Kongresi Ndërkombëtar i Nanoteknologjisë, Kryeministri Rama: Vizioni ynë, brenda dekadës tjetër, çdo i ri shqiptar që aspiron të studiojë teknologjitë e së ardhmes, të mund ta bëjë në vendin e tij

Tirana u bë për të pestin vit rradhazi pikëtakimi i komunitetit shkencor të Europës dhe jo vetëm në eventin “nanoBalkan 2025”, – aktivitet shkencor i nivelit ndërkombëtar në fushën e nanoshkencës dhe nanoteknologjisë, organizuar nga NanoBalkan-Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Projekti Susnano i Universitetit të Tiranës, në bashkëpunim të ngushtë me Institutin e Nanoteknologjisë në Spanjë (ICN2) dhe Fondacionin Fantom (Phantoms Foundation) në Spanjë.
Mbi 250 pjesëmarrës, mes tyre edhe shkencëtarë të shquar në fushën e nanoteknologjisë u mblodhën sot në Kongresin, i cili synon të evidentojë arritjet më të rëndësishme në nivel botëror në nanoshkencë dhe nanoteknologji, si dhe të krijojë mundësinë e zhvillimit të politikave dhe krijimit të kontakteve, lidhjeve e bashkëpunimeve të rëndësishme për zhvillime të tjera në këtë fushë.
Në çeljen e punimeve ishte i pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama, i cili tha se “Sot gjendemi në një ag të ri për Shqipërinë, si një komb që guxon të udhëheqë në ballë të shkencës dhe teknologjisë në këtë rajon.”, ndërsa theksoi se “do të kanalizojmë më shumë burime, reforma institucionale, kapital njerëzor për të ndihmuar në ndërtimin e një ekosistemi të nanoteknologjisë, që e ka spirancën në Tiranë, por që rrezaton apo më mirë është e zgjeruar, jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë.”
Kryeministri informoi të pranishmit se një sërë universitetesh shqiptare po hartojnë programe ndërdisiplinore për sistemet digjitale, inteligjencën artificiale dhe së shpejti për nanoshkencat, si një një nevojë e së tashmes. “Vizioni ynë është që brenda dekadës tjetër, çdo i ri shqiptar që aspiron të studiojë teknologjitë e së ardhmes, të mund ta bëjë këtu në shtëpi. Ne do të kërkojmë partneritete me universitetet europiane dhe institutet kërkimore, duke u siguruar që kurrikula jonë të përputhet me standardet më të larta ndërkombëtare. Është një punë që ka nisur e po shohim tashmë hapat e para. Dhe po kështu po shohim edhe rezultatet e para që janë inkurajuese. Ky investim në arsim nuk ka të bëjë vetëm me prodhimin e shkencëtarëve a inxhinierëve, por ka të bëjë me krijimin e një hapësire për njerëzit që të mendojnë në mënyra novatore, të krijojnë një brez, do të guxoja të thoja novatorësh, që do të çojnë përpara ekonominë shqiptare, industrinë e qeverisjen shqiptare përpara.” – u shpreh ndër të tjera Kryeministri Rama.
Kongresi do të zhvillohet përgjatë 5 ditëve, në seanca plenare dhe seksione paralele sipas një programi të bazuar në tema aktuale dhe innovative. Ai synon realizimin e objektivave të rëndësishme për forcimin e bashkëpunimeve shkencore në këtë fushë në nivel sa më të gjerë.