Konferencë për shtyp e Kryeministrit Edi Rama pas mbledhjes së qeverisë mbi reformën e re të pagave - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Konferencë për shtyp e Kryeministrit Edi Rama pas mbledhjes së qeverisë mbi reformën e re të pagave

Kryeministri Edi Rama: Mirëdita!

Dola sot këtu sepse është një nga ditët më të shënuara të qeverisjes sime. Sapo kemi dakordësuar projektligjin për reformën e re të pagave dhe kemi sanksionuar e zeza mbi të bardhë, se në harkun e një viti paga mesatare e Republikës së Shqipërisë do të shkojë nga 563 euro që është sot në 900 euro.

Ky është rezultat i të gjitha përpjekjeve, reformave, punëve të bëra për të ardhur në ditën që ta krijojmë këtë mundësi për shtëpinë tonë të përbashkët dhe të mund të rishpërndajmë të ardhurat aty ky edhe me shumë të drejtë familjet e zakonshme shqiptare presin më shumë sesa në çdo gjë tjetër, në arkën e buxheteve të tyre. Është shumë e rëndësishme për ne që të konstatojmë sot se sa e qëndrueshme është ekonomia jonë dhe se realisht kemi hyrë në një fazë të re të zhvillimit të saj, pavarësisht të gjitha peripecive, pengesave dhe goditjeve të jashtëzakonshme që Shqipëria ka marrë dhe shqiptarët kanë marrë në vazhdën e disa krizave rresht.

Ia kemi dalë, jo vetëm të rezistojmë, jo vetëm të adresojmë plagë dhe probleme të rënda, vazhdojmë sot që flasim të mbështesim të gjitha familjet dhe të gjitha bizneset e voglat në mënyrë që të mos shohin asnjë qindarkë rritje të çmimit të energjisë në faturën e tyre dhe sot mund t’iu themi të gjithëve se është dita për të marrë ata vetë direkt, jo thjeshtë komuniteti, bashkia, vendi, jo thjeshtë infrastruktura, shkollat, kopshtet, çerdhet, spitalet, qendrat shëndetësore e me radhë, por ata vet drejtpërdrejtë në arkën e tyre familjare frytet nga kjo përpjekje dhe nga reformat që na kanë sjellë deri këtu

Nuk dua të humbas vëmendjen në shumë shifra. Jam këtu së bashku me ministren e Financave. Dua ta falënderoj ekipin e sa për punën e palodhur që ka bërë. Kemi pasur diskutime të pafundme, kemi pasur debate të pafundme, kemi konfrontuar volume të pafundme shifrash, opsionesh, skemash dhe në fund kemi rënë të gjithë dakord që detyra jonë është tu japim shqiptarëve maksimumin e produktit të reformave dhe nuk ka kënaqësi më të madhe për mua sesa t’ju them specialistëve më të ulët që punojnë në administratën qendrore se paga e tyre do të shkojë nga 49 mijë lekë në 81 mijë lek apo tu themi mësuesve në arsimin e mesëm që paga e tyre do shkojë mbi 1 milionë lek, pra mbi 100 mijë lek. Apo në arsimin bazë do të shkojë nga 74 mijë deri në 95 mijë. Të gjitha këto janë shifra bazë pastaj vjetërsia e punës, kohëzgjatja në detyrë domethënë dhe nivelet e kualifikimeve bëjnë që gjërat të jenë edhe më mirë sesa ç’duken nga niveli bazë.

Po kështu, është koha t’iu bëjmë një rritje të konsiderueshme pedagogëve të universiteteve të gjithë sistemit arsimor universitar, me 20% duke iu dhënë diskrecion që ata të mund të shkojnë deri në 30 % sepse ata janë autonom në administrimin e buxheteve të tyre dhe siç bëmë në fund të vitit të shkuar, do të bëjmë përsëri.

Po kështu është kënaqësi e posaçme që t’ju them sot infermiereve që do të kapin një bazë prej 87 mijë lekësh dhe ndërkohë kjo bazë shkon dhe përtej 90 mijë lekësh sipas pozicioneve në punë.

Kemi rritur ndjeshëm pagat për Forcat e Armatosura. Do të vazhdojmë t’i rrisim po në mënyrë të ndjeshme, kemi rritur pagat për gjithë sistemin e sigurisë. Do të vazhdojmë t’i rrisim. Kemi rritur pagat për zjarrfikësve dhe siç e pata premtuar duke qenë se zjarrfikësit janë gjithmonë e më të rëndësishëm për shoqërinë në kushtet kur zjarret janë gjithmonë e më të pranishëm, për shkak të ndryshimeve klimatike dhe jo vetëm, pagën e zjarrfikësve do ta çojmë deri në 80 mijë lek.

