursin europian dhe po ashtu paratë nga Europa.
Kryeministri Edi Rama: Unë e thashë që në fillim që sot ne do flasim vetëm për këtë temë. Kjo është gjëja më e madhe, më e rëndësishme, më e bukur që mund t’i ndodhte Shqipërisë, jo këtë vit, po në këto 30 vjet dhe në 100 vjet po të doni në aspektin e të ardhmes ekonomike të saj. Kur flasim për këtë, mendoj që këto të tjerat presin aq më tepër që s’po thoni asgjë të re. Mos ta humbasim këtë moment për këtë. Do kemi kohë të flasim dhe për këto patjetër. Unë i druhem vetëm një gjëje që testi në tetor, në Shpirag të mos dalë pa sukses. Vetëm kësaj i druhem, asgjë tjetër.
– Zoti kryeministër ju doni të flisni për lajmin e mirë, por është një lajm i të ardhmes, do duhet të presim deri në janar sa të marrim përgjigjen e testit, por kemi një aktualitet që Kadastra e kaluar në online është kthyer në makth për qytetarët, për noterët, për “real estate”, nuk marrin dot shërbime dhe kur i marrin shërbimet i marrin të paplotësuara dhe madje iu janë shtuar dhe kostot për të marrë shërbimet. Ka qenë një nga nismat tuaja që ju e keni promovuar shumë digjitalizimin, por duket se digjitalizimi në Kadastër nuk po funksionon.
Kryeministri Edi Rama: Çudi sepse faktet flasin ndryshe. Nëse shihni volumin e shërbimeve të dhëna nga kadastra që kur ka kaluar në këtë sistem krahasuar me më parë, është shumë më i lart, shërbime të dhëna. Natyrisht që është një sistem që noterët i nervozon, patjetër. Shumë të tjerë që i kanë qëndruar rreth e rrotull Kadastrës si hijena janë jo të nervozuar, por shumë të agresivizuar dhe mbi të gjitha ky sistem kërkon pak punë në fillim kur fillon ta përdorësh. Megjithatë thashë dhe njëherë tjetër nuk jemi këtu për këto. Jemi për një gjë shumë të madhe që ka ndodhur dhe nëse më thua që e ardhmja është në janar, kjo është fantastike. Se nëse janari të duket larg, të jesh e sigurt që janari është nesër. Nesër në mëngjes është janar, kështu që mos ki asnjë problem për këtë.
– Kur flitet për naftën e Shpiragut, është bërë pak si mosbesuese duke qenë se ju dhe herë të tjera keni njoftuar gjetjen e naftës në Shpirag. Për shembull në vitin 2019, në janar ju thoshit që: “edhe pak javë na ndajnë nga prova e së vërtetës së Shpiragut dhe nëse prova del me sukses, impakti në ekonomi do të jetë i konsiderueshëm duke nisur nga viti 2020’’. Edhe në vitin 2022, pas një takimi me homologun tuaj në Holandë ju thoni sërish se zbulimi është vetëm pak javë larg dhe do të tronditë pozitivisht, jo vetëm Shqipërinë, por edhe Europën. Tashmë kur ne ende jemi duke pritur një përgjigje testi, çfarë ka ndryshuar këtë herë që ju jeni optimist ose që i jeni rikthyer edhe një herë naftës në Shpirag?
Kryeministri Edi Rama: Nga pyetja jote tregon që asgjë s’ka ndryshuar. Jemi të njëjtët të gjithë këtu.
