Konferencë për Shtyp pas Samitit të Jashtëzakonshëm të NATO-s - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Konferencë për Shtyp pas Samitit të Jashtëzakonshëm të NATO-s

Pas Samitit të Jashtëzakonshëm të NATO-s, mbi situatën në Ukrainë Kryeministri Edi Rama, Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme Olta Xhaçka dhe Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp:

Kryeministri Edi Rama: Mirëmbrëma të gjithëve! Ndjesë për pak minutat vonesë sepse po ndiqnim konferencën për shtyp të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s. Siç e dini, ka pasur një Samit të jashtëzakonshëm të NATO-s, i cili ka përfunduar përpara pak dhe arsyeja është përshkallëzimi ekstrem i qasjes së Moskës ndaj fqinjëve në Ukrainë dhe gjithçka po ndodh gjatë 48 orëve të fundit, që edhe ju e keni, jo vetëm parë, por edhe transmetuar.

Siç e dini, ne jemi pjesë e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe jo vetëm kaq, por jemi dhe bashkëpenëmbajtës me Shtetet e Bashkuara në Këshillin e Sigurimit, gjë që e ka bërë me dije botërisht qëndrimin tonë qysh në minutat e para pas fillimit të sulmit, në instancën më të lartë të politikës ndërkombëtare.

Nga ana tjetër, ne i ndjekim ime shumë keqardhje këto zhvillime, duke pasur në zemër dhe në mendje realisht njerëzit në Ukrainë, ashtu sikundër edhe lidershipin ukrainas që kërcënohet drejtpërdrejtë për vetë jetën.

Nuk e di a e ndoqët gjatë ditës, qoftë Presidentin Zelensky, tanimë i veshur me uniformë ushtarake dhe në fushën e luftës, apo ish presidentin Poroshenko, i cili po ashtu gjendej i armatosur në një nga lagjet e Kievit, sëbashku me një grup njerëzish.

E pra, kjo është një situatë realisht tragjike, por nga ana tjetër, është një zhvillim, i cili ka sfiduar të gjithë arkitekturën e sigurisë në Europë, ka sfiduar dhe të gjithë ngrehinën institucionale të politikës ndërkombëtare, duke faktikisht, goditur themelin e saj, të drejtën ndërkombëtare dhe ligjin ndërkombëtar.

Sot në samit është kurorëzuar një punë dhe komunikim intensiv që kemi pasur gjatë këtyre orëve dhe ditëve dhe netëve, Sekretari i Përgjithshëm i ka bërë me dije konkluzionet e samitit ndërkohë që mu duk e udhës të zhvillonim këtë konferencë të jashtëzakonshme për të folur pak më shumë për implikimet e kësaj lufte mbi Shqipërinë, e cila nuk ka ndryshe nga shumë prej vendeve të tjera të NATO-s, varësira të konsiderueshme të natyrës ekonomike apo tregtare me Rusinë, por sidoqoftë nuk është krejt pa lidhje të kësaj natyre, qoftë me Rusinë, qoftë edhe me Ukrainën që urojmë dhe shpresojmë që të kthehet në një normalitet, por që faktikisht është shumë larg sot nga normaliteti. Sot është më e qartë se sa dje, ajo që ka filluar të ndihet muaj më parë me krizën e çmimeve të energjisë, me rritjen eksponenciale të çmimeve të gazit në bursat ndërkombëtare apo dhe me rritjen e shpejtë të çmimit të naftës, gjë që i ka pararendur si të thuash këtij momenti si një erë drithëruese në shtëpinë e shteteve, ku në ndërkohë ka një valë të inflacionit të shoqëruar sigurisht me rritjen e çmimeve në tërësi, si një pasojë e drejtpërdrejtë e rikthimit shumë të fuqishëm të ekonomisë, të aktivitetit po themi ekonomik, pas mbylljes dhe shtrëngimit të madh nga pandemia.

Ne jemi i vetmi vend apo me ndonjë përjashtim po themi se nuk është se i kemi parë të gjitha vendet pa asnjë përjashtim, por jemi ndër vendet shumë të pakta, që të jem 100% i saktë, që nuk e kemi prekur çmimin e energjisë.

