Mirëdita! Siç ju thashë para dy ditësh, që do të organizonim një tjetër konferencë për temat e tjera, ja ku jemi sot, kështu që mund t’i bëni të gjitha ato pyetjet që keni merak.
Ndërkohë një përmbledhje të përgjithshme paraprakisht edhe pse për sezonin turistik që ende vazhdon, me siguri do të bëjmë një komunikim të posaçëm së bashku me Ministren e Turizmit dhe të Mjedisit, por është mirë të mos e lëmë pa përmendur, mendoj unë, faktin që këtë vit, Shqipëria po përjeton sezonin e një kthese historike që është rezultat i shumë përpjekjesh të bëra në vitet e mëparshme dhe kurorëzim i një faze të re transformimi për turizmin, që ka nisur kohë më parë me Programin Kombëtar të Rilindjes Urbane, me përkushtimin e posaçëm për zonat turistike, me përkushtimin e posaçëm për trashëgiminë kulturore, me përkushtimin e posaçëm për rritjen e aktiviteteve kulturore dhe artistike në funksion të sezonit, padiskutim edhe me mbështetjen e vazhdueshme për shumë investime që sektori privat ka bërë në industrinë e turizmit dhe që sot shohim frytet e para domethënëse dhe kuptimplota në një rrugë që për ne është e përcaktuar si rruga drejt Shqipërisë 2030, ku pa asnjë diskutim Shqipëria do të jetë kampione absolute në rajonin tonë për turizmin. E kur them rajonin tonë, kam parasysh Ballkanin Perëndimor. Ndërkohë që shifrat flasin për një sukses të jashtëzakonshëm edhe në aspektin e afrimit thuajse të plotë me Greqinë apo me të tjera vende që janë shumë përpara nesh kur vjen fjala te numri i turistëve për frymë.
Ndërkohë, mendoj që duhet nënvizuar së paku një element që është aeroporti i Tiranës, i cili ka pësuar një transformim shumë të rëndësishëm me ndryshimin e koncensionarit me investimet që janë bërë nga kompania shqiptare në aeroport dhe faktikisht besoj e keni parë edhe klasifikimin e nxjerrë nga Agjencia Europiane e trafikut ajror, që Shqipëria në rritjen e numrit të pasagjerëve në trafikun ajror është në vendin e parë dhe sot ne jemi në kushtet kur mund të themi pa rezervë se jo vetëm jemi konkurrues në aeroportin e Beogradit, që është historikisht aeroporti më i madh i rajonit tonë dhe me një traditë shumë, shumë të gjatë sesa aeroporti ynë, por me shumë gjasë mund ta kapërcejmë aeroportin e Beogradit në numër pasagjerësh këtë vit. Dhe nga ana tjetër, besoj që është e rëndësishme të kujtohet se kantieri i aeroportit të Vlorës është në punë sipas grafikut. E dini që aeroporti i Vlorës do të operohet nga aeroporti i Mynihut dhe faktikisht kemi shumë optimizëm dhe shumë besim që me futjen e aeroportit të Vlorës do të kemi një ‘’bum’’ të konsiderueshëm në rritjen e numrit të turistëve pasi edhe pse aeroporti i Tiranës sot faktikisht punon 24 orë dhe ka pothuajse 200 fluturime në ditë, mundësitë janë për shumë më tepër.
Paralelisht me këtë, dua të sjell në vëmendje performancën shumë pozitive të Agjencisë së Mbrojtjes Civile në përballimin e situatave të zjarreve dhe në menaxhimin me sukses dhe reduktimin maksimal të dëmeve potenciale të këtyre zjarreve, ashtu sikundër paralelisht dua të sjell në vëmendje performancën e shkëlqyer të Policisë së Shtetit në kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë së zjarrvënëseve. Kemi një sukses në këtë drejtim që është shumë domethënës dhe që është shumë shpresëdhënës për reduktimin e këtij fenomeni kaq të rrezikshëm, aq më tepër në kushtet e ndryshimeve klimatike. Ju shikoni çfarë po ndodh në Greqinë fqinje me zjarret, por për këtë, premisa është që gjykatat e vendit të jenë në lartësinë e detyrës së tyre ligjore dhe të japin dënimet e merituara për këta barbarë të verbër që cenojnë një pasuri që është vënë në gjenerata dhe që është e gjeneratave të tjera.
Historia e marrëdhënieve të drejtësisë me zjarrvënësit është një histori shumë e shëmtuar, e turpshme deri në neveri sepse janë rrëqethëse rastet kur gjykata në rrethe të caktuara as nuk i kanë filluar çështjet fare dhe zjarrvënësit kanë vazhduar të zhvillojnë aktivitetin e tyre barbar të patrazuar nga forca e ligjit, ndërkohë që Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë i amenduar prej nesh parashikon një dënim deri në 15 vjet heqje lirie për zjarrvënësit.
E dyta, kjo periudhë që ka ndarë si të thuash dy sezonet politike intensive, ka pasur dhe lajmin fantastik të Shpiragut, por për këtë ne folëm. Nuk dua të zgjatem më tutje. Kemi një optimizëm të arsyeshëm për rezultatin e testit të muaji tetor-nëntor dhe nga ana tjetër kemi vazhduar të punojmë në riorganizimin e qeverisjes, në përcaktimin e prioriteteve të 300 ditëve aktive që nisin së shpejti, ku fokusin kryesor do ta vendosim te rritja e shpejtësisë dhe e mbështetjes, qoftë politike, qoftë financiare për revolucionin digjital, për inovacionin.
Kemi riorganizuar edhe strukturat e ministrive, të cilave do iu bashkëngjiten nuklat e inovacionit. Kemi nisur disa projekte të rëndësishme duke vënë në shfrytëzim edhe risitë e inteligjencës artificiale. Besoj që së shpejti në fillim të vjeshtës do t’iu japim qytetareve rezultatin e parë të kësaj risie me futjen e sistemit të komunikimit të drejtpërdrejtë virtual në platformën e- Albania, ku nuk do ketë nevojë për të pritur përgjigje për mënyrën si aplikohet, për mënyrat e aplikimit sepse operatori virtual me modulimin e chat GDP do te jetë aty në kohë reale për të dhënë përgjigjet për aplikuesit.
Ndërkohë që, do të punohet për të zgjeruar modelin me të gjitha shërbimet, jo thjeshtë me fazën e aplikimit në mënyrë që brenda maksimumi një viti, i gjithë shërbimi i e-Albania-s të jetë i bazuar tek inteligjenca artificiale dhe operatori të jetë dhe vizualisht në komunikim me qytetarët, duke qenë një operator virtual, jo një person fizik. Por hapi i parë është kjo që thashë, vënia në dispozicion të qytetareve që përdorin e-Albania të sistemit të komunikimit të drejtpërdrejtë me operatorin virtual për fazën e aplikimit dhe për atë që janë pyetjet më të zakonshme dhe përgjigjet më të nevojshme për ata që hyjnë në e – Albania.
Po kështu kemi mbaruar fazën besoj të konsultimit publik për prokurimet dhe do të kemi një ndryshim rrënjësor me prokurimet publike, që do të hyjnë në një fazë tjetër në bashkëpunim me UNOPS-in që është një organizëm i Kombeve të Bashkuara që merret me prokurimet publike. Dhe njëkohësisht dhe për prokurimet publike kemi filluar punën për vënien në shfrytëzim të potencialit të jashtëzakonshëm të inteligjencës artificiale, por kjo do të kërkojë rreth një vit për t’u realizuar. Ndërkohë që, sistemi i prokurimeve do të ketë një ndryshim të rëndësishëm, falë bashkëpunimit me UNOPS-in, duke filluar nga ndryshimi i sistemit të blerjeve të përqendruara dhe pastaj me radhë në të gjithë hallkat e sistemit të prokurimit.
Kjo periudhën ka qenë një periudhë e ndryshimit të sistemit të kadastrës ku nuk ka më sportele, nuk ka më dyer ku hyjnë e dalin njerëz që kërkojnë, njerëz që ndërhyjnë, njerëz që jetonin me marifetet mes nevojës së një qytetari, sporteleve, atyre në prapaskenë, noterëve e kështu me radhë. Dhe natyrisht duke qenë se kjo ishte një pyetje që u bë para dy ditësh, unë kam këtu dhe një përgjigje më shteruese nëse do më behet pyetja përsëri.