E gjitha kjo do të bëhet me dy hapa. Një hap i parë i menjëhershëm do të jetë tani me mësuesit, me sigurinë dhe me mjekët dhe infermieret menjëherë dhe ky hap i parë për të gjithë të tjerët do të jetë pasi parlamenti të kalojë projektligjin që ne sot miratuam dhe pastaj hapi i dytë do të jetë prillin e ardhshëm ku do të bëjmë gjithë plotësimin e kuadrit të kësaj reforme pagash dhe do të mbërrijmë kryelartë 900 euro pagë mesatare.

 

-A mund të na thoni sesa efekte do të këtë në buxhet rritja e pagave për këto kategori që ju përmendët deri më tani?

Kryeministri Edi Rama: Do të ketë një efekt në buxhet të konsiderueshëm, por plotësisht të përballueshëm. Kjo është gjëja më e rëndësishme, pastaj sipas kategorive janë shuma të konsiderueshme që vendosen në dispozicion dhe për çdo detaj tjetër është këtu ministrja e Financave që mund të bëjë të gjitha plotësimet e nevojshme.

 

-Zoti kryeministër, sipas shifrave të INSTAT të vitit 2022 bujqësia ka qëndruar në njëfarë mënyre ne vend numëro duke shënuar të njëjtën situatë që ka pasur edhe në vitin ’97 ndërkohë qeveria juaj këtë vit ka përgjysmuar subvencionet për fermerët, nga 5.1 miliard në 3.3 miliard. Pse e keni përgjysmuar subvencionin për fermerët? A mendoni se ata po marrin më shumë sesa duhej?

Kryeministri Edi Rama: Së pari, bujqësia nga 2022 ka patur vitin më të jashtëzakonshëm sepse ka eksportuar gjysmë miliardi dollarë, një shifër e pa arritur kurrë ndonjëherë. Së dyti, ne nuk kemi shkurtuar asnjë gjë dhe fondet që jepen për bujqësinë nuk janë vetëm ato që jep buxheti i shtetit, janë dhe fonde të tjera dhe duhet parë në kompleksitet i gjithë fondi që shkon për bujqësinë. Do pak punë, kuptohet për ta studiuar, por jo më shumë se një orë dhe pastaj mund ta keni një pikturë shumë të qartë.

-Pas këtyre studimeve është rritur vetëm 0.06 % dhe prandaj pyetja ime ishte dhe përgjysmim ka pasur, megjithatë kam dhe një pyetje tjetër. A ka pasur ndonjëherë bllokim të llogarive të AlbControl ndonjëherë në Bruksel dhe a mendoni se në rast se nuk ka pasur, do të ketë një bllokim të tillë për sa kohë që gjoba që Becchetti i ka vënë shtetit shqiptar që ka fituar në arbitrazh vazhdon të ngelet në fuqi?

Kryeministri Edi Rama: Së pari një herë meqë më dolët në këtë temë kaq të dashur për ata që mendojnë se e mira e tyre është e keqja e Shqipërisë dhe që gëzohen sa herë ka një lajm të kësaj natyre, në vend që të revoltohen që një kriminel i gjykuar dhe i dënuar me 17 vjet burg për mashtrim të shtetit shqiptar arrin të çajë rrugën në një gjykatë me të cilën ne do të hapim probleme të mëdha, duke filluar nga java e ardhshme dhe nga e cila madje, po analizojmë dhe mundësinë të daljes fare nga ai juridiksion sepse është skandaloze ajo që ka ndodhur, por ajo që ka rëndësi sot për ta dëgjuar publiku, është se po këta njerëz i kanë thënë publikut para nja dy vjetësh që Shqipëria i ka paguar ato para. Po këta njerëz kanë shpërndarë fletëpalosje nëpër makina në bulevard dhe poshtë dyerve që ikën 100 milionë dhe ja që këto 100 milionë nuk paskan ikur dhe tani ju po bëni pyetjen, janë bllokuar apo nuk janë bllokuar? Domethënë që nuk janë fare gjëkundi, në xhepin e atij mashtros dhe mendoj që ky është momenti që t’i kërkoni falje shqiptarëve që i keni gënjyer për kaq shumë kohë duke u thënë të kundërtën dhe për sa i përket luftës me të, pa asnjë diskutim ne e bëjmë dhe do ta bëjmë deri në fund edhe pa këtë soj të prishur shqiptarësh.

