Konkurs ndërkombëtar për Qendrën e Drejtësisë, Minstrat Lamallari dhe Pirdeni: modernizim i sistemit dhe drejtësi digjitale deri në 2027

Në dëgjesën përmbyllëse me përfaqësuesit e gjyqësorit, përpara shpalljes së konkursit, u prezantua programi për konkursin ndërkombëtar të Qendrës së Drejtësisë. Projekti synon krijimin e një poli të ri urban për institucionet e sistemit të drejtësisë dhe përmirësimin e aksesit të qytetarëve në drejtësi, si pjesë e modernizimit të infrastrukturës dhe rritjes së efikasitetit të sistemit.

Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, e cilësoi Kampusin e Drejtësisë si një investim konkret për forcimin e institucioneve dhe sigurisë, duke theksuar se një drejtësi moderne kërkon edhe infrastrukturë moderne. Ai vlerësoi Reformën në Drejtësi si proces transformues, por nënvizoi se besimi i publikut mbetet matësi kryesor, ndërsa evidentoi sfida si vonesat në gjykim, stokun e dosjeve, vakancat dhe përdorimin e shpeshtë të paraburgimit. Sipas tij, pavarësia e gjyqësorit duhet të shoqërohet me llogaridhënie dhe balancë institucionale, ndërsa roli i politikëbërësve është të garantojnë kuadrin ligjor dhe burimet, pa ndërhyrë në vendimmarrje.

Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni, deklaroi se përmirësimi i infrastrukturës gjyqësore është element kyç në procesin e negociatave me Bashkimin Evropian. Ajo bëri të ditur se buxheti i vitit 2026 parashikon 500 milionë lekë shtesë për drejtësinë, ndërsa mbështetja totale që nga nisja e reformës arrin në 1.6 miliardë lekë.

Pirdeni theksoi se po punohet për ngritjen e sistemit të integruar të menaxhimit të çështjeve në gjykata dhe prokurori, me synimin që drejtësia digjitale të jetë funksionale brenda vitit 2027.

Në përfundim, u nënvizua se investimet në infrastrukturën fizike dhe digjitale do të vijojnë, me synimin për ta afruar sistemin shqiptar të drejtësisë me standardet evropiane.