Po ashtu, në këtë periudhë kemi patur, vazhduar të kemi më saktë mesazhe shumë të rëndësishme dhe shumë domethënëse nga sistemi i ri i drejtësisë, gjë që unë e kam vlerësuar edhe përmes rrjeteve sociale. Ndërkohë që, nga ana tjetër e dini shumë mirë të gjithë që kemi pasur edhe një situatë le të themi të inflamuar për shkak të problemit me drejtësinë të kryebashkiakut të zgjedhur në Himarë. Qëndrimi ynë ka qenë, është dhe do të jetë që drejtësia e re në Shqipëri duhet të bëjë e pa trazuar detyrën e saj. Dhe në këtë pikë asgjë nuk më e rëndësishme sesa mbrojtja me të njëjtën mënyrë siç kemi vepruar me të gjitha rastet e tjera e qetësisë së veprimtarisë së sistemit të ri të drejtësisë. Kështu që, asnjë lloj interference ngado që të vijë mbi sistemin e drejtësisë nuk do të gjejë, jo përkrahjen, por nuk do të gjejë as mirëkuptimin tonë.
Ne nuk ndërhyjmë në çështjet e sistemit të drejtësisë.
Ne nuk i komentojmë vendimet e organeve të reja të drejtësisë.
Ne nuk presim prej tyre asgjë tjetër, përveçse të zbatojnë ligjin dhe ne nuk kemi asgjë tjetër për t’iu dhënë atyre përveç mbështetjes sonë pa kushte, qoftë kur na vjen mirë, qoftë kur na vjen keq, qoftë kur na pëlqen, qoftë kur s’na pëlqen një vendim i tyre. Kjo është e panegociueshme për forcën që sot qeveris Shqipërinë. Të tjerët mund të bëjnë dhe mund të thonë çfarë të dëshirojnë, qoftë brenda, qoftë jashtë. Ne jo!
Dhe e fundit, por kjo nuk është në fakt shumë e lidhur me punën e qeverisë. Së shpejti do të mbledhim dhe Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste për të marrë disa vendime për ecurinë e mëtejshme të qeverisë.
Këto janë ato që unë kisha për të thënë si pasqyrë e përgjithshme. Tani ju merrni dhe bëni pyetjet.
* * *
– Zoti Rama, duke qenë se në fakt dhe ju përmendet pak më sipër çështjen Beleri, sigurisht ka marrë një vëmendje ë jashtëzakonshme, jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë territorit të Shqipërisë ka pasur një deklaratë kërcënuese ose serioze nga një përfaqësues i qeverisë greke pikërisht për një bllokim fondesh nga ana e BE, por pse jo dhe një bllokim i rrugës së Shqipërisë drejt integrimit. Ne si televizion patëm një komunikim me përqafuesit e BE, një gjë e tillë nuk u komentua. Në raport me Shqipërinë dhe me ju personalisht, sa serioz është ky kërcenim dhe sa problematik mund te jetë për rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian. Dhe së dyti, sigurisht nuk është e mirëqenë, por unë i referohem disa tezave të hedhura në publik, kështu edhe nëpërmjet pyetjes kështu ndoshta e sqaroj më mirë opinionin publik. Përflitet ose është hedhur në diskutim një tezë për zgjedhje të parakohshme. Sa e përgatitur është Partia Socialiste për një skenar të tillë dhe a është e mundur të bëhet një gjë e tillë? Faleminderit!
Kryeministri Edi Rama: Për këtë të dytën po ju them shumë thjeshtë, mos humbni kohë me këto thashetheme që janë për nën çadrën e plazhit, por nuk janë për të humbur kohë ne këtu në godinën e qeverisë. Ndërkohë që për sa i përket pyetjes së parë, mund të them vetëm këtë: Reforma e drejtësisë në Shqipëri është gjëja më e madhe, gjëja më e rëndë, gjëja më e paimagjinueshme deri përpara pak vitesh, që i ka ndodhur shtetit shqiptar. Jo sot, por në historinë e vetë. Është gjëja më e madhe sepse që nga dita e parë e krijimit të shtetit shqiptar, nuk ka pasur asnjëherë ky vend një drejtësi që të mos pyeste se kush je, por të vepronte mbi këdo qoftë dhe për herë të parë në historinë e shtetit shqiptar, individë të lidhur me forcën në pushtet, qoftë forca në pushtet monarki, qoftë regjim diktatorial komunist, qoftë dhe qeveri e zgjedhur me vota, në një sistem demokratik, nuk është marrë përpara përgjegjësisë. Është hera e parë që këta individë merren përpara përgjegjësisë dhe kjo është historia.
Është gjëja më e rëndë që i ka ndodhur shqiptarisë sepse pesha e kësaj reforma i tejkalon të gjitha peshat e të gjithë reformave të tjera dhe patjetër është e rëndë sepse lidhet drejtpërdrejtë me lirinë e atyre që kanë pushtet. Mund ta humbasin lirinë nëse e shfrytëzojnë pushtetin për të cenuar të drejtat e publikut apo të drejtat e individëve të tjerë, prandaj unë mrekullohem kur dëgjoj që në vend se kjo të jetë një arsye e përbashkët për t’u ndjerë mirë, që drejtësia më në fund, pas 100 vjetësh po vepron si e tillë, kthehet në një arsye për të bërë cic-mic, mjau-mjau, jo po si ndiheni ju, jo po çfarë thoni ju. Si ndihem unë? Ndihem shumë krenar për këtë që kemi bërë. Patjetër që kur është fjala për individë që jo vetëm i kam njohur, por i kam pasur afër, nuk më vjen mirë në nivelin personal dhe njerëzor, por ama në nivelin e detyrës, të misionit, të qëllimeve që na mbajnë këtu, ndihem vetëm krenar. Shumë e thjeshtë.
E treta, kjo ka qenë e paimagjinueshme se mund të ndodhte. Tani, thënë të gjitha këto, nuk ka shans, të paktën sa të jem unë këtu, pastaj nëse të tjerë vijnë këtu, unë nuk mund të garantoj asgjë, por nuk ka shans, sa të jem unë këtu, presioni mbi drejtësinë të ushtrohet e të funksionojë, se për të ushtruar mund të ushtrohet, se nuk ndalojmë njeri që të ushtrojë presion, është demokratike dhe kjo, pavarësisht se mund të mos jetë e drejtë, të funksionojë duke kaluar përmes kërcënimeve, siç i quajtët ju, apo insinuatave, nuk ka shans. Kjo drejtësi është ajo që i duhet Shqipërisë që Shqipëria të bëhet më në fund shteti që e kanë ëndërruar ata që e kanë krijuar e që të bëhet më në fund shteti që i shërben të gjithëve e ku askush nuk ndihet mbi të tjerët, ndërkohë që askush nuk ndjen poshtërimin e të qenit askush e të mos qenit dikushi. Kjo është një drejtësi që po funksionon për dikushët, e për këtë duhet të jemi të gjithë krenarë e nuk po hyj më tutje të them që ka një specifikë shumë interesante gjithë kjo histori. Ndërkohë që në gabim, por grekët janë të gjithë bashkë, opozitarë, gazetarë. Këtu është ndryshe. Këtu nuk lihet rast pa i nxirë faqen Shqipërisë vetëm në dëm të qeverisë apo mua personalisht, por nuk ka problem.
– Zoti Rama unë po përsëris dy pyetjet që bëra dy ditë më parë. Ju thatë se keni një agjendë tashmë me aktivitete për 300 ditë, ndërkohë që lajmëruat që do të ketë një asamble. E di që në 10 vite ju asnjëherë nuk keni bërë paralajmërime për ndryshime në qeveri dhe vetëm kur është bërë fakt e kemi marrë vesh, por do ta bëj pyetjen gjithsesi. Do të ketë ndryshime në qeveri? Do të ketë një riformatim të plotë të kabinetit qeveritar?