Në të gjitha komunikimet që unë kam pasur me kolegët në vigjilje të këtij Samiti edhe në takimet që kam pasur në Konferencën e Sigurisë në Mynih, çështja themelore ka qenë pikërisht çështja e rritjes së çmimeve të energjisë që në vendet fqinje, që nga Kosova, në Greqi poshtë apo në Itali, ka ndikuar shumë fort në faturën e shpenzimeve të konsumatorëve familjarë, pastaj biznesit po e po. Ne jemi zotuar që do të bëjmë çmos për ta mbajtur nën kontroll çmimin e energjisë, sepse sigurisht jemi shumë të vetëdijshëm për efektin që ai ka dhe edhe për goditjen psikologjike që ai sjell në tërësi, sidomos tek konsumatorët familjarë dhe tek biznesi i vogël. Për këtë kemi bërë dhe një ndryshim rrënjësor të të gjithë skemës së trajtimit të eksportit dhe të importit të energjisë dhe deri tani kemi arritur t’ia dalim, gjë që ndodh si rezultat i një sforcoje realisht të madhe nga ana e qeverisë.

Natyrisht që qeveritë vlerësohen për atë që ndodh, por sytë e vëmendshëm të ekonomistëve apo të financierëve i vlerësojnë normalisht edhe për atë që nuk lënë të ndodhë dhe kjo është diçka shumë e rëndësishme për ne dhe në punën tonë të përditshme të të gjithë kësaj periudhe, mbajtja nën kontroll e çmimit të energjisë për konsumatorët dhe për biznesin.

Më vjen shumë keq që sot një grup përfaqësues të komunitetit të biznesit kanë dalë me kërkesa, a thua se sapo kanë zbritur nga Hëna dhe nuk kanë informacion për ngjarjet në Tokë. Shpresoj që të ketë qenë një inerci në një moment lajthitjeje sepse të dalësh sot dhe të kërkosh të tilla qiqra, ndërkohë që një hell i nxehtë ka filluar të rrotullohet në ijët e Europës, është diçka që vetëm këtu kam përshtypjen që mund të bëjë vaki.

Nga ana tjetër, ne sot në Samit jemi angazhuar, – në fakt këtë herë e kanë bërë këtë gjë edhe shumë vende të tjera për hir të të vërtetës, jo si herën e parë për afganët e shkretë që i lanë rrugëve, megjithëse ata ishin prej vitesh në krahë të gjithë forcave të NATO-s atje, – për të mikpritur dhe mirëpritur njerëzit, familjarët që largohen apo do të largohen nga Ukraina, gjë që sigurisht për ne është e natyrshme që ta themi, sepse kjo është historia jonë, këta jemi ne shqiptarët dhe kjo është njëkohësisht pasuria që kemi detyrë tua trashëgojmë fëmijëve tanë, si një nga pasuritë më të mëdha të kulturës morale të këtij vendi e të këtij kombi, por sigurisht që siç e thashë në këtë situatë dhe në këtë konflikt, çështja e këtyre njerëzve do të jetë shumë si të thuash në vëmendje të shumë vendeve dhe të gjitha vendet pa përjashtim, të krahut lindur, janë shprehur hapur për këtë gjë. Sidoqoftë desha ta jap këtë informacion edhe për të shmangur spekulimin që do vijnë 100 mijë apo do vijnë 200 mijë, do vijnë 2 milionë, siç do vinin atëherë nga 600 mijë sepse nuk bëhet fjalë për shifra të tilla, por bëhet fjalë për shifra me shumë më pak zero dhe dihet që jemi në një fazë të jetës sonë politike dhe sociale ku zerot i kemi si kusur që i shtojmë në fund të fjalisë kur komunikojmë me njëri-tjetrin në debatin politik apo në thashethemin social.

Këto janë pak a shumë gjërat që mund të them në hyrje. Sigurisht deri sa ju kemi ftuar, do të na ndihmoni që të plotësojmë ndonjë element që mund të jetë me interes publik, por do ju lutesha shumë të përqendrohemi tek kjo temë e të mos kalojmë në pyetje për çështje të tjera.

