Kryeministri Edi Rama u takua me Sekretarin amerikan të shtetit Blinken dhe delegacionin që e shoqëronte, në Sallën e Hartave, në Kryeministri.
Pas bashkëbisedimit me dobi të veçantë për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve, u zhvillua ceremonia e nënshkrimit të dy Memorandumeve të Mirëkuptimit, përkatësisht:
– Memorandum Mirëkuptimi për Programin e Shkëmbimit Akademik Fulbright.
– Memorandum Mirëkuptimi për Kundërshtimin e Manipulimit të Informacionit të Shtetit të Huaj,
të cilat u nënshkruan nga Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken dhe Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme Igli Hasani.
Pas nënshkrimit, Kryeministri Edi Rama dhe Sekretari Amerikan i Shtetit dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp
* * *
Kryeministri Edi Rama: Shumë i nderuar Sekretar i Shtetit, i dashur Tony! Është gjithnjë një ditë e shënuar me një rëndësi te veçantë në historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare të Shqipërisë, dita kur një Sekretar i Shtetit viziton vendin tonë dhe në llogarinë tonë ju jeni i gjashti, por këtë herë ne kemi një vlerësim te veçante për këtë vizitë pasi jemi shumë të vetëdijshëm për kohën shumë të trazuar, jo vetëm në kufi të Europës, por edhe në zona të tjera me rëndësi strategjike për ekuilibrat e botës ku jetojmë dhe rrjedhimisht për ngarkesën e posaçme të agjendës suaj. Fakti që ju gjetët kohë dhe njëkohësisht dhe e patë të nevojshme të ndaleni në Tiranë, është për ne një shenjë shumë e rëndësishme e miqësisë, por edhe e vlerësimit që ju i bëni kësaj miqësie, këtij partneriteti dhe patjetër dhe këtij rajoni.
Natyrisht që nuk mund të mos e ndaj dhe me publikun keqardhjen që mes një darke me ne në Shqipëri dhe një darke në Mynih ku duhet të niseni menjëherë ju zgjidhët ushqimin jo dhe aq të shijshëm gjerman, por ne tonën e bëmë, darkën e kishim gati.
Jemi shumë të nderuar sot nga vizita e Sekretarit të Shtetit dhe po ashtu mund ta them pa asnjë zbukurim diplomatik apo protokollar që jam shumë i kënaqur nga bashkëbisedimi i hapur, i thellë dhe nga niveli i ndërveprimit dhe i mirëkuptimin mes nesh.
Më vjen shumë mirë që kjo vizitë koincidon dhe me përfundimin e misionit të Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit dhe i shpreha Sekretarit të Shtetit përveç falënderimit për mbështetjen e paçmuar që patëm nga ShBA dhe nga misioni i ShBA në OKB për praninë tonë në Këshill dhe për suksesin e misionit tonë në dy vitet që qëndruam si anëtar jo i përhershëm i Këshillit të Sigurimit, por edhe mirënjohjen për mesazhin prekës që përcolli publikisht ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Kombet e Bashkuara, për vlerësimin e lartë që ajo i bëri misionit shqiptar, për fjalët jashtëzakonisht pozitive që ajo ndau me publikun, për mënyrën se si Shqipëria arriti ta përfaqësoi veten, por më tepër se kaq. Për mënyrën sesi Shqipëria arriti të përfaqësojë edhe këtë komunitet vendesh dhe shtetesh që qëndrojnë sëbashku për disa vlera dhe parime që për ne janë të panegociueshme.
Nga ana tjetër, dua që publikisht ta falënderoj Sekretarin e Shtetit dhe për një mbështetje për të cilën flitet pak, e cila në fakt shihet pak, por që është një mbështetje e vazhdueshme, e rëndësishme dhe e dobishme për ecurinë e Shqipërinë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Natyrisht ky është një proces që varet nga çfarë bëjmë ne, varet nga gjykimi dhe vlerësimi i partnerëve dhe aleatëve tanë në BE, por prej disa vitesh ne kemi ndjerë dhe e çmojmë shumë interesimin e vazhdueshme të administratës amerikanë dhe posaçërisht interesimin e vazhdueshëm të Departamentit të Shtetit dhe faktin që në vazhdimësi sekretari në takimet e rëndësishme me aleatët europianë nuk e lë pa e nënvizuar dhe nevojën për ta shtyrë më tutje këtë proces të integrimit të Shqipërisë dhe të Ballkanit Perëndimor në BE si një interes strategjik i Shteteve të Bashkuara.
Nga ana tjetër patjetër që kemi folur për rajonin, kemi ndarë të njëjtat pikëpamje dhe të njëjtat shqetësime.
Siç dihet Shqipëria ka një politikë të dorës së shtrirë të miqësisë për të gjitha vendet e rajonit. Ne jemi investuar dhe do të investohemi me vendosmëri që rajoni si i tërë të shkojë përpara se në radhë të parë është në interesin tonë strategjik, është në interesin e popullit tonë që ta shikojë Bashkimin me Europën si pjesë të pandarë të bashkimit të këtij rajoni rreth vlerash dhe parimesh që mishërojnë dhe qenien tonë në komunitetin e madh të shteteve, të vendeve demokratike dhe sigurisht që e kemi nxitur, e nxisim dhe do vazhdojmë ta nxisim dialogun e pazëvendësueshëm me asgjë tjetër mes Kosovës dhe Serbisë.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë, janë dhe do të mbeten mbështetëse të palëkundura të njohjes përfundimtare të Kosovës dhe të përmbushjes së subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës dhe është mirë që asnjëherë shqiptarët kudo ku janë, duke filluar nga shqiptarët në Kosovë të mos të harrojnë se pa Shtetet e Bashkuara nuk do të kishte një shtet të pavarur të Kosovës dhe se interesi i Shteteve të Bashkuara në këtë rajon dhe specifikisht interesi i Shteteve të Bashkuara për mbarëvajtjen e punëve në Shqipëri dhe në Kosovë nuk është një interes i dorës së dytë, nuk është as një interes i ndarë në çfarëdo aspekti nga interesi ynë në Shqipëri dhe Kosovë për të ndërtuar një të ardhme në paqe dhe në prosperitet për gjeneratat e tjera.
