Kongresi për Arsimin, një hapësirë e gjerë diskutimi mbi “Sfidat e Arsimit Cilësor dhe gjithëpërfshirës drejt Integrimit Europian” - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kongresi për Arsimin, një hapësirë e gjerë diskutimi mbi “Sfidat e Arsimit Cilësor dhe gjithëpërfshirës drejt Integrimit Europian”

Në ditën e parë të vitit të ri shkollor, nisi punimet  Kongresi për Arsimin i konceptuar si “Sfidat e Arsimit Cilësor dhe gjithëpërfshirës drejt Integrimit Europian”, me qëllimin për të bashkuar në një hapësirë diskutimi shumë aktorë në fushën e arsimit, përfshirë arsimin parauniversitar, arsimin e lartë, kërkimin shkencor, agjencitë, partnerët në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, përfaqësues të shoqërisë civile dhe donatorët e projekteve në fushën e arsimit, etj.

Pjesëmarrja në këtë kongres, e shumë autoriteteve të institucioneve arsimore, pedagogëve, studiuesve, politikëbërësve, nxit bashkëpunimin e ndërsjella për sfidat e të ardhmes, për një arsim cilësor dhe gjithëpërfshirës drejt integrimit evropian.

Punimet e Kongresit do të zhvillohen përgjatë dy ditëve dhe janë konceptuar në 4 sesione: Ndërkombëtarizimi i Arsimit, Sfidat e së Ardhmes; Arsimi i Lartë dhe Procesi i Ndërkombëtarizimit; Sfidat në Arsimin Parauniversitar; Edukimi Profesional dhe Digjitalizimi, ku do të diskutohet gjerësisht nga pjesëmarrësit mbi këto tema në panelet e dedikuara.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi, e cila hapi punimet e Kongresit, u shpreh në fjalën e saj se “Veçanërisht në kohë sfidash e transformimesh, arsimi duhet të jetë në krye të çdo axhendë, dhe të harmonizojë politikat me veprimet, për t’u rimëkëmbur në këtë botë që ndryshon me ritme shumë të shpejta.”

Ministrja Kushi theksoi ndër të tjera se një rëndësi të posaçme merr transformimi i digjital i arsimit. “Kryefjalë në politikat tona, dhe fokusin më të veçantë, jam e bindur që duhet ta ketë pa diskutim digjitalizimi. Sepse është pikërisht transformimi digjital i arsimit që zbut pabarazinë, dhe nxit gjithëpërfshirjen në arsim. Falë digjitalizimit dhe sistemeve të reja online, ne garantojmë dhe lehtësojmë regjistrimin e nxënësve, ndërveprimin shkolle-prindër, meritokraci dhe transparencë për regjistrimin e studentëve në universitete, por edhe punësimin e mësuesve.” – u shpreh ajo.

Kryeministri Edi Rama i cili mori pjesë në sesionin plenar, iu adresua të pranishmëve me një fjalë:

 

* * *

 “Të gjithë shqiptarë jemi, të gjithë një gjak, një gjuhë, një atdhe dhe një qëllim kemi, i cili është përparimi i kombit shqiptar”.

Me këtë fjali e nisi fjalimin e tij Dervish Hima në hapjen e punimeve të Kongresit të Dytë të Manastirit dhe ku ka kaluar një shekull nga Kongresi i Manastirit, një gur themeli që u fokusua tek gjuha e më pas tek arsimi, si arma më e fortë e rezistencës dhe përparimit të kombit, ne mblidhemi këtu në një Kongres, që natyrisht është shumë modest për nga pesha sesa Kongresi i Manastirit, por që në thelbin e vet ka të njëjtin shqetësim, përparimin e kombit shqiptar.

Mësimi i shqipes dhe arsimimi i popullit shqiptar ishte për delegatet e Kongresit të Manastirit, mjeti më i fuqishëm për të fituar pavarësinë. Ndërsa sot, mbrojtja e gjuhës shqipe dhe arsimimi me standardet më të mira bashkëkohore është mjeti më i fuqishëm për të siguruar vazhdimësinë në rrugën e prosperitetit.

