Konferencë për shtyp e Kryeministrit Edi Rama me gazetarët shqiptarë, në Ohër, gjatë punimeve të Samitit të Ballkanit të Hapur - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Konferencë për shtyp e Kryeministrit Edi Rama me gazetarët shqiptarë, në Ohër, gjatë punimeve të Samitit të Ballkanit të Hapur

Sot ka pasur një pjesëmarrje shumë të konsiderueshme në raport me samitet e tjera, dhe duke qenë se sot nuk jemi më tre në konferencën e shtypit, por jemi pesë, patjetër që nuk mund t’ju linim ju, përfaqësues të medias shqiptare të Shqipërisë, por edhe të tjerët që janë këtu të pranishëm dhe që janë të interesuar për të bërë ndonjë pyetje më shumë sesa një pyetje e vetme që do të jetë për secilin në konferencën e përbashkët. Prandaj jemi këtu, jam këtu, urdhëroni dhe pyesni për çfarë të dëshironi në një kohë të shkurtër për shkak se fillon konferenca e përbashkët.

–  Zoti Kryeministër, a keni një deklaratë lidhur me deklaratën e ministrit të Jashtëm të Rusisë Sergey Lavrov i cili ka mbështetur Ballkanin e Hapur, por ka deklaruar se NATO dhe Bashkimi Europian kërkojnë Ballkanin e “Mbyllur”.

Kryeministri Edi Rama: Të peshkohesh kaq kollaj nga sarkazma e një personazhi të mirënjohur botërisht për gjuhën e tij sarkastike dhe pastaj nga manipulimi i kësaj sarkazme nga ata që i fryjnë zjarrit të ndasisë dhe të urrejtjes për interesa të politikës së ditës në “katundet” ballkanike, është për të ardhur keq. Nëse zotëria do të ishte promovuesi apo mbështetësi i Ballkanit të Hapur sigurisht që Ballkani do të ishte i hapur minimalisht për të, por ai nuk ka mundur të hyjë në Ballkan si dhe Ballkani për të është i mbyllur, tërësisht i mbyllur dhe për këtë arsye nuk ka marrë dot leje për të hyrë në Ballkan, nga vendet e Ballkanit që të jemi të qartë.

–  Zoti Kryeministër, ju folët sot në fjalimin tuaj për dëshirat e disa njerëzve që nuk i përmendët me emër, për të importuar konfliktin e Ukrainës në Ballkan. Për kë ekzaktësisht e kishit fjalën?

Kryeministri Edi Rama: Nuk është e nevojshme të bëjmë ndonjë shkencë të veçantë. Patjetër që ka njerëz që janë të interesuar për ta importuar konfliktin dhe për të mos i dhënë të gjithë fuqinë e mundshme procesit të bashkëpunimit dhe të normalizimit drejt një zgjidhje përfundimtare të mosmarrëveshjeve dhe të konfliktit të madh ende të hapur mes Serbisë dhe Kosovës. Ky është fakt! Nëse do të përmendnim një emër këtu apo një emër atje, do ta zvogëlonim peshën që ka ky fenomen negativ.

– Zoti Kryeministër, çfarë do të bëhet konkretisht për të përfshirë Kosovën kur duket se thirrjet nga samiti nuk mjaftojnë? Dhe për sa i përket një paralajmërimi që bëtë se i ftohti nuk do të jetë i vetmi problem në dimër  pasi do të kemi problem dhe me sigurimin e energjisë elektrike, çfarë masash do të merren?

Kryeministri Edi Rama: Kosova është sovrane dhe i merr vendimet vetë për veten e vetë. Vendi për Kosovën në tryezën e Ballkanit të Hapur është aty, askush nuk e zë, askush nuk e mbush dot nëse nuk e mbush vetë Kosova dhe unë nuk dua të them asgjë më shumë sepse çfarë kam pasur për t’i thënë i kam thënë, ftesa është gjithmonë e hapur por respektoj plotësisht vendimin e autoriteteve të Kosovës për të lënë vendin bosh. E respektoj.

– Zoti Rama, e akuzon shpesh Bashkimin Europian për zvarritje e burokraci. E nisët Ballkanin e Hapur duke menduar se procesi i Berlinit nuk po ecte siç duhej. Ndërkohë çfarë është bërë në ato tetë takime që keni bërë për Ballkanin e Hapur? Dje kaluam në pikën kufitare të Qafë Thanës, ishin po përsëri dy palë kontrolle.