– Zoti Rama, duke qenë se pjesa më e madhe e vendeve të Europës, por mes tyre u rreshtua sot edhe Kosova, kanë vendosur sanksione ndaj Rusisë. Në fakt, nuk dua të përqendrohem shumë tek kjo sepse e kuptoj se sa ndikim mund të kenë sanksionet që mund të vendosi Shqipëria ndaj Rusisë, por dua t’ju pyes nëse paralelisht me këtë angazhimin që keni ndërmarrë në kuadër të NATO-s dhe të Këshillit të Sigurimit, a po punon qeveria shqiptare për të mos pasur një impakt në ekonominë shqiptare gjithë lufta? Edhe fakti që siç e thatë dhe ju, ne kemi shkëmbime tregtare dhe gati 65% e grurit importohet nga Rusia, por kemi dhe eksporte me Ukrainën. A ka një plan? A po diskutohet konkretisht si mund të parandalohet që gjithë kjo situatë të mos ndikojë tek rritja e çmimeve? Jo vetëm tek e energjisë, por dhe tek e ushqimeve.

Kryeministri Rama: Së pari besoj që duhet t’i referohemi me kujdes në çdo detaj të gjithë listës së sanksionieve, sepse është një listë me specifika, nuk është sanksionuar, nuk është nën sanksion çdo mall dhe çdo material.

Së dyti, është e vërtetë që Shqipëria, që sanksionet e Shqipërisë ndaj Rusisë janë irelevante në aspektin e volumit, por Shqipëria nuk është Shqipëria që vë sanksione ndaj Rusisë, është është gjithë aleanca që bie dakord dhe vendos sanksione dhe Shqipëria është pjesë e kësaj Aleance dhe s’ka diskutim që i përqafon të gjitha vendimet e Aleancës. Kështu që, të njëjtën gjë bëjnë edhe vendet, të cilat janë të lidhura me Aleancën, pavarësisht se nuk janë anëtare të Aleancës, siç është Kosova, në rastin konkret meqë e përmendët. Kështu që, ne besojmë nga hulumtimi që kemi bërë që nuk do të kemi efekte shumë shqetësuese.

Sigurisht është luftë, kjo është luftë reale nuk është një dokumentar, apo nuk është një playstation, apo nuk është një ngjarje që mund të ndodhë në ndonjë kontinent tjetër.

Është luftë reale në dyert e Bashkimit Europian dhe shumë vende të Bashkimit Europian kanë shumë aktivitet me Rusinë që do të thotë që gjithë këto sanksione krijojnë shtrëngesa, të cilat natyrisht reflektohen, jo thjeshtë në jetën ekonomike të atyre vendeve që kanë drejtpërdrejtë marrëdhënie të tilla, por edhe vendeve të tjera që janë në marrëdhënie me to. Kështu që, është njësoj si ajo që diskutonim në fillimet kur unë dola dhe bëra lajmërimin për atë që po vinte lidhur me krizën e energjisë dhe ku natyrisht nuk ishte as e para as e fundit që interpretimet ishin nga më të ndryshmet, por jo vetëm për temën dhe të vërtetën nuk pati shumë vëmendje, kur filluan muhabetet “ne prodhojmë gjithë energjinë vetë”, “ne s’kemi nevojë për të tjerët”, “ne përdorim gaz” e ku di unë se çfarë.

Ndërkohë që, e para njëherë, ne nuk e prodhojmë të gjithë energjinë vetë. Kjo është e pavërteta e parë. Shqipëria nuk e ka prodhuar vetë asnjë ditë të gjithë energjinë e nevojshme për konsumin e vetë, që nga dita një që kemi hyrë në këtë rrugëtim demokratik.

E dyta, ne blejmë në tregjet ndërkombëtare, që do të thotë që ka shumë rëndësi se çfarë çmimesh kanë tregjet ndërkombëtare.

E treta, ne fatkeqësisht shesim lirë dhe blejmë shtrenjtë, sepse ne shesim kur ka, në periudhën e lagësht, në periudhën e dimrit dhe blejmë kur s’ka, në periudhën e verës. Kështu që, të gjitha këto patjetër që e bëjnë Shqipërinë vunerabël ndaj konjukturës ndërkombëtare dhe prandaj, e para ne kemi bërë një ndryshim, kemi kthyer përmbys skemën e eksport-importit, gjë që na ka ndihmuar shumë në këtë fazë.