E pa diskutim që ne ndihemi të keqardhur sa herë që shohim hapa mbrapa dhe pa diskutim që ne jemi të vetëdijshëm për vështirësinë e këtij dialogu. Pa diskutim, ne jemi të vetëdijshëm për dhimbjen e plagëve të një tragjedie jo shumë të largët për ata që sot jetojnë në Kosovë, padyshim jemi të vetëdijshëm edhe për faktin që në momente të caktuara, siç ishte rasti i sulmit terrorist në Banjskë, Serbia nuk është se e ndihmon gjithmonë siç duhet procesin por ama, në radhë të parë shqiptarët e Kosovës dhe pastaj të gjithë ne së bashku, duhet të jemi të vetëdijshëm se është në interesin tonë, është në interesin e Kosovës që të përparojë unilateralisht nëse është nevoja në realizimin e të gjitha atyre kërkesave që janë në tryezën e dialogut, të cilat nuk janë kërkesa shtrënguese, nuk janë as kërkesa që Kosova të lëshojë 1 milimetër nga dinjiteti, sovraniteti dhe ardhmëria e vet, por janë kërkesa që bëjnë të mundur përmes realizimit të tyre krijimin e një konteksti që e ngre lart Republikën e Kosovës, si një republikë që meriton të gjithë mbështetjen, të gjithë respektin, të gjithë besimin e aleatëve dhe partnerëve tanë strategjikë, pa të cilët e ardhmja bëhet shumë më e largët dhe e tashmja bëhet shumë më e ndërlikuar.
Prandaj, edhe sot, pasi kemi diskutuar, unë dua ta përsëris apelin tim, apelin tonë për autoritetet e Prishtinës që të mos bëjnë asnjë hap të pa konsultuar dhe të pa koordinuar me aleatët tanë strategjikë sepse është në radhë të parë, në interesin e tyre dhe patjetër pastaj është në interesin e aleancës sonë. Nga veprimet e pa konsultuara dhe të pa koordinuara mbase mund të fitohen disa vota sot për sot, duke e kthyer politikën e jashtme në një instrument të politikës së brendshme, por nuk fitohet e ardhmja.
Nga ana tjetër, kemi diskutuar edhe për dimensionet e bashkëpunimit tonë bilateral, i cili është jo vetëm një bashkëpunim strategjik i pandërprerë në fushën e sigurisë, por është edhe një bashkëpunim që po merr gjithmonë e më shumë një përmasë edhe ekonomike dhe për ne është e padiskutueshme nevoja dhe rëndësia e investimeve amerikane në Shqipëri, si një dëshmi, jo vetëm e kësaj marrëdhënieje, por edhe e vetëdijes për potencialin e madh që Shqipëria ka në sektorë shumë kritikë për botën e sotme, në këtë rast për rajonin tonë sot, për sektorin e energjisë.
Administrata amerikanë është shumë e angazhuar për të përballuar sfidën e ndryshimeve klimaterike dhe është shumë e angazhuar për të mbështetur të gjitha projektet dhe programet e energjisë së gjelbër dhe ne mendojmë që në këtë aspekt, kompanitë amerikane janë një partner i dëshiruar dhe shpresojmë që ky proces që ka nisur do të shtyhet më tutje përpara, ashtu sikundër ne besojmë që Shqipëria është një vend ku Sekretari tanimë mund ta dëshmojë personalisht – megjithëse pati shumë pak kohë – që turistët amerikanë ia vlen ta vizitojnë sepse ndryshe nga Shtetet e Bashkuara apo vende të tjera, në një vend shumë të vogël, pa bërë orë të tëra rrugë mund të gjejnë gjithçka nga bukuritë e natyrës, që nga plazhet deri tek majat me dëborë të maleve.
Në mbyllje, e fundit, por jo për nga rëndësia, dua ta falenderoj dhe publikisht Sekretarin e Shtetit për çka në mënyrë të përsëritur kemi thënë në të gjitha kontaktet me miqtë amerikanë dhe çka e përsërita edhe në takimin që patën për mbështetjen e pazëvendësueshme për transformimin e Shqipërisë nga një vend që nuk ka pasur kurrë drejtësi dhe ku kultura e pandëshkueshmërisë ishte standardi që i bënte qytetarët e këtij vendi, qysh nga krijimi i shtetit shqiptar, të besonin se asnjëherë në Shqipëri nuk do ishte i mundur që ligji të ishte i barabartë për të gjithë dhe që askush të mos ishte mbi ligjin, duke na mundësuar që sot ne të shohim se jo, edhe në Shqipëri, si në çdo vend ambicioz për fëmijët e vet është e mundur që njerëz me pushtet, të lidhur edhe me pushtetin ekzistues ekzekutiv të thirren për të dhënë llogari përpara ligjit për shkelje të ligjit.
Kjo është diçka, peshën dhe vlerën e të cilës, Shqipëria do të mund ta konceptojë të tërën shumë vite më pas por një gjë ne e dimë që sot.
Kur nisëm përpjekjen për reformën për drejtësi, ne morëm mbështetjen nga aleatët tanë. Të gjitha anketimet dhe pyetjet lidhur me këtë reformë që i bëheshin publikut gjenin një mbështetje masive, pavarësisht përkatësive politike dhe përtej polarizimit tradicional politik; të majtë dhe të djathtë, të interesuar apo jo për partitë e mbështesnin reformën në drejtësi.
Nuk është sekret, zoti Sekretar, që këtu ne kemi problem që të gjejmë konsensus edhe për orën. Nëse pyetemi sa është ora, kemi një orë të majtë, kemi një orë të djathtë, kemi edhe një orë të qendrës, por pyetjes nëse ata që e mbështesnin reformën në drejtësi e besonin që në jetën e tyre do të shikonin njerëz të pushtetshëm përpara drejtësisë, shumica i përgjigjeshin jo.
