Kongresi i Parë i Shëndetësisë, Ibrahimaj: Do vijojmë investimet në infrastrukturë dhe burime njerëzore - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kongresi i Parë i Shëndetësisë, Ibrahimaj: Do vijojmë investimet në infrastrukturë dhe burime njerëzore

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, mori pjesë në punimet e Kongresit të Parë të Shëndetësisë, ku një ndër temat e diskutuara ishte “Sfidat e financimit të sistemit shëndetësor publik”.

Në fjalën e saj, Ministrja Ibrahimaj vuri theksin në përpjekjet e vazhdueshme të qeverisë për të rritur investimet në sektorin shëndetësor, i cili ndërthuret me ekonominë dhe është i rëndësishëm në jetën e çdo qytetari.

Ministrja u shpreh se qeveria në vitet e fundit është fokusuar në përmirësimin e infrastrukturës në sektorin shëndetësor, si një parakusht për ofrimin e shërbimeve cilësore, si dhe në investimin sa i përket burimeve njerëzore.

“Kryefjala e të gjithë përpjekjeve që ne kemi bërë për sistemin shëndetësor është investimi që ne duam të vazhdojmë të bëjmë për burimet njerëzore dhe vlerësimi që ne duam t’i bëjmë gjithë kapaciteteve të burimeve njerëzore të sistemit shëndetësor. Vitet e fundit është bërë shumë në investime infrastrukturore dhe dixhitalizim. Një rol të rëndësishëm në përmirësimin e ofrimit të shërbimeve ka luajtur dhe partneriteti publik privat, pra ndërlidhja e ofrimit të shërbimeve me privatin, pasi pa të është gati e pamundur që të ofrohen shërbime cilësore në kohën e duhur”, tha Ibrahimaj. Në këtë drejtim, sipas Ministres, partneritetet e lidhura nga Ministria e Shëndetësisë në vitet e fundit kanë ndikuar në përmirësimin e ofrimit të shërbimeve dhe arritjen e synimit të përgjithshëm të qeverisë për të hartuar politika parandaluese, në mënyrë që në të ardhmen të ulen kostot e financimit të menaxhimit të përgjithshëm spitalor.

Ministrja Ibrahimaj nënvizoi rëndësinë e hartimit të politikave të qëndrueshme financiare dhe të ofrimit të shërbimeve, në kushtet kur politikat e financimit  përballen me kufizime jo vetëm në vendin tonë, ndikuar nga një sërë faktorësh.

Megjithatë, Ibrahimaj tha se qeveria është e gatshme të marrë në konsideratë alternativa financimi dhe analiza të përgjithshme me qëllim që të eliminohet çdo lloj kufizimi që mund të ketë në të ardhmen për financimin.

Në përfundim të fjalës, Ministrja ritheksoi angazhimin dhe vëmendjen maksimale të qeverisë ndaj shëndetësisë, si një sektor jetik për mirëqenien e popullsisë.

Fjala e Ministres Ibrahimaj:

Përshëndetje të gjithëve,

Shëndetësia është një sektor shumë i rëndësishëm në jetën tonë të përditshme. Ashtu siç u theksua edhe nga Kryeministri dhe ministrja e Shëndetësisë, lajmi më i rëndësishëm që duhet të nënvizojmë sot, mbi gjithë ato që do thuhen e që janë shumë të rëndësishme, është rritja e financimit për pagesat e mjekëve specialistë, një vendim i cili prej disa vitesh është diskutuar dhe kërkuar nga MSH dhe më në fund i arritur si qëllim. Kështu që, kryefjala e të gjithë përpjekjeve që ne kemi bërë për sistemin shëndetësor është investimi që ne duam të vazhdojmë të bëjmë për burimet njerëzore dhe vlerësimi që ne duam t’i bëjmë gjithë kapaciteteve të burimeve njerëzore të sistemit shëndetësor.

Pandemia ishte një sfidë e paimagjinueshme. Nuk kishte qeveri që ishte e përgatitur për të përballuar një të papritur të tillë dhe sistemi ynë shëndetësor e përballoi me sukses të admirueshëm dhe kjo vjen si një miks qoftë i politikave që ne kemi ndjekur që në vitin 2013, por dhe i të gjithë kapacitetit njerëzor që ka nëpër spitale dhe qendra shëndetësore, të cilët në kohë rekord riformatuan punën e tyre dhe arritën që të stabilizojnë situatën, sigurisht me sakrifica të jashtëzakonshme nga të gjithë aktorët. Pikërisht pandemia vuri në dukje se sa e rëndësishme dhe e ndërthurur është shëndetësia me ekonominë.