E dyta, po punojmë për ta ndërtuar më në fund Skavicën që është një vepër e munguar prej dhjetëra vitesh dhe që faktikisht është, jo thjeshtë një hidrocentral më shumë, por është balancuesi i të gjithë sistemit tonë, sepse na jep mundësinë që mos hedhim më asnjë pikë ujë kur kemi më shumë rreshje sesa ç’mban kaskada, mos shesim më absolutisht asnjë kilovat kur është me çmim të lirë, por të gjithë ta mbledhim në këtë rezervuar që është balancuesi i sistemit dhe ta kemi të depozituar si në një bankë. Kjo është arsyeja. Dhe e fundit është që ka shumë shumë rëndësi të vazhdojmë punën, të vazhdojmë aktivitetin tonë jetësor po themi, sepse jemi vend i NATO-s dhe sot është përsëritur në mënyrë insistuese nga të gjithë që vendet e NATO-s, çdo vend i NATO-s është në një tjetër regjim mbrojtjeje.

Që do të thotë, në rastin e Ukrainës, kemi të bëjmë me një vend partner i cili është sulmuar, por sipas kushtetutës së NATO-s nuk e vë në lëvizje menjëherë artikullin katër, mos gabohem, pesë.

Artikulli katër ishte artikulli që mblodhi sot Samitin, por artikulli pesë që kur sulmohet njëri, janë sulmuar të gjithë dhe në atë moment janë të gjithë që mbrohen. E them këtë sepse kam vënë re nga komentet që unë ndjek për të kuptuar më shumë njerëzit e zakonshëm në moment të tilla, edhe nga çfarë kemi pyetur edhe nga çfarë kemi mbledhur opinion nga anketime që i bëjmë vazhdimisht për arsye tona të brendshme, që ka një pjesë njerëzish të cilët janë, s’po them të trembur, por janë të shqetësuar që kjo luftë mund të vijë në Shqipëri dhe ne s’kemi avion, ne s’kemi raketa etj, etj.

Shqipëria nuk është në NATO një vend anëtar për të patur raketa. Shqipëria është në NATO një vend anëtar që ka një sërë prioritetesh të veta të koordinuara për bukuri me Aleancën, ka një plan të vetin të rritjes dhe fuqizimit të ushtrisë, ka sot investimin që po kryhet për një bazë ajrore të NATO-s, që domethënë do të kemi avionët e NATO-s aty, kështu që në këtë aspekt nuk ka shqetësime.

Sigurisht që, nëqoftëse Lufta e Tretë Botërore shpërthen, atëherë është diçka që as nuk e parashikojmë dot, as nuk e evitojmë dot nëse të tjerë e nisin, njësoj si nuk parashikojmë dot e evitojmë dot që kur dalim nga shtëpia larg qoftë, ndodh diçka.

Kështu që, nuk jemi fare në këto kushte. Duhet thjeshtë dhe vetëm që të jemi të vetëdijshëm që lufta është e vërtetë, është reale dhe ka impakt real në ekonomi, padiskutim. Sa? Si? Ku? këto janë të gjitha gjëra për t’u parë në rrugën e zhvillimit të ngjarjeve. Kështu që, e shtova këtë për të qenë shumë i qartë që pozicioni ynë është fare fare solid, fare “komod”, në thonjëza se s’ka fare komoditet në këto kushte, por s’ka asnjë problem për ne veçanërisht ose ndryshe nga e gjithë Europa.

– Duke ju referuar faktit që Serbia nuk ka mbajtur një qendrim të prerë për të dënuar agresionin rus, por dhe nga marrëdhëniet e afërta që ka pasur me Rusinë, është krijuar një frikë dhe një përshtypje në këto dy ditë të fundit që në një farë mënyre që Kosova rrezikon, ose më saktë Ballkani që të hapen disa konflikte të vjetra ose disa pretendime të vjetra. Në gjykimin tuaj, a rrezikon Ballkani në këtë situatë dhe në rast se Serbia do të zgjedhë të anojë më shumë nga karrigia e lindjes sesa e perëndimit, do të rishikoni pozicionin tuaj, pra Shqipëria do të rishikojë pozicionin e saj, në Ballkanin e Hapur?

-Pyetja tjetër për ministrin, ju e cekët pak, por sa kapacitete mbrojtëse ka sot Shqipëria? Faleminderit!