Pyetja e dytë, para dy ditësh folët për kontratat e mëparshme që janë bërë nga qeveritë e mëparshme për hidrokarburet dhe thatë që kanë pasur problematika të mëdha, kanë qenë skandaloze, kanë qenë të betonuara dhe shqiptarët kanë fituar pak ose aspak nga këto kontrata. Po ashtu deklaruat që kontratat që keni bërë si qeveri në këto 10 vite, i keni perfeksionuar, por nuk mendon kështu SPAK-u me kontratat e inceneratorëve dhe të sterilizimit. Më shumë se sa për kontratat ata po flasin për individët e korruptuar dhe që i kanë shkelur këto kontrata. Ju thoni që duhet të jemi krenar për drejtësinë dhe jemi, por fakti që janë kaq shumë socialistë të korruptuar që janë përzgjedhur nga ju? Ka ndonjë përgjegjësi trajneri? Se ju pëlqen shpesh të krahasoni ekipin, trajnerin, kur lojtarët luajnë keq?
Kryeministri Edi Rama: Faleminderit për pyetjen. Për pyetjen e parë do duhet të prisni dhe pak ditë se asambleja do mblidhet shpejt.
Për të dytën edhe një herë, 100 herë të kthehesha mbrapa, 100 herë do të mbështesja këto partneritetet publike – private që kemi bërë, 100 herë, sepse veprat janë ato që mbeten. Ndërkohë që, sigurisht problemet e korrupsionit janë të lidhura me ata që kanë gjëra në dorë, nuk janë të lidhura me ata që nuk kanë gjë në dorë.
Domethënë, kur ne kemi bërë reformën në drejtësi dhe në dhjetra apo qindra herë që unë kam folur dhe kam thënë që dua një drejtësi që të godasë majtas e djathtas e të eci vetëm drejtë, unë nuk kam bërë propagandë. Unë e kam ditur këtë që vjen. Nuk kam ditur kujt do t’i ndodhi, por e kam ditur këtë që vjen. Ndërsa ajo “shumë socialistë të korruptuar”, socialistët janë 1 milionë. Njerëzit që janë të implikuar janë shumë më pak se sa socialistët dhe janë asgjë në raport me këtë me fuqinë e Partisë Socialiste.
E rëndësishme është që për shembull, sterilizimi është një nga kontratat dhe një nga punët më të bukura që ne kemi bërë dhe për këtë ju mos më pyesni mua, shkoni pyesni mjekët në spitale. Kam marrë mesazhe pafund nga profesorë, nga mjekë që ishin të keqkuptuar apo të shqetësuar se mos kontrata do të sekuestrohej, që s’ishte rasti. Dhe pse? Sepse me atë kontratë dhe me atë transformim ne kemi ndryshuar shëndetësinë shqiptare në hallkën e vetë më delikate që janë ndërhyrjet në trupin e njerëzve.
Nëse në procesin e asaj kontrate individë të caktuar kanë hyrë në gjynah me popullin dhe me atdheun të cilit ne i shërbejmë, do paguajnë. Kështu funksionon. Do paguajnë. Kur ne zgjedhim, ne nuk i kalojmë njerëzit në sallën e torturave për të marrë vesh se ç’ mund të bëjnë ata në të ardhmen. Pushteti është një lloj “kafshe” shumë e egër. Është shumë e vështirë ta mbash të zbutur dhe të mos biesh pre e dhëmbëve të veta. Ka shumë që e mbajnë, ka disa që nuk e mbajnë. Ka shumë që i rezistojnë tundimeve, ka disa që nuk i rezistojnë tundimeve, por nuk mund të bëjmë parashikimi paraprake se kush do t’i rezistojë e kush s’do t’i rezistojë tundimit kur ne bëjmë zgjedhjet tona.
Ne zgjedhjet i bëjmë në bazë të asaj që shohim, asaj që dimë, pastaj në proces njerëzit janë natyra të ndryshme, karaktere të ndryshme. Ka disa që janë më të fortë. Ka disa që janë më të dobët. Ka disa që pyesin. Ka disa që s’pyesin për ato që pushteti të ofron si tundim. Kështu që, mendoj që këtë gjë do ta shohim pozitivisht dhe vetëm pozitivisht. Këtu s’ka asgjë tjetër përveç përgjegjësisë individuale të secilit që nuk e mban dot peshën e tundimeve për të bërë një rrugë e dy punë dhe rezultateve të punës.
Prandaj po ju them, për sterilizimin, sidomos për sterilizimin shkoni dhe pyesni ata që përdorin instrumentet mjekësorë se çfarë thonë. Kemi pasur një sistem ndërhyrjesh kirurgjikale që ishte mesjetar në raport me çfarë është sot. Kemi kaluar nga epoka e bronxit në epokën e sotme.
Sot, çdo qytetar shqiptar që shkon dhe bën një ndërhyrje kirurgjikale, është i sigurtë. Po të shikoni rezultatet e uljes së ditëve të qëndrimit në spital për shkak të uljes drastike të infeksioneve postoperatore, nga vijnë këto? Nga hëna? Mjekët janë po ata, por sistemi nuk është po ai dhe garancia e gjithë instrumenteve është komplet tjetër.
-Zoti kryeministër, do t’i kthehesha prap çështjes së Kadastrës. Ne si televizion kemi sjellë dje një shembull konkret kur Kadastra i ka kthyer përgjigje një qytetari. Ishte një përgjigje nga Kadastra e cila ishte e pakuptueshme, përveç se ishte e shkruar me gabime drejtshkrimore. Gjithashtu KLSH orët e fundit ka kërkuar dhe një audit mbi stokun e kërkesave që qytetarët kanë pasur në kadastër. A mendoni se ishte i parakohshëm digjitalizimi i një institucioni kaq kompleks që përmbledh shumë shërbime në një dhe bëhet fjalë dhe për pronat e shqiptarëve. Kam dhe një pyetje të dytë, por po marr përgjigjen e pyetjes së parë.
Kryeministri Edi Rama: Bëj pyetjen e dytë se po pres një grafik që e kam harruar pa e marrë me vete.
-Përse është e nevojshme nga ana e qeverisë që në politikat e saj prioritare të alokojë një fond prej 113 milion eurosh për menaxhimin e mbetjeve në qytetin e Elbasanit dhe të Fierit. A kanë dështuar inceneratorët aty, pra procedura e përzgjedhur nga qeveria juaj që mbetjet të jenë në incenerim ka dështuar dhe i jeni rikthyer prap nismës së kërkuar dhe nga Bashkimi Europian që mbetjet, faza e fundit të jetë me ricikilim?
Kryeministri Edi Rama: Për çfarë po flisni?
Gazetarja: Së fundmi, në politikat prioritare është përgatitur një program ku janë parashikuar 113 milion euro, të cilat do të përdoren për menaxhimin e mbetjeve në këto dy qytete, të Elbasanit dhe të Fierit. Në politikat prioritare, në dokumentin, i cili disponohet edhe nga BIRN, i cili është bërë edhe publik për mediat, thuhet se faza e fundit do të jetë riciklimi dhe jo incenerimi. Tashmë që ne kemi dy inceneratorë aty dhe tashmë ata nuk funksionojnë, a kemi dështuar me incenerimin në këto dy bashki dhe i jeni rikthyer nismës së Bashkimit Europian që faza e fundit të jetë riciklimi dhe incenerimi ndoshta shumë, shumë më vonë. Isha e qartë?
Kryeministri Edi Rama: Ju jeni gjithmonë të qartë në paqartësinë tuaj sepse nuk di se sa herë duhet shpjeguar dhe si mund të shpjegohet që përpunimi i mbetjeve bëhet me para, nuk bëhet me frymën e shenjtë. Impiantet ndërtohen me para dhe funksionojnë me para dhe ka dy rrugë për t’i bërë impiantet të funksionojnë. Njëra është të paguajnë qytetarët, duke rritur taksat e tyre, njëra është që shteti të mbështesë qytetarët që ata mos paguajnë atë që kushton kjo punë. Si i bëhet për ta shpjeguar këtë. Në çfarë forme? Investimet janë bërë aty, për ato gjëra që kanë ndodhur ka pasur mangësi dhe nevoja. Impianti i Elbasanit është funksional siç do makineri tjetër që herë pas here kërkon pjesën e përkujdesjes së remontit e të tjerë, pra është një investim i bërë, është pronë e bashkisë Elbasan. Pra, gjatë gjithë periudhës është ndërtuar impianti dhe njëkohësisht iu është hequr qytetarëve nga koka reja e zezë e helmit me të cilin jetonin të moshuarit, fëmijët dhe të gjithë familjarët që banonin në Elbasan, por funksionimi nëse alternativa nuk është që t’i hedhi plehrat në lumë, se është dhe ajo pa lek dhe kushton pak. T’i mbledhim plehrat, t’i hedhim në lumë siç janë hedhur në të gjitha vitet e atyre që sot shqetësohen. Nëse alternativa nuk është kjo, por është ajo që bën bota e qytetëruar, atëherë përpunimi i mbetjeve kushton.