Kryeministri Edi Rama: Së pari, unë nuk akuzoj Bashkim Europian. S’kam asnjë akuzë për Bashkimin Europian, përkundrazi unë jam një europian 100% i përkushtuar dhe i vendosur si me Bashkimin Europian, si pa Bashkimin Europian dhe për sa kohë Bashkimi Europian është projekti më i madh, më i bukur, më i guximshëm që mendja politike ka krijuar, është edhe destinacioni im dhe yni, nuk diskutohet. Kështu që, nuk është akuzë është thjesht fakt që Bashkimi Europian na ka zvarritur, që Bashkimi Europian jep fjalën dhe nuk e mban në raport me procesin tonë të integrimit, këtë unë jam i fundit që e them sepse e kanë thënë përfaqësuesit e vetë Bashkimit Europian.

Përsa i përket pyetjes tjetër, kur të ktheheni tani, ndaloni edhe njëherë dhe shikoni që aty ka një korsi të dedikuar “kanali i gjelbër” i Ballkanit të Hapur, në doganën këtu dhe në atë korsi të dedikuar të kanalit të gjelbër të Ballkanit të Hapur kalojnë operatorët e autorizuar ekonomikë dhe lehtësimi i lëvizjes dhe tregtisë është shumë i konsiderueshëm dhe se çfarë është arritur në këtë periudhë, mund të them shumë, por janë dy shifra shumë të rëndësishme, shifra që solla në raport me eksportet bujqësore të Shqipërisë në zonën e Ballkanit të Hapur dhe shifra që solla në raport me turistët drejt Shqipërisë. Këto janë të gjitha efektet e Ballkanit të Hapur, pa diskutim!

–  Sa konkurrues është për biznesin shqiptar Ballkani i Hapur, me daljen në një treg të hapur të përbashkët në kushtet kur ata duhet të paguajnë për transportin më shumë se çdo anëtar tjetër ose çdo biznes në vendet e tjera të Ballkanit të Hapur? Sot nafta është në vlerën 258 lek, ndërkohë në Maqedoninë e Veriut, ku jemi sot, është 150 dinarë, ose rreth 200 lekë me lekët shqiptare, pra 58 lekë më pak se në Shqipëri.

Kryeministri Edi Rama: Nuk e shoh lidhjen midis këtyre.

– Zoti kryeministër ky është takimi i tetë i Ballkanit të Hapur, është samiti i katërt që zhvillohet krahas marrëveshjeve që nënshkruat gjatë ditës së sotme, janë të pranishme edhe institucione dhe organizata ndërkombëtare. Çfarë është siguruar nga këto organizata në këtë samit të sotëm?

Kryeministri Edi Rama: Ne jemi këtu dhe ju e shikoni dhe vetë, kush ka qenë edhe në samitet e tjera që vetë pjesëmarrja është shumë më e madhe, interesimi është shumë më i madh, mbështetja shumë bindëse ndërkohë që ne jemi këtu edhe për të finalizuar disa hapa të tjerë të rëndësishëm që do të hedhim në vijim. Në aspektin e sigurisë ushqimore do të kemi një sesion të posaçëm në Beograd i cili do të shoqërohet dhe me një panair të madh të ushqimit dhe verërave të Ballkanit të Hapur.

Në aspektin e sigurisë energjitike do të kemi një sesion të veçantë në Shqipëri. Shqipëria tanimë është pika e referimit në rajon për të ardhmen energjitike jo vetëm të vetvetes, por edhe të rajonit dhe ka shumë gjëra të reja që në mënyrë të përditshme zhvillohen. Ne së shpejti kemi një tjetër firmosje të rëndësishme me një tjetër gjigand të furnizimit energjitik. Një obsesion i veçantë në Maqedoninë e Veriut për konektivitetin, për të gjitha rrjetet e transportit dhe projektet e transportit. Një sesion tjetër të veçantë për turizmin e mjedisin në Malin e Zi.

Nga ana tjetër, kemi rënë dakord të ngremë një grup të përbashkët për krizën tërësore që vjen si pasojë e luftës me zgjidhje të përbashkëta në mënyrë që të arrijmë të ndihmojmë njëri-tjetrin, të mbështesim njëri-tjetrin aq sa është e mundur për të ulur barrën e peshës që ka mbi çdo vend kjo krizë.