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi: Po e filloj nga pyetja e dytë, siç e shpjegoi dhe kryeministri, ne jemi fatlumë që jemi aleatë në NATO, jemi një nga 30 aleatët e NATO-s dhe Artikulli 5, siç u shpjegua, bën fjalë për mbrojtjen tonë kolektive. Do të thotë që nëse preket një centimetër katror i një vendi aleat në NATO, NATO vepron si një e tërë. Ne kemi Forcën tonë të Armatosur, e cila është e kombinuar me kapacitet e NATO-s në tërësi, ne kemi detyra operacionale nga NATO, kemi objektiva të kapaciteteve, të cilat janë ngarkuar nga NATO dhe për të cilat investojmë çdo ditë. Kemi grup batalion, grup batalion i dytë i kembësorisë që është kapacitet i NATO-s, pra i gatshëm për t’u përdorur nga NATO, në raste operacionesh mbrojtëse ose shkurajimi.

Dua të kujtoj që NATO është aleancë mbrojtëse që sulmon duke shkurajuar. Pra, të gjitha proceset tona të modernizimit të ushtrisë, të rekrutimeve të reja, të rritjes së standarteve dhe kapaciteteve të Forcës sonë të Armatosur kanë për synim dekurajimin. Edhe pjesëmarrja në stërvitje, sic e keni ndjekur dhe vitin e kaluar stërvitjen më të madhe te 30 viteve të fundit, synon të tregojë muskujt e Aleancës sonë dhe ne jemi fatlumë që jemi pjesë e saj dhe një vend pritës i kësaj stërvitjeje.

Konkretisht, për të qenë më konkretë në këtë situatë, NATO ka rritur prezencën e saj në kufijtë lindorë të saj dhe ne kemi marrë angazhimet tona konkrete. Sot kemi dërguar pranë misionit KFOR 1 një kontigjent, pra një togë prej 30 efektivësh. Ndërkohë, kemi në dispozicion edhe një kompani dhe një togë tjetër për t’u alokuar në kufijtë lindorë te Aleancës, për të rritur sigurinë dhe për të shkurajuar agresorin rus me to.

Kryeministri Edi Rama: Po e nis nga kjo pjesë, për të ardhur tek pyetja se sa rrezikojmë duke qenë se jemi në Ballkan. Kini parasysh që vitin e shkuar ne Shqipëri u krye një stërvitje që ishte më e madhja e zhvilluar ndonjëherë në këtë pjesë të kontinentit, Defender 2021 ku erdhën të gjitha Forcat e NATO-s, pra grupe nga të gjitha forcat e NATO-s dhe kjo stërvitje do kryhet përsëri vitin e ardhshëm.

Përfundimisht, ne kemi pozicionuar, natyrisht me gjithë hapat që kemi hedhur në marrëdhëniet bilaterale me Shtetet e Bashkuara, me gjithë strategjinë që kemi ndjekur në ndërtimin e pjesës së sipërme të kësaj marëdhënieje që ka qenë shumë e mirë edhe më parë, por që ka kaluar në një nivel komplet tjetër. Mos harroni që dokumentin e Partneritetit Strategjik me SHBA e firmosi kjo shumicë dhe Shqipërinë e kemi kthyer në një pikë shumë nevralgjike të marrëdhënieve ushtarake bilaterale në SHBA dhe brenda vetë NATO-s, duke pasur në Shqipëri, tanimë, komandon e Forcave Speciale Amerikane për Europën.

Komanda e Forcave Speciale Amerikane për Europën në Shqipëri do të thotë që këtu, ne, jo vetëm që nuk jemi vetëm, por jemi ndër më të fortët të pranishëm, duke, siç thashë, shtrirë bashkëpunimin në nivelin e infrastrukturës me bazën ajrore dhe e fundit, besoj ju ka rënë në sy që para pak kohe këtu kishin në ujërat tona aeroplanmbajtësen Harry Truman, që është një aeroport ushtarak masiv më vete, që do të thotë që nuk kemi asnjë arsye të shqetësohemi nëse do kemi apo jo kapacitet për t’u mbrojtur me të gjitha fuqitë e mundshme nga cilido, duke pasur në dispozicion arsenalin më të sofistikuar që ka sot bota. Nuk ka asnjë dyshim.

Sa i përket Serbisë, natyrisht që është një rast për ata, që nuk lënë rast pa u marrë me “Ballkanin e Hapur” që të spekulojnë persëri. Ne nuk kemi pasur ndonjë mungesë qartësie apo informacioni për pozicionin e Serbisë, nga pikëpamja e politikës së vet të jashtme kur kemi nisur këtë proces. Nuk kemi pritur që të sulmohet Ukraina nga Rusia që të zbulojmë lidhjet e Serbisë me Rusinë.