Shumëkush mund të pyesi “Po nga se do ta mbrojmë ne gjuhën shqipe?” Ndërkohë që përgjigja është shumë e thjeshtë; mjafton të harxhojë secili një orë për të lundruar në gjithë kanalet e informacionit që të shikojë se çfarë ndodh me gjuhën shqipe, çfarë ndodh me shenjat e pikësimit, çfarë me pikat mbi ë, çfarë ndodh me formulimin e strukturës së fjalive dhe çfarë ndodh me ortografinë në tërësi.

Teksa brezi më i ri përfshihet me një shpejtësi marramendëse në rrugën e komunikimit përmes telefonave celularë, përmes kompjuterëve, gjuha është më e rrezikuara dhe nga ana tjetër, kjo nuk i ndodh vetëm gjuhës sonë, kjo i ndodh të gjitha gjuhëve që sot janë në këtë presion të madh të konsumit marramendës, si asnjëherë më parë, të fjalëve për të komunikuar në një moment kur distanca është  zëruar dhe ku shpejtësia eksponenciale e mundësisë për komunikim bëhet gjithmonë e më marramendëse.

Besoj se na takon të gjejmë mënyra dhe të kërkojmë përmes një dialogu të gjerë mes nesh rrugë për ta forcuar pozicionin e gjuhës shqipe në këtë kaos gjuhësor dhe komunikativ ku është përfshirë gjithë bota dhe ku padyshim, ne jemi thellësisht të përfshirë.

Ashtu sikundër nga ana tjetër, na takon të shohim me shqetësim se domosdoshmëria për të rritur standardet e arsimimit dhe për t’i njehsuar këto standarde me kornizën e standardeve më të mira bashkëkohore, është një urgjencë gjithnjë e më e madhe, edhe këtu e përsëris, jo vetëm për ne, por për shumë e shumë vende, përfshirë dhe vendet më të zhvilluara pasi po njësoj edhe gjithë procesi i mësimdhënies dhe mësim marrjes është nën presionin në rritje të vazhdueshme të transformimeve teknologjike. Libri bëhet përditë e më i huaj për njerëzit në tërësi dhe për brezat e rinj dhe për fëmijët në veçanti dhe rrugët e komunikimit bëhen gjithmonë e më kaotike dhe të pakontrollueshme.

Ajo që është pak mbase, por shumë e sigurt është se sot ne kemi më shumë nevojë se asnjëherë më parë nevojë për të bashkuar mendjet tona përtej kufijve të Shqipërisë, për të bashkuar mendjet tona në të gjithë hapësirat ku jetohet dhe flitet shqip, që nga hapësirat shtetërore të Shqipërisë apo Kosovës, të Maqedonisë së Veriut apo Malit të Zi, të zonave ku shqiptarët jetojnë në emigracion e deri tek hapësirat brenda shtëpive, aty ku shqiptarët janë shpërngulur deri në pikat në të largëta të globit.

Është shumë e rëndësishme për ne që ky bashkim, mendjet të na japë më shumë të kuptojmë edhe më shumë të gjejmë se si dhe çfarë duhet të vendosim për të nesërmen, pa e neglizhuar për asnjë moment dhe mbase sensibilizimi në këtë moment është kryesori; se kërcënimi ndaj gjuhës është sot një kërcënim më i madh se asnjëherë tjetër dhe se çdo ditë që kalon e rrit këtë kërcënim dhe se forcat që e kërcënojnë gjuhën janë të atilla që për nga përmasat dhe për nga presioni që ushtrojnë mbi mendjet dhe rrugët e komunikimit më të vegjëlve, duken gati-gati të pathyeshme.