Gjatë dy viteve të fundit ne kemi qenë të detyruar që të përballonim të tashmen, ndërkohë që në kontekstin e këtij Kongresi është e rëndësishme që të flasim për të ardhmen, për se si ne do të bëjmë që të kemi një qëndrueshmëri të politikave tona, qoftë financiare, qoftë atë të ofrimit të shërbimeve.

Sigurisht jetojmë në një kohë ku sëmundshmëria e sëmundjeve kronike po rritet, ku popullsia po plaket, ku kemi sfida të emigracionit dhe burimet njerëzore po pakësohen, kështu që miksi i politikave që ne duhet të ndërmarrim është i komplikuar dhe patjetër që politikat e financimit të sektorit shëndetësor kanë kufizime jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë botën.

Ne kemi bërë shumë përsa i përket infrastrukturës, pasi mendojmë se ndërtimi i infrastrukturës së duhur është parakusht për ofrimin e një shërbimi cilësor shëndetësor.

Gjatë viteve të fundit është bërë shumë edhe në kuadër të dixhitalizimit të  ofrimit të këtyre shërbimeve, me qëllim edhe gjurmimin e gjithë elementëve të sistemit shëndetësor, pasi pa pasur një gjurmim të mirë, pa pasur shifra të mira në të gjithë elementët është gati e pamundur që të hartosh politikat e duhura dhe që t’i qëndrojnë kohës.

Pra, është bërë shumë në investime infrastrukturore dhe të dixhitalizimit. Megjithatë, një rol të rëndësishëm në përmirësimin e ofrimit të shërbimeve ka luajtur dhe partneriteti publik privat, pra ndërlidhja e ofrimit të shërbimeve me privatin, pasi pa të është gati e pamundur që të ofrohen shërbime cilësore në kohën e duhur.

Në fakt, të gjithë partneritetet që Ministria e Shëndetësisë ka lidhur gjatë viteve të fundit kanë ndikuar në ofrimin e një shërbimi më të mirë dhe në arritjen e atij synimi të përgjithshëm që ne kemi, që në të ardhmen kostot e financimit të jenë sa më të përballueshme, që ne të mundohemi të bëjmë politika parandaluese të cilat në të ardhmen do të ulin koston e shtrimeve dhe të menaxhimit spitalor të përgjithshëm.

A është mjaftueshëm ajo që kemi bërë? U tha sot dhe do të vazhdohet të thuhet që nuk është mjaftueshëm. Ka nevojë që ne të marrim në konsideratë alternativa financimi dhe analiza të përgjithshme me qëllim që të eliminojmë çdo lloj kufizimi që do të kemi në të ardhmen për financimin. Një ndër to është politika që Ministria e Shëndetësisë ka filluar të ndjekë ajo e autonomisë spitalore.

Ka një debat të madh që duhet të kryhet gjithashtu për kontributet e sigurimeve shëndetësore që në Shqipëri janë në nivelet më të ulëta jo vetëm në rajon por në të gjithë Europën, pasi sigurisht që financimi më i madh kërkon dhe burime më të mëdha financimi. Megjithatë, ne kemi synuar gjatë gjithë këtyre viteve që politikat e financimit të sistemit shëndetësor të mos prekin xhepat e individëve dhe kjo është arsyeja pse këtë  debat të nivelit të kontributeve të sigurimeve shëndetësore do të shtyjmë edhe pak në kohë. Ne kemi arritur që të ulim paratë që individët shpenzojnë për shëndetësinë dhe gjithashtu të rrisim në përgjithësi totalin e shpenzimeve publike ndaj shpenzimeve shëndetësore, e kemi kthyer raportin nga 40 në 60 dhe synojmë që deri në 2025 ta çojmë në 70 %.

Jam këtu të shpreh mendimet e mia dhe të dëgjoj me kujdes se çfarë do të thonë kolegët, se si e kanë vizionin e financimit të politikave shëndetësore, si e kemi ne dhe se si e kanë dhe vendet e rajonit, dhe besoj fort që ditët e Kongresit do të jenë ditë që do të na bëjnë të reflektojmë dhe do të na sjellin ide të reja për të cilat ne na lind detyra t’i përkthejmë në politika.

Megjithatë, dua të nënvizoj angazhimin tonë maksimal dhe vëmendjen tonë maksimale si qeveri drejt këtij sektori që është jetik për mirëqenien e popullatës.

Dua ta mbyll me një falënderim shumë të madh për gjithë punën e kryer nga Ministria e Shëndetësisë dhe ekipi shëndetësor kudo në Shqipëri.

Faleminderit të gjithëve.

Previous Konferencë e përbashkët për shtyp e Kryeministrit Edi Rama dhe Kryeministres së Danimarkës Mette Frederiksen