E pra, ja ku jemi sot dhe jetojmë një kohë ku monumenti i pandëshkueshmërisë dhe miti i të pushtetshmit mbi ligjin është rrëzuar.
Natyrisht që kemi shumë punë për të bërë akoma. Kemi folur për sfidat, kemi folur për nevojën e thellimit të reformës, kemi folur për domosdoshmërinë e përballimit të fenomenit të korrupsionit si një fenomen që duhet parë tanimë në lupën edhe të procesit të integrimit me të gjitha kërkesat e veta por nëse sot ka një arsye të rëndësishme për të qenë më të bindur se asnjëherë tjetër për vlerën e këtij partneriteti, për vlerën e kësaj miqësie, kjo arsye është angazhimi i partnerëve tanë strategjikë në mbështetje dhe në ndihmë për të ndryshuar një faqe të historisë së Shqipërisë që dukej e palëvizshme për gjithë jetën dhe për të gjithë brezat.
Shumë faleminderit zoti Sekretar. Faleminderit i dashur Tony!
Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken: Kryeministër Edi, ju falenderoj shumë që na keni mikpritur këtu sot, jo vetëm ne në fakt por gjithashtu për ngrohtësinë, për mikpritjen dhe substancën dhe gjithashtu bisedën tonë të drejtpërdrejtë dhe të sinqertë. E vlerësoj shumë.
Do ta filloj me dy shprehje që ne kemi. E para që ka të bëjë, në fakt, nëse dikush nuk ka mundësi që të përjetojë kënaqësinë që të mund të përjetojë atë që njihet si mikpritje, ne kemi gjithashtu mundësinë që të mund ta ftojmë përsëri, që dikush t’ju ftojë sërish. Kur dielli shkëlqen, por jo kur bie shi, në fakt, është në fakt një mik i rëndësishëm së bashku edhe kur është e vështirë situata, edhe kur jemi duke u përballur me sfida dhe kjo është diçka në fakt të cilën nuk mund të filloj tua shpreh sa duhet se sa shumë e çmojmë dhe kjo në fakt është tribunit për ketë vend, për miqësinë që ne kemi, por gjithashtu edhe për kryeministrin i cili është një partner i jashtëzakonshëm i SHBA.
Jam këtu në vizitën time të parë si Sekretar i Shtetit në Shqipëri dhe sepse ky partneritet mes dy vendeve tona është më i fortë se çka qenë ndonjëherë dhe marrëdhënia për ne është në fakt kritike për të adresuar disa çështje që janë vendimtare për popujt tanë dhe kjo është një rrugë me dy kalime dhe jemi duke bërë gjëra me njëri-tjetrin dhe për njëri-tjetrin në mënyrë që të përfitojë si populli shqiptar edhe populli në SHBA, madje edhe përtej dhe si aleat kyç i NATO-s, si një zë i rëndësishëm në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Ne kemi një marrëdhënie të jashtëzakonshme partneriteti dhe ndërkohë që Shqipëria ka qenë një anëtare e përkohshme e Këshillit të Sigurimit dhe sikurse iu referua në fakt edhe kryeministri gjatë vizitës me ambasadoren Linda Thomas-Greenfield dhe kemi folur për disa gjëra të cilat janë shumë të rëndësishme për punën tonë të fortë së bashku veçanërisht sa i përket penë mbajtës me njëri-tjetrin për Ukrainën, ndërsa është përballur me sulmin e Rusisë. Tani ndërsa flasim për Këshillin e Sigurimit, për këshillin e të drejtave të njeriut, kjo është një çështje e rëndësishme në fakt përfshirë edhe institucione të tjera të rëndësishme siç është UNESCO. Kjo është e rëndësishme jo vetëm për Shqipërinë, jo vetëm për rajonin, jo vetëm edhe për Europën në fakt, ka vlera dhe për botën dhe për këtë e vlerësojmë së tepërmi.
Po ashtu kemi pasur mundësi që të diskutojmë sot shumë çështje dhe sfida me të cilat përballemi dhe jemi të përqendruar mbi të gjitha mbi atë që jemi duke bërë për të promovuar, për të nxitur përpara sigurinë që bashkëndajmë. Sikurse jeni në dijeni, Shqipëria ka qenë që nga dita e parë një mbështetje shumë e fortë e Ukrainës. Në të vërtetë ka qenë e para që ka ngritur dorën për ta ndihmuar. Ka qenë një ndër vendet e para që ka dërguar ndihma ushtarake në Ukrainë ndërsa u përball me agresionin rus.
Ndërsa i kanë dërguar armë, municione, makina që i kanë rezistuar minave dhe aktualisht është një nga dhjetë kontribuueset kryesorë për të ardhura për frymë, për ndihmë për Ukrainën.
Kryeministri e shprehu këtë gjithashtu shtatorin e kaluar kur ishte në Këshillin e Sigurisë dhe Edi nëse mund të lejohet, dua në fakt të citoj: “Lufta e Ukrainës është gjithashtu lufta për cilindo që aspiron të jetojë në një botë ku kombet janë të lirë dhe të barabartë, ku integriteti territorial është i padiskutueshëm dhe ku e drejta për të jetuar në paqe është jashtë çdo dyshimi”. Dhe është e vështirë të mendohet në një mënyrë më elokuente për ta shprehur se sa kjo. Dhe përgjatë 15 viteve të saj në NATO, Shqipëria ka dhënë kontribute domethënëse për aleancë tonë. Trupat shqiptare ndihmojnë të ruajnë paqen në Kosovë, për të frenuar agresionin e Rusisë në krahun lindor të NATO-s.