E thashë edhe më parë, e përsëris. E kam thënë qysh në krye të herës kur të gjithë bënin humore apo përqeshnin dhe nënqeshnin që “çfarë krize energjitike flet ky, s’ka krizë”, që do të vijë momenti që nuk do të jetë më problemi sa u rrit çmimi, por do jetë problemi ku ta gjejmë energjinë.

Ndërkohë, Shqipëria është i vetmi vend ku çmimi nuk është prekur asnjë cenitm dhe ku vazhdojmë ne, në mënyrë të përmuajshme subvencionojmë çmimin e të gjitha familjeve dhe e të gjithë biznesit të vogël. E duhet të ketë një arsye pse me gjithë kumtet e kukuvajkave që këtu do bëhej nami, që bujqësia do të falimentonte. Bujqësia sot është sektori që po rritet në aspektin e prodhimit dhe në aspektin eksportit përtej parashikimeve. Duhet të ketë një arsye dhe sigurisht që ne e dimë arsyen, por cilido që dëshiron ta dijë nuk e ka të vështirë, mjafton që të heqë nga sytë atë peshqirin e nihilizmit dhe të shpirtit të mohimit.

– Opozitat e kanë akuzuar edhe në Maqedoninë e Veriut, edhe në Shqipëri “Open Balkan” si një influencë të Rusisë në Ballkan. Keni një koment mbi këto deklarata?

Kryeministri Edi Rama: E para njëherë unë nuk flas asnjëherë për opozitat shqiptare të Shqipërisë kur nuk jam në Shqipëri! Është parim! E dyta, të thuash Ballkani i Hapur është projekt i Rusisë, është njësoj si të thuash Bashkimi Europian është Jugosllavia e re.

– Para jush ishte në konferencë për media kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, dhe tha se kundërshtimet që vinë nga disa shtete janë më shumë inate personale mes dy vendeve. A keni një koment për këtë se Kosova praktikisht është vendi i fundit që po e kundërshton Ballkanin e Hapur.

Kryeministri Edi Rama: Dritani di më shumë se unë për punën e inateve personale në Ballkan. Unë jam më pak i informuar në lidhje me këto, por di t’ju them vetëm kaq që Dritani ka të drejtë pavarësisht se nuk e kam pyetur ekzakt se për kë e ka fjalën, por sepse është një djalë që di çfarë flet, që thotë atë që mendon, mendon atë që thotë, por jo vetëm kaq, por mendon në mënyrë të drejtë. Kështu që, me siguri Dritani ka të drejtë dhe unë bashkohem pa kushte me Dritanin që kjo është histori shumë bajate ballkanike sesa histori gjeo-politike dhe gjeo-strategjike.

– Në lidhje me një nga marrëveshjet më mbështetje të turizmit, në lidhje me një hartë turistike për Ballkanin Perëndimor. Ku konsiston kjo dhe a do përfshijë ndoshta të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor edhe ato që nuk janë pjesë ?

Kryeministri Edi Rama: Këto janë detaje të cilat do të jetë mirë tja lëmë kohës kur këto projekte të materializohen, por sigurisht që në të gjitha këto procese janë të ftuar dhe të tjerët. Nëse liderët politikë apo qeveritë kanë një tjetër natyrë vendimmarrje operatorët ekonomikë, sipërmarrja, qytetarët, kanë një tjetër natyrë vendimmarrje.

Kështu që për shembull, në panairin e ushqimit dhe të verërave që do të bëhet si stacion i parë në Beograd, pastaj do të jetë në Tiranë, pastaj do të jetë në Maqedoninë e Veriut, pastaj në Mal të Zi e kështu me radhë, do të jenë të ftuar të gjithë ata që bëjnë verë në të gjithë rajonin, përfshirë edhe plot të tjerë jashtë rajonit.

Kështu që, politikanët le të rrinë nëpër barrikada, qytetarët dhe sipërmarrjet duhet të vazhdojnë të ndërveprojnë dhe të integrohen në aktivitetin e tyre në një hapësirë të përbashkët.

–  Zoti Rama, çfarë vendi zë korridori i tetë në dosjen e Ballkanit të Hapur?

Kryeministri Edi Rama: Korridori i tetë është rivënë në rendin e ditës falë Ballkanit të Hapur.

Previous Ballkani i Hapur, nënshkruhen marrëveshje bashkëpunimi mes vendeve

Leave Your Comment