Zv/Kryeministrja & Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku: Një kontratë hidrokarbure ka disa faza dhe të gjitha fazave që iu referove në kohë, kanë të bëjnë me një moment të caktuar. Kur është folur në 2019-ën, sapo ishte riaktivizuar kontrata, ishte ri negociuar dhe sigurisht filloi periudha e eksplorimit që nis me eksplorimin gjeologjik, me biznes planin dhe gjithçka tjetër dhe sigurisht ne çdo herë marrim nga një rezultat nga çdo fazë dhe ato që ka thënë kryeministri, ka përkitur me atë fazë. Në 2020-ën me të vërtetë ne ishim shumë pranë dhe ndaluam për më shumë, ndoshta jo dy vite, por rreth 18 muaj sepse vetëm porositë që bëheshin, po kalojmë në shumë detaje, por është mirë që t’i dini, vetëm porositë për kokat e sondës, ku secila kokë sonde kushton 150 milion, sot investimi i deklaruar nga Shell në qoftë se s’gabohem është 850 milion euro që ka konsistuar kryesisht vetëm në sonda, sepse kemi pusin 5 dhe 4 të hapur dhe aty janë bërë investimet. U bllokua gjithçka për shkak të pandemisë pasi porositë vinin me 6 muaj vonesë dhe kemi rimarrë punën në 2022-shin dhe për të thënë të drejtën, pavarësisht se Shell-i është shumë diskret përsa i përket afateve kontraktuale dhe asnjëherë nuk janë entuziastë, as unë vetë që e kam ndjekur gjithë procesin, nuk e prisja që do të arrinim në gusht, në 3 gusht ka qenë data, por sa u sigurua i gjithë kantieri për shkak të kushteve të sigurisë sepse aty është një kantier që kushdo që futet edhe me një telefon kur mund të bjerë zilja, mund të shkaktojë problematika dhe flakë. Kështu që nga data 3 gusht deri në datën 22 gusht, është siguruar kantieri për të pasur mundësi që të futeshin kameramanët edhe ne sigurisht, ka qenë një rezultat i dalë para kohës që ne prisnim. Tashmë, kemi mbyllur fazën e eksplorimit, pra dje zyrtarisht është mbyllur faza e eksplorimit dhe në 20 tetor do të jemi në fazën tjetër që quhet faza e testimit. Kur kryeministri ka thënë që kemi një lajm shumë të mirë është sepse kemi arritur dhe kemi zbuluar që aty kishte naftë dhe të gjitha këto faza kanë vendimmarrjen e bordit të aksionerëve që ne dje e kemi dëgjuar me shumë vëmendje sesi i referoheshin çdo mbledhje bordi që u vendos kjo, u vendos ajo dhe mbledhja e fundit e bordit të aksionerëve kishte vendosur që në qoftë se në fazën e eksplorimit nuk do të kishte dendësi të duhur të rezervuarit, nuk do të vazhdohej me testimin, por dendësia e rezervuarit rezultoi e duhura, është një tjetër hap i suksesshëm që ne të fillojmë testimin. Testimi tashmë është rrjedha e produktit në tubat e pusit 4 dhe pusit 5. Vazhdojmë me detaje të reja se është mirë t’i ndajmë edhe ne i mësojmë çdo herë që takojmë ata. Ne mund të kemi një rezultat në dy javët e para të testimit. Nëse rrjedha është e njëjtë, pra nëse sasia e dalë do të jetë nga dita e parë deri në ditën e 15 e njëjtë, konsiderohet një testim i suksesshëm. Nëse do të ketë cikle ku fluksi i rrjedhës do të ndryshojë një ditë më pak dhe një ditë më shumë, atëherë do të duhet që të mbahet në test për dy apo tre muaj. Janari praktikisht është dhënë si një afat final i testimit që i korrespondon tre muajve të plotë të monitorimit. Për ta përmbledhur, çdo fazë që ju iu referuat thënieve të kryeministrit ka pasur të bëjë me rezultatin e asaj faze.
– Zoti Rama, qeveria juaj parashikon të investojë në dy projekte madhore në Elbasan dhe në Fier për menaxhim mbetjesh…
Kryeministri Edi Rama: Ju thashë që në fillim që nuk është kjo konferencë për asgjë tjetër, është vetëm për këtë zbulim të rëndësishëm historik për Shqipërinë dhe jemi këtu që me ndihmën tuaj dhe me pyetjet tuaja, njerëzit të mësojnë sa më shumë nga kjo gjë.