Muajin e ardhshëm Shqipëria do të përurojë bazën ajrore të NATO-s në Kuçovë. Të 31 aleatët tanë që së shpejti do të bëhen 32 aleatë të NATO-s, do të sjellin përvoja të ndryshme, gjeografi të ndryshme, aftësi të ndryshme, kapacitete të ndryshme, por secili prej nesh ka të njëjtin angazhim në fakt të fortë, të hekurt, i cili është të ndihmojmë njëri-tjetrin dhe gjithashtu të sakrifikojmë, madje në vitin e fundit çdo aleat ka rritur përqindjen në ndihmë të mbrojtjes si 2% i PBB-së.
Gjithashtu, për këtë arsye në fakt, aleanca jonë është më e fortë edhe për shkak të saj, gjithashtu për shkak të begatisë që bashkëndajmë. Ne jemi gjithashtu falënderues që Shqipëria ka bërë pjesën e saj dhe gjithashtu është e angazhuar që të vazhdojë të bëjë pjesën e saj dhe është gjithashtu e angazhuar për të mbajtur detyrimet e saj.
Gjithashtu kur flasim është për sigurinë, për partneritetin e sigurisë mes dy palëve tona, në fakt Shqipëria dhe SHBA kanë luftuar gjithashtu me njërit-tjetrin ndërsa shqiptarët janë gjithashtu duke lundruar helikopterët Black Hawk dhe gjithashtu në vazhdën e sulmeve kibernetike të fundit iraniane që synonin infrastrukturën kritike të Shqipërisë, SHBA kanë ndihmuar gjithashtu që të trajnojnë ekspertë për të përmirësuar pajisje dhe përmirësuar teknologjinë në mënyrë që ata të jenë më elastikë, më të qëndrueshëm përballë sulmeve të ardhshme.
Dëshiroj ta falënderoj gjithashtu kryeministrin për diçka që është e afërt pranë zemrës time, por gjithashtu edhe zemrës së kaq shumë amerikanë dhe kjo është bujaria e jashtëzakonshme që populli shqiptar e ka treguar ndërsa ka mikpritur me mijëra e mijëra të evakuuar afganë sepse Shqipëria ishte vendi i parë në botë që ofroi ta bënte këtë.
Gjithashtu pata mundësinë që më herët sot të takoja disa prej personave të evakuuar afganë në Shqipëri dhe ata janë në proces të marrjes së vizave të posaçme të emigrimit. Dhe ata do të vijnë në SHBA për të vazhduar kapitullin e ardhshëm në SHBA. Këta janë persona të cilët janë përballur me vështirësi të jashtëzakonshme, kanë treguar guxim domethënës dhe gjithashtu ajo që unë pashë sot, ishte jo vetëm mirënjohje për mikpritjen që u është ofruar, Zoti kryeministër, por gjithashtu mënyra se si janë mikpritur nga populli shqiptar me një mikpritje tejet të ngrohtë dhe mbështetëse dhe është vërtetë e vështirë ta përshkruash se sa shumë nënkupton kjo gjë për njerëz si kolegët dhe miqtë tanë afganë të cilët janë në mes të një përvoje çrrënjuese, nëse mund ta quajmë dhe ata do të vendosen në Amerikë ne do tu ofrojmë të njëjtën mikpritje të ngrohtë, por më duhet ta them që jemi vërtetë të frymëzuar nga mënyra se si e keni bërë këtë.
Zoti Kryeministër dhe unë kemi diskutuar gjithashtu se si të vazhdojmë t’i bëjmë institucionet më demokratike të Shqipërisë më llogaridhënëse ndaj qytetarëve shqiptarë sepse reforma në drejtësi në Shqipëri nuk ka qenë e thjeshtë, por gjithashtu ne që kemi filluar të shikojmë rezultatet, sikurse diskutuam edhe me Kryeministrin. Gjithashtu sot kam pasur mundësi të takohem edhe me prokurorë dhe me gjyqtarë të cilët janë duke drejtuar në fakt këto reforma kryesore dhe është e rëndësishme të kuptojmë që anëtarë të krimit të organizuar janë duke përfunduar në procese gjyqësore dhe ky është një proces dhe është e rëndësishme që vazhdon të bëhet përpara.
Ne do të vazhdojmë ta ndihmojmë, ta mbështesim Shqipërinë në këto hapa të rëndësishëm përpara që janë tepër të rëndësishëm në anëtarësimin në BE dhe gjithashtu është ajo që populli i Shqipërisë meriton.
Gjithashtu demokracitë tona, që të dyja në fakt përballen me disinformacion dhe kjo nënkupton sjelljen e përçarjes dhe gërryerjen e besimit në institucionet tona dhe për këtë arsye ne kemi nënshkruar memorandumin e mirëkuptimit dhe ky memorandum do të ndihmojë SHBA dhe Shqipërinë që të mund të zhvillojnë një qasje të përbashkët për të luftuar shtrembërimet dhe gënjeshtrat e rrezikshme dhe gjithashtu të mund të ndërtojmë një ekosistem i cili është i qëndrueshëm.
Ka gjithashtu një konkurrencë të madhe informacioni, madje një luftë informatike nëse mund ta quajmë, nga mëngjesi në mbrëmje dhe kjo është e rëndësishme, që demokracitë të kenë mjetet e nevojshme që kanë për të vepruar në mënyrë efektive, për t’u marrë në mënyrë efektive më këto. Gjithashtu diskutuam për mënyrat për të forcuar më tej tregtinë dhe investimet tona dypalëshe, veçanërisht është e rëndësishme të theksojmë se janë trefishuar që nga 2019 investimet e SHBA në Shqipëri dhe kjo do të vazhdojë dhe klima e biznesit do të përmirësohet. Dhe në fakt ne shikojmë se si ka potenciale të mëdha për të diversifikuar burimet shqiptare të energjisë për të ndihmuar gjithashtu planetin tonë të përbashkët dhe për të krijuar një rritje ekonomike gjithëpërfshirëse për të gjithë, përmes ndihmës në hidroenergji, eolike dhe diellore.