Edhe përpunimi i mbetjeve në landfillet që ne kemi ndërtuar kushton, kushton shumë para. Kur unë kam qenë Kkryetar i Bashkisë kam dashur që ta bëj një impiant të tillë dhe nuk e kam bërë dot sepse kostoja ishte shumë e lartë. Bashkia nuk mund të vinte ato fonde në dispozicion dhe qytetarëve nuk mund t’i kërkohej të paguanin secili tarifën për të bërë atë punë. Pra, shikoni një shifër dhe filloni fantazoni. “Nuk punojnë ato”. Ato punojnë dhe Fieri ka nevojë për një pjesë të fundit sepse u ndërpre nga sekuestrimi. Do ta marri bashkia e Fierit, do ta bëjë dhe atë pjesë të fundit dhe do futet në funksion. Çfarë pyetje bëni tani? “Do kthehet, nuk do bëjmë këtë atë, nuk do bëjmë atë”. Do i bëjmë të gjitha! Siç është plani për t’i bërë. Nuk e kuptoj pyetjen realisht se nga mënyra si e thoni ju duket sikur janë vënë 113 milionë që të bëjmë një gjë nga e para. S’ka lidhje fare. Dhe ndërkohë mos harroni që kemi ende probleme në Shqipëri me hotspote dhe pse janë pakësuar shumë. Shqipëria ka qenë e mbytur me plehra. Unë habitem! E keni ju parasysh këtë gjë? Meqë keni vajtur te Kadastra, do ju jap përgjigje dhe për kadastrën. Keni vajtur te kadastra dhe keni parë që nuk funksionon. Keni parë ju një shembull që nuk funksionon. Po keni në arkivat tuaja plot se çfarë ka qenë Shqipëria përpara se ne të ndërmerrnim gjithë këtë politikë dhe gjithë këto hapa. Kështu që, ata të cilët në këtë proces kanë abuzuar nuk e errësojnë dot fare as qëllimin e lartë, jo të mirë por të lartë të pastrimit të Shqipërisë nga plehrat që e kishin mbytur deri në fyt dhe as rezultatet e kësaj pune që janë evidente. U vu Tirana në administrim nga shteti. Si mendoni ju tani, do bëhet pa lek ajo punë? Nuk do kushtojë meqë e mori shteti? Do vazhdoje të bëhet me para se përndryshe nuk funksionon. Shumë e thjeshtë, nuk funksionon. I kemi thënë këto gjera 1000 herë dhe vazhdon e njëjta histori. Për mua ajo histori është e mbyllur dhe shumë e qartë. Puna për të pastruar Shqipërinë do të vazhdojë. Le të hidhen përpjetë të gjithë ata që nuk e kuptojnë që për të pastruar Shqipërinë kushton. Kushton dhe do të kushtojë gjithmonë e më shumë, jo gjithmonë e më pak. Sepse është bukur t’i kesh miliona e miliona turistë, por e dini se çfarë do të thotë ndër të tjera. Do të thotë te kesh miliona e miliona konsumatorë më shumë dhe shumë më tepër mbetje. Si i bëhet kësaj pune? Kështu që kjo punë do vazhdojë. Ndërkohë që, pjesa tjetër duhet të vazhdojë deri në fund. Dhe atë po e bën SPAK-u, po e bën gjykata speciale. Duhet ta bëjnë deri në fund, do t’ia nxjerrin të gjithë ujin e zi asaj historie. Por gjithë ai ujë i zi i asaj historie nuk e bën nul punën kolosale që është bërë dhe ku këto nisma kanë pasur rolin e tyre vendimtar që Tirana, Elbasani edhe Fieri bashkë me to që i kishte plehrat në të katra anët janë sot ndryshe.
Kështu që, kanë një shprehje të bukur italianët. Nuk duhet hedhur bebja bashkë me ujin e ndotur. Uji i ndotur hidhet dhe bebja vazhdon rritet. Kështu e shoh unë.
Për sa i përket kadastrës, kjo është një tabelë e të dhënave të kadastrës që e kam këtu. Nga larg nuk shihet, por mbase kamera ndihmon. Me blu janë aplikimet hyrëse, me portokalli janë përgjigjet. Shikojini sesi funksionon, ky është realiteti. Tani çfarë ka ndodhur? Dhe as nuk diskutohet që sistemi funksionin, e para e punës se sistemi monitorohet në kohë reale dhe sistem ka nxjerrë dhe gjeneron të dhëna dhe ne bëjmë, pra njerëzit që merren me këtë punë bëjnë simulime të vazhdueshme për të parë funksionimin e sistemit. Sistemi funksionon absolutisht. Por jemi në fazën kur sistemi duhet nga njëra anë të mësohet nga ata që e përdorin dhe nga ana tjetër duhet të kapërcejë presioni negativ të atyre që kanë humbur pushtetin mbi kadastrën. Noterë, sekserë, buburreca brenda në kadastër. Nuk ka më pushtet mbi fatin e aplikimit të një qytetari. As nuk e dinë fare se ku trajtohet aplikimi i qytetarit. Jo më që të kenë pushtet mbi të. Dhe nga analizat e bëra po ju jap vetëm një fakt që flet shumë, që 30% e aplikimeve të noterëve dhe noterët janë persona që nuk është se prekin kompjuter për herë t parë, 30% e aplikimit të noterëve bëhen gabim dhe sistemi ka një të keqe të madh që sistemit nuk i futesh dot mik. Sistemi o ta pranosh o s’ta pranon, o duhet ta bësh siç duhet ose nuk ta pranon. Si futesh dot mik fare sistemit. Pastaj një e dhënë tjetër shumë e rëndësishme për ju është që me sistemin e ri është bërë një operacion masiv i trajtimit të aplikimeve të mbetura. Që do të thotë kthim përgjigje për prapambetjet. Prapambetjet në çdo drejtori, ku pavarësisht punës së madhe që u bë për disa vite në raport me llahtarën që trashëguam, faktikisht rendi i punës ishte jo i drejtë. Sistemi nuk të lë. Sistemi thotë ka aplikuar i pari ky person, ky do të marrë përgjigjen, nuk mund t’i futesh sistemit mik “po shiko se e kam unë tani të nevojshme, kështu që lëre atë ti dhe me merr mua”. U bë një pastrim i madh i të prapambeturave. Dhe pastaj u fillua me praktikat koherente të procesit.
Përpunimi i aplikimeve të vjetra ka variuar sipas kapaciteteve të drejtorive, por e vërteta është sot që nga njëra anë sistemi në vetvete, pra sistemi digjital nuk ka probleme, mirëpo kultura e punës, njerëzit e mësuar ndryshe, çorientimi sepse shumë nga ata që në Kadastër e nxirrnin muajin jo me rrogën, por me nderet që bënin, krijojnë ngërçin e tyre.
Nga ana tjetër, kjo periudhë ka një gjë që e dimë shumë mirë të gjithë, që vijnë shumë njerëz nga jashtë, të mësuar me sistemin e vjetër, që e kanë lënë për tani dhe numri i aplikimeve ka pasur një rritje shumë të madhe në periudhën e gushtit. Në një ditë, në 15 gusht për shembull, 32 534 aplikime. Tani e kuptoni vetë se çfarë ndodh. Ndërkohë që, në këtë sistem nuk ka rëndësi fare se ku je. Mund të aplikosh për titullin tënd të pronësisë edhe nga Amerika. Nuk ka nevojë që të presësh gushtin që të vish në Shqipëri emigrant e të shkosh tek hipoteka e të përleshesh.