Nga ana tjetër, më vjen mirë që këtu në këtë Kongres unë mund të them se Enciklopedia shqiptare, Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe dhe Libri Themelor i Historisë Shqiptarëve nuk janë më nevoja të thëna dhe të pa adresuara, por janë projekte të cilat kanë hyrë në rrugën e jetësimit të tyre. Është për të ardhur keq që për shumë e shumë vite ne nuk e patëm këtë mundësi, por nga ana tjetër, lajmi mirë është se sot është shtruar rruga për t’i pasur këta libra shumë themelorë për kombin tonë, për botën tonë akademike dhe për brezat e tjerë, libra që natyrisht janë libra të hapur, që çdo gjeneratë i pasuron dhe i përmirëson, por që sot janë mungesa të mëdha, boshllëqe të mëdha në këtë rrugë, ku siç e thashë përpjekja për gjuhën duhet të jetë një përpjekje e gjithanshme dhe mbase është koha për ta diskutuar  futjen e gjuhës shqipe në çdo nivel të arsimimit.

Është gjë e madhe dhe bëjmë mirë që kërkojmë në vazhdimësi të dimë sesa të aftë janë të rejat dhe të rinjtë tanë për të folur anglishten, është gjë e madhe dhe shumë mirë që kemi një sistem të tërë provimesh të anglishtes, por është realisht një mangësi sot që nuk kemi të njëjtin sistem për gjuhën tonë amtare që e marrim si të mirëqenë pasi mësojmë fëmijët tanë të lexojnë dhe të shkruajnë shqip.

Sot fillon viti i ri shkollor dhe është lajm shumë i mirë që viti i ri shkollor fillon me një Abetare të unifikuar për fëmijët shqiptarë, produkt i një pune të përbashkët me qeverinë e Republikës së Kosovës, fryt i një kontributi të gjerë autorësh, i një kontributi të gjerë ekspertësh, i një kontributi të përbashkët grupesh të ngritura për ta ndjekur këtë proces dhe i një konkurrencë shumë të fortë mes tekstesh dhe shtëpisë botuese që nxori një rezultat që mbase nuk është më i miri i mundshëm sepse më e mira e mundshme asnjëherë nuk është e mundur, por është një rezultat kuptimplotë në ditët e sotme. Por futja e Abetares së unifikuar që ne do të bëjmë çmos që të shtrihet dhe në vende të tjera, jo vetëm në Shqipëri e në Kosovë,  Maqedonia e Veriut tanimë e ka aprovuar në parim futjen e saj në të gjitha klasat ku fëmijët e popullit shqiptar të Maqedonisë së Veriut mësojnë gjuhën shqipe, po ashtu kemi filluar të diskutojmë me Mali e Zi, me Serbinë për gjithë shqiptarët e Luginës së Preshevës e më tutje.

Kemi filluar të diskutojmë me qeverinë e Kosovës për planin e përhapjes së kësaj Abetareje në të gjithë diasporën. Megjithatë është një gur themel,  por është vetëm një gur themeli, nuk është e gjithë ngrehina e njehsimit të rrugës së arsimimit të shqiptarëve, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë edhe gjetkë.

Sot në këtë kongres besoj që është e rëndësishme të bëhet diçka që shumëkush nuk e ka dëshirë, të kujtohemi nga e nisëm në tingujt e kësaj muzike kaq kuptimplotë të dikujt që duhet të jetë tejet optimist që jeton me radion në xhep. Nuk po spekuloj, por më ka ndodhur disa herë sepse më qëllon shpesh të jem në takime të mëdha ku ndizen këto radiot nëpër xhepa dhe një herë kam marrë guximin ta pyes personin dhe më tha: Është zilja e gruas! Sepse kështu janë burrat shqiptarë, të fortë, të pavarur, sundimtar të pakontestueshëm jashtë mureve të shtëpisë, dhe tani meqë po flisnim për komunikimin digjital të lidhur me një fije zëri dhe kur dalim nga muret e shtëpisë që e kanë si atë zinxhirin e qenit, por nuk po zgjatem më tutje.

