Fjala e zëvendëskryeministres, njëherësh Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku:
Unë bëj pjesë tek ata njerëz që po ditën e diel kam bërë tifo nga kolltuku i kuzhinës duke parë gjithmonë Formula 1 dhe besoj që shumë shqiptarë e bëjnë këtë, femra dhe meshkuj. Ne jemi popull që na pëlqen sporti kështu që të shikosh Jean Todt, tek falënderon Qeverinë Shqiptare dhe Blendi Gonxhen është kënaqësi e madhe sepse ne e kemi parë gjithmonë me atë tutën e kuqe tek organizonte pit stop-et.
Jam shumë e sigurt që disa nga ata skeptikët e zakonshëm kur të shikojnë këtë event sot do thonë që çfarë hallesh kemi ne, shiko çfarë bëjnë këta, ndërkohë që hallet nuk do të mbarojnë kurrë, sepse nuk mbarojnë hallet as në Gjermani, as në Amerikë dhe as në ndonjë vend tjetër dhe sidomos në një vend si Shqipëria apo në një rajon si Ballkani Perëndimor do të kemi shumë punë përpara për të bërë.
Megjithatë nuk duhet të harrojmë disa fakte shumë të rëndësishme që Blendi i përmendi. Kemi nisur nga fillimi i 2019-ës, ose fundi i 2018-ës, një punë intensive për rehabilitimin, modernizimin e të gjithë sektorit të transportit, të automotorizmit dhe padyshim të infrastrukturës në tërësi. Fakte të cilat nuk i mohon dot askush pasi janë shifra dhe punë, vepra të prekshme. Gjithkush nga ju e mban mend sesi funksiononte DPSHTRR dhe sesi funksiononte një kalvar i gjatë për të marrë lejen e drejtimit, se kë duhet të kapje, sa javë të duhej dhe sesi në fund fare nuk merrej vesh nëse ai që kishte leje drejtimi e kishte bërë kursin e duhur apo ai që nuk e merrte kurrë lejen e drejtimit e kishte bërë shumë herë atë kursin e duhur. Ndërkohë që sot në një mënyrë të automatizuar, të gjithë ata të cilët futen në provime janë të kontrolluar përmes një sistemi monitorimi që nuk e luan asgjë. Ashtu siç sot leja e drejtimit merret për 24 orë. Ashtu siç sot kontrolli fizik i automjeteve, tashmë i kthyer si një shërbim tek shteti, ka arritur që të mos abuzohet më dhe që njerëzit të marrin shërbimin e duhur dhe ashtu siç duhet.
Kemi bërë shumë ndryshime dhe stafi i DPSHTRR-së është një nga stafet, të cilët unë gjithmonë e përdor si shembull të një grupi i cili punon mbi bazën e pasionit dhe jo vetëm të detyrës dhe unë besoj që gjërat bëhen me pasion më shumë sesa me detyrim.
Kështu që me të vërtetë i ka ardhur koha sot, ku Shqipëria ka investuar fuqishëm në infrastrukturë, e cila është kolona kryesore e zhvillimit të turizmit, si një nga fushat më të rëndësishme për ekonominë shqiptare, sot i ka ardhur koha që të kemi edhe këtë Auto Moto Park dhe është fati Elbasanit këtë radhë dhe Gledian çështje fati kjo patjetër, por ajo që duhet thënë që edhe bashkia këtu ka luajtur një rol të rëndësishëm, apo jo Blendi. E keni pasur në çdo hap dhe bashkëpunimi juaj ka qenë i shkëlqyer. Unë e kam ndjekur së bashku me të gjithë punonjësit e Ministrisë së Infrastrukturës dhe të Energjisë, të cilët Blendi i përmendi, sesi ka avancuar i gjithë ky proces.
Është e rëndësishme të thuhet që ti ndërton infrastrukturë, ndërton rrugë, autostrada, aeroporte, porte, marina, por ti duhet të ofrosh edhe atë çka vizitori duhet të shijojë në këtë vend, të cilit zoti bujarish i ka falur diellin, malet, detin, por tashmë ka ardhur koha që nuk mjaftojnë vetëm këto elementë natyrorë, por duhet të kemi edhe elementë të ndërtuar, të shtuar, të cilët i shërbejnë turizmit, për ta kthyer Shqipërinë në një vend ku do të vizitohet, jo vetëm për plazhet e bukura, jo vetëm për shtigjet në malet e larta, por edhe për të ardhur e për të parë këtë Auto Moto Park, i cili nuk është thjesht një pistë prej 3.8 kilometrash, por është një kompleks i tërë ku do të zhvillohen aktivitete nga më të ndryshmet, ku qytetarët e Shqipërisë apo qytetarët e rajonit apo edhe ata të Europës mund të vizitojnë çdo ditë muzeun Retro që do të jetë i vendosur aty, që ne e kemi parë se çfarë interesi ndez në çdo qytetet kur Blendi dhe ekipi i tij shkojnë për të organizuar evente. Aty do të ketë një holl të madh eventesh që ne shpeshherë me Blendin kërkojmë se ku mund të bëjmë eventin e radhës, ndërkohë që aty do të ketë një ambient për evente të ndryshme, jo vetëm për automotorizmin.
Aty do të ketë edhe pjesë të cilat do ti shërbejnë edukimit për sigurinë rrugore, kaq të rëndësishme për ne që e kemi nisur këtë punë tashmë prej vitesh, së bashku me ARRSH-në dhe DPSHTRR-në, për të edukuar të gjithë fëmijët dhe unë së bashku me kolegen time, Evis Kushin kemi nisur procesin për të krijuar një kurrikul në shkollat fillore përsa i përket edukimit për sigurinë rrugore që është shumë i rëndësishëm. Pra, për të gjithë skeptikët që do ta ndjekin sot dhe do të thonë sa halle kemi ne dhe vetëm kjo pista na mungonte. Kjo nuk është një pistë. Ky është një element i rëndësishëm, i cili do të incentivojë turizmin në Republikën e Shqipërisë, për të sjellë këtu njerëz nga e gjithë bota. Ky është një element i rëndësishëm i automotorizimit shqiptar. Ky është kurorëzimi i një pune të palodhur që kemi bërë 4 vitet e fundit dhe që unë dua të përgëzoj të gjithë djemtë dhe vajzat e rinj të DPSHTRR-së, se Blendi e ka art që të thërrasë pas vetes djem dhe vajza të rinj, të cilët çuditërisht kthehen në punonjës shumë të talentuar, sepse siç e thashë e bëjnë punën me pasion dhe jo vetëm me përgjegjshmëri.
Unë nuk do të desha të zgjatesha më shumë, pasi sot me interes kemi që të shikojmë prezantimet dhe gjej rastin që të falenderoj të gjitha kompanitë të cilat e kanë bërë detyrën pa pasur asnjë shpërblim financiar për momentin dhe ne mezi po presim që të shikojmë propozimet tuaja.
Shumë faleminderit.