Kështu që përmbledhja ime është shumë e thjeshtë. Është perfekt sot funksionimi? Aspak! Pse? Sepse duhet të riaxhustohet gjithë ndërveprimi njerëzor. Noterët duhet ta mësojnë që nuk mund të kalojnë në asnjë rrugë tjetër përveç sistemit. Duhet të mësojnë të bëjnë aplikimet si duhet e besoj që kjo nuk është çështje vitesh, por çështje ditësh kur dikush që punon me kompjuter, fokusohet.
Ata që janë brenda do ndahen natyrshëm shapi me sheqerin. Kadastra do ketë, jam i bindur, rrjedhje të numrit të punonjësve ekzistues. Dorëheqjet vazhdojnë atje e mua më mjafton që vazhdojnë dorëheqjet për të kuptuar që po funksionon. Pse dorëhiqen? Kanë një problem moral me qytetarët që nuk po u shërbejnë me shpejtësi? Dorëhiqen sepse nuk po mund të bëjnë dot më asgjë, përveç punës dhe detyrës ndaj çdo qytetari dhe ajo që është më e rëndësishmja fare, që mbaje parasysh, që kur ka hyrë ky sistem e deri tani, transaksionet e zeza në raport me kadastrën janë zero. Pse? Se nuk ia del dot. Punonjësit kanë kode të caktuara, nuk e shohin dot njëri-tjetrin se çfarë bëhet. Ti shkon në Shkodër dhe i thua atij që je mësuar t’i thuash ore kam aplikuar. Ai nuk e di fare sepse sistemi i shpërndan aplikimet në territor dhe një punonjës që është në Libofshë merret me dosjen tënde. As të njeh, as e njeh, as nuk ke si e gjen dhe edhe ai vetë po të gjeti nuk të bën dot ndonjë nder tjetër, përveç se të bëjë detyrën që ka. Kështu që patjetër që mund të ketë, jo mund të ketë, por ka plot raste që nuk funksionon. Nuk funksionon se nuk bëhet aplikimi siç duhet, por nëse më parë mund të ndodhte që mund të prisje pafund, sot periudha e pritjes e përgjithshme flas, është brenda një kohe shumë të arsyeshme.
– Kam dy pyetje. Së pari, para disa ditësh në Vlorë jeni takuar me homologen tuaj italiane Meloni e cila ka qëndruar me familjen e saj pas një ftese tuajën për pushime, megjithatë keni diskutuar sa i takon disa projekteve mes dy vendeve. I keni zbuluar ato në mediat italiane gjatë intervistave që keni dhënë, një ndër projektet është për të dërguar ujë nga Shqipëria në Puglia të Italisë. Mund të na tregoni se në çfarë faze është ky projekt?
Dhe së dyti, që pas 14 qershorit kur u anulua mbledhja e përbashkët e qeverisë së Kosovës dhe Shqipërisë, ju keni pasur përplasje në distancë me zotin Kurti e nuk jeni takuar në mos gaboj. Ndërkohë, në fillim të javës tjetër, në 28 dhe 29 gusht ju do të jeni në Bled të Sllovenisë ku do të merrni pjesë në një forum ku do të jetë dhe homologu juaj nga Kosova. A keni planifikuar një takim me të dhe mund të na thoni se cili është raporti që keni me zotin Kurti? A do e ftoni atë në Tiranë? Në fillim të shtatorit do të jetë Presidentja Vjosa Osmani me ftesë të zotit Begaj. Ju do të ndërmerrni një hap të tillë për të ftuar zotin Kurti në Tiranë?
Kryeministri Edi Rama: Cilës përplasje i referoheni për shembull, konkretisht?
– Përplasjes që keni patur pas mbledhjes së dy qeverie për mos mbajtjen dhe anulimin e saj. Kjo ka ardhur për shkak të qëndrimeve që ju keni pasur përsa i takon tensioneve në veri të Kosovës dhe tërheqjes nga ana e qeverisë së Kosovës. Kjo bëri të mundur dhe që mos mbahej mbledhja mes dy qeverive.
Kryeministri Edi Rama: Ky është lajm i vjetër dhe kjo është pyetje e vjetër sa lajmi dhe përgjigja ime është dhënë atëherë dhe nuk shoh që të ketë ndodhur asgjë e re ndërkohë që qëndrimet e mia janë qëndrimet e mia. Qëndrimet e Albinit janë qëndrimet e Albinit. Albini është sovran në detyrën e tij. Unë jam sovran në të drejtën time për të pasur qëndrimet e mia, kaq. Nuk shoh asnjë problem këtu dhe nuk shoh asnjë telenovelë. Për mua nuk ka pasur, nuk ka dhe nuk ka për të pasur ndonjëherë dyshim që kur njerëzit mund të takohen duhet të takohen, kur njerëzit duhen ftuar, duhen ftuar, kaq. Të tjerat janë pastaj telenovela mediatike.
Për sa i përket pyetjes së parë, nuk ka një projekt. Janë të gjitha ide. Ideja e ujit është një ide që daton përpara Luftës së Dytë Botërore, që ta dini ju dhe është një ide që e kanë promovuar në vijimësi të gjitha qeveritë italiane por nuk është bërë asgjë konkrete. Kështu që kjo varet nga vullneti i qeverisë italiane në radhë të parë sepse është një projekt i madh që Shqipëria nuk mund ta realizojë dot padyshim. Ashtu sikundër dhe projektet e tjera kanë të bëjnë me gjëra që janë diskutuar edhe në të shkuarën. Nuk janë gjëra të reja. Janë gjëra të diskutuar në të shkuarën që kur flet me një kryeministër të ri të Italisë patjetër që do t’i shtrosh në tryezë e pastaj do shikojmë si do avancojmë. Me shumë gjasë do të kemi shumë shpejt në Romë një takim të dytë të Komitetit të Përbashkët të Investimeve, se takimin e parë e kemi zhvilluar në Ministrinë e Jashtme nëse ju kujtohet në Romë e do shikojmë si do shkohet më tutje. Pastaj kemi Samitin e Procesit të Berlinit në tetor ku kryeministrja e Italisë do jetë prezente. Janë dy apo tre takime të tjera në nivel ministrash përpara takimit të kryeministrave, me të gjitha vendet që marrin pjesë në Samit, kështu që do të kemi kohë t’i shikojmë si do artikulohen.
– Dua t’i rikthehem dhe një herë çështjes së kontratës së sterilizimit pasi në datë 02/10/2015 kompania që ka qenë e renditur e dyta në garë për koncesionin e sterilizimit e cila kishte bërë një ofertë 25 milionë euro më të lirë se sa kompania përfituese e koncesionit, ka bërë njw ankimim për këtë fakt duke vënë në dijeni një sërë institucionesh. Përveç ofertës më të lartë aty ajo thekson edhe faktin që kompania që është përzgjedhur nuk i plotëson kriteret sepse ka pasur mungesë lejesh dhe dokumentacioni për ofrimin e shërbimit. Përmes kësaj shkrese të datës që citova më sipër, në dosjen e SPAK përmendet fakti që mes institucioneve të tjera kjo kompani ka vënë në dijeni edhe kryeministrin e Shqipërisë. Ju keni lexuar një letër të tillë dhe nëse po, pse nuk keni marrë masa për të mos lejuar që kjo kompani që nuk i përmbushte kriteret, të mos e merrte koncesionin e sterilizimit?
Kryeministri Edi Rama: Kompania që ka bërë sterilizimin i ka aty ato që ka bërë, nuk janë në letër. Janë aty.
-Po nëse ka qenë një koncesion korruptiv, nëse është favorizuar kjo kompani, nëse ka pasur kosto të fryra për ta bërë këtë procesin e sterilizimin, prandaj më lejoni ta përsëris pyetjen, e keni lexuar këtë letër ankimimi që ka dërguar kompania, e cila ka dalë e dyta në garë?
Kryeministri Edi Rama: Nëse mund ta jap përgjigjen deri në fund dhe nëse ekziston durimi për ta dëgjuar përgjigjen deri në fund, do ishte mirë që ta jap përgjigjen deri në fund me lejen tuaj. Nëse nuk e kam lejen, atëherë unë flas, ju e ndërprisni, s’ka problem.