 

– Nuk mora përgjigje për këtë. Ka pasur bllokim të llogarive të Albcontrol?

Kryeministri Edi Rama: Unë jap përgjigjet siç unë i mendoj dhe këtë debat së bashku e kemi zhvilluar shumë herë. Unë kam humbur çdo lloj shprese që mund të merremi vesh. Kalo mikrofonin tek tjetri sepse kjo ishte përgjigja ime.

 

– Nuk po marr përgjigje nëse janë bllokuar apo jo. A ka pasur një bllokim nga ana e llogarive që ndodhen në Bruksel të AlbControl? Kaq gjë besoj se ju mund të na përgjigjeni.

Kryeministri Edi Rama: Ky është një aspekt i procesit që është i lidhur me konfidencialitetin e gjithë procesit, gjë të cilën ata që mezi presin që Shqipëria të dëmtohet nuk kanë pse ta ruajnë si konfidencialitet, është e drejta e tyre, por detyra ime është të ruaj konfidencialitetin e procesit.

 

– Ju keni ardhur në vitin 2013 në pushtet me premtimin për shëndetësinë falas dhe në atë kohë ju thonit se shëndetësia do jetë sipas nevojës dhe jo sipas xhepit të qytetarëve. Ndërkohë, tashmë, me miratimin e ligjit për autonominë spitalore ju thoni se ata qytetarë të cilët do të japin para do të mund të operohen më shpejt. Pyetja ime është, pse keni kaluar nga shëndetësia falas tek shëndetësia sipas xhepit?

Kryeministri Edi Rama: Përgjigja ime është që mikrofoni këtu i imi nuk është shkollë për të dhënë leksione bazike mbi si funksionojnë gjërat dhe për këtë arsye, përgjigja e thjeshtë është që jo. E vërteta është që ne po shkojmë drejt atij objektivi dhe unë jam këtu akoma. Këtë pyetje se u realizua apo nuk u realizua mund të ma bëni kur të mos jem më këtu, por unë jam këtu akoma dhe së bashku me të gjithë qeverinë po punojmë për këtë.

 

– Për të mbetur pak tek çështja e pagave, ju keni deklaruar në fakt se rritja e pagave apo dhe bonusi i pensionistëve nuk ka lidhje me fushatën elektorale, por pse nuk është bërë kjo rritje disa muaj më parë kur në fakt realisht ka qenë e nevojshme dhe ju vetë e keni pranuar?

Kryeministri Edi Rama: Sepse rritja e pagave nuk është sipas dëshirës, as sipas kalendarëve elektoralë, është sipas mundësive. Kjo është koha që janë krijuar mundësitë, kjo është koha që bëhet dhe që nuk ka lidhje me fushatën elektorale, është shumë e thjeshtë të kuptohet pse. Sepse e kemi thënë prej kohësh dhe më lejoni tua them, ne nuk kemi nevojë të rrisim paga për të fituar zgjedhjet, nuk kemi fare të nevojshme të bëjnë as rritje pagash e asgjë tjetër. Madje, ne në këtë fushatë, do të mbjellim pemë me një pjesë të fondeve të fushatës elektorale sepse mendojmë që në vend se tua zëmë të gjithë kohën njerëzve me zhurmë, me tam-tam e me përplasje, të lëmë pas fushatës mbrapa, disa mijëra pemë që t’i kenë komunitetet, t’i kenë fëmijët, t’i kenë të moshuarit, t’i kenë familjet për të ardhmen. Kështu që, është retorike pyetja juaj.

 

– Zoti kryeministër, a keni bërë një përllogaritje si qeveri se sa ka shkuar fatura e Shqipërisë në Gjykatat e Arbitrazhit?

Kryeministri Edi Rama: Ajo që mund t’iu them unë juve është që Shqipëria deri më sot nuk ka paguar asnjë kokërr leku nga të gjithë ato që ju keni nxjerrë, keni llogaritur, keni treguar sepse kjo është një botë shumë e komplikuar dhe me shumë procedura dhe ne po bëhemi gjithmonë e më të aftë për ta përballuar presionin dhe për të përballuar të gjithë ndërveprimet dhe gjithë përplasjet në atë botë ku edhe mashtro si puna e këtij kriminelit që u dënua këtu 17 vjet, arrijnë të penetrojnë ndonjëherë dhe e bëjnë jo vetëm me Shqipërinë por e bëjnë dhe me institucione të mëdha ndërkombëtare, qofshin financiare, qofshin jo financiare.