Po thosha që është e rëndësishme sot të kujtohemi nga u nisëm dhe përsëri edhe në këtë fushë unë mendoj se vlen e njëjta gjë . Po të kujtohemi nga u nisëm, sot jemi dita me natën. Po të mendojmë ku duhet të shkojmë, sot jemi nata me ditën. Kemi jashtëzakonisht shumë akoma për të bërë, jo se kështu duhet thënë për t’u dukur mirë, por sepse kjo është e vërteta. Ama kur kujtoj se nuk ishte përpara 100 vitesh, as përpara 50 vitesh, por para më pak se 10 vitesh që mësueset e mësuesit e këtij vendi ishin skllevër të politikës, nuk mund të vendosnin dot asgjë për fatin e tyre me meritën e tyre. Mund të ngryseshin në një vend pune dhe mund të gdhiheshin papritur të hedhur në një vend pune tjetër, larg vendbanimit të tyre pa asnjë shpjegim. I gjithë sistemi i rekrutimit të mësuesve ishte një sistem i bazuar tek politika, tek tesera e partisë, te ryshfeti e kështu me radhë. Dhe heqja e mësuesve nga kthetrat e politikës, pavarësimi i tyre, vendosja e figurës se tyre në qendër me dinjitetin dhe me respektin që iu takon, përpjekja për ti trajtuar ata gjithmonë e më mirë brenda natyrisht shfrytëzimit të të gjitha mundësive tona, shoqëruar me vendosjen e një procesi tërësisht të pavarura, tërësisht transparent, tërësisht të pandikuar nga personi apo nga vullnetet e ndryshme te drejtorive, që është portali “Mësues për Shqipërinë”, praktikisht e ka ndryshuar si ditën me natën situatën e mësuesve.

Përpara pak ditësh më bëri përshtypje një kronikë, e cila ishte përhapur në të gjitha rrjetet sociale, e një mësueseje që ishte një nënë me dy fëmijë dhe me kontratë të përkohshme, e cila ankohej për situatën në të cilën gjendej, natyrisht e shtyrë dhe nga pasiguria që të jep kontrata e përkohshme dhe të cilën një fluks i tërë komentatorësh e mbështesnin si viktimë të politikës. U interesova dhe arsyeja pse e konsideronin viktimë të politikës ishte se kjo mësuese ishte shumë aktive në takimet që organizon grupi “Shqipëria në rrezik”, por në të njëjtën kohë mora vesh sot duke ardhur – sepse e kam ndjekur këtë gjë me Evisin dhe prandaj po e them, po e ndaj këtu me ju – që përtej faktit që ajo mësuese shprehte gjithë shqetësimin e saj, sëkëlldinë e saj, pasigurinë e saj mbase dhe inatin e saj ndaj qeverisë, ndryshe nga të tjerë i kishte bërë detyrat e veta, duke sidoqoftë konkurruar në portalin “Mësues për Shqipërinë” dhe ja që sot kur rezultatet e portalit janë shpallur ajo është fituese.

Ajo është fituese për të marrë një vend pune të përhershëm dhe portali “Mësues për Shqipërinë” as nuk ka në kriteret e veta përkatësinë politike, as nuk mund të ndryshohet, jo thjesht sepse ne nuk duam të ndërhyjmë dhe nuk kemi ndërhyrë asnjëherë, por sepse çdo ndryshim që ti mund të besh tek portali lë gjurmë dhe portali Mësues për Shqipërinë të jep atë që të takon për atë që kërkon. Kërkon një vend pune të përhershëm si mësues, merr  një vend pune të përhershëm si mësues, pavarësisht se për kë voton, pavarësisht se sa shprehesh apo nuk shprehesh për qeverinë apo për opozitën, këto nuk kanë asnjë rëndësi. E për ata që e mbajnë mend, shumë nga ju këtu dhe shumë mësues të tjerë e mbajnë mend se çfarë kohe ishte kur kjo gjë as nuk mund të imagjinohej besoj që është diçka me një rëndësi të madhe për dinjitetin e mësuesve, për respektin dhe meritën dhe për lirinë dhe garancinë e konkurrencës, kështu që unë dua t’i uroj suksese mësueses në fjalë, si mësuese me kontratë të përhershme dhe në kohën e lirë ajo mund të vazhdojë të shkojë në mbledhjet e ‘’Shqipërisë në rrezik”, por nëse Shqipëria do të ishte në rrezik, ajo nuk do të kishte dot një kontratë të përhershme, se kush do ta rrezikonte Shqipërinë nuk do mendonte për dinjitetin e mësuesve, por do të vazhdonte të mendonte siç mendojnë ata që sot iu duket Shqipëria në rrezik, kur vinin në rrezik çdo karrierë, vinin në rrezik çdo meritë, vinin në rrezik çdo të drejtë vetëm për qëllime dhe arsye politike. Këto nuk ekzistojnë më, natyrisht që nuk është një sistem i tërë i përsosur, natyrisht që kur vjen puna për kontratat e përkohshme apo për punësimin e përkohshëm mund të ketë gjëra të cilat nuk bëhen siç duhet dhe për këtë arsye jemi këtu, për t’i bërë ato akoma më mirë.