Është në dorën tuaj, kuptohet kjo. Pra, se çfarë është bërë me këtë se nuk është koncension në radhë të parë që të jemi shumë të qartë bashkë. S’është koncension. Është partneritet publik, privat. Është tjetër gjë nga koncensioni, por këto janë detaje që nuk iu interesojnë. Se çfarë është bërë me këtë partneritet publik,privat shkoni dhe e keni në sistemin shëndetësor shqiptar dhe pyesni të gjithë mjekët që merren me ndërhyrje kirurgjikale. Pyeti, janë të kënaqur apo janë të pakënaqur. Janë këto vegla apo s’janë këto vegla. Ekziston ky sistem apo s’ekziston ky sistem. Se nuk po iu them të thelloheni më tutje me të dhënat sesi nga sterilizimi janë ulur infeksionet postoperatore. Janë ulur ditët e shtrimit në spital, që do të thoni janë ulur shpenzimet e shtetit për të sëmurët e të tjerë. Nuk po ju them të hyni në këto se këto janë të mundimshme. Përsa i përket letrave që unë marr, çdo letër që unë marr, unë e përcjell në destinacionin përkatës. Çdo letër që unë marr, unë e përcjell në destinacionin përkatës dhe madje pjesa më e madhe e tyre kalon automatikisht tek autoritetet përkatëse, që ta dini si funksionon.
-Unë nuk jam e qartë sepse ne nuk po diskutojmë nëse procesi i sterilizimit është bërë mirë apo jo. ne këtu jemi diskutuar nëse kjo kontratë e partneritetit publik, privat është shfrytëzuar nga këta persona, të cilët janë sot të arrestuar nga SPAK për të marrë akoma më shumë miliona nga shteti shqiptar për një shërbim që mund të kushtonte më lirë dhe nëse është favorizuar një kompani e caktuar të një personi që kishte vetëm një punonjës dhe që nuk i përmbushte kriteret ligjore dhe ju pyeta për shkak se pas letrës që ka bërë kompania, ministri i shëndetësisë i asaj kohe, Ilir Beqaj, jo vetëm që nuk ka marrë masa për bllokimin e koncesionit, por me urdhër dhe firmë të tij janë përshpejtuar procedurat duke mos pritur as afatet e ankimimit, pra janë shkurtuar dhe afatet e ankimimit dhe i rikthehem dhe njëherë pyetjes sime: Ju keni besim që vartësit tuaj e kanë bërë punën mirë në gjithë këtë kontratë dhe kjo kontratë është bërë e pastër apo kjo kontratë është përdorur për të vjedhur?
Kryeministri Edi Rama: Kjo është pyetje e re, s’është rikthim te pyetja e vjetër që të jemi të qartë. E dyta, për çfarë diskutojmë ne këtu?! I gjithë ky diskutim është pjesë e detyrave funksionale dhe punës shumë të mirë që po bën një organ tjetër që quhet SPAK-u. Kështu që, këto të tjerat pastaj janë muhabete dhe unë për muhabet kam shumë pak kohë dhe atë kohë, nuk e kam për ju. Kështu që për mua është e thjeshtë fare kjo histori. Shumë e thjeshtë dhe këtë do të dëgjoni nga unë derisa të jem këtu. Janë të ndara gjërat. Në qeveri mua me të gjithë të tjerët më bashkojnë qëllimet e shpallura dhe unë luftoj për qëllimet e shpallura. Unë qëllime të pashpallura nuk kam. Doni apo s’doni ta besoni, kush nuk do ta besojë s’ka problem. Qëllimet e shpallura janë ato që na bashkojnë. Nëse në luftën për qëllimin e shpallur ka individë që shfrytëzojnë të qenit në frontin e kësaj lufte për përfitime të tyre jo të përbashkëta, jo në funksion të qëllimit të shpallur, por për qëllime vetjake dhe të paligjshme këto i trajton drejtësia dhe lufta ime për reformën në drejtësi nuk ka qenë një luftë me mullinjtë e erës, as për mullinjtë e erës. As për ta pasur drejtësinë ulur këmbëkryq në muhabete që secili bën drejtësinë e vetë, që secili bën prokurorin, e secili bën gjykatësin në kushtet kur drejtësia nuk bën detyrën, por për të pasur një drejtësi që bën detyrën e vetë dhe ku secili të bëjë detyrën e vetë.
Kështu që, detyra ime është kjo që bëj. Këto që pyesni ju, janë detyra e dikujt tjetër që në këndvështrimin tim po e bën detyrën si duhet. Pastaj dikush mendon kështu, dikush mendon ashtu. Të gjithë ju jeni të lirë të shprehni mendimet, unë nuk jam i lirë të shpreh mendimet sepse ky është zotimi që kam marrë dhe do t’i qëndroj deri në fund që më pëlqen mua, s’më pëlqen mua, se mbase nuk jam unë dakord me të gjitha ato që thuhen, me të gjitha ato që bëhen, me të gjitha ato, kjo është diçka që unë e ndaj me veten time dhe nuk e ndaj me ju dhe nuk e ndaj me publikun sepse sistemi i drejtësisë ka nevojë për mbështetjen time të plotë dhe mbështetjen e plotë të qeverisë dhe ne nuk jemi fare në këtë debat. E kuptoni këtë gjë? Ne nuk jemi fare. Në këtë debat nuk na keni. Bëjeni vetë. Mblidhni njerëz nëpër ekrane. Bëheni bashkë me të tjerët që s’ kanë punë tjetër përveç se të merren me llafe. Ne nuk jemi në këtë debat. Ne jemi këtu për të bërë punën tonë. Puna jonë është e përcaktuar nga detyrat që ka pushteti ekzekutiv. Ne nuk jemi pushtet gjyqësor dhe pjesë e punës sonë është që pushtetin gjyqësor në këtë vend, më në fund ta bëjmë pushtet gjyqësor me mbështetjen tonë. Kjo është gjëja. Tani ju doni muhabete. Të hyjmë ne tani të diskutojmë është kështu apo s’është. Jo, se s’është fare detyra ime kjo. Kjo është detyra e atyre që janë atje të ngarkuar me këtë detyrë dhe që përsëris unë i inkurajoj që t’i nxjerrin ujin e zi çdo çështje, çdo rasti, çdo ngjarje, çdo aktiviteti të kujdoqoftë në rast se ka ujë të zi. T’ia nxjerrin komplet dhe kanë gjithë mbështetjen time, kanë falënderimet e mia dhe unë jam shumë krenar nëse kjo ndodh sepse për këtë kam luftuar dhe për këtë e jap kontributin në këtë proces. Kaq e thjeshtë është. S’doni ta kuptoni, mos e kuptoni, s’ka asnjë problem për mua.
-Është detyrë dhe kompetencë e kryeministrit të kontrollojë punën e ministrave dhe në këtë rast ju keni qenë në dijeni dhe mund ta kishit parandaluar këtë kontratë. Dhe një pyetje të fundit, ju dëgjova pak më herët që folët për çështjen e inceneratorëve dhe në përgjigje të pyetjes që i dhatë koleges të Tv Klan, ju thatë se gjithmonë veprat mbeten. Në rastin e inceneratorit të Tiranës, ne nuk kemi një vepër, pra nuk ka një incenerator. Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri përmes kompanive të tyre, kanë marrë paratë, kanë ikur jashtë shtetit, nuk dihet ku janë. S’e kuptova qartë, shteti do të japë sërish para për të ndërtuar këtë vepër që ata nuk arritën ta përfundonin, edhe në rastin e Tiranës.
Kryeministri Edi Rama: Çdo gjë ka një kufi. Ky ishte kufiri për ju i kohës sepse do të flasin dhe kolegët e tjerë. Shumë faleminderit dhe këtu nuk është miting, por është konferencë shtypi.
-Zoti kryeministër ju sapo thatë që i takon drejtësisw të nxjerrë ujin e zi çdo veprimi të paligjshëm. A duhet t’ia nxjerri ujin e zi drejtësia pikërisht atij sektori të cilit në korrik KE deklaroi se do i ndërpresë financimet. I referohem fondeve të IPARD-it.