Është e rëndësishme ndërsa flasim për lidhjet tregtare mes dy vendeve tona. Në fakt Edi dhe unë sapo jemi kthyer nga një takim i jashtëzakonshëm me disa të rinj të jashtëzakonshëm të cilët janë pjesëmarrës në programet tona të shkëmbimit dhe këto programe në fakt janë ato të cilët i bëjnë lidhjet tona më të forta çdo ditë që kalon. Kështu që memorandumi tjetër i mirëkuptimit ishte ai i Fulbright i cili do të dyfishojë shqiptarët që do të studiojnë në SHBA dhe gjithashtu do t’i sjellë më pranë vendet tona dhe një nga pararendësit e mi, të cilin e shoh këtu në fakt, të përshfaqur këtu në mur, që është Sekretari i shtetit Baker, i tha popullit shqiptar, do ta citoj: “ju jeni me ne dhe ne jemi me ju”. Kjo ka qenë e vërtetë 3 dekada më parë. Mbetet e njëjtë sot, do të mbetet e njëjtë dhe nesër!
Për këtë ju falënderoj zoti Kryeministër!
* * *
– I nderuar sekretar Blinken në këtë vizitë në Shqipëri ju zgjodhët të takoheni vetëm me dy aktorw të politikë shqiptare, me Presidentin Bajram Begaj dhe Kryeministrin Edi Rama. Përse nuk u takuat edhe me udhëheqës të opozitës shqiptare? Dhe një pyetje e përbashkët, i nderuar zoti sekretar ju sapo e përmendët që baza e Kuçovës do të inaugurohet pas një muaji, ndërkohë në mënyrë konstante kryeministri Rama, si në takimet e NATO-s dhe këtu në Shqipëri ka ofruar gatishmërinë e Shqipërisë që në portin e ri të Durrësit të ndërtohet edhe një bazë detare e NATO-S. Në takimet bilaterale sot a u diskutua kjo çështje dhe çfarë progresi ka, çfarë mund të na thoni? Faleminderit!
Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken: Faleminderit shumë! Në fakt unë kam patur një mundësi që të takohesha me një sërë njerëzish dhe grupesh të ndryshme përveç Kryeministrit, ministrit të Punëve të Jashtme dhe gjithashtu anëtareve të kabinetit qeveritar. Gjithashtu kam patur mundësi të takohem me disa prej personaliteteve kyç të reformës në drejtësi dhe gjithashtu kam patur mundësi të takohem edhe me një grup të jashtëzakonshëm të rinjsh të cilët janë të angazhuar në programet tona të shkëmbimit dhe kur të kthehem në fakt nga darka e cila në fakt i detyrohem, do të kem mundësi të takohem me një segment tjetër të shoqërisë shqiptare dhe të gjithë aktorët e ndryshëm, por mendoj që kam marrë mjaftueshme nga kjo ditë, edhe këtë e kam bërë me shumë kënaqësi.
Tani për sa i takon bazës ajrore para së gjithash është e rëndësishme që të nënvizojmë disa gjëra; së pari: Tashmë kanë kaluar 15 vjet që kur Shqipëria është bërë aleate e NATO-s dhe fakti që do të përurohet, do të përurohet në fakt baza ajrore e Kuçovës, vetëm pak javë më vonë dhe kjo është një mënyrë e mrekullueshme për të nënvizuar dhe për të theksuar angazhimin që Shqipëria ka bërë ndaj NATO-s dhe gjithashtu në atë që NATO ka ndaj Shqipërisë dhe ky është një shembull tejet i fortë për partneritetin që ne gëzojmë me njëri-tjetrin. Ndërsa kur bëhet fjalë për bazën detare, kjo është diçka që ne e kemi diskutuar dhe do të vazhdojmë ta diskutojmë këtë përmes NATO-s dhe procesit që NATO ka përsa i përket vendosjes së aseteve të tjera të cilat janë të rëndësishme, të blera për aleancën dhe jam i sigurt që teksa diskutojmë NATO do të thotë më shumë.
Kryeministri Edi Rama: Nuk mendova se isha dhe unë i përfshirë, por siç e dini kur nuk është këtu, – kur e them unë është siç e thotë ai, ndërkohë tani që e tha ai, çfarë mund të them unë më shumë?!
– Zoti Sekretar kanë dalë informacione për një kërcënim serioz sigurie nga Rusia, ndërkohë që po kërkohet nga të gjitha palët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës që të ketë një përgjigje. Së pari, si e karakterizoni urgjencën e këtij kërcënimi dhe së dyti gatishmëria që kanë Shtetet e Bashkuara të Amerikës për ta përballur atë. Lidhur me Gazën, cili është niveli i angazhimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në negociatat për të ndaluar armiqësitë përpara nisjes së Ramazanit më 10 Mars.
– Zoti Kryeministër u përmend kontributi i madh i Shqipërisë për Ukrainën, ndërkohë që kongresi amerikan është përpjekur për muaj të tërë për të miratuar një pakte të madhe për Ukrainën edhe pse po hyhet në vitin e tretë të luftës me Rusinë. A mendoni, apo e shihini këtë si një mbështetje në zbehje të Shteteve të Bashkuara ndaj Rusisë dhe ndoshta zmbrapsje në përpjekjet për të mbështetur. Një tjetër pyetje për kandidatin apo më mirë në situatën e parazgjedhjeve, a mendoni që më pas do të ketë një mbështetje për NATO-n gjithashtu edhe për rezultatet e shpenzimeve që do të ketë ushtarake.
Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken: Faleminderit Olivia. Për sa i përket pyetjes së parë, ndërsa po flasim për këtë çështje që u nënvizua ajo që mund t’iu them është kjo: – Kjo nuk është një aftësi aktive, por është diçka potenciale që jemi duke e marrë shumë seriozisht dhe pres se kemi më shumë për të thënë së shpejti, në të vërtetë shumë shpejt. Kështu që, qëndroni në gatishmëri për të dëgjuar më shumë për këtë dhe gjithashtu jemi duke diskutuar edhe me aleatët dhe me partnerët për këtë çështje, por ja ku është gjëja më e rëndësishme ndër të tjerat. Fokusi i Presidentit Biden është siguria e Shteteve të Bashkuara dhe popullit të Shteteve të Bashkuara dhe ndërsa i qasemi kësaj në çdo çështje tjetër, kjo është e para dhe e para së gjithash ajo që ai mendon dhe këtu qëndron fokusi i tij.
Ndërsa përsa i përket çështjes së pengjeve, sikurse jeni në dijeni ne kemi dhënë një propozim qw e cila përmbledh atë që Katari, Egjipti dhe Shtetet e Bashkuara kanë bërë që të punojnë me Izraelin dhe që është një propozim, i cili wshtw bërë bashkërisht dhe ia kemi dorëzuar. Dhe është gjithashtu në përgjigje të Hamasit një javë më parë dhe është diçka që ne besojmë, sikurse e shpreha dhe atëherë, që ka në fakt ka ende disa gjëra që ende nuk janë miratuar. Gjithashtu ofron mundësinë që të punojmë drejt një marrëveshje. Tashmë jemi në një proces së bashku me partnerët tanë të Katarit, Egjiptit dhe të Izraelit për të punuar për këtë dhe duke punuar në mënyrë shumë intensive së bashku me qëllimin që mund të gjejmë një marrëveshje, një dakordësi dhe besoj që kjo është e mundur, por sikurse u shpreha ka disa çështje që janë shumë të vështira, të cilat duhet të zgjidhen, por jemi të angazhuar, jemi të përkushtuar të bëjmë gjithçka që të mundemi për të bërë përpara dhe për të parë nëse mund ta arrijmë një marrëveshje dhe ne e dimë se si duket suksesi, e kishim atë kur patëm mundësi që të bënim, në fakt marrëveshjen e parë kur patën mundësi që mund të lëshonim 105 pengjet e para, gjithashtu rezultoi në një pauzë në të gjithë këto operacionet ushtarake. Gjithashtu asistenca, ndihma humanitare që iu ofrua njerëzve. Nëse mund të arrihet këtu një marrëveshje tjetër, sigurisht që ofron perspektivën e asaj që duhet bërë që është në krye të listës tonë. Që është në fakt të kthehen pengjet në shtëpi, por edhe të mund të kemi një pauzë më të gjatë, e cila gjithashtu sjell përfitime të tjera. Kështu që qëndrojmë tejet të fokusuar në këtë dhe besoj që është e mundur.
Kryeministri Edi Rama: Në fakt po më shtyn në një drejtim që kam frikë që mund të jetë i rrezikshëm sepse që t’i përgjigjem pyetjes suaj, duhet të bëhem pjesë e të shkrihem në politikën amerikane që nuk është shumë e këshillueshme kur je mik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Por, dua të përfitoj nga prania juaj për t’ju ftuar, ndoshta përmes televizionit tuaj që të ndani me publikun amerikan, një hartë të Mongolisë dhe natyrisht edhe për të parë arsyetimin e legjitimitetit të sulmit dhe gjithashtu të shihni dhe intervistën që është bërë për të parë se si është legjitimuar sulmi kundër Ukrainës duke shkuar deri në shekullin e 9-të. Por po të shihni në ato kohë, Rusia ishte asokohe në kuadër të kufirit të Mongolisë dhe unë e di që mongolezët janë njerëz miqësorë dhe nuk mendoj që po të kthejmë kokën të shohim hartat e të përdorim historinë si arsye për të sulmuar popuj të tjerë për të marrë jetët e njerëzve, për të shkatërruar shtëpitë e të tjerëve, për të shkatërruar të ardhmen e të tjerëve është një veprim mjaft i marrë. Në këtë situatë, Ukraina nuk do të mund të mbijetonte kurrë, së pari dhe mbi të gjitha pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe pastaj edhe pa aleatët dhe miqtë e tjerë, të cilët meqë ra fjala, nuk janë të prirur të hyjnë në luftë as me Rusinë apo me këdo tjetër, por duhet të mbrojnë Ukrainën për të mbrojtur botën në të cilën besojnë.
Tani në qoftë se doni që unë të kem një qasje lidhur me Kongresin dhe Senatin Amerikan, nuk mendoj që duhet të hyj aty sepse le të themi që politika amerikane në ditët e sotme, nuk është në maksimumin e vet, por diçka mund të them. Kam pasur privilegjin të jem Kryeministri i Shqipërisë në NATO, kur aty ishte dhe ish-presidenti dhe pavarësisht retorikës, mënyrës plot ngjyrime për t’u përballur me oponentët nuk pashë ndonjë dobësim të NATO-s, në të kundërt, ajo çfarë ishte vendosur më përpara vazhdonte të qëndronte. Çdo vend vazhdoi të hidhte më shumë para e të bënte më shumë përpjekje për të rritur buxhetin e NATO-s. Kështu që, zgjedhjet janë zgjedhjet. Trumpi është Trumpi. Politika amerikane, është politika amerikane, por mendoj që Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë diçka më shumë sesa kaq.