 

– Pasi i mbyllët lojërat e fatit dhe bastet sportive, ju i rikthyet ato përmes një projektligji që është depozituar për konsultim publik. A keni ju si qeveri një ndjesë për të gjithë ata persona të cilët humbën vendet e punës për shkak të mbylljes së pikave të bastit?

Kryeministri Edi Rama: Në qoftë se do të hapnim pika basti, mund të bëhej ky diskutim. Ne nuk do të hapim asnjë pikë basti.

 

– Si do e nxisni sektorin privat të rrisë pagat pasi projektligji parashikon për sektorin publik?

Kryeministri Edi Rama: Është një proces i ndërthurur sepse rritja e pagave në sektorin publik rrit patjetër dhe aftësinë e sektorit publik për të thithur burime njerëzore më të kualifikuara dhe nga kjo sektori privat do jetë i detyruar të rrisë pagat, gjë që po ndodh sot. Sot pagat në sektorin privat po rriten me shpejtësi. Ne po vazhdojmë të nxisim duke shtyrë nga poshtë sepse i vetmi element që ne kemi në dorë është paga minimale të cilën e arritëm jashtë edhe parashikimit elektoral, jo vetëm tonit, por edhe të gjitha partive politike, madje dhe të atyre partive që e dinë që nuk do vijnë kurrë në pushtet dhe premtojnë gjëra për të cilën asnjëherë nuk do japin llogari.

Faktikisht sot jemi në një situatë kur kemi filluar dhe një proces komunikimi me sipërmarrjen private për të sensibilizuar sipërmarrësit lidhur me domosdoshmërinë e mbrojtjes së kapitalit njerëzor në kushtet kur është bërë kjo botë gjithmonë e më e egër për të marrë krah pune, të kualifikuar ose jo dhe në këtë luftë të egër janë përfshirë të gjithë vendet e zhvilluara.

Ne jemi optimistë dhe shikojmë shenja shumë pozitive nga sipërmarrja private. Natyrisht, ne do të marrim të tjera, jemi duke i konceptuar dhe natyrisht, për ne kjo nuk është thjesht çështje rritje pagash, është dhe çështje mbrojtje e punonjësve dhe punëtorëve në kompani të ndryshme nga shfrytëzimi.

Ka pasur një periudhë kohe kur kjo ka qenë pjesë e natyrshme e një zhvillimi të caktuar. Të mos harrojmë që e kemi filluar këtë punë me të ardhura për frymë 3200 – 3300 euro dhe sot jemi mbi 6000 euro të ardhura për frymë, pavarësisht se të gjitha bien, të gjitha rrënohen dhe na i marrin ne nëpër arbitrazhe, por faktikisht, ne sot i kemi dyfishuar të ardhurat për frymë dhe dyfishimi i të ardhurave për frymë është rezultat i gjithë këtyre politikave, gjithë këtyre reformave, por është njëkohësisht edhe një mundësi për të kuptuar se nuk vazhdohet më!

Një grua, një vajzë e re që para 30 vjetësh, përpara 25 vjetësh shkonte dhe punësohej në një fason, sot është në fazën që do dalë në pension. Me kë do zëvendësohet? Një vajzë e re që është sot në moshën që kjo grua ishte atëherë nuk shkon të punojë aty për atë pagë; jo vetëm për atë pagë, por edhe për atë lloj pune.

Kështu që, këtu sipërmarrja duhet të vihet në alarm dhe të kuptojë se duhet të ndryshojë qasjen; duhet të ndryshojë qasjen, duhet të rrisë produktivitetin, duhet të rrisë eficencën e të tjera.

Të gjitha këto janë sfida të një kohe të re sepse Shqipëria ka hyrë në një fazë të re, është në një kohë të re ekonomike dhe sociale, duan apo nuk  duan ata që nuk duan dhe kurrë nuk do duan dhe kurrë mos daçin dhe sot, unë jam shumë i kënaqur që ia kemi dalë t’i çojmë pagat për shqiptarët në një nivel që është një nivel në mesataren e lartë të rajonit tonë dhe sigurisht që nuk jemi të vetëkënaqur, por jemi thjesht të kënaqur.

Po iu lë me ministren e Financave dhe Ekonomisë për t’iu dhënë më shumë detaje lidhur me interesimin tuaj dhe edhe njëherë tjetër, kjo është dita e rritjes së pagave. Për të gjitha ato storiet e tjera që duhen për të ushqyer audienca të talebanizuara, ka plot ditë të tjera.

Previous Nënshkruhet Memorandumi i Mirëkuptimit midis Autoritetit Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike në Shqipëri dhe Këshillit të Sigurisë Kibernetike të Emirateve të Bashkuara Arabe