Kryeministri Edi Rama: Nëse raporti që nuk ka dalë akoma do të ketë të dhëna që janë të dhëna të cilat nuk i takojnë të tjerëve, por i takojnë organeve të drejtësisë patjetër, pse jo? Nuk diskutohet.
-Ju pak më përpara në parashtrimin tuaj e duartrokitët Policinë e Shtetit për punën e saj gjatë kësaj vere, kryesisht për të vënë përpara përgjegjësisë zjarrvënësit. Gjithsesi gjatë verës disa ngjarje të mëdha kanë kanë tronditur ndoshta besimin publik, nuk e di juve, por do ju pyes për këtë. Për shembull kur u zbulua përmes SPAK-ut se hiqen si drejtues të lartë të policisë së shtetit, punonin për banda kriminale. Apo pak ditë më parë kur ambasada amerikane publikisht shprehu shqetësim për të dhënat abuzive ose abuzime me të dhënat e sistemit TIMS. Këto fakte, këto ngjarje a kanë zbehur krenarinë tuaj për Policinë e Shtetit?
Kryeministri Edi Rama: Për të dytën nuk ka asnjë arsye për t’u shqetësuar. Është e gjitha një histori e nxjerrë dhe e manipuluar nga njerëz që kanë humbur praktikisht pushtetin mbi ato të dhëna në Policinë e Shtetit. Sepse hetimi i brendshëm është kryer i plotë dhe nuk ka asnjë shqetësim. Nuk jam në dijeni të një deklarate të ambasadorit amerikan se nuk kemi ambasador amerikan për momentin, por nuk jam në dijeni të kësaj dhe nuk kuptoj pse i dërguari me punë paska bërë deklaratë për këtë gjë, ndërkohë që me ta ne kemi komunikim të vazhdueshëm dhe janë dhënë të gjitha sqarimet kështu që këtu s’ka asgjë. Ajo ngjarja e rëndë nuk ka ndodhur se s’ka pasur as mundësi të ndodhi sepse në përpjekje për të bërë backup-in ka dalë që s’ka backup fare. Kështu që, është një problem teknik i brendshëm. Ata kanë punën e tyre dhe në atë punë ata janë të monitoruar. Edhe hetimi është bërë kështu që nuk ekziston kjo.
Përsa i përket tjetrës nuk e kuptoj se është shumë interesant kjo punë, çfarë kërkoni ju? Ju kërkoni që të dali uji i zi apo të mos dali? Dhe ju keni hallin tim kur del uji i zi se mos shqetësohem unë, mos mërzitem unë dhe kur unë nuk mërzitem, por gëzohem kur del uji i zi, ju çfarë problemi keni? Se nuk e kuptoj. Po pse t’u desh kjo gjë ty që merrje vesh që dhe në polici ka elementë që janë pjesë e ujit të zi, prite këtë, nuk e dije? Mendoje që s’ka. Jo, ka, luftohet përditë. Mjafton të shikoni të dhënat e vet policisë së shtetit, mjafton të shikoni sesa janë ata individë në uniformat blu që vetë agjencia përkatëse që është e ngarkuar me këtë punë i çon përpara drejtësisë. Merrini shikojini ato që të kuptoni që kjo është një luftë e përditshme nga të katërta anët sepse kështu bëhet deri në fund ajo që kemi nisur të bëjmë që ditën e parë, një shtet serioz. Kështu behet. Kështu që nuk e kuptoj ku është pika që s’merremi vesh. Sa herë që del uji i zi nuk keni nevojë as të më dëgjoni, as të më shikoni. Merreni me mend që jam duke buzëqeshur. Sepse është një tjetër e keqe që ekspozohet dhe nga e cila çlirohet organizmi i shtetit shqiptar. Që është një proces në ndërtim se s’ka pas fare shtet shqiptar, ka qenë një sipërfaqe si ato dekoret e teatrit ku duket sikur është një pallat, në fakt është një beze dhe nga ku hyjnë e dalin njerëz por nga mbrapa s’ka asgjë. Kështu ka qenë. Në të gjitha. Tani pak nga pak me shume mundim po bëhet.
-Zoti kryeministër pyetja e parë është si është marrëdhënia diplomatike mes Greqisë dhe Shqipërisë sot, duke iu referuar dhe darkës së fundit të organizuar dhe të thirrur nga kryeministri i Greqisë, i cili nuk kishte një ftesë për ju dhe ju keni bërë dhe një reagim përsa i përket mungesës së një ftese duke iu drejtuar ftesën drejt Shqipërisë jo drejt kryeministrit të vendit, por drejt presidentit zoti Begaj por dhe ai nuk arriti të jetë i pranishëm në këtë darkë.
Kryeministri Edi Rama: Dhe çfarë kërkon nga unë tani?
-Ka një krisje të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Greqisë? Dua te shtoj dhe një detaj tjetër pasi mes dy vendeve është një çështje mjaft e rëndësishme siç është edhe ndarja e kufirit detar.
Kryeministri Edi Rama: Unë u bëra ca kohë në këtë detyrë kështu që as impresionohem nga momentet e emocioneve dhe të ngarkesave që krijon një ngjarje e caktuar, as marr personale cfarëdoqoftë dhe aq më pak pastaj të reagoj në mënyrë simetrike ndaj gjerash që unë për veten time nuk do t’i bëja, kur një gjë nuk do ta bëja vet nuk kam dëshirë të reagoj kur e shoh që e bëjnë të tjerët. Jo më që ta bëj si ata!
-Kur ne ju pyesim për pushtetarë të majtë që kanë probleme me drejtësinë për shkak të korrupsionit apo çështje të tjera, ju na tregoni që drejtësia po funksionon dhe jeni krenar. Por krenar për atë punë duhet të jetë kreu i SPAK. Po ju si kryetar i këshillit të ministrave ku të përfshirë në korrupsion janë dhe njerëz të besuar, ish të besuarit tuaj siç ishte dhe numri dy i qeverise, niveli më i lartë i një politikani që tashmë akuzohet dhe është në kërkim ndërkombëtar. A keni ndonjë përgjegjësi morale për të gjithë këta pushtetarë të majtë të cilët nga niveli më i lartë tek niveli më i lartë po përballen me drejtësinë.
Kryeministri Edi Rama: Përgjegjësia ime morale është karshi shqiptareve për t’iu dhënë atyre një drejtësi që bën ekzakt këtë punë dhe në raport me këtë përgjegjësi deri tani ndihem shumë mirë. Nëse më vonë do shoh që kjo s’do funksionojë do them: moralisht ndjehem jo mirë në raport me shqiptarët. Ndërkohë që, sa herë do ua u shpjegoj këtë gjë “njerëzit më të besuar”, njerëzve iu jap besim për të bërë punën që iu takon për qëllimin e përbashkët.
Nëse dikush shfrytëzon rrugën e përbashkët për qëllimin e përbashkët për të kapur mandarina ndërkohë që ne shkojmë në luftë, do paguajë. Kaq e thjeshtë është kjo. Ti, çfarë kërkoni ju? Që unë ta parashikoj shumë herë përpara se kë mund të shtrembërojë pesha e tundimeve të pushtetit? Nëse juve nuk di nëse keni apo nuk keni një familje, por nëse ju nesër ndërtoni familjen tuaj ju niseni nga më e mira, por në rast se larg qoftë ju del që nuk e keni parë si duhet të ardhmen përgjegjësia është e atij që ua u lëndon këtë perspektivë jo juve që jeni nisur nga qëllimet më të mira dhe nga dëshira më e madhe për të bërë gjënë më të bukur që është ndërtimi i një familjeje.