Ajo çfarë e bën unike Shtetet e Bashkuara të Amerikës në bashkësinë tonë të popujve e vendeve në mbarë botën është se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk munden dhe sipas mendimit tim kurrë nuk do t’u largohen parimeve dhe vlerave që duhen mbrojtur me çdo çmim. Kështu që, nuk kam frikë nga asgjë, përveçse nga lëkundja apo heqja dorë nga të vazhduarit të mbrojtjes së vetes sonë, duke mbrojtur të drejtën e ukrainasve për të jetuar në vendin e tyre për të pasur shtëpitë e tyre të paprekura për të bërë që fëmijët e tyre të rriten atje e për të pasur një të ardhme të përbashkët me gjithë të tjerët pa kërcënimin për t’u fshirë nga hartat bazuar në shekullin e 9-të, 13-të, 15-të apo të çfarëdo shekulli sepse kjo hap kutinë e Pandorës dhe mund t’iu them që në këtë rajon kemi shumë harta, por na duhet të shohim nga e ardhmja dhe vetëm e ardhmja do të na bashkojë. Kështu që jo. Nuk mendoj që NATO-ja do të dobësohet. Nuk mendoj që Shtetet e Bashkuara të Amerikës do t’i ikin rolit të tyre dhe udhëheqjes së tyre. Mendoj se kur zgjedhjet të përfundojnë, çështjet amerikane janë çështje amerikane.
-Zoti Sekretar, duke qenë se ju në fjalën tuaj nuk e prekët rajonin dhe Kosovën që për ne është një çështje shumë e rëndësishme, do doja që pyetja ime të adresohet pikërisht për Kosovën. Si i shikoni zhvillimet më të fundit në Kosovë? Si i shikoni hapat që janë hedhur në drejtim të dialogut me Serbinë? Heqjen nga qarkullimi të dinarit, a e shikoni shqetësues dhe faktin që nuk ka asnjë hap përpara për krijimin e asosacioneve të komunave serbe.
–Zoti Kryeministër, ju e dhatë përgjigjen e pyetjes sime në fakt, por nëse do të kishit diçka për të shtuar më shumë lidhur me situatën në Kosovë, zhvillimet më të fundit dhe një pyetje të dytë për zotin Sekretar, nëse ka mundësi, ju e prekët që patët një takim me krerët e institucioneve të drejtësisë. Edhe drejtësia është një çështje që ne si popull e duam shumë, se na ka munguar. Mund të na thoni në mënyrë pak më specifike kush ishte mesazhi që i adresuat ju si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, krerëve të institucioneve tona të drejtësisë në takimin edhe pse shumë të shkurtër që patët. Faleminderit!
Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken: Faleminderit shumë! Kur nisa të punoja në Departamentin e Shtetit dhe në Shtëpinë e Bardhë, rreth 30 vite më parë, çështja, sfida që ishte nga fillimi deri në fund dhe kjo ishte gjatë administratës së Presidentit Clinton, ishte Ballkani, rajoni i Ballkanit, fillimisht ishte Bosnje-Hercegovina, më pas Kosova.
Kështu që, shumë prej nesh, kanë një histori që shkon thellë dhe që është e gjatë dhe kush më shumë se Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Presidenti Biden dhe ju e dini këtë shumë mirë, kështu që jemi vërtetë persona, të cilët kemi këtë nocion që nuk mund të shkojmë mbrapa, në të ardhmen. Nuk mund të kemi një ripërsëritje të asaj që ka ngjarë, të asaj që kemi parë dhe të asaj që tejet shumë njerëz kanë përjetuar në vitet 1990-të.
Për këtë arsye jemi të angazhuar që të mbështesim të gjitha përpjekjet për të çuar përpara integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor me njëri-tjetrin dhe me Europën.
Përsa i takon Kosovës dhe Serbisë në mënyrë specifike, dialogu i lehtësuar nga BE-ja është i duhuri dhe madje është shtegu i vetëm i duhur dhe ne jemi të angazhuar të bëjmë gjithçka që duhet, që mundemi në mënyrë që të mbështesim të dyja vendet, ndërsa ata përshkojnë këtë shteg. Por gjithashtu, dua të përgëzoj dhe rolin e Shqipërisë se ka qenë një forcë për stabilitet rajonal, për integrim rajonal dhe progres rajonal dhe ky është shtegu në fakt, që kaq qartazi i sjell të gjithë drejt një të ardhme më të mirë. Ne e dimë se cila është alternativa pasi e kemi jetuar, e kemi parë, prandaj jemi të vendosur që të bëjmë gjithçka që mundemi për të mbështetur të gjitha vendet e rajonit që të ndërmarrin këtë hap, këtë shteg dhe shumë mbështesim në fakt dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe punojmë me Shqipërinë dhe të tjerë që të ndihmojmë vendet që të shkojmë përpara, të bëjmë përpara në këtë shteg.
-Zoti Sekretar, sapo thatë pak më parë që një marrëveshje është e mundur për një pushim humanitar dhe një marrëveshje për pengjet. Pas Kajros, mendoni që kjo marrëveshje e kjo pauzë do mund të arrihet përpara se Izraeli të nisë një sulm të dyshuar në Rafah? A mendoni që Netanyahu është më shumë në favor të sulmit të Rafah sesa të arrijë këtë pauzë humanitare? Nga ana tjetër, dy adoleshentë amerikanë janë vrarë në bregun perëndimor, dy javë më parë një grua gjithashtu është ndaluar e po kështu edhe dy të tjerë janë ndaluar nga forcat izraelite në Gaza. A kanë pasur qasje konsullore këta të ndaluar? Në qoftë se dihet, edhe ku janë dhe kur vjen fjala për hetimet për vdekjen e dy adoleshentëve, cilat janë rezultatet?
-Zoti Sekretar, dua t’i bëj një pyetje edhe Kryeministrit. Në 1988, Shqipëria ka njohur Palestinën dhe zyra e Benjamin Netanyahut u shpreh sot më herët se nuk është koha për të folur tashmë për dhurata për palestinezët. Mendoni që është ende e mundur që të kemi një zgjidhje mes dy shteteve, me qeverinë aktuale izraelite dhe nuk e di sesa e mundur është si për ju dhe për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si mendoni që mund të arrihet?
Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken: Sa i përket pyetjes së parë, qartazi nuk kam për të folur në emër të Kryeministrit apo t’ju them se cilat janë apo nuk janë këndvështrimet e tij për këto pyetje. Duhet t’ia drejtoni këtë pyetje atij ose t’ia kërkoni të tjerëve t’ia bëjnë këtë pyetje, por ajo që mund t’ju them, sikurse ju përgjigja edhe pyetjes së Olivias, ne besojmë që duhet të ketë dhe do të mbetet një prioritet të bëjmë gjithçka që mundemi që pengjet të kthehen në shtëpi, që të kthehen tek të dashurit e tyre dhe këtu qëndron fokusi ynë. Kemi bërë shumë punë për të mbërritur në këtë pikë, ku ne mendojmë që është e mundur një marrëveshje dhe nëse është e vështirë, të paktën nga perspektiva e Shteteve të Bashkuara, mendojmë që është e domosdoshme që të vazhdojmë ta ndjekim këtë në mënyrë urgjente dhe sikurse thashë, kjo do të sillte shumë përfitime të tjera dhe të cilat janë dhe gjithashtu një pauzë të shtrirë, më të gjatë për konfliktin dhe veçanërisht shtrirje në anë të sensit humanitar.
Të gjitha këto gjëra do të ishin tejet të mikpritura, shumë të mikpritura nga burrat, gratë dhe fëmijët në Gaza, të cilët vazhdojnë të vuajnë çdo ditë dhe këtu qëndron fokusi ynë.
Sa i përket kohës, se si një gjë përshtatet tek tjetra, për këto duhet t’ia bëni pyetjet kryeministrit.
Pyetja tjetër, sa i përket të ndaluarve, ka dy gjëra; së pari, përsa i takon qytetarëve amerikanë të cilët raportohet që janë vrarë, gjëja e parë që do të thoja është që u shprehim ngushëllimet më të thella familjeve, të dashurve të tyre, miqve të tyre. Më keni dëgjuar ta them më parë që Presidenti e ndjen gjithashtu që siguria dhe sigurimi i amerikanëve në të gjithë botën, mbetet prioriteti dhe përgjegjësia jonë kryesore numër një. E kemi bërë tejet të qartë që përsa i përket incidenteve për të cilat ju aluduat, ka nevojë, duhet të ketë një hetim, duhet të marrim faktet dhe nëse është e përshtatshme, të ketë edhe llogaridhënie.
Përsa i përket të ndaluarve, ka një kufizim, një kufi të asaj që mund të bëjmë për shkak të ligjeve dhe kërkesave që dalin prej tyre, por ajo që mund t’ju shprehem në mënyrë të përgjithshme, pa iu referuar rasteve specifike është që ne këmbëngulim që njerëzit të mund të trajtohen në mënyrë të drejtë, të kalojnë përmes një procesi të duhur dhe gjithashtu në mënyrë njerëzore.
Kjo është diçka, pavarësisht nëse është një qytetar amerikan i ndaluar, kudo që ta ndalojnë atë, ne këmbëngulim për këtë.
Kryeministri Edi Rama: Në këndvështrimin tim modest është, në fakt, aspekti më i vështirë politik për t’u trajtuar dhe për t’ju përgjigjur drejtpërdrejtë pyetjes suaj, kohë më parë Shqipëria ka njohur Palestinën dhe për t’ju dhënë pak kontekst; Shqipëria ka qenë diktaturë komuniste dhe diktatori ynë ishte një prej miqve, aleatëve më të ngushtë të organizatës për çlirimin e Palestinës dhe organizatës së Jaser Arafatit dhe nga ana tjetër, regjimi ynë ishte kundër, shumë kundër tre “djajve”: Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Sovjetik dhe Izraeli. Kështu që, me fjalë të tjera, imperializmit amerikan, social-imperializmit sovjetik dhe pastaj idealizmit izraelit, por nga ana tjetër, ky është i vetmi vend në Europë që ka pasur më shumë hebrenj pas Luftës së Dytë Botërore sesa përpara saj dhe i vetmi vend ku hebrenjtë nuk u larguan, por erdhën për t’u mbrojtur.
Siç është e shfaqur kaq qartë, në Yad Vashem është një vend ku nazistët nuk ia dolën që të kapnin apo t’ju dorëzohej asnjë hebre, ky është konteksti.
Tani, sigurisht që situata është tragjike sepse nga njëra anë, Izraeli ka të drejtën e vet legjitime për t’u vetëmbrojtur, por nga ana tjetër, shkatërrimi dhe humbja e jetës nga ana e palestinezëve janë shumë më tepër, janë shumë më shumë sesa ç’mund të pranohet një përshkallëzim i mëtejshëm.
Në fakt, problemi me përshkallëzimin është se nuk është një veprim, i cili në fund, në vetvete, do të shkatërrojë Hamasin apo do të fshijë çdo formë Hamasi që mund të çelë apo të rritet nga rrënojat. Sigurisht, e vetmja rrugë është zgjidhja me dy shtete, por në mendimin tim modest, në këto situata ka shumë gjëra që duhet të ndodhin në të njëjtën kohë, jo vetëm një, sepse nëse ne parashikojmë tani, në një të vetme, këtë zgjidhje me dy shtete si e vetmja gjë, atëherë kush do të jetë nga ana e palestinezëve?
Reformimi kësisoj i politikës palestineze, nevoja për një organizëm që do të përfaqësonte të gjithë shoqërinë palestineze e do të ishte një bashkëbiseduese e besueshme për të gjitha palët e përfshira nga njëra anë e nga ana tjetër, përfshirja e drejtpërdrejtë e vendeve arabe që janë më të interesuara dhe në të njëjtën kohë edhe potencialisht më të ekspozuara nga shkallëzimi i konfliktit për të krijuar një forcë të përbashkët që së bashku me Turqinë dhe me disa garanci të Shteteve të Bashkuara, do të sigurohet që ai që mund të jetë shtet palestinez nuk do të shihet sërish si kërcënim për Izraelin.
Sigurisht, të gjitha këto, pa lirimin e pengjeve tingëllojnë krejt të pagjasa. Në fund, në radhë, por jo për nga rëndësia, sigurisht që nuk e kam zili Sekretarin e Shtetit.