Prindi ishte tërësisht u përjashtuar nga sistemi, sot, shkollat qendra komunitare janë shtrirë në gjithë Shqipërinë, por më shumë se kaq, fryma e një komuniteti ku mësuesi është në qendër, jo politika dhe ku prindi është pjesë, është përhapur dhe po forcohet dita – ditës.

Infrastruktura arsimore nuk ka asnjë të krahasuar. Nëse sot ne jemi në kushtet kur mund të nisim lëvizjen e madhe sportive në shkolla, kjo vjen si rezultat i faktit se kemi infrastrukturë arsimore, me qindra e qindra palestra. Nuk e kishim! Më tha bukur një drejtor shkolle në një nga zonat e rindërtimit: “Kishim një shkollë pa banjo, sot shkolla ka më shumë banjo se gjithë fshati”.

Lëvizja sportive, e cila është bërë gati dhe për të cilën presim vetëm finalizimin e procesit të furnizimit me gjithë uniformat, me gjithë mjetet e nevojshme, do të fillojë dhe nuk dot ndalet më ashtu sikundër edhe programi i arteve dhe zejeve në shkollë do të fillojë dhe nuk do të ndalet më sepse krahasimisht ose përkrah me teknologjinë dhe me digjitalizimin na duhet të fusim edhe këto aktivitet që janë aktivitete të shoqërizimit të njerëzve.

E tha ministrja dhe unë nuk dua të zgjatem se këtu do të ketë dy ditë panele dhe punë në të gjitha aspektet e veçanta, por dua të ndalem edhe pak tek dy elemente të tjerë, tek arsimi profesional dhe tek universiteti.

Arsimi profesional ka bërë hapa të rëndësishëm, por të pamjaftueshëm ashtu sikundër me universitetin kemi bërë hapa të rëndësishëm, por të pamjaftueshëm. Përsëri po të kthehemi për një moment nga jemi nisur, është sot dita me natën. Besoj të gjithë i kujtoni universitetet fantazmë që shisnin diploma, besoj të gjithë i kujtoni radhët e tmerrshme, kaotike për të hyrë në universitet, besoj të gjithë e kujtoni se siç ndodhte me mësuesit ndodhte edhe me ata që donin të hynin në universitet, merita nuk ishte e gjitha. Lidhjet partiake, lidhjet shoqërore, lidhjet korruptive përcaktonin shumë në radhët e futjes në universitet të nxënësve, sot kjo nuk ndodh më.

Nuk ka shans që fëmija i një ministri, i një deputeti apo një të pasuri të kapërceje radhën dhe t’i zërë vendin fëmijës së një bariu që mund të jetë na mal duke kullotur dhentë sepse i gjithë procesi është i digjitalizuar, njësoj si portali dhe në të gjithë procesin, rëndësi ka rezultati dhe rezultati është aty, i lexueshëm për të gjithë dhe në çdo ndërhyrje në atë platformë lë gjurmë dhe prandaj nuk ka të tilla. Ashtu sikundër është një proces që dikur karakterizohej nga lumenj përmbytës ankesash, sot nuk ka asnjë ankesë për padrejtësi. Natyrisht edhe ai proces ka nevojë për përmirësime të tjera të cilat janë diskutuar dhe ne po i bëjmë hap pas hapi.