Kështu që unë se kuptoj. Realisht nuk e kuptoj sepse nëse e kërkon këtë gjë dhe në botën demokratike nuk ekziston kjo, nuk ekziston. Kjo pyetje nuk ekziston, nuk e kam dëgjuar asnjëherë. Kur në një vend tjetër ndodh diçka e ngjashme, lideri apo organizata e caktuar nuk gjykohet për çfarë bëri personi por gjykohet si reagon ndaj asaj që ndodh. Reagon duke u distancuar, reagon duke mbajtur qëndrim, reagon duke bërë çfarë? Apo reagon duke e justifikuar apo duke e fshehur, duke e mbrojtur etj. Tani më falni, mbase ju jeni shumë të rinj por në këtë vend paraardhësi im mbante në detyrë një njeri që ishte në arrest shtëpie. Dhe nuk ishte në detyrë rojë por ishte drejtor i përgjithshëm i taksave dhe tatimeve të Republikës së Shqipërisë. Në arrest shtëpie. Mbahej në detyrë me prezumimin e pafajësisë. A e kuptoni ju se çfarë ka ndodhur këtu në këtë vend?
Në këtë vend, paraardhësi im mbante në detyrë një njeri që ishte në arrest shtëpie e nuk ishte në detyrë roje, ishte drejtor i përgjithshëm i Taksave dhe Tatimeve të Republikës së Shqipërisë, në arrest shtëpie, mbahej në detyrë me prezumimin e pafajësisë. A e kuptoni ju se çfarë ka ndodhur në këtë vend? Nuk e kuptoni! Po më mirë që nuk e kuptoni se duke mos e kuptuar kërkoni më shumë dhe kjo është pozitive.
– Dua të ndalem tek Agjencia Shtetërore e Prokurimeve të Përqendruara. E cekët edhe gjatë fjalës suaj që do të ketë disa ndryshime. Nëse mund ta shtjelloni cilat janë ndryshimet që do të ndodhin në këtë agjenci dhe pse një domosdoshmëri e reformimit?
Pyetja e dytë lidhet me situatën energjitike në vend. Sipas një raporti të INSTAT ka një bilanc pozitiv tregtar ku është rritur prodhimi vendas e janë ulur importet? A do të reflektohet kjo na faturën e energjisë elektrike? Mund të kemi një reduktim të çmimit të energjisë?
Dhe një pyetje të fundit, nëse e vlerësoni që mund të ndani dhe detaje me publikun. Pas analizës dy ditore në Tepelenë, në gjykimin tuaj cilat janë ato ministri që nuk kanë operuar në kapacitetin e tyre maksimal dhe kanë nevojë për reformime? Faleminderit!
Kryeministri Edi Rama: Për pyetjen e parë, ju sugjeroj të lexoni draftin që ka dalë për konsultim publik dhe aty i keni të gjithë përgjigjet.
Për pyetjen e dytë, çmimi nuk vendoset, çmimi i energjisë nuk është si çmimi i domateve që sot ka prodhim të madh dhe bie çmimi, nesër rritet çmimi e kështu me rradhë. Është një çmim që merr në konsideratë qëndrueshmërinë e kërkesës e të ofertës. Po, është e vërtetë në këtë fazë jemi shumë mirë por nëse ai lart e ndan mendjen që mos qajë deri vitin tjetër, pastaj do jemi shumë keq. Kështu që duhet të balancojmë, për sa kohë nuk kemi burime alternative të mjaftueshme që po i ndërtojmë. Atëherë do të jemi në një tjetër situatë e do flasim ndryshe për të gjitha, por për momentin nuk kanë lidhje këto të dyja.
Ndërsa për sa i përket të tretës, ne kemi diskutuar e kemi futur një marsh tjetër për një rishikim të proceseve të brendshme për të gjithë, në të gjitha aspektet sepse ka shumë gjëra që duhen përshtatur me kohën që jetojmë, ka shumë gjëra që eksperienca na i ka mësuar. Ka shumë gjëra që lidhen me atë që thashë, me përdorimin e teknologjisë, me inteligjencën artificiale që tani ka hyrë e do të jetë shume e shpejtë në impaktin e vetë se sa teknologjia e mëparshme. Për të gjitha këto ne do të bëjmë shumë gjëra që do ti përshtaten nevojave në funksion të programit të 300 ditëve të ardhshme.
– Me rritjen e pagës minimale, hendeku mes pagës minimale dhe pensioneve është rritur. Përveç shpërblimit që është deklaruar që do të jepet në shtator, për sa i përket pensionistëve që vjen nga taksa e energjisë, a po mendoni për një rritje të pensioneve për të ngushtuar këtë hendek me pagën minimale?
Kryeministri Edi Rama: E kam shpjeguar 100 herë që rritja e pagave dhe pensioneve nuk vijnë nga i njëjti drejtim. Kështu që gropa e trashëguar e pensioneve është gropa më e thellë e më e gjerë sepse shkon edhe përtej vetë periudhës demokratike. Kështu që për pensionet, për një rritje të konsiderueshme të pensioneve jemi akoma jo aty, ndërkohë që shpresojmë, urojmë që zbulimi i Shpiragut të funksionojë dhe atëherë sigurisht që nga ai zbulim, të parët që do përfitojnë do jenë pensionistët.
– Nisur nga përgjigjet tuaja ku ju deklaroni pas çdo skandali të qeverisë se përgjegjësia është individuale e ndërkohë në vitin 2017 keni mbrojtur publikisht PPP e sterilizimit, në vitin 2019 gjithashtu, në vitin 2021, a nuk mendoni se e keni legjitimuar abuzimin dhe a nuk ka qeveria mekanizma që të kontrollojë këto partneritete publik-private në vend që kryeministri të dalë e ti mbrojë publikisht ato, përpara se të shkojnë në rrjetën e SPAK?
Kryeministri Edi Rama: Jo në 2017, por edhe tani, edhe sot, unë e përsërita e do ta përsëris edhe në 2027 këtë. Kështu që përgatituni ta dëgjoni dhe në 2027 këtë që thashë sot.
– E kam fjalën që a nuk ishin këto vite të mjaftueshëm që ju përpara se të dilnit e të bënit deklarata publike, të paktën të hetoni se si po shkojnë këto kontrata?
Kryeministri Edi Rama: Të krijoj idenë unë që kam nevojë për përkthim kur ju flisni? Më lër ta mbaroj përgjigjen. Se ku e ke fjalën, e kuptova. Qeveria nuk ka detyrë dhe lavdi Zotit nuk ka instrumente që të bëjë rolin e SPAK-ut dhe as të drejtë ta bëjë dhe gjëja që ju, një pjesë e juaja nuk do ta kuptojë, jo se nuk e kupton, nuk do. Kur njeriu nuk do të kuptojë, është e kotë, se nuk do të kuptojë. Kur nuk do të kuptojë, secili thotë të vetën e ndahen të pa kuptuar, është që janë dy gjëra të ndryshme komplet. Nëse ka abuzim apo jo këtë do ta tregojë procesi gjyqësor, por nga ana tjetër, nëse është gjëja e duhur për tu bërë, këtë e tregon realiteti i përditshëm i sistemit shëndetësor shqiptar, kaq e thjeshtë është dhe këtu tek realiteti mbaron detyra ime, tek abuzimi fillon detyra e SPAK-ut. Tek realiteti mbaron detyra e pushteti ekzekutiv, tek abuzimi fillon detyra e pushteti gjyqësor. Janë dy gjëra të ndara.
-Kur qeveria lidh një kontratë nuk ka më asnjë lloj aksesi dhe asnjë lloj mënyre për të kontrolluar se si funksionon kjo gjë ?
Kryeministri Edi Rama: Jo unë po them të kundërtën. Unë po them se si funksionon kjo gjë shkoni e shikojeni atje ku kjo gjë funksiono dhe është atje dhe pyesni mjekët, pyesni të gjithë punonjësit e shëndetësisë dhe shkoni e shikojini. Keni parë ndonjëherë ndonjë aparat sterilizimi ju që flisni? Shko shikoje një aparat sterilizimi dhe shko shiko dhe si ka qenë aparati që doli nga përdorimi kur u fut ky aparat që është sot. Shkoni shikoni një qendër sterilizimi sepse për një arsye shumë të thjeshtë sepse juve që kur thoni që në emër të të cilës markë flisni, kuptohet që menjëherë nuk doni të kuptoni dhe nuk ka problem, sepse e shikoni botën ndryshe. Për këtë është e bukur demokracia sepse ne jemi këtu në një sallë dhe jemi njerëz që e shikojmë botën jo të gjithë njësoj. Faleminderit shumë!