Nga ana tjetër, në informacionin paraprak që kam marrë, – nuk kam lexuar të gjithë qëndrimet, – Presidenti i Serbisë është shprehur për integritetin territorial të Ukrainës, pra një qëndrim i dyjëzuar tipik për politikën e jashtme serbe. Ndërkohë që sot mendoj që çka po diskutojmë është goxha më e rëndësishme dhe përsa i përket ecurisë së mëtejshme të “Ballkanit të Hapur” nuk kemi asnjë urgjencë për të nxjerrë konkluzione, pasi do të shikojmë në vijim shumë gjëra.

Kemi shumë gjëra për të parë, jo në raport me Serbinë, por kemi shumë gjëra për të parë në raport me mënyrën si do zhvillohet ky proces sepse sot jemi në kushtet kur nga ora në orë, mos e dhëntë Zoti, por mund të ndodhë që të shikojmë lidershipin të zgjedhur demokratikisht të Ukrainë të vrarë ose të marrë peng, mund të shikojmë vendosjen e një qeverie kukull atje, mund të shikojmë një vend që kalon në një botë tjetër komplet, duke u kontrolluar ushtarakisht.

Nderkohë, nga ana tjetër, ka nisur vendosja e sanksioneve dhe do duhet të shikojmë dinamikat dhe si do sillen vendet e Aleancës, si do sillet Bashkimi Europian, si do sillen Shtet e Bashkuara me vendet e tjera që janë, po themi, neutrale ose me dy këndvështrime, e me radhë.

Nuk kemi asnjë arsye ne te ngutemi. “Ballkani i Hapur” nuk është projekt i krijimit të ndonjë organizate apo organizmi ndërkombëtar në rajon si një BE e vogël apo aq më pak, krijimi i një Jugosllavie të re. E kam thënë që në ditën e parë. Nuk jemi në “Ballkanin e Hapur” për të përputhur miqësitë, për të bërë Serbinë aleate të SHBA apo për të patur të njejtin pozicion si ne, Serbia ndaj Moskës.

Ne nuk kemi ndërmend ta ndryshojmë qëndrimin ndaj Moskës. Nuk jemi fare në këtë mundësi e as nuk na ka shkuar ndërmend kjo gjë. Nga ana tjetër, nuk jemi këtu për të kërkuar që Serbia të bëjë këtë.

Marrëdhëniet tona në funksion të Ballkanit të Hapur janë marrëdhënie strategjike, rajonale, komplet pragmatike për të shmangur pikërisht edhe atë që u tha në pyetje, konfliktin, i cili do t’i bënte një dëm të paparë rajonit. Pastaj, sa Rusia mund të hyjë deri këtu në rajonin tonë dhe mund të përdorë përpara se sa Serbinë, Republikën Srbska në Bosnje apo të tjera forca pro ruse deri afër fare, kjo është e gjitha për t’u parë, nuk kemi pse të bëjmë spekulime. Janë të gjitha gjëra që janë diskutuar sot, që të jemi të qartë. Të gjitha gjëra të diskutuar dhe mos harroni dhe një gjë tjetër të fundit që Ballkani i Hapur është shumë më tepër se sa një projekt këtu lokal.

Ballkani i Hapur është një projekt i mbështetur shumë fort nga Shtetet e Bashkuara dhe Ballkani i Hapur është një projekt që mbështetet nga shumë aleatë dhe partnerë dhe sigurisht që nuk e ka më atë kundërshti që kishte në fillim, kështu që ne do t’i diskutojmë të gjitha me të gjithë dhe do shikojmë rrugës se çfarë do bëjmë, por për momentin nuk shoh asnjë problem, fare, për t’u fokusuar apo për t’u shqetësuar.

– Përshëndetje! Zonja ministre, a ka më shqiptarë në Republikën e Ukrainës dhe zoti Kryeministër, ju lutem, 30 vite më parë u rrëzua perdja e hekurt në Europë me këtë luftë dhe ndoshta përshkallëzimin e saj. A mund ti rikthehemi luftës së ftohtë? Faleminderit!

Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme Olta Xhaçka: Siç në fakt e kemi deklaruar disa herë, ka një komunitet shumë të vogël shqiptarësh në Ukrainë, disa dhjetëra, të integruar atje prej shumë e shumë vitesh, të martuar, krijuar familje atje. Ka edhe 11 shqiptarë të sekonduar në organizatën e OSBE-së, të cilët janë pjesë e planit të evakuimit. Unë kam komunikuar dhe me drejtuesit e OSBE-së, ata janë të gjithë shëndoshë e mirë pa diskutim. Ne jemi në komunikim të vazhdueshëm me ta dhe do të kthehen në Shqipëri. Ndërkohë që për pjesën tjetër të diasporës le të themi apo të shqiptarëve që jetojnë prej shumë vitesh në Ukrainë, kemi qenë në kontakt me një pjesë shumë të vogël të tyre, rreth 5-6 vetë, të cilët kanë kërkuar asistencë për t’u larguar nga Ukraina dhe patjetër që kjo ka qenë e pamundur të bëhej në rrugë ajrore. U kemi sugjeruar rrugë tokësore dhe ambasadat tona në Varshavë, në Rumani e kudo tjetër janë të gatshme për t’i pritur dhe vazhdojmë të jemi në komunikim të vazhdueshëm me ta.

Kryeministri Edi Rama: Për shkak të detyrës, kam pasur fatin që të lidh disa marrëdhënie shumë të dobishme me lider të deridjeshëm të Europës dhe sot vura re një prononcim të presidenti Sarkozy me të cilin unë konsultohem hera-herës për çështje të politikës së jashtme, i cili ishte thirrur nga presidenti Macron për t’u konsultuar, sipas një tradite që kanë presidentët francezë në kohë krizash ku futet lufta në mes dhe kishte thënë që NATO nuk funksionon më, BE-ja nuk funksionon më, G7 nuk funksionon më, G20 që ai ishte një nga nismëtarët nuk funksionon më, Kombet e Bashkuara janë një problem dhe e gjithë arkitektura e politikës ndërkombëtare, e institucioneve ndërkombëtare, e organizmave ndërkombëtarë të shekullit të XX duhen riparë dhe duhen ribërë për shekullin XXI. Ishte opinioni i presidentit francez dhe mu kujtua në momentin që më bëre pyetjen, a ka mundësi të kthehemi prapë tek lufta e ftohtë. Është shumë herët për të bërë parashikime të çfarëdolloj, koha do të tregojë se çfarë do të dalë nga kjo krizë e tmerrshme. Unë gjithmonë mendoj se çdo krizë është sa një problem i madh dhe kriza të tilla ku futet brenda jeta e njeriut janë tragjedi, por është dhe një mundësi e madhe. Se si del mundësia e madhe nga një krizë si kjo për botën, për Europën, për të gjithë, kjo është pastaj për t’u parë në vijim se nuk marr përsipër unë ta profetizoj.

– Si një vend anëtar jo i përhershëm i Këshillit të Sigurimit, si një vend anëtar i NATO-s, mendoni ju zoti kryeministër se populli i Ukrainës, presidenti Zelensky, u lanë në baltë nga komuniteti ndërkombëtar dhe mendoni ju që aleanca më e fuqishme ushtarake në botë ka kapacitete vetëm për të pritur refugjatët? Mendoni ju gjithashtu që do të shihet mundësia që NATO në një mbledhje urgjente si kjo e sotmja, të mund të përfshijë Ukrainën në gjirin e saj duke patur parasysh se në fakt e gjithë kjo ka nisur në lidhje me ambicien e atij populli për të qenë pjesë e NATO-s? Faleminderit!

Kryeministri Edi Rama: Tani, unë e bëra diskutimin tim brenda mureve të Ssamitit të jashtëzakonshëm e përmes linjës së sigurisë së NATO-s. Diskutimet e brendshme të NATO-s janë sekrete dhe të gjitha këto pyetje janë tema që meritojnë goxha diskutim dhe patjetër që gjërat po vijnë në një mënyrë të atillë që edhe këto diskutime do të bëhen sepse mos harroni çfarë ndodhi me tërheqjen në Afganistan, gjë për të cilën unë kam folur publikisht pasi kam folur një herë brenda mureve atje, por nuk është koha tani për t’i hyrë këtyre diskutimeve sepse është një moment shumë tragjik ku siç thashë, lidershipi i zgjedhur demokratikisht i Ukrainës është në rrezik për jetën e mos e dhëntë Zoti që të shohim në orët apo në ditët në vijim vdekjen e tyre brutale, pasi sipas të gjitha informacioneve, pjesë e operacionit është dhe një operacion i shënjestruar me persona, të cilët duhet të dorëzohen pa kusht ose duhen vrarë.

