Kontingjenti i parë shqiptar i helikopterëve niset në misionin e NATO-s në Kosovë, ministri Nufi: Angazhimi ynë në KFOR mbetet i palëkundur
Kontingjenti i parë shqiptar i helikopterëve, i përbërë nga 13 efektivë të Forcave të Armatosura, niset në Kosovë për t’iu bashkuar misionit të NATO-s, KFOR. Efektivët shqiptarë do të shërbejnë në bazën ushtarake amerikane “Bondsteel”, duke zgjeruar kontributin e Shqipërisë në operacionet ndërkombëtare të Aleancës.
Gjatë ceremonisë së përcjelljes në Bazën Ajrore të Farkës, Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, vlerësoi angazhimin e ushtarakëve shqiptarë dhe forcimin e kapaciteteve të Forcës Ajrore në përmbushjen e detyrimeve të Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s.
“Kontingjenti që përcjellim sot është pjesë e kësaj përpjekjeje. Ai dëshmon se Forca Ajrore po zgjeron rolin e saj dhe se Forcat tona të Armatosura po konsolidojnë kapacitetet për të përmbushur detyra gjithnjë e më të rëndësishme në kuadër të NATO-s”, u shpreh ministri Nufi.
Duke theksuar rëndësinë e misionit për sigurinë rajonale, ministri nënvizoi se stabiliteti i Kosovës është i lidhur drejtpërdrejt me paqen dhe sigurinë e Shqipërisë dhe të gjithë rajonit.
“Në këtë kuadër, angazhimi ynë në KFOR mbetet i palëkundur! Dhe ne jemi plotësisht të përkushtuar që të vijojmë të përmbushim përgjegjësitë tona me seriozitet, në bashkëpunim të ngushtë me aleatët dhe partnerët tanë, në shërbim të sigurisë së përbashkët”, deklaroi ai.
Përtej misionit KFOR, ministri Nufi theksoi se Shqipëria vijon të kontribuojë në paqen dhe sigurinë ndërkombëtare përmes pjesëmarrjes së Forcave të Armatosura në misionet dhe operacionet e NATO-s, Bashkimit Evropian dhe Kombeve të Bashkuara.