Ndërkohë që ndërkombëtarizimi i gjithë sistemit tonë universitar, është një domosdoshmëri. Ne shpresojmë shumë që përmes lobimit politik, pra BE dhe Komisionit Europian duke përfituar edhe nga pozicioni i ri që kemi si një vend që po negocion bashkë me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, të bindim Bashkimin Europian që ta përfshijë edhe sistemin universitar të vendeve tona në sistemin universitar evropian, për t’iu krijuar mundësi edhe universiteteve tona të hyjnë në sistemin universitar europian ku pastaj sinergjitë mes universiteteve dhe bashkimi i programeve, ndërveprimi mes studentëve dhe pedagogëve, njehsimi i diplomave, mundësia që ti të studiosh në Shkodër apo Vlorë, por të marrësh një diplomë që është europiane falë kësaj sinergjie, është shumë e thjeshtë dhe mbi të gjitha është një proces i mbështetur financiarisht, masivisht nga BE. Sa pa arritur në atë pikë, ne kemi bërë shumë përpjekje për ta fuqizuar dimensionin ndërkombëtar të universiteteve dhe sot më vjen mirë të them se jemi në kushtet kur kemi 41 marrëveshje me universitete prestigjioze ndërkombëtare dhe ndërkohë që janë proces 175 marrëveshje të nënshkruara që do të thotë marrëveshje për t’iu dhënë mundësi studentëve tanë këtu në Shqipëri që të hyjnë në procese të cilat brenda për brenda vendit sjellin cilësinë më të mirë të arsimit nga jashtë vendit.

Ndërkohë kjo është një fazë tranzicioni për të arritur për të patur diplomën e huaj këtu në Shqipëri, që do të thotë, për t’iu thënë vajzave dhe djemve që përfundojnë me rezultate të shkëlqyera dhe që mendimin e parë e kanë për të shkuar jashtë shtetit, për të studiuar në një universitet cilësor, që këtë gjë mund ta bëjnë edhe këtu pa u larguar nga shtëpia duke përfituar nga fakti se universiteti cilësor nga një vend i Bashkimit Europian është këtu dhe nga ana tjetër është e domosdoshme që ne te kuptojmë se nuk mund të vazhdojmë me një sistem universitetesh ku të gjithë duan t’i bëjnë të gjitha dhe kemi nevojë për një reformë të guximshme, të domosdoshme, jetike do thoja unë, të transformimit të një pjese në kolegje profesionale.

Krijimi kolegjeve profesionale është një objektiv themelor që duhet ta ndjekim dhe duhet ta plotësojmë. Dhe në mbyllje dua ta rikapitulloj se për ne digjitalizimi i vendit, digjitalizimi i ndërveprimeve edhe ne nivelin e sipërmarrjes jo vetëm në nivelin e marrëdhënieve të qeverise me qytetarët, digjitalizimi si një proces themelor i procesit të edukimit për të krijuar kushte për një  punësim cilësor dhe me të ardhura shumë më të larta, është prioritet themelor në arsim. Sot kemi filluar me 100 laboratorët smart dhe duam që brenda mandatit këta laboratorë t’i shtrijmë gjerësisht në Shqipëri për t’ju dhënë mundësi fëmijëve që nga klasa e parë të hyjnë në botën e teknologjisë dhe sipas llogarive të bëra dhe sipas praktikave të studiuara futja e fëmijëve që në klasë të parë edhe në mësimin e teknologjisë dhe marrja e këtij mësimi me kurikulat përkatëse të standardeve më të mira europiane, siç janë ato që janë futur sot në 100 shkollat e para, bën që në fund të klasës së nëntë, sado e pabesueshme që duket, fëmija të ketë aftësitë e një koduesi të mirëfilltë dhe pasja e një koduesi të mirëfilltë do të thotë aftësi për t’u punësuar paralelisht në vazhdimin e mësimit. Kam takuar nxënës shkollash të mesme, të cilët aktualisht punojnë në shtete të ndryshme, duke vazhduar të studiojnë në shkolla të mesme këtu në Shqipëri.