Kjo është situata në këtë moment dhe nuk ma ha mendja që tani duhet të diskutojmë për më shumë, por NATO është fuqia më e madhe ushtarake që ekziston, nuk diskutohet, që ka ekzistuar ndonjëherë e që ekziston sot, ama në zonën e vetë të sigurisë, ndërkohë që në këto kushte, nëse NATO do të shtyhej përtej zonës së vetë, përtej kufijve të vetë, do të thoshte thjesht që do shpallte luftën e tretë botërore.

– Zoti Kryeministër, a ekziston mundësia që shteti shqiptar të ketë një vetë ofrim për të strehuar shtetas ukrainas në rast se do të jetë e nevojshme? Faleminderit!

Kryeministri Edi Rama: Mirëserdhe, e thashë që në fillim, por nuk do kesh qenë këtu prezent.

-Një pyetje drejtuar ministres. Pak minuta para se të fillonte konferenca, nga komunikimet që patëm me disa kolegë në Kiev na raportuan që një pjesë e mirë e qytetarëve, përfshirë edhe emigrantët janë duke u pajisur me armë që të luftojnë, ashtu si dhe qytetarët e kishin shprehur gatishmërinë. A kemi informacion në raport me shqiptarët nëse ka një gatishmëri të tillë dhe vijon të jetë komunikimi në kohë reale në çdo moment me ta? Faleminderit!

Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme Olta Xhaçka: Nuk kemi një informacion të tillë. Siç ju thashë, bëhet fjalë për 60 shqiptarë që janë integruar në Ukrainë për vite për vite, ndoshta dekada. Nuk kemi një informacion të tillë. Kemi informacion vetëm nga ata, që na kanë kontaktuar për t’i asistuar gjatë kalimit të tyre në rrugë kufitare dhe asistencës pastaj që mund të marrin nga përfaqësitë tona atje ku ata mund të shkojnë. Dhe janë shumë pak. Janë pesë apo gjashtë që kanë kontakt të vazhdueshëm. Vetëm ky është informacioni që kemi.

Kryeministri Edi Rama: Përveç një informacioni të fundit që morëm për një djalë që ishte, në mos gabohem edhe në një nga mediat tuaja, që ishte vrarë, si person i veshur ushtarak, pra pjesë e ushtrisë, djalë shqiptar, i cili jetonte në Ukrainë dhe bashkëjetonte apo ishte i martuar me një shtetase ukrainase, po jetonte atje prej kohësh.

– Zoti kryeministër, një ditë më parë Boris Johnson ka thënë se ndërhyrja e Rusisë në Ukrainë ngjason me ndërhyrjen e Millosheviçit në Kosovë, ju mendoni se është e njëjta formë agresioni ndaj dy popujve? Faleminderit!

Kryeministri Edi Rama: Dua të kufizohem në komente të komenteve, jo se këtu ka ndonjë dyshim që për nga brutaliteti është një gjë krejt e ngjashme, sepse siç ju kujtohet edhe në Kosovë liderët e atëhershëm dhe personalitete të atëhershme të jetës politike dhe publike të Kosovës rrezikuan shumë. Ashtu sikundër, i ndjeri Presidenti Rugova u mor peng faktikisht, por kjo është diçka që nuk ka ndodhur në Europë. Futja me ushtri në një shtet tjetër sovran prej shumë vitesh, me institucione të zgjedhura etj, etj. Kështu që, shpresoj me kryeministrin britanik do të takohem në ditët e ardhshme sepse do të shkojmë në Londër dhe do të diskutojmë edhe për këtë meqenëse kemi qenë dhe në kontakt gjatë këtyre ditëve.

Shumë faleminderit!

Previous Fjala e Ministrit të Drejtësisë z.Ulsi Manja në Parlament, lidhur me punën e Komisionit Hetimor Parlamentar për impiantet e mbetjeve urbane

Leave Your Comment