– Zoti Kryeministër, pavarësisht se jemi në një fazë jo vendimtare pasi presim testin e tetorit, a është menduar se nga sasia e naftës që do të dalë, për shembull nga 100% sa përqind do të dalë jashtë territorit të Shqipërisë dhe a do të mbetet një përqindje për konsum në territorin e Shqipërisë? Apo do të jetë gjithçka për eksport dhe Shqipëria do të përfitojë nga taksat? Së dyti, zonja ministre tha që ka dhe zona të tjera naftëmbajtëse presupozohet. Ekspertët më parë kanë folur për zona naftëmbajtëse në det, në Jon. A mendohet të ketë nisje të kërkimeve të zonave naftëmbajtëse në jon? Apo do presim ndarjen e kufirit detar me Greqinë?
Kryeministri Edi Rama: Shiko, e mora këtë këtu (pjesw e sondws sw pwrdorur pwr shpim nw zonwn e Shpiragut) për ta lidhur me diçka që tha ministrja. Kjo nuk është skulpturë. Kjo është skulpturë, patjetër mund të ekspozohet lehtësisht në ekspozitat e modernëve të rinj, por kjo është koka e një sonde. Shikojeni se si është. Gjithë kjo shtypje që i ka ndodhur është rezultat i presionit të llahtarshëm që ka futja në formacionin gjeologjik të Shqipërisë dhe kjo ka një kosto marramendëse. Investimet e bëra për sondat janë deri tani 800 milionë plus. Për të shkuar deri atje.
Për të sqaruar më tutje, së pari, ishte e rëndësishme të dinim a ka apo nuk ka dhe e morëm që ka. Mbasi unë kam thënë ato historitë që u përsëritën këtu, kam thënë dhe tjetrën, që ka. Pastaj tjetra nuk ishte që ka apo nuk ka. Tjetra ishte, a janë të lidhura pjesët që kanë dhe rezervuari është kompakt apo janë pellgje? Se nëse janë pellgje i bie të shposh kudo për të kapur pellgun. Nëse është i lidhur atëherë shpon një numër të caktuar pikash dhe thith gjithë rezervuarin lart.
Sot që flasim, ministrja tha dhe diçka tjetër. Kemi zonën Përmet – Tepelenë që ende nuk kemi rezultat. Sepse fillon eksplorimi pas gjithë atyre proceseve, studime, konsultime, dëgjesa etj.
Pasi i kemi detyruar, se ka dhe një gjë tjetër, për arsye mjedisore dhe për një nivel kërkese që do ta kishte zili ose do ta admironte çdo ambientalist botëror, edhe në Shpirag, edhe atje, ne i kemi kërkuar Shellit që të mos hyjë vertikalisht, por të shkojë horizontalisht kudo ku konsiderohet zonë me rendësi natyrore. Sidomos në pjesën e parqeve në Përmet etj.
Përsëri do jetë e njëjta gjë. Në fillim do marrim vesh ka apo nuk ka. Pastaj do duam të dimë, a është ai rezervuar atje i lidhur me atë të madhin? Se kjo i shton të gjitha këto. Ne sot flasim për sa kemi, por nëse rezervuari ose zbulimi pozitiv i mundshëm në zonën tjetër, rezulton i lidhur me rezervuarin këtu, atëherë rritet masa. Kështu që jemi përpara një situate që kemi kështu dilema të ëmbla po themi, se edhe sikur të mos ketë asnjë tjetër edhe kaq, prap është shumë mirë, pastaj është, qielli është kufiri. Me këtë sens doja ta bëj këtë sqarim. Nuk ka më pyetje?
Ju falënderoja shumë! Gëzohuni sot! Ka kohë nesër për të qenë të shqetësuar për gjëra të tjera e patjetër që shumë shpejt do kemi një komunikim tjetër më të gjerë e më të gjatë, e patjetër që aty mund të pyesni të gjitha për të njëmijtën e herë e do merrni prap të njëjtën përgjigje. Faleminderit!