Që do të thotë, në shtëpinë e tyre, në Shënavlash banonte një nga vajzat që kam takuar dhe që prej moshës 11 vjeç ajo mbante tërë shtëpinë duke qenë një nxënëse e shkëlqyer në gjimnaz. Si? Duke zotëruar njohuritë e kodimit dhe duke hyrë në tregun e madh online që ka të ardhura shumë më të larta se të ardhurat e zakonshme.

Nëse duam që Shqipëria të kalojë në një nivel tjetër në pikëpamje të punësimit për të rinjtë dhe në pikëpamje të pagave për të rinjtë, për t’i bërë ato edhe më atraktive sesa pagat e një pune të zakonshme në vende të tjera dhe në Shqipëri po e po, kjo është rruga dhe ne do të bëjmë çmos për ta thelluar këtë rrugë.

Mirësia e madhe e teknologjisë për vendet që janë në zhvillim, është se vendet që janë në zhvillim mund të bëjnë kapërcime epokale në një kohë të shkurtër sepse nuk kanë makineri të mëdha për t’i lëvizur në një drejtim tjetër nga pikëpamja burokratike. Nga ana tjetër, mundësia që jep teknologjia është e tillë që vendet në zhvillim mund të krijojnë burime njerëzore të afta për ta çuar vetë vendin në një nivel tjetër.

Digjitalizimi si prioritet kryesor, patjetër sporti, arti dhe zejet si prioritete për t’i krijuar fëmijëve hapësirat alternative të një jete që nuk mund të jetë o kompjuter, o në rrugë dhe të një jete që nuk mund të jetë shkollë-shtëpi, shtëpi-shkollë në rastin më të mirë, por edhe të një jete që nuk mund të jetë një jetë e mbyllur brenda mureve të individualitetit pa një aftësi për të qenë i aftë në shoqëri dhe komunitet.

Së fundmi, vullnetarizmi. Kemi pasur kontakte me të rinj gjatë gjithë procesit të dëgjesave për strategjinë e re të rinisë që kërkojnë t’ju njihet si në vendet e tjera, në Shtetet e Bashkuara për shembull, në mënyrë të veçantë, por edhe në vende të tjera, t’ju njihen orët e vullnetarizmit dhe pjesëmarrja në aktivitetet vullnetare të njihet si një cilësi e veçantë kur këtyre të rinjve u jepet një e drejtë studimi apo u jepet një e drejtë pune. Edhe kjo është pjesë e prioriteteve tona.

Nuk po e zgjas më shumë, po e mbyll këtu. Mendova që do bëja një fjalim më të shkurtër, por kështu mendoj gjithmonë. Asnjëherë nuk ja dal me sukses. Ju kërkoj ndjesë nëse u zgjata më shumë se duhet, por dua ta mbyll me një falënderim të posaçëm, aspak protokollar, aspak formal, por shumë të ndjerë për të gjitha mësueset në radhë të parë dhe mësuesit në radhë të dytë, e kam këtë të metë që si përfaqësues i seksit tim kam më shumë respekt për seksin tjetër.

Kështu që, dua t’i shpreh të gjithë respektin mësueseve të gjithë Shqipërisë sepse janë realisht një pasuri vlera e të cilës është shumë herë më e madhe sesa sot shoqëria arrin ta çmojë dhe natyrisht shumë më e madhe sesa ne si qeveri arrijmë ta vlerësojmë. Megjithatë ne i kemi rritur dhe do vazhdojmë t’i rrisim pagat me objektivin që mësueset në radhë të parë pastaj dhe mësuesit të jenë gjithmonë e më të lehtësuar dhe që puna e tyre, e cila është shumë më tepër sesa orët që kalojnë në shkollë të jetë gjithmonë e më e vlerësuar.

Shumë faleminderit! Shumë respekte!

Previous Viti i Ri Shkollor, 100 shkolla të arsimit bazë publik pajisen me Laboratorë Smart për zhvillimin e kurrikulës së TIK që në klasë të parë

Leave Your Comment